Skavica – sfidë të cilën mund ta fitojmë vetëm të bashkuar


Foto: Hajredin Toca

Nga Bujar Karoshi

Pse kanë Frikë banorët? A ka konsultime me to dhe kur do të zhvillohen? Planet jotransparente të qeverisë. Protesta pak, rezultat aspak. Partitë politike janë “pro” Skavicës. Ndërtimi i Skavicës – a mund të fitojë Dibra? Protesta në New York: A ka vend për shpresë?

Moskoordimi i përpjekjeve të zërave kundër që vijnë nga shoqëria civile, planet e qeverisë për ta ndërtuar hidrocentralin dhe puna e kompanisë në terren për fazën e parë të ndërtimit ka rritur frikën te banorët e Dibrës, se jo vetëm nuk do të marrin kompensimet sipas tregut, por edhe ato që u takojnë sipas ligjit nuk do t’i marrin dot.

“Fakti që qeveria shqiptare është e angazhuar për ndërtimin e Skavicës, është një realitet i ri, me të cilin duhet të përballemi. Është një mundësi për të zgjedhur mes Dibrës dhe largimit prej saj, shpërbërjes së saj. Është një mundësi që jo vetëm të kërkojmë ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”, por të kërkojmë edhe projekte të tjera me qëllim mosbraktisjen e Dibrës, ku vendin më të rëndësishëm në këtë paketë investimesh e zë ndërtimi i qytetit “Gjergj Kastrioti”, në trojet autentike të Heroit Kombëtar. Është koha për të vrarë mendjen për ide e projekte, jo për të sulmuar idetë e njëri-tjetrit”

Pamje nga protestat e nëntorit 2021 në Peshkopi. Foto: Sami Curri

Një peticion online i krijuar nga një përfaqësi e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, ka ndezur “rrjetin” në lidhje me kundërshtimet për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Peticioni nuk është i vetmi dhe as i pari, por duket se është më seriozi dhe më i pavaruri deri më tani, për shkak se ai është krijuar nga disa anëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA.
Më 30 dhjetor, dy anëtarë të këtij komuniteti, Ferzileta Gjika dhe Jurgen Vladi, zhvilluan një takim me Presidentin e Republikës në lidhje me këtë çështje. Ata i kërkuan Presidentit të Republikës mbështetjen e tij për ndalimin e përpjekjeve të qeverisë për ndërtimin e HEC të Skavicës. Ata i dorëzuan edhe një peticion Presidentit, por përveç një përkrahje morale, nuk morën asgjë tjetër. Gjithashtu, po i njëjti peticion u dorëzua edhe në zyrën e protokollit të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës për ministren Belinda Balluku.

Pamje e faqeve në rrjetin social Facebook që janë krijuar për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Një pjesë e tyre publikojnë shkrime, komente e deri vjersha për Dibran e Skavicën, por në të gjitha vihet re gjuha e urrejtjes dhe sharjeve kundër qeverisë. Opinionet serioze të botuara kundër ndërtimit të Skavicës gjejnë pak ose aspak hapsirë në këto faqe.

Gjika ka hapur edhe një faqe në internet stopskavica.org, ku do të publikohen materiale që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit. Në shkrimet e saj të publikuara edhe më parë, rivihet theksi të dëmet në ekosistem si dhe kërkohet studimi i hapësirave të tjerave për prodhimin e energjisë për plotësimin e nevojave të brendshme.
Përveç peticionit online të krijuar nga shqiptarët e Amerikës, në rrjet gjenden edhe tre peticione të tjera, dy prej të cilave në faqen change.org. Sipas një verifikimi më datë 30 janar pasdite, tre peticionet e kësaj faqeje kanë përkatësisht nga 348, 413 dhe 233 nënshkrime, shumë pak për të qenë një zë i fuqishëm online. Një peticion tjetër në faqen thepetitionsite.com ka vetëm 38 nënshkrime (shih fotot).
Në mesin e muajit janar një grup qytetarësh që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit vizituan kantierin ku po kryhen punimet në Skavicë.
“Deri më tani nuk kemi asnjë informacion se çdo të bëhet me Dibrën, – tha një qytetar. Diga ndërtohet në Skavicë, por Dibra përmbytet”.

