Dibra dhe Drini – një përqasje “organike” natyrore dhe historike


Nga prof. Bajram XHAFA

1. “Drini” – forma më shqip e ujit
Nga njësitë gjeografike, mali dhe lumi më së shumti mistifikohen në figura legjendash dhe personifikohen me një simbolikë impresionuese për të nxitur e stimuluar vullnetin dhe moralin njerëzor. Nga gjeografia botërore Nili është ndër shembujt më tipikë. Rëndësia e madhe që pati ky lumë për Egjiptin ishte e tillë sa që, të shumtë janë ata që thonë, dhe me të drejtë, se Nili krijoi Egjiptin. Për këtë arsye, që nga koha e Faraonëve Nili adhurohej nga egjiptianët si perëndi.
Për dobitë që sjellin dhe “funksionin” që luajnë, për njësitë gjeografike janë krijuar simbole edhe nga popujt e tjerë që jetojnë në mjedisin e tyre. Plot popuj kanë krijuar simbolikat përkatëse për lumenjtë apo malet e tyre të cilëve u bënin adhurime e u blatonin kurbane. Për Shqipërinë një simbolikë të tillë duhet ta ketë pasur DRINI, pavarësisht se niveli i adhurimit e fetishizimit të tij, e, për rrjedhojë, edhe prodhimi artistik për të nuk ka qenë si tek shumë popuj të tjerë. Në mitologjinë popullore shqiptare kanë funksionuar figurat mitologjike si zanat, orët, shtojzovallet, e bukura e dheut, kuçedrat, divat, dragonjtë, lugetërit etj., por nuk di të ketë pasur adhurime e blatime për Drinin, Korabin, Tomorrin etj.
Mitologu dhe kulturologu i shumanshëm Moikom Zeqo bën fjalë për hyun “Lumi i Vjosës”. Në Muzeun Historik Kombëtar, shkruan ai, ekziston një skulpturë në mermer të bardhë me lartësi 49 cm dhe gjerësi 70 cm. Figura skulpturore tregon një plak të fuqishëm, i cili është i shtrirë dhe i mbështetur në krahun e djathtë. Skulptura e këtij plaku madhështor që i përket shek. III p. e. s., është gjetur në qytetin e lashtë të Apollonisë dhe është identifikuar si personifikim kultik i lumit Vjosa. Arkeologët e identifikojnë atë si hyun “Lumi i Vjosës”. Duke u bazuar në disa studime të Hamondit (arkeolog anglez) shkruan studiuesi i mësipërm, kulti i hyut lumë e ka origjinën nga Epiri Ilir1.
Drini (283 km.) është lumi më i gjatë i Shqipërisë. Ai përbëhet nga bashkimi i dy afluentëve të tij më të mëdhenj: Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë. Drini i Zi buron në liqenin e Ohrit, pasqyra e të cilit është 700 m. mbi nivelin e detit. Pas një rruge prej 40 km. ai “hyn” në Shqipëri(!), (saktësisht, në Shqipërinë londineze), shkruhet në tekstet e gjeografisë. Sa pa “hyrë” në shtetin shqiptar, ai merr me vete edhe Radikën që buron nga faqja lindore e Korabit, i cili nga ana e tij mbledh edhe ujërat e Rekës së Dibrës. “Drini është një lumë i fortë, shum’ i bukurë dhe shkon nga vende t’egër me pyje e me shkëmbenj”, shkruan Lumo Skendo në “Kalendari Kombiar. Drini i Zi përshkon pjesën (nëpër palcën) më të madhe të trojeve shqiptare dhe mbledh ujërat e pellgut më të madh ujëmbledhës. Kur bëhet i plotë, sëbashku me Drinin e Bardhë e Drinin e Bashkuar, bëhet zot fuqiplotë i zotërimeve shqiptare, por jo i vetëm.
Në librat e Zotit, dhe në ato të shkencave të natyrës thuhet e shkruhet se uji qëndron në themel të ekzistencës së jetës së gjallë. Sipas studiuesve gjermanë, “drini” është forma më shqip e ujit, ashtu siç është “hidro” për greqishten. Gurgullima e shushurima e ujit gjatë rrjedhjes japin efekte magjike, qetësojnë dhe ledhatojnë shpirtin e njeriut. Tek zhurmat monotone dhe efektet e tingujve që prodhon rrjedha e ujit, këshillojnë mjekët, të venë të stresuarit, ato me hipertension e tjerë me sëmundje nervore. Në atë sintoni mërmërimash, tingujsh e zërash përzihen në mënyrë misterioze tingujt “dr”, “gr” e “br”-të që kanë brenda magjinë hyjnore dhe “prodhojnë” fjalën onomatopeike “dri-drin”. “Uji-Drini” nuk është vetëm emërtim i një sendi konkret, një njësi leksikore siç thonë gjuhëtarët, por është edhe koncept a nocion që në psikologji klasifikohet si një formë të menduari që pasqyron cilësitë dhe raportet më esenciale, më të qenësishme të një objekti a sendi në vetëdijen tonë. Besoj se nuk ka emërtesë më simbolike, më adekuate, më autentike e më hyjnore për leksikun e një gjuhe.
