Xhelal Hysa, heroi që rron në përjetësi


Nga Shaqir Çerpja

Koha, ditët, muajt dhe vitet, ashtu si njerëzit, ato kanë historinë dhe biografinë e tyre. Se, ashtu si njerëzit, që lënë gjurmë në kohë, edhe koha len gjurmë në jetën e njerëzve, në kujtimet dhe kujtesën e tyre. Viti 1985, dimri i madh i atij viti, ka lënë gjurmë të thella dhe mbahet e do të mbahet mend gjatë, shumë gjatë. Dhe, jo thjeshtë për borën e madhe dhe për vështirësitë e shumta të atij dimri të madh, por, kryesisht për fatkeqësitë që solli dhe vdekjet që shkaktoi, veçanërisht në Dardhë e Lurë, por edhe në zona e rrethe të tjera të vendit tonë. Dimri i vitit 1985, në Dardhë identifikohet me Xhelal Hysen, me emrin dhe vdekjen e tij nga orteku, nga bora e bardhë e asaj nate të zezë.
Që atëherë, që nga ajo kohë kanë kaluar rreth 36 vjet, por në kujtimet e kujtesën tonë, ajo kohë e ajo ngjarje është sikur të ishte dje, se nuk harrohet kurrë ai dimër, ajo borë dhe ai ortek, ajo dhimbje, ai hidhërim, trishtim e pikëllim, ata lotë e ai vajtim. Unë, bashkë me kolegun tim, Hakik Hysa ndodheshim në punë në Zall-Dardhë dhe kishim tri ditë e tri netë që nuk shkonin në shtëpi, por punonim e flinim në zyrë, se koha ishte e vështirë rrugët ishin zëna nga bora e madhe, lidhja, qarkullimi dhe lëvizja e njerëzve ishte ndërprerë. Lidhja telefonike nuk funksiononte. Pak pas mesditës, vjen në zyrën tonë mësuesi i edukimit fizik të shkollës së Zall-Dardhës, Faik Sula dhe, i zverdhur e i zbehur në fytyrë, me zë të dridhur dhe diksion dëshpërues, na thotë se kam një lajm të keq, por të lutemi e të shpresojmë se ky lajm të mos jetë i vërtetë. Na tha se dyshohej që, Xhalal Hysa ka mbetur mbrëmë në rrugë, në dëborë. Njerëzit në Lashkizë, por edhe fshatrat tjerë përrreth janë ngritur në alarm dhe po kërkojnë. Por dyshohet se Xhelali ka vdekur, nuk është gjallë. Na trembi e na trishtoi ky lajm i beftë, edhe pse nuk e besonim dhe uronim, shpresonim që ky lajm të mos ishte i vërtetë. Nuk na besohej se mund të kishte vdek Xhelal Hysa. Ishim mësuar t’a shikonim gjithmonë në ballë të punës e të punëve , në ballë të përpjekjeve, vështirësive dhe pengesave, të cilat, gjithmonë i kishte kaluar e kapërcyer me sukses. Ai ishte i fortë dhe i vrullshëm si një ortek. Si mund ta ndalte bora dhe orteku?! Jo! Nuk mund t’a ndalte bora dhe orteku , se s’ mund t’a ndalte orteku ortekun! Ishte njeri energjik, i shkathët, i fuqishëm, i pathyeshëm, i pamposhtur.
Nuk më besohej se mund të kishte vdek Xhelali, se tri ditë pas festës së vitit të ri, tri ditë më parë ishin bashkë. U ndodhën bashkë në mbledhjen e shtabit të brigadës së Qanit, për të analizuar situatën dhe për të diskutuar dhe vendosur për masat emergjente për të përballuar vështirësitë e motit. Dhe pasi u ndanë detyrat, Xhelali u ngrit, iu drejtua kryetarit të kooperativës, Nazmi Shira dhe tha: -Punëtorët, që caktuat për të punuar këtu me mua, për të zbuluar nga bora çatitë e sallës dhe të magazinës, le të vinë me ju në Soricë, se atje ka më shumë nevojë, ndërsa unë do të punoj këtu me disa të moshuar. Kam folur e biseduar vetë me ta. Kështu u ndamë atë ditë janari, duke menduar se do të shiheshin përsëri, do të takoheshim përsëri bashkë dhe do të ecnim, do të punonim, do të qeshnim dhe do të festonim bashkë.