Ndërkohë që zërat kundërshtarë rriten në rrjetet sociale, KESH njoftoi më 26 janar se “në vijim të studimit për vlerësimin e fizibilitetit, pjesë kjo e fazës së parë për zhvillimin e projektit të HEC Skavica, u realizua një takim i përbashkët ndërmjet kompanisë Bechtel, KESH sh.a, si dhe partnerëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë fazë të projektit”.

Faqja e peticionit online në www.change.org (tinyurl.com/mrykme42), krijuar nga Ferzileta Gjika, përfaqësuese e komunitetit dibran në SHBA. Me datë 30 janar 2022, për më pak se 1 javë nga krijimi, ka marrë 395 nënshkrime.

Sipas njoftimit të KESH, të hedhur në FB dhe faqen zyrtare në web, “objekti kryesor i këtij takimi ishte prezantimi nga ana e Bechtel të rezultateve të punës studimore të zhvilluar deri tani.
Prezantimi kishte fokus kryesor diskutimin mbi opsionet e propozuara në lidhje me përcaktimin e aksit të digës, proces ky i realizuar mbi bazën e analizës së kritereve tekniko-ekonomike.”.
Njoftimi i KESH nuk zgjatet në detaje, megjithëse rezultatet e prezantuara nuk ka arsye pse t’i mbahen të fshehta publikut.

Pse kanë Frikë banorët?

Moskoordimi i përpjekjeve të zërave kundër që vijnë nga shoqëria civile, planet e qeverisë për ta ndërtuar hidrocentralin dhe puna e kompanisë në terren për fazën e parë të ndërtimit ka rritur frikën te banorët e Dibrës. Banorët kanë frikë se jo vetëm nuk do të marrin kompensimet sipas tregut, por edhe ato që u takojnë sipas ligjit nuk do t’i marrin dot. Problematikat e regjistrimit të pronës, mungesa e regjistrimit të tyre, çmimet e ulëta të referencës, do t’i katandisë shpërblimet e tyre në shuma qesharake.

Faqja e peticionit online në www.change.org (tinyurl.com/mxej26ne), krijuar nga Zenel Hoxha, kryetar i Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës. Deri me datë 30 janar 2022 ka marrë 413 nënshkrime.

Frika e banorëve lidhet edhe me faktin se palët nuk bëjnë aspak transparencë, por vetëm deklarata të zmadhuara politikisht, pa argumentet ekonomike dhe pa u bazuar në fuqinë ekonomike të vendit.
“Skavica duhet të ketë një projekt afatgjatë që mbron mjedisin e mbi të gjitha duhet të jetë një projekt model sa i përket kompensimit të pronës private dhe rentës që duhet të përfitojnë bashkitë që preken nga kjo vepër”, thotë një ekspert i ekonomisë në vend.
Për të bashkuar zërat kundër ndërtimit të hidrocentralit, deri më tani janë gjashtë faqe aktive në facebook. Ato, përveç se përsërisin njëra-tjetrën në postime, nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë thelbësore për unifikim e bashkim, qoftë edhe për protesta.

Faqja e peticionit online në www.change.org (tinyurl.com/2mj4dfws) krijuar nga faqja në FB Albanian Tradition. Deri me datë 30 janar 2022 ka marrë 233 nënshkrime.

Planet jotransparente të qeverisë

Qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama që në mes të vitit 2014 diskutoi me përfaqësues të konsorciumit Power China Corporation në lidhje me hidrocentralin e Skavicës. Por ndërkohë që priteshin rezultatet e negocimit me kinezët, qeveria nisi procedurat për dhënien me koncesion të HEC-it të Katundit të Ri, i cili dështoi.
Më 12 korrik 2017 qeveria shqiptare e paraqiti projektin e Skavicës në Samitin e Triestes, nga ku u premtua financimi nga Bashkimi Europian. Qeveria mori mbështetje për Skavicën në këtë samit, por BE, përmes Komisionit Europian njoftoi një vit më parë, janar 2021, tërheqjen zyrtarisht nga mbështetja e këtij investimi. Shkak u bënë negociatat e qeverisë shqiptare me kompaninë shumëkombëshe Bechtel.
Më 27 maj 2020, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Lushnjë, në prezantimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, kryeministri Edi Rama deklaroi se Skavicën “… ta ndërtojmë me forcat tona, me 100% aksioner shtetin”.

