Duriç, arti yt të bëri të pavdekshëm!


Nga Zaim Elezi

Kështu të njohëm e në vazhdimësi, Duriç të thirrëm. Me një energji dhe vullnet të madh, të pashtershëm. Vullneti, u bë arma kryesore në përballimin e jetës, ngritjen dhe realizimin e mbijetesës. Të gjithëve na duhet vullnet, por më shumë ty, miku im, aq shumë tu desh sa u bë e vetmja mënyrë e jetës tënde. –Jam në fillim, më thoshje, nuk më mjafton dita, të prodhoj duhet që blerësi të ketë mundësi të zgjedh. Të kujtohet si bëja shaka unë? Duriçi ka tre punë të varura në mur pa kornizë dhe blerësi gjithmonë në mos dy, një e merr. Punë titanike duhej për të mbushur muret e studios, tmerr sa shumë punë, pa orar e pa kohë. –Ti e ke shtëpinë, më kujtoje, unë jam me qera. Qera për shtëpinë, për studion qera, eh mik, një mal me lekë duheshin dhe vargmale me punë. Mund të pyes dikush. Kaq shumë tablo shiste Petriti sa murret e studios bosh i ngelnin? Kjo është një tjetër dhimbje. Me çimet e lira që Duriçi ishte i detyruar të shiste, normal që muret bosh ngeleshin.
Në këmbë, në hyrje të studios duke “pushuar” pak minuta, të mbaj mend dhe hopa mbi aromën e ngjyrave që çlirohej nga tavaloca jote. Vetëm ajo aromë kushedi sa shumë vite jete të ka shkurtuar. Ishin vitet e para të pas 90-tës, e cilësia e ngjyrave kineze që kishin hyrë në treg ishte shumë e rëndë por, ti duhej mbi to të vazhdoje punën, pa kohë.
E miku im, nuk e harroj atë shprehjen tënde: -“Jemi të dashmit e Zotit Zaim, po.” –Po pse mo?- të ngucja. E thjeshtë, më shpjegoje, ne punojmë, pikturojmë dëshirat tona dhe vijnë të tjerët e na i blejnë.
Me penelin në dorë në kaq vite ti, nuk njohe argëtim e gëzim tjetër, vetëm punë, të rrisje fëmijët, ti shkolloje se, ty tu pre në mes ëndërra, shkolla e lartë e, më e bukura, nuk pate kohë as ta vuash atë, sepse të duhej të punoje shumë, shumë. E ku kishe kohë ti të vuaje ëndërrat e parealizuara? –Zaim, e vetmja ëndër imja është të mbërrij të kem një shtëpi timen, fëmijët të hapin derën e shtëpisë së tyre e jo dyert e botës. Ja dole mik, ja dole me penel. Kushedi sa km kanavacë ke pikturuar!
Një ndjesi ngjyre, që të veçonte dukshëm nga ne të tjerët, në vitet e shkollës, u detyrove ta flakësh, ta hedhësh tej, sepse e duan pastoze telajon blerësit, më thoshje. Një jetë punove për blerësit, o Zot, një jetë. As edhe një ditë të vetme për kënaqësinë tënde që shumë artistë kanë luksin të realizojnë. Një jetë zbukurove mjediset pafund të blerësve nga mos, në të gjithë Shqipërinë po e po, por tej kufijve, pa fund.
Bulqiza, vendlindja jote ngroh shpirtin me peizazhet e tua. Duhet të jetë krenare me veprën tënde. E donin penelin tënd Duriç. Eh –nuk harroje të ma kujtoje, unë pikturoj për hall, jo për qef. Jo mik, jo! Shpirti jot është i shpërndarë si melhelm në qindra e qindra tablo. Të pikturuara për hall ishin por, të pikturuara me dashuri dhe përgjegjësi profesionale, deri në detaj. Peisazhe e portete, gjithçka i nevojitej blerësit, nuk i the kurrë jo.
Mik, unë e kam të vështirë ta pranoj që nuk mund të jemi bashkë për një kafe, që do të më mungojë pranija jote. Sa shumë nga miqtë e përbashkët më kanë telefonuar e përlotur përtej telefonit, atë ditë të ikjes tënde. Qanim dhe e largonim vdekjen, pa e besuar. Pa në këtë kohë, me një emër të frikshëm “Covid 19”, kohëvdekja, më mirë thuaj, as edhe një grusht dhe nuk të hodha dot, plagë e kam.
U lumturova kur takova fëmijët. Prehu i qetë, thashë me vehte pasi, si drita i ke fëmijët mik. Në shtëpinë e blerë me artin tënd, djersën e dhimbjen tënde. Sa shumë na ke lënë për të të kujtuar Duriç, gjithë dhimbjen e gëzimin tënd të derdhura nëpër telajo, gjithë jetën tënde si një shembull vetmohimi, pune e respekti për jetën, miqtë e të gjithë.
Prehu i qetë në qiell mik, arti jot të bëri të pavdekshëm!

Tiranë 12 Dhjetor 2021