Emri i lumit Drin, në greqishten e vjetër del në formën Drilon (Drilon), ndërkohë tek shkrimet e autorëve romakë sipas Mayer del vazhdimisht Drinus2. Me formën Drin, që quhet primare e gjejmë tek autori romak Plini (Plinius), shek. I e. r.3 Gjuhëtarët e shquar si Hans Krahe, Mayer, Çabej, por dhe studiuesit e tjerë e kanë konsideruar gjithnjë si një hidronim me origjinë ilire dhe që përputhet me zhvillimin fonetik të gjuhës shqipe4.
Ka studiues, kryesisht sllavë si A. M. Seliščev5, që këtë emër ilir nuk e pranojnë të jetë zhvilluar në Drin përmes shqipes. Argumenti i tyre është se grupi bashkëtingëllor dr- që është në ballë të fjalës nuk është i zakonshëm për shqipen. Por diçka e tillë bie poshtë po të kemi parasysh se në gjuhën shqipe ka plot fjalë të tilla të trashëguara si dreri, dritë etj., shkruan prof. Shaban Demiraj6.
Sipas Çabejt, hidronimi Drin nuk është ndeshur vetëm në Veri, por edhe në Jug të territoreve shqiptare. Sipas tij edhe lumenj të tjerë janë quajtur me këtë emër prej shqipfolësve dhe paraardhësve të tyre. Gjithmonë sipas Çabejt një rast i pakundërshtueshëm është ai i Dropullit që ka ardhur nga një formë më e vjetër, Drinopolis7.
Në arealin etnik iliro-shqiptar emërtesën “Drini” e kemi të përhapur gjithandej për lumej apo degë lumenjsh: Drini i Zi në cepin verior të liqenit të Ohrit ku ai buron; Driloni – në cepin jugor të po atij liqeni, ku ky i fundit derdhet (Lychnidis, emri romak për liqenin e Ohrit, ka të ngjarë që të jetë fjala shqipe “Liccheni”, liqeni8, shkruan E. Durham); Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Drinasa në Shkodër; lumi Drino që i jep emrin edhe luginës: lugina e Drinos, Drinopulli-i shtuar më vonë; Në Bosnje është Drina që derdhet në lumin Sava (zonë ilirike), që nga ana e tij derdhet në Danub. Mund të ketë edhe ndonjë Dri tjetër në hapsirat ilirike ose të ketë pësuar ndryshime fonetike të mëvonëshme.
Arkeologu N. Ceka, prof. dr. e merr Mirditën të lidhur me Luginën e Matit dhe të Drinit (Pukën), sepse sëbashku “ishin boshti i Arbërit të hershëm” (f. 400).
Studiuesi dibran Hilmi Sadikaj në librin e tij “Gollobordasit e Dibrës” shkruan se “edhe fshatrat që gjenden në jug të Gollobordës së sotme, përtej kufirit shtetëror midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë (Veriore, tashmë), si Drenoku, Modriçi dhe Jabllanica, përfshirë këtu Hotishanin dhe Zepishtin, por edhe Manastirecin, i lënë jashtë saj, duke i konsideruar se bënin pjesë në Drimkoll të Dibrës. Në këto parashtresa rreth Drimkollit të Dibrës, që mendojmë se duhet të jetë emërtim më i vonshëm se ai i Gollobordës, por edhe Drimkollin e Strugës, i cili pas vitit 1912, gjatë luftërave ballkanike, nga ana e autoriteteve ushtarake-administrative serbe që pushtuan atë, e unifikuan në një krahinë të vetme dhe e quanin Drimkoll”9.
Por le të kthehemi tek Drini “ynë”, Drini i Zi.
Drini dhe degët e tij
Pasi del nga liqeni i Ohrit në Strugën shqiptare si një dem i hazdisur kur i hap derën e haurit, Drini i Zi sulet me furi drejt Veriut. Përshkon me dallgë të shkrumbëzuara përmes Dibrës historike nëpër gryka të thella e shpate të pjerrëta duke formuar kanione të ngushta e brigje piktoreske, ngjatjetohet në të dy anët me malet e Dibrës, merr e jep ndërsjelltas bekimin e Dibrës dhe të Korabit, zot i Shqipërisë, i cili, që nga maja e tij e lartë vëzhgon e ruan me kujdes gjithë trojet shqiptare. Sapo i bashkohet Radika, futet në shtetin “amë” ku pastaj Drinit të Zi i bashkohet Zalli (me dy nëndegë: Zalli i Okshtunit dhe Zalli i Bulqizës), Murra, Seta, në vargun perëndimor dhe Veleshica në vargun lindor, që buron në faqen perëndimore e Korabit. Pastaj rrjedha çan pritat e Skavicës e të Gjabricës duke formuar kanione mbresëlënëse, për t’u takuar e bashkuar në Kukës (në këmbët e Kukësit të vjetër) me sivëllain e vet, Drinin e Bardhë.