Dibra e Poshtme do të shpërbëhej si etni, sepse pjesa lindore e saj, në anën e djathtë të Drinit të Zi, do t’i bashkëngjitej pjesës tjetër të Dibrës së Epërme, që ka mbetur nën pushtimin serbo-bullgaro-maqedonas nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, kurse pjesa tjetër e Dibrës së Poshtme do të shpërbëhej tërësisht, duke iu bashkëngjitur pjesërisht Kukësit, Mirditës dhe Matit.

“Skavica ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund. Ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin”.

Faqja e peticionit online në www.thepetitionsite.com (tinyurl.com/5n7juduc), krijuar nga Zenel Hoxha, kryetar i Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës.
Deri me datë 30 janar 2022 ka marrë 38 nënshkrime.

Vetëm katër muaj më vonë, më 3 tetor 2020 në Tiranë u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA, ku në qendër të këtij bashkëpunimi ishte ndërtimi i Skavicës.
“Kapitulli social i këtij studimi, i cili do të vijë me kontratën paraprake, do të jetë një kapitull i rëndësishëm, ku kompania dhe shteti do të marrin përsipër të gjithë zgjidhjet e problematikave që do të lindin duke nisur nga shpronësimet, nga kompensimet dhe në çdo hap tjetër që përgjegjësia sociale e një kontrate komerciale përfshin në bazë të ligjit”, pati thënë ministrja Balluku në Parlament, duke mbrojtur ligjin nr. 38/2021, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”. Ky ligj u miratua me 23 mars 2021, me 93 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenime.
Faza e parë e ndërtimit të Skavicës ka nisur zyrtarisht me 5 korrik 2021 dhe janë 18 muaj në dispozicion për të kryer të gjitha studimet e nevojshme, deri në dhjetor 2022.
“Faza e parë përfshin kryesisht të gjithë punën përgatitore për sa i përket të gjitha studimeve që do të bëhen, duke nisur nga studimi ambiental, ai gjeologjik, ai teknik, social që është shumë i rëndësishëm dhe deri në përfundimin e kësaj faze, duke kaluar pastaj në fazën e dytë”. “Në këtë fazë kemi 18 muaj në dispozicion, të cilat do të shërbejnë për të gjitha ekipet për të bashkëpunuar, për të koordinuar dhe për të prodhuar materialet, të cilat sapo kam përmendur dhe më pas me të gjithë shpresën e mirë, që brenda këtyre 18 muajve do jetë koha e duhur pavarësisht se volumi i kësaj pune është gjigant, por ne do t’ia dalim që brenda 18 muajve që të dorëzojmë një produkt të mirë, i cili më pas do të na hapë rrugën për të kaluar në fazën e dytë dhe për të firmosur atë kontratë, e cila është kontrata e ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës”, deklaronte në ceremoninë e nisjes së punës, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Më 2 tetor 2021, në kantier ishte ministrja e Infrastrukturës dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë. Neil Wilkinson, drejtori teknik i Skavicës, tha në atë vizitë se “në këto momente jemi në procesin e kryerjes së studimeve, për të përcaktuar se ku do të jetë me saktësi vendndodhja e digës. Ne kemi filluar gërmimet e para, por duhet të bëjmë dhe disa gërmime të tjera për të parë dhe vërejtur gjeologjinë e gurit në këtë zonë”.
Protesta pak, rezultat aspak

