Rruga e Arbrit është ëndërr e dibranëve të rinj


Rruga e Arbrit është ëndërr e dibranëve të rinj, e atyre që i kemi mes nesh, që para 26 vitesh e sollën këtë nismë, që për shumëkënd atëherë – sidomos ata që kishin pak pushtet – ishte një ëndërr e një të çmenduri.

Në foto, harta mbi të cilën është punuar ideja fillestare e rrugës.

“Kanë 100 vjet që e presin” – tha kryeministri Rama gjatë një vizite në kanierin e Rrugës së Arbrit, duke justifikuar padurimin e dibranëve për të ecur në këtë rrugë…
Ndërkohë, historianë, politikanë e megallomanë kanë thënë e thonë për Rrugën e Arbrit se ka qenë aty prej mijëra vjetësh…
Mendoj se po afron ora e së vërtetës: rruga e Arbrit është ëndërr e dibranëve të rinj, e atyre që i kemi mes nesh, që para 26 vitesh e sollën këtë nismë, që për shumëkënd atëherë – sidomos ata që kishin pak pushtet – ishte një ëndërr e një të çmenduri.
Këta dibranë u fyen, u përfolën, u nëpërkëmbën, u persekutuan, u lanë pa punë, shpifën e çfarë nuk thanë për t’i demoralizuar, por ata me qëndresën, durimin, këmbënguljen në idenë e tyre, arritën ta bëjnë këtë ide realitet, për të mirën e dibranëve, matjanëve, tironsve e gjithë shqiptarëve.
Ata që kanë qenë gjithmonë kundër kësaj ideje, nga piramida e ulët e pushtetit e deri në krye, tani që rruga po bëhet një realitet, nuk e pranojnë dot se ishte ide e të gjallëve mes nesh. Ndaj kërkojnë ta çojnë idenë te njëqind a mijëra vite më parë dhe meritën ia japin liderit të tyre.
Ka ardhur kohë që t’i jemi mirënjohës nismëtarit të parë të kësaj ideje, Hysen Ukës, e pas tij edhe atij rrethi të ngushtë dibranësh të mirë, që e injektuan pak nga pak këtë ide te politikanët e qeveritarët e çdo ngjyrë politike, të cilët ku me dëshirë e ku me detyrim, e kthyen këtë ide në premtime vit pas viti, për të ardhur sot te viti i 26-të, ku rruga po merr formë.
Ndaj, kur ua do puna e politika, këtej e tutje niseni historinë e kësaj rruge para një çerek shekulli… Sepse ta nisësh këtë histori para njëqind a mijëra vitesh, është veçse një përrallë e bukur, por aspak e vërtetë…
B.Karoshi