Edhe këtu përsëritet e njëjta pamje, po të perifrazojmë J. G. v. Hahn në fillimet e rrugëtimit të tij me 1863 nëpër rrjedhjen e Drinit: “dy mure shkëmborë, ndërmjet tyre një lum pa brigje, ndërsa sipër një copë e vogël qielli; me të vetmin ndryshim, që këtu ndodheshim përpara një diçkaje më madhështore, në krahasim më çka kishim parë deri atëherë”10. (Ajo pamje tashmë ka ndryshuar nga mbulimi prej ujit të liqeneve të hidrocentraleve). Edhe Drini i Bardhë, herë vrullshëm e i sertë e herë hareshëm; herë me potere e herë me butësi përshkon që nga burimi në malet e Istogut11 (në malet e Moknës, alias Mokrie-Gorie) fushat e begata të Rrafshit të Dukagjinit ku, duke iu bashkuar degët: Klina, Bistricat (e Pejës, Deçanit, Prizrenit), Topluga, Mirusha etj. merr me vete e bjen këtu bekimin e bashkimin e gjithë Kosovës.

Emri: Drini i Zi
Nji gjalë (djalë) e cucë i kishin dhanë fjalën njeni-tjetrit për t’u martue. Prej marres që ndiente, cuca nuk u kishte kallzue prindve. Po ashtu edhe djali. Atëherë s’kallzoheshin këto punë, – tregon një banore nga fshati Gështej e Kalisit. Kishte kush merrej me këto gjana. Ishin prindët që kërkojshin (fatin) me i martue, n(d)ash djalin, n(d)ash vajzën. Por prindët e vajzës i japin llafin njenit që e kishte kërkue vajzën. Vajza nuk mund të lidhej me djalin që donte dhe të cilit i kishte dhanë besën. Zakoni ishte i rreptë. Dita-ditës erdhi koha e martesës. Një ditë para dasmës vajza del prej shtëpisë dhe kërkon fatin, atë fat të cilit i kishte dhënë fjalën. E sheh e motra e vet dhe i vihet mbrapa. Vajza hyn në Dri, sepse s’kishte ujë, por në atë çast vjen uji i madh dhe ajo u ndodh në mes të tij. Vjen uji si i zi dhe e merr me vete, e përlan. Del pak mbi ujë dhe thërret emnin e të dashunit të vet. Thirr emnin dhe mallko Drinin: “Dri, o Dri, u bafsh i zi, që na ndave në të ri!”. Drini bante shumë zhurmë, po at’ minut që thirrte cuca, Drini e ndali zhurmën. Motra e ndigjoi mallkimin: “Dri, o Dri, u bafsh i zi!” dhe pa se shkulma e ujit e mori përgjithmonë. Erdhi fjala gojë m’gojë se mallkimi kishte kenë i ran(d)ë e prej atëhere i m(b)et emni Dri i Zi. Kjo është një ndër gojëdhënat që dr. Fejzulla Gjabri e mori në Gështej të Kalisit më 1974 dhe e përfshiu në librin e tij “Legjenda të Drinit të Zi” 12.
Një tjetër mallkim do t’i vinte Drinit nga historia e marrëdhënieve ndërnjerëzore që autori dibran Xhelal Ndreu e shpreh tek elegjia “Vajtimi i Qamiles”, këngë vaji kushtuar dy vëllezërve të rritur jetima, viktima, të themi, homerike: “Ju moj valët e Drinit – moj valë / Mengadalë ushtimat – mengadalë / Anës së kolirit13 – sa t’i qaj / Sa t’i qaj jetimat – o me vaj / Të këqijat që kanë hjekë – o të mjerët / Para se me vdekë – o të vgjerët / Qyqja as kumria – nuk i qanë / Gjithato të kqia – që i panë / Shifni si kanë mbetë – dy të rij / E janë ramun mbetë – këto të zij. / Me ríza mbulue – mjerauno – o – o / E me gojë farkue – t’zesto-o-o / Po u presin qefinat – shehlerët / Për të dy jetimat – o – të mjerët/ Që ka vramun Luca14 – vrae Zot / Hej e vraftë buka – e ky mot / Ngrehu ti moj Dibër15 – o – mo – re / Ta bani potere – ku – je / Pushkë e manzere o – mo – re / Qitni ku t’i keni – o – ku – je. / T’shungullojë vendi – o me gjamë /Sot e sot asht rendi – o për namë. / Ç’tu them unë e shkreta – mjera unë / Mos t’u dhimbset jeta – mjera unë / Ç’tu them unë e ngrata – nuk e di /T’ua çoni përmbrapa – o nga nji / Nga nji për njeri – me u çue / Dy vllaznit e zi – me i pague. / Te lind e per’ndon – e të lenë / Vllau nuk duron – po ngarend. / Mos m’u baft randë – n’atë jetë / Gjaku s’duhet lanë – sa të jetë / Me ja shtrue ftyrën – në kolirë / T’shifni Sadik Pirën – ore birë. Me ja shtrue ftyrën – me i kqyrë / T’shifni Abas Pirën ore birë. / Me gjak si janë la – hej u laftë / Dora q’i ka vra – hej u thaftë / Në qofshi dibranë – shëndosh – vetë / Gjaku s’duhet lanë – sa të jetë / Se ky vendi ynë – dhe i zi / Për shumë e për pak – bje n’gjaksi / Te lind e per’ndon – s’ka si ky16.
Përtej gojëdhënës, cilësorin “i zi” Drini mbase më shumë e ka nga bluja e fortë deri në të errët që merr pasqyra e ujit nga reflektimi i një blerimi të fortë të shpateve të pjerrëta malore dhe grykat e ngushta me “dy mure shkëmborë, ndërmjet tyre një lum pa brigje, ndërsa sipër një copë e vogël qielli”; nëpër të cilat rrjedha e tij përshkohet e pështjellohet.