Më 1 dhjetor 2020, menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA, banorët e fshatrave të Fushë Alies, Laçes, Kastriot, Blliçe e Arras, duke shkelur edhe aktet normative për pandeminë, u mblodhën për të kundërshtuar vendimet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës.
Protesta e zhvilluar në një kodër buzë Drinit, në Laçes, u thirr nga shoqata “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” me qëllim zgjedhjen e një përfaqësie nga banorët dhe koordinimin e tyre, me qëllim që në bisedimet qeverinë, të mbrohen sa më mirë interesat. Protesta u shpërnda me kërcënimin e gjobave mbi organizatorët dhe pjesëmarrësit, bazuar në aktet normative të qeverisë në lidhje me pandeminë. Dy prej drejtuesve të saj janë gjobitur me nga 5 milionë lekë. Kjo e rriti zemërimin e banorëve, por protesta nuk zgjodhi asnjë përfaqësi të tyre që do të kërkonte takime me qeverinë.
Pas kësaj proteste, “Shoqata për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” – e vetmja e regjistruar zyrtarisht deri më tani, nisi një peticion në drejtim të krerëve të shtetit, Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë, kryetarit të Parlamentit Shqiptar, ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës si dhe ambasadores së SHBA në Tiranë dhe kompanisë amerikane “Bechtel”, ku kërkohej ndalimi i planeve për ndërtimin e HEC të Skavicës. Përmes peticionit kërkonin anulimin e marrëveshjes së nënshkruar me 3 tetor 2020 për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicë.
Hartuesit e peticionit theksonin se “dëmi ekonomik, në aspektin kombëtar qëndron në plan të dytë në krahasim me dëmin që shkakton në aspektin gjeopolitik, historik dhe etnokulturor. Dibra e Poshtme do të shpërbëhej si etni, sepse pjesa lindore e saj, në anën e djathtë të Drinit të Zi, do t’i bashkëngjitej pjesës tjetër të Dibrës së Epërme, që ka mbetur nën pushtimin serbo-bullgaro-maqedonas nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, kurse pjesa tjetër e Dibrës së Poshtme do të shpërbëhej tërësisht, duke iu bashkëngjitur pjesërisht Kukësit, Mirditës dhe Matit.
“Marrëveshja e 3 tetorit 2020 për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është krejtësisht e paligjshme, antishqiptare dhe antikombëtare”, – thuhej mes të tjerash në atë peticion. Ajo marrëveshje është antiligjore jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila thekson se “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimin paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare…”
Hartuesit e peticionit theksonin se në rast se kërkesa e tyre nuk merrej parasysh, “pasojat do të jenë të paparashikueshme, deri në mosbindje civile”. Ai peticion, që mbante firmat kryetarit të Nderit të Shoqatës, Ali Hoxha, kryetarit ekzekutiv Nazmi Drizi, nënkryetarëve Dalip Alia e Shaban Beqja, si dhe të sekretarit Nazmi Skepi nuk mori kurrë përgjigje. Kërkesa të ngjashme ka edhe peticioni i hartuar nga komuniteti shqiptar në SHBA, i cili ka gjetur edhe mbështetjen e EURONATUR, një organizatë e njohur në Europë për luftën e saj për mbrojtjen e natyrës. (Më shumë mbi peticionin lexo në faqen 5)

Partitë politike janë “pro” Skavicës

Ligji i posaçëm që i jepte Skavicën kompanisë Bechtel u miratua nga parlamenti shqiptar më 23 mars 2021, një muaj para zgjedhjeve parlamentare. Miratimi i tij ngjalli paqartësi e pakënaqësi të një pjesë e banorëve që përmbyten nga ujërat e liqenit. Ndryshe nga sa pritej, që kjo të kthehej në një çështje kryesore elektorale, nuk ndodhi. Peticion i banorëve drejtuar qeverisë, presidentit, ambasadës amerikane dhe kompanisë Bechtel është injoruar plotësisht. Fatkeqësisht, në këtë çështje nuk ka opozitë.
Përfaqësuesit e qeverisë thoshin së “Kryeministri i punëve të mbaruara i ka menduar mirë këto punë”, ndërsa opozita e kundërshtonte vetëm me argumentin se “do të dëmshpërblejmë sipas tregut, kokërr më kokërr”. Askush nga votuesit nuk kërkoi sqarime se çfarë do të thoshte “puna e mbaruar dhe e menduar e Kryeministrit” apo cila ishte njësia e vlerësimit “kokërr më kokërr”.
Tani që fushata për kryetarin e bashkisë së Dibrës pritet të fillojë së shpejti, ka një përpjekje për ta bërë këtë çështje një kauzë zgjedhore, por duket se edhe kjo do të dështojë. Sepse kryetari i ri i bashkisë së Dibrës nuk ka asnjë mundësi reale për ta penguar procesin. Mundësitë janë vetëm teorikisht.

