Haki Kola i mungon Shqipërisë dhe Kosovës, maleve dhe bjeshkëve të vendit tonë


Nga Janaq Male*

Të nderuar lexues, botimi që keni në duar është disi i veçantë në përmbajtje dhe me shumë autorë! Në përmbajtje të tij, janë mbresa e kujtime që lidhen me një person të përveçëm, që puna dhe jeta e lidhi me shumë të tjerë. Disa syresh kanë shkruar nga shumë të tjerë që mund të shkruanin. Këto nuk janë thjeshtë mbresa dhe kujtime vetëm midis tyre, por janë mesazhe, që tek i lexon të bëjnë të vlerësosh dhe të mendosh jo vetëm për personin e përveçëm Haki Kola, por dhe mënyrën si ai punoi dhe kontribuoi, falë intelektit dhe përkushtimit personal dhe bashkëpunimit me kolegët në vite. Ky qe’ një model i specialistit dhe intelektualit nga mund të mësohet shumë, sidomos nga më të rinjtë që në vite do i lakojnë emrin, pa arritur ta njohin së gjalli.
Sa vështirë të shkruash për një koleg të paharruar si Hakiu. Kaloi një vit nga ndarja e tij dhe prap s’e besojmë se ai është larguar nga kjo jetë, ndoshta sepse çdo ditë ndeshemi me atë çfarë ai shkroi dhe la pas.
Unë dhe kolegët e mi ndihemi krenarë që patëm fatin dhe mundësinë të punojmë për vite me radhë me Hakiun dhe të mësojmë nga përvoja e tij shumë e vyer në sektorin e pyjeve, kullotave, bujqësisë dhe mjedisit në përgjithësi, për të cilat ai punoi me aq shumë energji dhe përkushtim deri në fund të jetës së tij.
Hakiu i mungon familjes, na mungon ne, i mungon Shqipërisë dhe Kosovës, maleve dhe bjeshkëve të vendit tonë. Na mungon shumë ne bashkëpunëtorëve të tij në shumë vite, ku punuam shumë afër dhe ndërtuam dhe zhvilluam punën tonë në sektorin e pylltarisë dhe zhvillimit rural. Ai ishte një koleg i dashur, shumë profesional dhe mbështetës, ekspert i shkëlqyeshëm në fushën e pylltarisë dhe bujqësisë, që i sherbeu sektorit mbi 35 vjet me përkushtim në Shqipëri dhe në Kosovë.
CNVP (Bashkojmë vlerat e natyrës me njerëzit) është Fondacion hollandez që vepron në Ballkan. U krijua nga ekipi i pylltarëve dhe specialistëve të tjerë që punuan për shumë vite brenda Organizatës hollandeze për zhvillim – SNV. Kur kjo organizatë mbaroi vepimtarinë e saj në Shqipëri, ky grup inxhinierësh të pylltarisë dhe jo vetëm, vendosën të krijojnë CNVP në korrik, 2012. Aktualisht CNVP po zbaton projekte në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Pyjet, kullotat, bimët mjekësore dhe komunitet vendore të lidhura me to, janë fokusi i punës tonë si CNVP. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të trajtuar sfidat me të cilat përballen natyra dhe njerëzit në vendet në zhvillim. Duke promovuar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, ne ofrojmë mbështetje për komunitetet lokale dhe qeveritë për krijimin e një jete në harmoni me natyrën. Përmes projekteve tona ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në Ballkan.
Si specialist dhe drejtues i ekipit të SNV në Kosovë, pastaj si një ndër themeluesit dhe drejtuesit e ekipit të CNVP në Kosovë dhe më pas si specialist në CNVP Shqipëri deri sa doli në pension në vitin 2018, inxhinier Haki Kola ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe në sukseset e këtij fondacioni. Puna drejtuese dhe si specialist e Haki Kolës në CNVP ka marrë vlerësime maksimale nga përfituesit vendor të projekteve, nga kolegët, nga donatorët dhe organizatat e tjera bashkëpunuese. Janë shumë shkrime, manuale, studime, raporte, projekte, etj. që janë hartuar nga inxh. Haki Kola si autor apo me bashkëpunëtorë që tashmë në logon e CNVP kanë vlerë njohje, përdorimi dhe ndërgjegjësimi të pronarëve dhe përdoruesve të pyjeve dhe kullotave, për nivelet e politikëbërjes apo dhe si publikime në shërbim të edukimit të specialistëve të rinjë dhe jo vetëm.
Ne ekipi i CNVP në Shqipëri, së bashku me dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta, ndjehemi krenarë që patëm mundesinë dhe kënaqësinë, që Haki Kola punoi dhe kontribuoi midis nesh në periudhën më të mirë të jetës së tij intelektuale dhe profesionale, në një periudhë të madhe transformimesh në jetën shqiptare por dhe të vështirë. Ai ishte ndër të parët specialistë që arriti të gjejë mundësi dhe rrugë për t’u përshtatur në sistemin e ri demokratik dhe në fushën e pyjeve dhe mjedisit ku ai ka qenë promotor dhe pjesëmarrës në hartimin dhe përgatitjen e legjislacionit të sektorit të pyjeve, kullotave, bimëve mjekësore me në fokus pyjet komunale. Ne të gjithë mësuam shumë prej tij, prandaj do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.
Botimi i përgatitur me mbresa dhe kujtime për Haki Kolën, synon të japë dhe atë dimension shoqëror, profesional dhe intelektual që ai ka pasur të manifestura që në rini, të shtuar në vite në punë dhe funksione të ndryshme, ato lidhje dhe njohje jo vetëm me ne kolegët e bashkëpunëtoret e CNVP, por së shumti jashtë nesh.
Falënderoj nga zemra të gjithë kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët që kontribuan me shkrime në këtë botim. Një falënderim i veçantë në përgatitjen e këtij libri, si nismëtar, që grumbulluan dhe përgatitën për botim këto kujtime dhe mbresa nga jeta dhe vepra e Hakiut është për “grupin e punës”; Gjon Fierza, Selman Mëziu, Zef Naçaj dhe Ilir Kola, që punuan me përkushtim dhe dashuri për finalizimin e tij.
Kënaqësi, që tashmë shumë botimeve me logon e CNVP do ju shtohet dhe ky botim.
* Drejtor i CNVP Shqipëri