Nisur nga drejtime të kundërta, me vrullin që marrin, duket sikur Dy Drinat, i Ziu dhe i Bardhi do të përplasen egërsisht në një kacafytje legjendash, por, pasi bashkohen në Kukës, që të dy “ndërrojnë” mendje dhe drejtim, për t’i hyrë me vullnet të përbashkët një sfide të jashtëzakonshme: marrin një kthesë të fortë drejt perëndimit e j-p, duke çarë formacionet shkëmbore kokëfortë të masivit gjeologjik të Alpeve shqiptare nga e djathta dhe malësinë e Mirditës e të Pukës nga e majta për të dalë triumfatorë në Ultësirën e Shkodrës historike. Në zonën e Berishës së Pukës ka një vend që quhet (quhej, sepse tani është e mbuluar nga uji i liqenit) “Te then Drini qafën”.
Në këtë “program” rrugëtimi të Drinit duket se edhe natyra ka të shpalosur e mishëruar në mënyrë elokuente dhe misterioze gjuhën e saj. Këtu formon një luginë 50 km të gjatë, me thellësi mbi 1000 m, me faqe të thepisura, një përngjasim i së cilës rrallë takohet në Evropë. Merr këtu një numër të shumtë degësh Valbonën, Shalën, Gomsiqen etj. Lodhur e rraskapitur nga përplasjet e egra me formacionet shkëmbore e çarjet tektonike të Alpeve dhe gjithë trashëgimia e ngatërruar e historisë gjeologjike dhe asaj antropologjike, ashtu si edhe vetë raca njerëzore e vendosur (me banin) mbi té (luginë), pasi përshëndetën me Komanin mesjetar (provë e vazhdimësisë historike të racës iliro-arbnore-shqiptare), Sardën mesjetare (Shurdhahun) dhe Danjën mesjetare (Vau i Dejës), ujërat e Drinit dalin më në fund me ofshamë të shpirtit në Ultësirën e begatë shkodrane për ta përshkuar atë me qetësi e butësi (qetësi evangjelike, thonë të krishterët).
Lagin e njomin aty begatinë e atij vendi, përshkojnë me përulje sublime piedestalin shkëmbor natyror ku ngrihet Kalaja “Rozafa” rreth së cilës mbështillet Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve; “prekin për të mirë” themelet e Taraboshit legjendar e, që aty bashkohen me Bunën e butë e të qetë që del nga liqeni i Shkodrës, basén që grumbullon ujërat dhe historitë e pellgut të madh ujëmbledhës e historibërës të shqiptarëve të këtyre anëve dhe të të gjitha anëve. Pastaj edhe një sfidë tjetër, mbase e fundit (të natyrës, por jo të historisë politike): Drini-Buna sëbashku çajnë të fundit formacione gëlqerore (të mezozoit) në kodrat shkëmbore tek Shkalla e Belajve në Breg të Bunës; tragjikisht lënë jashtë (kufirit shtetëror) Ulqinin dhe Tivarin shqiptar bashkë me Krajën, Shestanin, Anën e Malit, e…., për ta mbyllur rrugëtimin gjeografik në Adriatik.

“Misioni” përbashkues i Drinit
Historia njerëzore duket sikur riprodhon sipas një programi, të verbër a koshient, real a mistik, atë të natyrës, gjeografisë, e mbi te gjitha, të Providencës. Lumenjtë, ashtu si malet, fushat a njësitë e tjera gjeografike marrin atribute njerëzore, personifikohen dhe fantazia popullore i vesh ato me petkun e legjendës. Drini, lumi më i gjatë i Shqipërisë i bie rreth e qark pjesës më të madhe të Shqipërisë; i tërheq dhe i bashkon të gjitha ato në një bashkësi, kryen një funksion përbashkues, “ekumenik”, natyror, gjeografik, jo të sajuar e të shpifur siç bën mitologjia serbe.
Edhe në lidhje më këtë funksion të Drinit, autori i mësipërm na sjell një gojëdhënë tjetër, që mbase mund të jetë edhe penetrim tinzar (kalle, kalle) i mitologjive sllave e pravosllave.
Thuhet se Shën Naumi i kishte hipë kalit dhe ishte nisë me shkue nga Ohri në Voskopojë. Diku kali ishte ndalë dhe nuk ecte por vetëm hingëllojte. Ai e dinte se kali e ndjente rrezikun. Kthehet bregut liqenit dhe ban disa shërime njerëzish të smunë. Diku kali la gjurmë dhe sot asht kama e kalit të Shën Naumit. Shkon aty ku sot i thonë Shën Naum dhe kërkon një copë tokë për të ndërtue një faltore (kishë a manastir). Thonë se bekoi ujin dhe sot uji i bekuem kalon nëpërmes liqenit të Ohrit e del në Dri (rrymë nënujore e ujit). Me anë të ujit janë marrë vesh me Shën Gjinin, aty ku Drini derdhet në det. Kishte shkrue nji letër dhe e kishte mbështjellë mirë e mirë me dyll, e kishte lidhë me nji pe të gjatë dhe e kishte lëshue në Dri. Atë letër e kishte marrë Shën Gjini dhe kishte shkrue nji letër tjetër, e kishte lidhë dhe penin e kishte tërheqë Shën Naumi. Me anë të ujit (Drinit) lidheshin dy njerëzit e shenjtë: Njeni ku del Drini, tjetri ku mbaron17. (Ç’farë “shenjtërie” e sofistikuar sllave me ide në trajtë projektesh misionariste!!!).