Dhe, siç ishim në zyrë të tre, unë, Faik Sula dhe Hakik Hysa, u nisëm menjëherë për në Lashkizë. Ecnim duke u ndërruar herë pas herë për të çarë borën e hapur rrugën. Gjithë rrugën nga Zall-Dardha në Lashkizë e bëmë në heshtje, por secili duke folur me mendimet e veta dhe me shpresën se sapo të arrinim në Lashkizë, do të mësonim të vërtetën, se lajmi i keq nuk ishte i vërtetë, se Xhelali ishte gjallë dhe vetë Xhelali do të na dilte përpara dhe do të qeshte e do të bënte humor me nxitimin dhe lodhjen tonë. Dhe, me të arritur në Lashkizë, morëm vesh lajmin e vërtetë, por … fatkeqësisht, lajmi i keq ishte i vërtetë, Xhelal Hysa kishte vdek.

* * *
Një natë më parë, Xhelali kishte qënë në mbledhjen e shtabit të sektorit në Lashkizë, ku ishte dhe kryetari i kooperativës, Nazmi Shira. Pas përfundimit të mbledhjes së shtabit të sektorit, Xhelali, i vetëm, ishte nisur për në Qa. Njerëzit në Lashkizë e kishin lutur dhe kishin këmbëngulur që Xhelali të rrinte në Lashkizë, të mos nisej për në Qa, se koha ishte e vështirë, rruga ishte zënë nga bora, ishte vetëm dhe ishte vonë. Se ai dimër nuk ishte si çdo dimër, se ajo borë nuk ishte si çdo borë, se ajo natë nuk ishte si çdo natë. Por Xhelali nuk kishte pranuar të rrinte në Lashkizë. Donte të shkonte në shtëpi, se përveç merakut për dy prindërit e tij të moshuar dhe familjen e tij, i duhej të përmbushte detyrën e dhënë dhe angazhimin e marrë në mbledhjen e shtabit të sektorit në Lashkizë, për të qënë pranë njerëzve, në krye e në ballë të tyre, për të përballuar situatën e krijuar nga koha e vështirë, bora e madhe dhe moti i ftohtë i atij dimri të acartë.
Dhe, Xhelali ishte nisur. Kishte besim tek vetja, tek shëndeti, fuqia fizike, tek shpirti dhe zemra e tij. I vetëm ishte nisur dhe i vetëm kishte ecur në rrugën pa rrugë, në natën pa hënë … Ishte ngjitur deri në Kodër Lera. Kishte kaluar Kodër Letrat. Kishte arritur dhe kishte kaluar edhe Rrëshqimën, por vetëm disa hapa e disa metra dhe jo më shumë, sepse orteku i kishte dalë përpara, i kishte prerë rrugën, i kishte ndal hapin, i kishte lidh krahët, i kishte shtërnguar trupin dhe Xhelali bashkë me ortekun ishin ndal në përrua. Xhelali ishte përpjekur dhe kishte luftuar për të dalë e shpëtuar nga kthetrat e ortekut, por … jo! Atë natë, vetmia, errësira e natës, bora e madhe dhe të ftohti, … të gjitha i ishin bërë bashkë dhe i ishin bërë krah dhe kishin ndihmuar ortekun. Me Xhelali ishin vetëm mendimet e tij, ëndërrat dhe shpresat. Dhe, atë natë të ftohtë e të errët janari, Xhelal Hysa mbeti poshtë borës së ortekut. Aty iu ndal fryma, aty i pushoi zemra dhe i ngriu trupi. Aty iu prenë mendimet, ëndërrat, shpresat. Të nesërmen e asaj nate të zezë, pak pas mesditës, Xhelalin e gjetën në përrua, pa jetë, poshtë borës së