“Një rrëfim mbi historinë më të bukur që ka përcjellë njerëzimi”
"NANA" - hapet të hënën më 20 shtator 2021 në galerinë FAB ekspozita personale e piktorit Zaim Elezi (Zaya)


Nga prof. Sadik Spahija*

Piktor: Zaim Elezi (ZAYA)
Titulli i ekspozitës: “NANA”
Çelja e ekspozitës: 20 shtator 2021, 18:00
Kurator: Prof. Sadik Spahija
Vendi: Galeria FAB, Universiteti i Arteve
Mbyllja e ekspozitës: 30 shtator 2021
Hyrja e lirë

Tema e Amësisë ka prezantuar ndjenjën e dashurisë së thellë, lidhjen e pazgjidhshme dhe hyjnore që lidh nënën me fëmijën, duke mbetur një nga temat më të bukura dhe më tërheqëse në historinë e Artit. Imazhi i gruas që krijon jeta është emblemë e vlerave të vërteta, të pastra dhe ndjenja e mbrojtjes ndaj krijesës së saj, na sugjerojnë lidhjen e dashurisë dhe të empatisë për të gjithë njerëzimin.
Zaim Elezi prezanton në ekspozitën “NANA” një grup punimesh, që fillojnë nga vitet ’80-të e deri më sot, kohë që rrok dy sistemet, shumë ndryshime, por që në këtë ekspozitë ruan vetëm një dimension, dashurinë për nënën, të parë në 360 gradë.
Ajo çka dallojmë, së pari, që bën veçantinë e këtij autori në raport me temën, është se ai nuk ka reshtur së pikturuari nënën, duke mbetur në thellësi tema e jetës në krijimtarinë e tij.
I gjithë korpusi i këtyre veprave nuk është ekspozuar asnjëherë. Ai i ka pikturuar ato për kënaqësinë e tij. Sado narciziste të duket kjo, e parë në kontekstin e kohës ku shtrihen shumica e veprave, përbën një sfidë përballë temave dhe kanoneve të imponuara të realizmit socialist. Tema e nënës, ndjenjat nënë-fëmijë, si ndjenjat më natyrale, mund të vinin në plan të dytë ose vinin në dyshim tematikën e asaj kohe.
Autori nuk shfaqet asnjëherë me praninë e tij fizike, (përveç një rasti të sjellë enkas), duke e lënë personazhin në përditshmërinë e saj. Vështrimi ynë e ndjek atë në momente dhe vende krejtësisht të zakonshme, pa ndonjë impostim të veçantë, e pavetëdijshme për vëmendjen tonë, por e mbrojtur nga engjëjt, në dedikimin e saj të pafund, plot sakrifica të pabujshme. Është një paraqitje e jetës në vërtetësinë e saj vetëmohuese, larg pathosit idealizues, larg protagonizmit skenik, disi prapa kuintave.
Zaya e vizaton atë në mënyrën e tij, e në shumicën e rasteve pa praninë e modelit. Ne e ndjekim personazhin tonë që nga mosha e pjekurisë, kur Zaya ishte student, e deri më sot. E shohim si ajo plaket pa u vënë re dhe, më së fundi, shohim përpjekjen e piktorit për ta nxjerrë në skenë duke e mbështjellë me një qetësi dhe siguri të përplotësuar, dhe herë-herë me një buzagaz ironik. Ai e ndërton personalitetin e saj çast pas çasti, ditë pas dite e vit pas viti, për t’i ruajtur këto momente përgjithmonë pranë tij (siç autori shprehet), pa asnjë qëllim tjetër. Është vështrimi i një jete që konsumohet me një devocion vetëmohues. E sjell fshehurazi këtë, në kontrast me paraqitjen fizike të saj, e fortë, e plotë, vitale si një forcë e natyrës. Vizatohet dukshëm nga Zaya në një formë të tillë, figura, torsi, portreti dhe veçanërisht duart, janë në kërkim të vazhdueshëm të një gjendje në lëvizje, drejt një selektimi ku të gjitha treten në dimensionin e të Zonjës së Shtëpisë. Ai qaset disi spontanisht, në mënyrën si paraqet personazhin në impostimin e saj, gjestin, vështrimin, kontekstin ku ajo vepron, zgjidhjen koloristike, raportin me shikuesin, rekuizitën, dekorin, dritën dhe hapësirën, duke mos i dhënë asaj ndonjë status të privilegjuar e moralistik në vërtetësinë e çasteve të së përditshmes.
Në mënyrë instiktive ai reflekton ndjeshmëri paralele, të dyfishta. Imazhet e trupit njerëzor përmbajnë dhe ofrojnë imazhe të ambientit kulturor, të strukturave të tij, të kodeve të tij. Trupi është një sociografi dhe një histori e kulturës. Mjetet janë të shumta. Mjeshtëria e vizatimit e ndihmon atë ta ndjekë personazhin pa e trazuar, duke e përcjellë si kujtesë në ritualin e saj. Ai e modelon fort atë, duke kërkuar tridimensionalitetin, i cili në shumicën e rasteve e zotëron hapësirën. Me një modelim skulptorik prania e personazhit fuqizohet pa zbukurime të jashtme, duke fituar siguri dhe forcë. Ngjyra vepron në drejtime të tjera. Aty ai është më spontan, aq sa ruan masat e mëdha dhe të sheshta, aq dhe e shkërmoq sipërfaqen duke e prekur me ndjeshmëri të rralla. Peneli i tij sa i dukshëm dhe i ngjeshur mbi telajo me plot siguri, po aq tretet dhe zhduket, duke i lënë vend një hapësire pa tregues, duke vënë në pah gjendjen psikologjike. Ai është mjeshtër i ekuilibrit dhe i fokusit ritmik. Mënyra si kompozon çdo element në telajo, balanca dhe atmosfera që krijon, të çojnë lehtësisht atje ku ai dëshiron, te portreti i nënës. Aty shohim gjithë arsenalin e tij piktorik, qoftë në momentet psikologjike e piktorike të një realizmi mjeshtëror, deri në abstragime të realizuara mjeshtërisht me forcën e frymëzimit dhe talentit.
Lexojmë dy histori: historinë e nënës dhe të një djaloshi që bëhet burrë. Është rrëfimi i tij mbi historinë më të bukur që ka përcjellë njerëzimi. Një histori që flet shumë më tepër se historia e dy njerëzve.
*Autori është shef i Departamentit të Skulpturës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve, Tiranë