Historia dhe gjeografia, thotë Samiu, janë dy shkenca të pandashme, “binjake”. Por “në histori, thotë Samiu, kundërthëniet janë të shumta. Një pjesë e historisë është rrenë e thjeshtë e cila me kalimin e kohës dhe me përsëritjen e përhershme merret si e vërtetë. Historia është zaptuar nga ana e popujve të ndryshëm”. Ashtu siç mbledh në një të vetme degët e shumta (afluentët) që nga pellgu i gjerë ujëmbledhës i Prespës e Ohrit e deri në det ku ai zbrazet e “pushon” në përjetësi, gjatë gjithë rrugëtimit të tij, Drini bëhet po ashtu, simbol edhe i bashkimit të shqiptarëve në fate të përbashkëta, integrime reciproke e në bashkime politike.

Intermexo
Ndërsa diskutoja motivin e kësaj eseje, një koleg i ri më referoi një replikë të Lasgush Poradecit. Një ditë njëri më tha: Zoti Lasgush, Zoti Lasgush! Atë poezinë e Pogradecit e keni të bukur, po në një vend nuk e kini mirë. Atje ku thoni: Duke nisur udhëtimin, mes-për-mes në Shqipëri/Drini plak e i përrallshëm po mburon nga Shëndnaumi.
Se unë – tha – jam profesor gjeografie dhe e di që Drini nuk shkon mespërmes Shqipërisë po në veri të saj. – Ç’t’i thesha? Mirë – i thashë – meqë je profesor gjeografie, mësoje njëherë vetë, pastaj ua mëso dhe nxënësve të tu, që Shqipëri nuk është vetëm kjo që mbeti (nënvizimi B.Xh.). Shqipëri është dhe atje ku ka shqiptarë dhe Drini plak e i përrallshëm shkon mes-për-mes kësaj Shqipërie18. Përgjigjja e Lasgushit më gëzoi, padyshim, dhe m’u duk e natyrshme, se ai i takon brezit të shkollës nacionale, por më shumë më gëzoi ajo ndjeshmëri “nacionaliste” e referimit nga ana e kolegut tim të ri që jeton nën agresionin e globalizmit e të sulmeve që i bëhen nacionalizmit.

***
Funksioni përbashkues mbarëshqiptar i Dibra – Drinit dhe Dibra-nyje përbashkuese
Drini i Zi dhe Dibra dhanë e morën shumë nga njëri tjetri. Ata nuk mund të ndahen e të konceptohen pa njëri-tjetrin as në histori dhe as sot. Ishin dhe janë pjesë integrale e një krijese të vetme, natyrore dhe historike, pjesë genuine e BASHKIMIT. Bashkë me ta, edhe dibrani i urtë, punëtor e luftarak, si i mbirë nga kjo tokë. Të tre këto komponentë u bënë një unitet organik. Historia i ngjizi, i çimentoi.
Kjo lidhje dhe ky bashkim ka rrezatim më të gjerë. Ato shërbyen si faktor ndërlidhës i Veriut shqiptar me Dardaninë; por dhe me Jugun e Shqipërisë, me Toskërinë. Prova më e vonë dhe më adekuate është historia e Lidhjes së Prizrenit. Nga Dibra do të kalonte Abdyl Bej Frashëri në rrugëtimin e tij nga Frashëri në Dibër e pastaj në Prizrenin e Kuvendit Nacional ku ndezi flakën Shqipëria e ardhshme politike dhe anasjelltas. Dibra dhe Drini ishte qendra përbashkuese dhe ura ndërlidhëse e “Oikumenit” shqiptar; Dibra dhe Drini: si gjeografi, si mendim e si mendësi, si faktor luftarak. Kuvendet e Dibrës të zhvilluara gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishin programin me platformat më realiste për fatin e Lëvizjes gjatë Lidhjes dhe pas saj. Këtë e treguan edhe ngjarjet e mëvonshme, të 1912-ës.
Kush si Dibra, me vetëdije politike dhe me forca luftarake i doli zot Vatanit në Luftërat Ballkanike, kur koalicioni ortodoks sllavo-grek u vërsul për ta fshirë Shqipërinë nga faqja e dheut. Të organizuar në formacione të mëdha luftarake, të prirë nga udhëheqësit e tyre popullorë, dibranët i kishe në Manastir e në Follorinë, në Kakarriq e në Shkodër, në Kolesian e n’Qafë t’Vllanicës. Jashtë çdo mburrje krahinariste, sëmundje e pashërueshme dhe vrastare e shqiptarëve, vetë politikbërësit e Mëdhenj e çmuan realisht këtë faktor, prandaj në projektet e zhbërjes së kombit shqiptar, jo pa qëllim, Dibrën e patën në fokus. Në arealin shqiptar ajo ishte pikë përbashkuese e shumë gjërave dhe faktorëve njëherësh. Prandaj ajo u projektua e para për t’i hequr kokën, po të përdorim një thënie të Elez Isufit. Dhe ja hoqën.
Pas copëtimit skandaloz të Shqipërisë në Konferencën e Londrës më 1912-1913, qyteti i Dibrës, (koka), n(d)ë kërthizë të Shqipërisë, truri dhe zemra e dy Dibrave: Dibrës së Epër dhe asaj të Poshtme, të Topalltisë dhe Malësisë, dhe e gjithë vendit, “iu muar Shqipërisë me vijën kufitare të vitit 1913, siç nxirret me thikë sythi një patateje”, shkruan Rouz Uajlder Lein (shkrimtare amerikane) në fillim të viteve 20 të shek. XX19. Më rrin si një makth kjo thënie, më del parasysh dhe e përsëris deri në mërzi, se ajo thikë me maje të mprehtë, më shumë se çdo gjë tjetër më ther në zemër e më shpon në tru, se kështu i theri fort Shqipërisë dhe Dibrës, dhe po me këto fjalë dua t’i lëngoj plagët e shpirtit e t’i lëndoj edhe të tjerët, natyrisht ata që ndjejnë dhimbje e që lëngohen.
Malësisë së Dibrës i hoqën kokën, trurin, i hoqën qytetin, i hoqën tregun, i hoqën lidhjet, “i hoqën burimet e jetës”; por edhe Shqipërisë urën jug-veri, maturinë, moderacionin, frymën ekilibruese, gjakftohtësinë, por edhe një pjesë të madhe të fuqisë nacionale, luftarakësinë. Në dy Dibrat është zemra e Shqipërisë, / Porta e vërtetë e Shqipërisë është atje,/ Kurdoherë, thoshte Ferit Pashë Vlora, ish – kryeministër i Perandorisë Osmane (1903-1908).
Ia hoqën Shehrin (e Dibrës) shtetit të sapokrijuar shqiptar me majën e thikës së ftohtë të diplomacisë. U trandën shqiptarët. Shqipërisë i ranë në lule të ballit; në maje të kresë u ra dibranëve. Filluan pastaj mizoritë mbi Dibrën dhe Drinin dhe vazhduan edhe më tej; nëntë vjet radhazi, pa ndërprerë. “Qe nantë vjetë luftojmë me krajla”. U dogj Dibra tre herë radhazi në luftë për të mos lejuar që Sheheri t’i shkëputet shtetit shqiptar.
Ashtu si Sheherit ia “punuan” edhe Drinit. Edhe atij ia hoqën kokën. Burimin ia lanë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë Nanë. Ia bënë si Ali Pashë Tepelenës: koka në Stamboll, trupi në Janinë. Drini: koka (burimi) në Serbi – (sepse Dibra iu dha Serbisë, që atëbotë nuk kishte Maqedoni, por vetëm Shqipëri), e trupi në Shqipëri. Edhe Drinin e sakatuan mizorisht. Shkatërruan ekosistemin e historisë natyrore e njerëzore; shkatërruan lidhjet e programuara nga vetë Providenca; shkatërruan atë “çka natyra vet përpoq”, që thotë Mjeda. Bashkimi është prirja e natyrës. Por jo çdo lloj bashkimi a INTEGRIMI, por bashkimi, INTEGRIMI i të ngjashmeve, i atyre brenda llojit. Për këtë lloj bashkimi Zoti urdhëron e thotë se është determinimi i historisë, imperativi i saj. Kurse shpërbërja (e Shqipërisë), si komb e si popull, me natyrë e me njerëz, është program demoniak, shpikje mefistofelike dhe krim (gjynah i madh) ndaj Zotit, natyrës, popullit, kombit.
Tejet i dëshpëruar nga padrejtësitë e diplomacisë së Fuqive dhe mizorive serbo-sllave, Haki Sharofi, dibrani erudit e besimtar, hoxha i kulturuar mysliman, as fanatik e as idhujtar, i gatshëm të hynte në gjynah(!) edhe me Zotin e Plotfuqishëm për t’i thirrur për ndihmë Drinit, që Dibrën t’ia kthejë Shqipërisë.
Drin, o lum i gjanë, plaku i malësisë, /
a ke me ia lanë Dibrën tonë Serbisë?
Kurrë nuk durohet e randa robni, /
Dibra e Moisiut asht Shqipni! (nënvizimi B. Xh.)
Çohi, burra, çohi, / gjithë me besa-besë,
për Dibrën luftoni, / me të madhen shpresë!
Lurë, o vend i naltë, vend i trimënisë, /
aty u banë fjalët, besa e lirisë:
-Dibra do shpëtue, vendi i Kastriotit, /
dibrani lirue, si ka qenë motit.
Çohi, burra, çohi, / gjithë me besa-besë,
për Dibrën luftoni, / me të madhen shpresë.
Bregut t`Drinit krisi topi, gjëmoi dheu, /
dibrani në luftë detyrën e kreu,
syni s`iu tremb kurrë, anmikun përzu, /
dhe vetë mbeti burrë, Dibrën e shpëtou.
Çohi, burra, çohi, / gjithë me besa-besë,
dhe lirinë festoni, / me të madhen shpresë.
Dibër historike, me lufta, me valë, /
dera e Kastriotit gjinit tand ka dalë,
ke pasun kreshnikë, por ke edhe sot, /
që për Shqipërinë gjakun s`kursejnë dot.
Çohi, burra, çohi, / gjithë me besa-besë,
dhe lirinë festoni, / me të madhe shpresë20.
Ky tekst i kangës “Drin, o lum i gjanë” i kushtohet Luftës së Dibrës (1920) kundër intervencionit ushtarak jugosllav u kthye në një himn që mësohej në shkolla në kohën e Mbretërisë Shqiptare dhe deri në fund të shekullit XX mund t`a dëgjoje vetëm nga pleqtë që e kishin mësuar dikur në fëmijëri, që e recitonin dhe e këndonin gjithë krenari e me lot në sy nga emocionet.

Zani i Drinit
Drini pak u ka shërbyer njerëzve, thotë një gojëdhënë. Më shumë shërbejnë degët. Mbasi nuk shërben, të paktën mos bëjë zhurmë. Po nuk asht mallkue prej krejtëve (të gjithëve), se dikujt ene i ka hi n’punë për dru, se sjell dru dhe i le(n) anash; për peshk, për t’u la(rë) e dikujt ené për vaditje, ata që i kanë arat fort gat (njat). Po ka marrë ene shpirta. Bash për këtë e mallkoi nji nanë se i mori g(d)jalin për mallë (e vetëm), vazhdon F. Gjabri me gojëdhanën në librin që përmendëm.
Ka nodhë shumë herët. Katun(d)i ishte grum(b)ull në katun të v(j)etër. Drini ishte fort afër e t’rijtë laheshin për qef n’Dri. Ai gjali i vetëm shkon me shokë me u la. Si kalamajt mȃ, që s’ia vejnë menen as vetes e jo mȃ shoqi-shojt, ky gjali hupën në nji shkulm. Bërtet, por zhurma ishte e madhe e shokët e vet e ngjuen vonë. Shkuan e e çesin (nxjerrin) prej ujit, e çojnë në shpi, po met i smunë. Kryet e mante kah Drini e bajte hov me shkue te uji. Nana e vet u pezmatue fort. Shkoi e ku nuk shkoi për ta shnoshë, te hoxhë e te sheh, te venë t’mira e ku ngjojte se dikush ban mirë, po gjali sa dilte te dera, bajte hov kah Drini. I smunë se i smunë.
Nji ditë vajnë (vjen) nji grue të li(y)pë e, si gra si ishin, i kallzon nana li(y)pses punën e gjalit t’vet. Ia kallzon se asht smu në Dri e se kërkon me shkue prapë në Dri. E ngjoi lipsja deri në fun(d) e i thotë: “Ilaçi i smunjes së ktaj gjali ȃsht nji bilur (gotë) uji Drini. Jepja ta pajë!”. Nana që kishte provue çdo ilaç e s’i kishte bȃ derman, mendon: “Uji ȃsht e po ké (qe) ki ilaçi, mirë; unë s’po humb gjȃ!”. Shkon n’Dri, mush nji bilur uji e ia jep gjalit. Gjali sa e pa ujin e Drinit, e merr gotën e e kthen si me kȃnë me sheqer e jo uji me llome Drini. Sa kalon ujin qetësohet, ulet në shtrat dhe mbyll sajtë (sytë). Luje nana, po kot. Kishte ndrrue jetë. Nana, si nana për gjalë, kaj (qaj) e mallko. Mallkoi Drinin me lloj lloj fjalësh, tue hekë shaminë e kresë e tue shikue nalt n’havá (kah tavani a qielli). Po mallkimi ma i fortë qe: “T’u huptë zani!”. Traj (tri) herë e bani këtë mallkim e Drini shojti zanin. Sot Drini s’ka zhurmë21.
Edhe Drini është i detyruar ta ndrydhë zanin e vet. Hesht! – i thonë; Mos bëzaj! Pusho e mbyll gojën! Kujt don t’i ankohesh?
Në rrugëtimin e tij të vështirë, mbi dhe mes shkëmbinjve të lëmuar e të lustruar nga fërkimi i ujit, mes kanjonesh e grykash të thella, nëpër ujvarat, vorbullat dhe ato që vendasit i quajnë “gropat e zeza”, Drini detyrohet të ndrydhë e të ndërmbysë zhurmat, protestat dhe shpirtin e tij kapricioz. Dallgët e rrëmbyeshme, shkulmet e shkumat në sipërfaqe tregojnë atë ç’ka heq në të vërtetë e ç’ka don me thanë. Pas asaj që iu bë edhe Drinit më 1913-ë, atij iu “ndrydh” zani edhe më shumë.
Me gjithë hallet që ka pasur, në kaskadat e Drinit janë ngritur gjashtë hidrocentrale: katër në Republikën e Shqipërisë: ai i Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës (pa llogaritur hidrocentralet e vegjël në degët e tij: në Smollik, në Zerqan, në Çerenec, në Kovashicë) dhe dy në atë të FYROMIT (pa frymë): sot Republika e Maqedonisë Veriore; ai tek Ura e Spiles, mu ngjat kufirit me shtetin shqiptar, dhe tjetri afër Drenokut.
Me datën 16 janar 2007 “ZP” me tituj të mëdhenj kritikonte Berishën se ai pengonte koncesionin e Skavicës. Në gazetën “Rimëkëmbja” të 13 shkurtit 2007 Abdi Baleta paralajmëronte: “Në Skavicë nuk është fjala për një “dëmtim mjedisi”, por për mbytje përgjithmonë nën ujë të gjithë pellgut të Dibrës, për cënim jo thjeshtë të pronës, por dhe të vendbanimit, të kujtimeve historike, të varreve të të parëve, të trashëgimive shekullore të rrënjëve etnokulturore të një krahine të tërë. “ZP-ja” e kërkon sa më shpejtë këtë që nuk e bëri qeverisja socialiste dhe do që ta realizojë Berisha. Këtu kujdes, zotëri kryeministër, paralajmëronte ai, se kjo është punë që duhet menduar mirë. Dibra, pasi të zhytet nën ujë, nuk del dot më”.
Projektet ogurzeza për ta “varrosur nën ujë” Dibrën dhe vetë Drinin si dhe gjithë Shqipërinë nuk paskan të mbaruar. Sot Dibra dhe Drini janë në hallin më të madh: SHUARJEN PËRGJITMONË NGA FAQJA E DHEUT, HUPJEN E ZANIT DHE TE EMRIT. Mallkimi do të bjerë së pari mbi Shqipërinë. Dibra – Drini nuk janë vetëm një problem lokal, krahinor apo rajonal. Dibra – Drini është një problem kombëtar, strategjik, problem i sigurisë kombëtare.
“Nuk duhet ta pranojmë ndërtimin e këtij HC, – thotë gazetari Abdurahim Ashiku, sepse shuhet Dibra. Sepse s’ka më Dibër. Drini kthehet në një seri liqenesh që nga burimi, liqeni i Ohrit. Nuk ekziston më emri Drin”.
Nuk ka dyshim se mallkimi do të bjerë më rëndë para së gjithash mbi dibranët, të zotët e vendit, që nuk janë të zotët ta mbrojnë; që nuk janë të zotët t’i dalin zot vatanit të tyre për të cilin dikur janë vra me vëllaun e vet për nji gardh; atdheut në kuptimin e ngushtë e të drejtpërdrejtë të fjalës dhe, po ashtu, edhe në kuptimin më të gjerë të saj.
Dibranët pastaj le të këndojnë me “krenari” e pathos këngën e Hajredin Pashës, himnin e tyre të “përpunuar” për të disatën herë, e që, më shumë I fryjnë për të zezën të vet se për lavdinë e vet me thirrjen: “Turkut Dibrën mos me ja lanë!”.

Referenca
1 Moikom Zeqo, Hyu “Lumi i Vjosës”, gazeta Dita, dt. 14 korrik 2018, f. 8, 9.
2 Mayer “Die Sprache dar alten Illyrier”, vëll. I, Wien, 1957, f.129.
3 Plini (Plinius, shek. I e.r.), shih “Ilirët dhe Iliria”, vëll. I, f. 194).
4 Hans Krahe, Die alten ballkanillyrischen geographischen Namen Heidelberg, 1925, f. 23; Antun Mayer, Die Sprache dar alten llyrier, vëllimi I, Wien, 1957, f. 129; Eqrem Çabej, “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, vëll. III, Tiranë, 1987, f. 319.
5 A. M. Seliščev “Sllavjanskoe naselenie v Albanii”, Sofie, 1931, f. 49 (ribotuar më 1981).
6 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”, Tiranë, 1996, f. 157.
7 “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, vëll. III, 1987, f. 319.
8 M. E, Durham, “Për fiset, ligjet dhe zakonet e ballkanasve”, “Arbëria”, 2009, f. 19.
9 Hilmi Sadikaj, “Gollobordasit e Dibrës” (Vështrim etnokulturor), Shtypshkronja “Marin Barleti”, 1999, f. 26.
10 Johann Georg von Hahn, “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”. GEER 2001, f. 127.
11 “Në poemin për Kosovën, shkruan Lasgush Poradeci, unë kam një varg : …Ku Drin’ i Bardhë nën Istok”. Petraq Kolevica. Lasgushi më ka thënë…, vepër e cituar, f. 125.
12 Dr. Fejzulla Gjabri, “Legjenda të Drinit të Zi”, Klubi i Poezisë, Tiranë, 2015, f. 58-59.
13 Vatrës.
14 Për vërtetësi historike patronimi “Luca” mund të zevendësohet lehtësisht me fjalën “serbi”..
15 Eshtë ndryshuar vargu:: emri i një fisi është zevendësuar me atë krahinës.
16 Xhelal Ndreu, “S’ka qetësi në Lisivalle”, Korabi, Shtypshkronja “ERGEI”, Tiranë, f. 23-24.
17 Dr. Fejzulla Gjabri, po aty, f. 59-60; marrë në fshatin Gurrë Kalis.
18 Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…, Shtëpia Boruese “8 Nëntori”, Tiranë, 1992, f. 142.
19 Rouz Uajlder Lein, “Majat e Shalës”, “Rilindja”, Prishtinë, 1997, f. 185.
20 Haki Sharofi dhe vepra e tij, AIITC, Tiranë, 2000, f. 235-236.
21 Dr. Fejzulla Gjabri, po aty, f. 55-56; marrë në fshatin Gështej, Kalis.