ortekut. Vetëm një buzëqeshje e lehtë në fytyrën e tij nuk ishte shuar akoma. Ajo buzëqeshje vinte nga jeta, ishte buzëqeshje jete. …Ndoshta, pak çaste përpara se të takohej e të përleshej me ortekun, Xhelali po mendonte, ëndërronte dhe shpresonte se do të kalonte e do të arrinte në shtëpi. Por… Xhelali, në shtëpinë e tij dhe në çdo familje e vatër shqiptare arriti atë ditë, por arriti si njeri i pavdekshëm, si hero që rron në përjetësi. Se lajmi për vdekjen e Xhelalit u shpërnda dhe u përhap me shpejtësi. Radio, televizioni dhe të gjitha gazetat qëndrore dhe lokale, lajmin për vdekjen e Xhelalit e përcollën për disa ditë me radhë, U shkruan dhe botuan poezi. Poezinë e parë e shkroi poeti Visar Zhiti. Pas tij shkruan edhe poet të tjerë. U krijuan dhe kënduan edhe këngë. Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi dhe i dha titullin e lartë “Hero i Punës”

* * *
Titulli i lartë, “Hero i Punës”, iu dha Xhelali, pas vdekjes. Por Xhelali ishte hero i gjallë edhe kur ishte gjallë. Ai ishte njeri i gjallë dhe energjik, me shumë vullnet e pasion për punën. I përkushtuar dhe këmbëngulës për të realizuar detyrat, çdo detyrë dhe objektiv. Në moshën e rinisë, ai ishte drejtues i organizatës së rinisë të fshatit Lashkizë dhe për shumë vite drejtues i komitetit të rinisë të zonës së Dardhës. Ishte jo vetëm i zgjuar, por edhe i kulturuar dhe i emancipuar. Përkundër mentalitetit fanatik të kohës, Xhelali, bashkë me nusen e tij, shkuan për disa muaj në fshatrat e jugut të Shqipërisë, për t’u njohur me jetën dhe jetesën atje, për shkëmbim përvojë dhe eksperience. Ka marrë pjesë vullnetar në disa aksione kombëtare.
Gjithmonë ka bërë punë e detyra drejtuese, jo vetëm shoqërore, por edhe shtetërore. Ishte njeri me shpirt human dhe ishte i papërtuar për të ndihmuar të tjerët. Xhelali ishte njeri vizionar. Mendonte dhe punonte për të ardhmen, për perspektivën. Vetë kontribuonte për hapje e zgjerim rrugësh në fshat, shkulte pemë të egra në pyll dhe i mbillte anës rrugëve të fshatit. I shartonte ato; shkonte në pyll dhe shartonte atje pemë të egra, që të hanin barinjtë, punëtorët, udhëtarët. Vetëm me iniciativën e tij, por dhe me kontributin e tij fizik, ndërtoi shkollën fillore në fshatin Qa, me dy klasa mësimi dhe dhomë për mësuesit dhe pasi përfundoi ndërtimi i shkollës, vetë Xhelali vuri në lëvizje organet shtetërore në zonë e në rreth dhe u miratua hapja e shkollës në fshatin Qa. Ndërtimi dhe hapja e shkollës fillore në fshatin Qan ishte një kontribut shumë i çmuar i Xhelalit për fshatin, por veçanërisht për fëmijët e moshës së shkollës fillore, që deri atëhere bënin rrugë shumë të gjatë e të vështirë dhe shkonin e bënin mësim në shkollën e Lashkizës. Xhelal Hysa ishte dhe mbetet një hero i pavdekshëm, që rron në përjetësi.