Ndërtimi i Skavicës. A mund të fitojë Dibra?

“Fakti që qeveria shqiptare është e angazhuar për ndërtimin e Skavicës, është një realitet i ri, me të cilin duhet të përballemi. Është një mundësi për të zgjedhur mes Dibrës dhe largimit prej saj, shpërbërjes së saj. Është një mundësi që jo vetëm të kërkojmë ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”, por të kërkojmë edhe projekte të tjera me qëllim mosbraktisjen e Dibrës, ku vendin më të rëndësishëm në këtë paketë investimesh e zë
ndërtimi i qytetit “Gjergj Kastrioti”, në trojet autentike të Heroit Kombëtar. Është koha për të vrarë mendjen për ide e projekte, jo për të sulmuar idetë e njëri-tjetrit”

Një lëvizje qytetare nisi në mesin e vitit të kaluar, e iniciuar nga shoqata “Nisma Dibrane”, e cila është vendosur në mes qeverisë dhe kundërshtarëve të ndërtimit të Skavicës. Më 16 qershor 2021, në mjediset e Pallatit të Kulturës në Peshkopi u mbajt një tubim, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, qytetarëve dhe anëtarë të shoqërisë civile, me qëllim prezantimin e nismës së rrugës “Lidhja e Prizrenit”, si pjesë e Paketës së Investimeve Strategjike, e cila synon të japë zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët e interesuara, pa neglizhuar apo dëmtuar as interesin publik.
“Fakti që qeveria shqiptare është e angazhuar për ndërtimin e Skavicës, është një realitet i ri, me të cilin duhet të përballemi. Është një mundësi për të zgjedhur mes Dibrës dhe largimit prej saj, shpërbërjes së saj. Është një mundësi që jo vetëm të kërkojmë ndërtimin e rrugës “Lidhja e Prizrenit”, por të kërkojmë edhe projekte të tjera me qëllim mosbraktisjen e Dibrës, ku vendin më të rëndësishëm në këtë paketë investimesh e zë ndërtimi i qytetit “Gjergj Kastrioti”, në trojet autentike të Heroit Kombëtar. Është koha për të vrarë mendjen për ide e projekte, jo për të sulmuar idetë e njëri-tjetrit” – thotë drejtuesi i kësaj lëvizje, Hysen Uka.
Uka e ka shpjeguar idenë e tij në një shkrim më herët në gazetën “Rruga e Arbërit” (Nr. 9, shator 2021), ku ka bërë një panoramë më të detajuar mbi idenë e një “Pakete Investimesh Strategjike” në Dibër.
“Dikujt fjala “strategjike” i duket e madhe, teprim, barrë e rëndë për qeverinë dhe shtetin. Asnjëra prej këtyre nuk qëndron, madje mund të themi se si gjithmonë njerëzit tanë janë përmbajtur në kërkimin e të drejtave të tyre, të asaj çfarë u takon. Paketa, së pari, kushtëzohet të jetë “Paketa e Investimeve Strategjike” duhet të studiohet, të integrohet e të realizohet njëkohësisht me fillimin e përfundimin e ndërtimit të HEC- Skavicës”, shkruan Hysen Uka.
Lëvizja e tij për t’i kërkuar qeverisë rritjen e investimeve në Dibër është kundërshtuar në rrjetet sociale, por ka gjetur një mbështetje të banorët që banojnë përgjatë luginës.
Frika se qeveria mund të sillet me pronat e tyre, njësoj siç po sillet me investime të tjera, ku prishen shtëpi dhe njerëzit braktisen në rrugë, i ka nxitur njerëzit të bashkohen rreth kësaj ideje.

Protesta në New York: A ka vend për shpresë?

