Fabula nga Mevlud Buci


PA FRE

E mbathën një kalë,

I vunë potkoj,

Ai sillej vërdallë

Pllajës harbonte.

E nisi revanin

Kodrave gjelbëruar,

S`e duronte samarin,

Kalë i harbuar.

Që atëherë e qëmoti

U përhap mbi dhe:

Dështak del i zoti

Me kalin pa fre.

MJEGULL

U mendua ujku te gardhi

Se ai pa shumë rregull,

Para se drita të zbardhi,

Sulmoi, veç kur ra në mjegull…

KAKARISJE

Sa ra nata, një pulë këndoi.

Ajo që sillej serbes-serbes,

Koha të vërtetën provoi:

Kjo nuk bën vezë në mëngjes.

TENDERIM

Ua dha pa mëdyshje juria e mavrisë,

Ua dha koncensionin horror të qeverisë,

E dhanë me votë, pa ngurrim,

Ujkut ia dhanë të bëjë tenderim.

GARË

E nis sulmin të bëhej i parë

Ujku plak që iu zunë shtigjet,

Në emër të ligjit bënte si i marrë

Bënte revan, se gjoja mbron ligjet.

SHUSHUNJË

E zgjodhën e ngritën e bënë deputet

E mirëpritën e respektuan shumë,

Ai vetëm dërdëlliste në parlament

Larg elektoratit, si shushunjë…

ANTIHUMANI

Një pacient, disa ditë me radhë

Vajti për t`u vizituar,

Dardha o njeri bie nën dardhë

Me biznesin janë shartuar.

POSTOMANI

E shkarkuan nga posti i drejtorit

Atë që kishte bërë plot dredhi,

Eprorët, geni i horrit të horrit

E bënë zëvendës-ministër në qeveri.

EKRAN

E nisën bisedën me dam-dume,

Të shquarit që bënin si arrat në thes,

Ata që koha i barazon me krunde

Karrieristë, llafollogë shpirtzes…

HESHTJE

Ajo trumbetoi luanit :ik, ik!,

Ajo brodhi shesheve në bulevard,

Mbeti me gisht në gojë, u fik,

Politikani gojëndyrë, bastard.

Një laraskë si motër qeshte.

Si vallë tellallja heshtte?..

FUND

Pinin lkrah për krah njëri-tjetrit

Bën revan posteve shtetërore,

Koha i nxori si lëkura e pjeprit

Të ngjiturit me stile dredhore.

Kur u dolën lakrat në shesh

I thanë njëri-tjetrit të palara,

Bota u çudit me ta duke qesh.

Mjerë kush na paska pri përpara!…

SINONIM

Në monizëm ishte propagandist,

Në neomonizëm patronazhist,

Një luznak që me batuta na shkriu

Tha :Ali Hoxha, Hoxhë Aliu…

PAUDHËSI

Bëjnë sikur zihen në parlament

Flasin me batuta, citate, gallata,

Gënjeshtarët, hipokrizinë kanë talent,

S`njohin veç lajka e shamata…

POST

Akuza, akuza e veç akuza

Përbaltje, grindje, stil harkor,

Thashethemet porsi tërkuza

Viva-viva posti shtetëror!

 

DËSHTIM

Bëjnë sikur grinden, dërdëllisin,

Ata që përbetohen, livadhisin,

Shqyhen për ata që i votëbesojnë

Paçka se elektoratin harrojnë.

TARTUFËRI

E ngjiti në aparatin ministror

Nusen e shokut të etur për pozitë

Pushtatari mjeshtëri si hamshor,

Dredharaku, kopuku i pa meritë..

PËSIM

E pësoi nga dlirësia,

E goditën lajkatarët dredhia,

Ishte i hapur, i sinqertë,

Por kot s`i thonë:

Pyet shtatë a tetë

Dhe bëj si të dish vetë.

MJERANI

Edhe titujt i lexon kalimthi

Me përbuzje shpërthen në zili,

I ngjitur posteve me lajka vetëtimthi

Kolltukofagu i lindur për dredhi.

KNFORMIZËM

Ajo hesht, kurrë nuk debaton,

Fjalët e drejtorit i quan hyjnore,

Veç thotë amin dhe penetron

Për drejtuesit bëhet therore.

THIRRJE

Urith e dhelpra, ujqër dhe çakej

Bredhin e bredhin si të mëdhenj,

Dërdëllisin me forcë pa merak

Sitë e kohës bëhu o SPAK!…

KAZANËT

Nisin bisedën në ekrane, në tavolinë,

S`lënë rend filozofë-babaxhanët,

Populli nënqesh me gjurulldinë

Prashisin në kep llafollogët, kazanët…

JANË POR(!)

Qysh vallë shtetari kot flet?

Zotimet e tij janë si shkarpa,

Boshët pa prova, boshët në pushtet

Janë si ata të plakut, por te vatra…

MASHTRIM

Erdhën në bazë delegatë me dyzina

U zotuan, folën e folën me eks, me bujë,

Gënjeshtarë, servilë e konkubina

Dolën fyl, bënë vrima në ujë…

EKSTREMIZËM

Ajo grindej, ndërhynte në fjalë si pykë

Pa leje, në parlament, kur tjetri fliste,

E specializuar me dy diloma në Amerikë

E përdala, karrieristja ekstremiste…

SHARLATANËT

Vallë, përse ngjiten duke e dredhur

Përse kërkojnë pushtet, pozitë,

Llafollogët, pordhilitikanë të rrjedhur,

Kryekopukë, pa hiç meritë.

Janë gen dredhie-vlla me shejtanët,

Votë-përdruesit, të pafytyrët, sharlatanët…

FLURACËT

 Flasin për ligj e për drejtësi

Për demokraci flasin, për shtet,

Ata që demostrojnë veç hipokrizi

Tellallët që pëllasin në parlament.

DY GJELAT

 Nuk fituan pushtet, ua vodhën,

Boshi kurdoherë bosh mbet,

nuk vendosi drejtësi e përdrodhën

I ngjan shtëpisë pa themel.

Qeshte plaku dhe gjyshe Suela

Gajasej dhe bota me dy gjela.