Protestat kundër Skavicës u zhvilluan më 4 nëntor 2021 para selisë së OKB-së. Protesta e organizuar nga komuniteti dibran në bashkëpunim me organizatën “Albanian Roots – Rrënjët Shqiptare”, nuk dha rezultatet e dukshme. Ndërsa në Shqipëri pritej që zëri i këtij komuniteti të shkonte pranë departamentit të shtetit ose organizatat mjedisore, duket se kjo nuk ndodhi, së paku deri më tani. Hyrja e kompanisë Bechtel u interpretua si një investim i qeverisë amerikane, ndaj edhe një reagim i departamentit të shtetit – pas protestës së New York-ut, pritej nga qytetarët në Dibër. Por me sa duket kjo do të jetë e vështirë, së paku për momentin, pasi protestat e shqiptarëve në Amerikë nuk pritet të ketë efekte, për sa kohë që nuk përfaqësojnë ndonjë organizatë të regjistruar ligjërisht në SHBA.
Më 14 nëntor 2021, një protestë u zhvillua në qytetin e Peshkopisë, ku qindra qytetare u mblodhën dhe kundërshtuan me parulla dhe fjalime ndërtimin e hidrocentralit. Në pamje të jashtme protesta u duk si një bashkim i shoqatave dhe individëve që kundërshtojnë projektin. Nisma për të mbledhur firma dhe nisur një peticion të ri drejt qeverisë rezultoi në fakt një mbledhje firmash për krijimin e një organizate të re, atë të Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës.
“Sot në Peshkopi u lidh besa për themelimin e Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës nga rreziku katastrofik, siç mund të jetë përmbytja nga ujëmbledhësi Skavica. Ne do të vazhdojmë betejën ligjore deri në ndalimin e ndërtimit të H/C Skavica”, – shkruante Zenel Hoxha, themeluesi i Aleancës, në faqen e tij në Facebook.
Burrat e protestës dolën në një fotografi së bashku – në pamje si besëlidhje, – që rezultoi në një përçarje shumë shpejt. Drejtuesit e organizatave akuzuan njëri-tjetrin për “tradhti”.

Pa bisedime

Deri më sot qeveria nuk ka lënë asnjë shteg të hapur se Skavica mund të mos ndërtohet. Ajo e ka bërë të qartë përmes ministres Balluku dhe zyrtarëve të tjerë se ky proces duhet të ecë përpara; madje është nënkuptuar se kush është kundër, është kundër “interesave të Shqipërisë”. Me fjalë të tjera, kush kundërshton dhe kush nuk është dakord, nuk është gjë tjetër veçse antishqiptar.
Ky është një qëndrim krejt dashakeq i përfaqësuesve të qeverisë. Kjo ka nxjerrë në pah arrogancën e qeverisjes, si dhe ka ngritur në nivelet më të larta përçmimin dhe fyerjen që u bëhet banorëve të luginës së Drinit. Sikur të mos mjaftonte kjo; ajo i mëshon argumentit se një nga avantazhet e ndërtimit të HEC është shpëtimi i fushës së nënShkodrës; duke i trajtuar kështu në mënyrë të pabarabartë shtetasit e vet: ca duhen shpëtuar e ca duhen përmbytur e shpërngulur. Këta të fundit, madje, edhe si “antishqiptarë”.
Përpjekjet për kundërshtimin e HEC Skavica deri më sot kanë dështuar, pasi me përjashtim të pak zërave, zyrtarisht protestat i kanë udhëhequr individë që nuk kanë parë dot përtej “shtëpisë së tyre”. Nuk ka pasur një përpjekje për t’i bashkuar fuqitë dhe energjitë, argumentet dhe faktet që të vërtetojnë dëmin që HEC i Skavicës bën në Dibër.
Banorët nuk duhet të kenë asnjë droje për të qenë të hapur me të gjitha mundësitë për variantet e Skavicës, për t’u bërë më e mira për banorët dhe vendin. Është koha që banorët të bëhen bashkë, jo vetëm për ta kundërshtuar, por edhe për të kërkuar më shumë investime në të gjitha fushat e ekonomisë, në mënyrë që edhe nëse vendoset të ndërtohet, banorët nuk duhet të shpërngulen. Ata duhet ta ringrenë jetën e tyre rreth asaj toke dhe në ato troje. Braktisja e Dibrës nuk duhet të ndodhë.
Është koha të kërkojnë ngritjen e zërit të shoqërisë civile, mbështetjen nga organizatat mjedisore dhe ato që mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut.