Rahman Ismaili – fisniku fjalëpak e zemërmirë


Kujtime nga kolegë, shokë dhe miq me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta

Më 25 shkurt 2021 u nda pa pritur nga jeta babai im Rahman Ismaili, influenca më e madhe në jetën time. Për figurën e babait dhe marrëdhëniet e mija me të, do të ndalem në biografinë time pas disa vitesh. Në përvjetorin e parë, kur dhimbja e humbjes të një njeriu kaq të shtrenjtë është akoma e madhe, radhën po ua lë miqve, shokëve dhe kolegëve të babait që patën mirësinë të më dërgonin kujtimet e tyre për të cilat ju jemi familjarisht mirënjohës. Faleminderit bordit të gazetës Rruga e Arbërit për botimin e kujtimeve. 

Gëzim I. Alpion

Birmingham, Angli, 25 shkurt 2022

*Kujtimet janë botuar me shkurtime si rezultat i hapësirës së kufizuar. – Redaksia

 

Rahman Ismaili, njeri i mirë e me zemër të madhe

Nga TEFTA CAMI*

Kanë kaluar shumë vite që nga largimi im nga Dibra. Por miqtë e shokët si Rahman Ismaili mbeten pjesë e kujtimeve më të mira e të paharruara të mija. 

Kam punuar me Rahmanin që nga viti 1970 dhe deri sa u largova nga Dibra në janar të vitit 1976. 

Rahmani kishte prejardhje patriotike si nga babai edhe nga nëna, qe te dy nga fshati Rabdisht. Gjyshërit e tij ishin shquar në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga inkursionet e forcave serbenë shekullin XIX-të dhe ne fillim te shekullit XX-të. 

Rabdishti vuajti nga bastisjet dhe masakrat e serbëve të cilët pasi vrisnin burrat dhe djemtë i vinin zjarrin fshatit. Në një rast, serbet pushkatuan 72 meshkuj. Tri breza të familjes së Rahmanit janë rritur jetim si rezultat i krimeve serbe. 

Familja dhe të afërmit e Rahmanit përkrahën LANÇ-re, ndërsa daja e tij luftoi me armë në dorë si partizan dhe u plagos. Babai i Rahmanit dhe babai i bashkëshortes Vahides ishin zgjedhur në Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të zonës. 

Rahmani e Vahidja u edukuan dhe brumosur që në moshë të re me dashuri për atdheun. Frymën patriotike ua transmetuan edhe 4 fëmijëve të tyre që i rritën, arsimuan dhe edukuan me dashuri e përkushtim. 

Kur isha në Dibër, Rahmani ishte shofer i sekretarit të parë ndërsa unë punoja si sekretare e dytë e Komitetit të Partisë të rrethit. Megjithatë me Rahmanin udhëtoja herë pas here. 

Një person mund të njihet edhe nga një takim e për një kohë të shkurtër e jo më për disa vite. Vizita që bëra një herë në Rabdisht bëri që t’i kuptoja më mirë virtytet e tij.

Rabdishti është afro 4 km nga Llixhat e Peshkopisë. Fshati është vendosur në qendër mbi kurrizin e një pllaje të rrethuar nga të dyja anët me toke bujqësore, me bjeshkën që i qëndron si kurorë. Natyra mahnitëse, ajri i freskët, uji i ftohtë, pyjet me pisha dhe bredha, rrugët dhe sokaqet e shtruara me kalldrëm (një gjë e veçantë në Dibër), dhe shtëpitë, pothuajse të gjitha dykatëshe, të ndërtuara me gurë të latuar e të mbuluara me rrasa, të bëjnë të ndjesh një relaks të veçantë. Nuk është aspak çudi që Rabdisht është përzgjedhur ndër katër fshatrat turistike të Dibrës.

Si më parë edhe tani banorët janë shumë të lidhur me fshatin tyre të begatë. Kjo shpjegon përse pas tranzicionit, ndryshe nga fshatrat e tjerë, banorët e Rabdishtit nuk janë larguar për të shkuar në qytet apo jashtë atdheut. Edhe tani, duke qenë një popullsi e kulturuar, rabdishtasit vazhdojnë ta ruajnë tokën e bukës dhe nuk e shpërdorojnë për ndërtime. Nga Rahmani mësova se përveç bujqësisë, blegtorisë dhe frutikulturës një nga burimet e të ardhurave në fshat janë edhe bimët medicinale. 

I lindur në një ambient të tillë pothuajse përrallor, Rahmani kishte natyrë të qetë. Ishte fjalë pak dhe i matur. Nuk e dëgjova ndonjëherë të bënte ndonjë kërkesë për veten e tij por gjithmonë interesohej për zgjidhjen e kërkesave të të tjerëve. Karakterizohej nga thjeshtësia e mirësia.

Ai mbante qëndrime të ekuilibruara në gjykimin e problemeve të kohës dhe ishte mëse paqësor e buzagaz. Ky njeri i urtë dinte të përzgjidhte e të vlerësonte miqtë e shokët. Ai ishte i besës dhe u gjendej pranë njerëzve në momentet më të vështira. Të njëjta virtyte Rahmani i dëshmoi edhe në periudhën e ndërrimit të sistemit gjatë viteve ‘90-të.

Ruaj shumë kujtime e mbresa të pashlyera për Rahmanin. Në nëntor të vitit 1975, për shembull, kur koha ishte shumë e keqe, në sajë të kujdesit të tij dhe aftësive si shofer dhe mekanik i zoti, unë dhe tre vajzat e mija të vogla, udhëtuam pa asnjë problem nga Zerqani në Peshkopi, ndërsa makinat e tjera udhëtonin me vështirësi nga moti që sa vinte dhe përkeqësohej.

Rahmani më erdhi në një takim në Ministri në 1984 kur isha Ministre e Arsimit dhe Kulturës. Interesohej për djalin e tij, Gëzimin, i cili në 1983 ishte përzgjedhur nga Universiteti i Tiranës në degën e anglishtes ndër studentët më të mirë, për të vazhduar studimet në Egjipt. Vajtja e Gëzimit në Kajro u shty një vit, sepse ende nuk ishte firmosur Marrëveshja midis Komitetit të Marrëdhënieve Kulturore të Shqipërisë me Botën e Jashtme dhe palës respektive të Republikës së Egjiptit. E sqarova dhe i premtova, se vitin e ardhshëm Gëzimi do të shkojë për studime në Egjip. Në vitin 1985 Gëzimi filloi studimet universitare dhe më vonë ata pasuniversitare në Kajro të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira. Pas Kajros, Gëzimi kreu studimet e doktoratës në Universitetin e Durham në Angli dhe aktualisht është sociolog në Universitetin e Birminghamit. Gëzimi ka vite qëështë afirmuar si një nga studiuesit më autoritarë në botë i Nënë Terezës. 

Para tri vitesh e kërkova dhe e takova Rahmanin në Peshkopi. Pimë kafe tek lokali i Kujtim Bajram Çipurit. Kujtuam me nostalgji vitet e kaluara, miqtë e shokët dhe punën e madhe e me idealizëm, që kemi bërë në ato vite. Për fat te keq, ky ishte takimi im i fundit me të. 

U dëshpërova për largimin e Rahmanit nga kjo botë. Njerëzit e mirë e të ndershëm, miqësorë e të përkushtuar si Rahmani kërkohen sepse krijojnë një boshllëk në familje, lagje, qytet dhe shoqëri. Pasardhësit e Rahmanit kanë të drejtë të krenohen me Rahmanin i cili u la uratën, mirësinë, një emër të mirë si dhe shumë shokë e miq. 

Tiranë, më 17 shkurt 2022

*Tefta Cami, ish-Ministre e Arsimit dhe e Kulturës (1976-1987)

 

Njeri i ndershëm, mirënjohës dhe mikpritës

Nga SULEJMAN TOMÇINI* 

Pasi u ktheva nga Kajro në fillim të viteve 1980, u emërova referent për Lindjen e Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku mbuloja edhe ambasadat në Kajro dhe Algjer. Në vitin 1983 më vjen një njoftim për t’i kërkuar ambasadës tonë në Kajro që të ndiqte çështjen e dërgimit të dy studentëve për studime në Egjipt, njëri pre tyre, Gëzimi. Në atë kohë nuk e njihja Gëzimin dhe familjen e tij. Kur u prezantova me Gëzimin në ministri më foli për familjen dhe prindërit e tij. Më pëlqeu Gëzimi që në takimin e parë për rezultatet e shkëlqyera në Universitetin e Tiranës dhe mënyrën e komunikimit. U angazhova ta ndjek problemin e nisjes së tij në Kajro pasi e dija se burokracia do të na hante shumë kohë deri sa të merrnim përgjigjen e duhur. 

Megjithë nxitjen e herë pas hershme tonën, kjo çështje na mori gati dy vjet deri sa u realizua.

Gjatë kësaj periudhe u njoha dhe u takova shpesh edhe me babain e Gëzimit, Rahmanin i cili vinte jo shumë i gjatë, por me një trup të rregullt dhe muskuloz, me një fytyrë paksa të zgjatur, por tërheqëse. Ishte i qeshur dhe kur fliste dukej se i flisnin edhe sytë. 

Rahmani ishte njeri korrekt dhe mirënjohës, jo si disa të tjerë që kur realizonin qëllimet nuk të flisnin. Këtë e vura re edhe pasi Gëzimi u largua për studime në Kajro. Rahmani nuk rrinte pa më takuar sa herë që vinte në Tiranë me shërbim. Që nga ajo kohë miqësia jonë nuk u ndërpre asnjëherë. Ai nuk i harroi kurrë përpjekjet e mija për realizimin e vajtjes se të birit në Kajro megjithëse unë bëja detyrën time, i shtyrë pak edhe nga fakti që Gëzimi ishte dibran. Isha krenar që, për meritat e tij, Universiteti i Tiranës kishte zgjedhur një djalë të zgjuar nga krahina ime të shkonte për studime të larta në Kajro.

Për herë të fundit Rahmanin e takova në Peshkopi kur u ktheva nga Arabia Saudite në vitin 2004. Ai dhe bashkëshortja e tij Vahidja më pritën mua dhe bashkëshorten time në shtëpinë e tyre tëbukur ashtu siç dinin të prisnin vetëm ata. Kulmi i qerasjes ishte mjalti nga bletët për të cilët kujdesej vetë Rahmani.

Rahmani mbeti deri në fund njeri i ndershëm dhe mirënjohës, cilësi që, siç thuhet në fenë islame, është virtyti më me vlerë i njeriut. 

Duke mbyllur këto rreshta, i shpreh edhe një herë Gëzimit dhe familjes ngushëllimet më të sinqerta. Rahmani u prehtë në paqe dhe u pastë lënë jetë dhe bekimin pasardhësve.

Tiranë, me 16 shkurt 2022

* Sulejman Tomçini, ish-ambasador i Shqipërisë në Egjipt, Algjeri, Arabi Saudite, Liban, Siri, Kuvajt, Emiratet, Oman dhe dy Jemenet.

Shoku ime zemërgjerë prej 70 vitesh

Nga SHUAIP METHASANI *

Me Rahmanin jam njohur në pranverën e vitit 1953, në moshën 18 vjeçare, kur punonim në Ndërmarrjen 21 Dhjetorit në Tiranë për të ndërtuar Kombinatin e Tekstileve. Ishim shumë dibranë atje por mbaj mend veçanërisht Rahmanin nga Rabdishti, Xhemil e Neshat Pacin nga Cerjani dhe Fadil e Xhemë Melanin nga Pjeça. 

Drejtori Nexho Konomi shpesh na këshillonte të merrnim shembull nga Rahmani, Sami Methasani, Azem Balliu dhe Musa Metani që punon me dy turne. 

Në vitin 1964 unë fillova punë në Komitetin e Partisë në Peshkopi. Aty u takova përsëri me Rahmanin i cili deri sa doli në pension ishte shofer i Sekretarit të Parë. Ajo që e dallonte Rahmanin ishte se punonte me ndërgjegje dhe  besnikëri. Edukata e tij shpjegon se përse 11 kuadrot drejtuese me të cilët ai punoi për tre dekada diskutonin çdo gjë në prezencë te tij. 

Me Rahmani kam shumë kujtime nga të cilat do të veçoj dy raste. Në vitin 1972, ishim me një ekip në Minierën e Bulqizës kur njoftohem se ishte helmuar familja ime në Sllovë. Rahmani me dërgoi menjëherë në Sllovë, morëm të gjithë anëtarët e familjes dhe i sollëm në spital për t’u mjekuar, dhe na ktheu të githëve shëndoshë e mirë në shtëpi. Ky ishte Rahmani, shoku ime zemërgjerë prej 70 vitesh.

Një ditë, gjatë periudhës 1970-1975kur punoja në zonën e Sllovës dhe të Kalasë së Dodës vjen Hekuran Isai i cili ishte Sekretari i Parë i rrethit. Gjate drekës kur i zoti i shtëpisë i vuri kokën e qengjit përpara Hekuranit ky tha: ‘Kjo i takon Rahmanit sepse ai ka në dorë jetën time dhe si koleg.’ Me këtë Hekurani tregonte modestinë e vet dhe respektin ndaj Rahmanit. 

Rahmani gëzoi të njëjtin respekt nga kolegët, miqtë dhe shokët e shumtë edhe pasi doli në pension. Sa dilte në qytet gjithmonë e ftonin për kafe. 

Rahmani dhe bashkëshortja e tij me punën e tyre të ndershme si prindër të përkushtuar u hapën dritën jeshile Gëzimit dhe tre fëmijëve të tjerë që sot janë për së mbari me familjet e tyre.

Gëzim – për jetën dhe punën e Rahmanit ka vend për të shkruar romane dhe qindra faqe po unë po e mbyll me pak fjalë: Të rroni me njerëzit e tjerë dhe ta kujtojmë të gjithë prindin tuaj të mrekullueshëm dhe shokun tonë të nderuar.

Me shumë nderime dhe respekt për Rahmanin dhe gjithë familjen e madhe Ismaili,

I juaji shoku i babait, 

Shuaip Methasani 

Tiranë, më 18 Maj 2021

Njeri korrekt dhe mik i vërtetë

Nga STEFAN KUMARAKU

Me Rahmanin jam njohur kur isha shoqërues personal i Presidentit të Republikës Haxhi Lleshi. Presidenti kishte konsideratë të veçante për Rahmanin i cili gëzonte edhe respektin e shumë sekretarëve të parë dhe të disa anëtarëve të Byrosë Politike. 

Rahmani ishte i thjeshtë dhe i respektueshëm me këdo, veçanërisht me kolegët. Që në fillim kur prezantoheshe me Rahmanin të krijohej përshtypja se kishe vite që punoje me të. Rahmani ishte njeri i ndershëm dhe punëtor.  

Ky dibrani i rrallë shquhej edhe për intelektin dhe ironinë e tij. Respekti që kishte fituar me punë dhe përkushtim ndaj Dibrës e bënte që të mos ia përtonte ndonjë kuadri të lartë me nivel mediokër.  

Për mua Rahmani mbeti gjithmonë një mik i vërtet dhe njeri korrekt.

  iranë, më 16 shkurt 2022 

*Stefan Kumaraku. Oficer shoqërues personal i Haxhi Lleshit, President i Republikës (1978-1989)

 

Njeri i besueshëm, punëtor i palodhur dhe patriot

Nga BESNIK LAMI*

Rahmani rrodhi nga një familje e ndershme, punëtore e patriote në fshatin Rabdisht. Babai i tij, Jonuzi, ishte Sekretar i Këshillit të parë Nacional-Çlirimtar të fshatit. Daja e tij, Arif Nesimi, ishte partizan i Brigadës 18 Sulmuese, i cili pas Luftës u bë oficer e pastaj kuadër i gjeologji-minierave. Një nga vëllezërit e Rahmanit, Abedini, në vitet‘70 mori titullin e lartë ‘Hero i Punës Socialiste’ si traktorist i dalluar në SMT-në e Dibrës.

Unë s’kam punuar me Rahmanin; kam qenë mësues fshati. Rahmanin e kam njohur fillimisht si mik i kushërinjve të mi Ramazan e Qamil Haka. 

Pas ndryshimit të sistemit e daljes në pension të Rahmanit me 1991, unë u njoha më mirë me të kur u anëtarësuam në organizatën e veteranëve si pasardhës veteranësh. Në aktivitete veteranësh takoheshim shpesh me Rahmanin dhe kuvendonim për probleme të ndryshme, pinim kafe në lokal, madje në disa raste i kam qenë për vizitë dhe në shtëpi. 

Megjithëse kishim afro 20 vjet diferencë moshe, komunikoja lirshëm me Rahmanin si miq e shokë.

Nga pamja e jashtme Rahmani të jepte përshtypjen e një njeriu të qetë, të matur, mendar, i thjeshte dhe i komunikueshëm. I tillë ishte ai në të vërtetë në punë dhe jetë: i dashur, punëtor, i papërtuar, human dhe altruist. Ai përpiqej të ndihmonte këdo që kishte halle e shqetësime brenda kuadrit ligjor. Thjeshtësia e tij ishte e admirueshme aq më tepër po të kemi parasysh se fjala e tij kishte peshë gjatë 30 viteve si shofer dhe mik i besuar dhe i respektuar i shumë sekretarëve të parë si Jashar Menzelxhiu, Sulë Baholli, Hajri Hoxha, Sali Stafa, Petraq Magjistari, Hekuran Isai, Jovan Bardhi, etj. Pas ndërrimit të sistemeve, për Rahmanin nuk doli asnjë cen, gjë që dëshmon për vlerat e tij njerëzore dhe qytetare. 

Rahmani njihej personalisht me shumë kuadro që drejtuan Dibrën dhe Shqipërinë dhe ishte njohës shumë i mirë i tipave të njerëzve dhe problemeve të jetës. Sikur të ishte njeri i penës do të na linte një libër shumë të bukur me mbresa e kujtime. 

Edhe kur Rahmani doli në pension mbeti ai që kishim njohur me parë: njeriu xhentil me vlera qytetare.

Ai u nda nga jeta në moshën 90 vjeç, i kënaqur me fëmijët e nipërit e mbesat, i respektuar në kulm nga ata dhe shoqëria. Megjithë kufizimet nga Covid-19, në funeralin e Rahmanit me 26 shkurt 2021 erdhën shumë njerëz për t’i dhënë lamtumirën e fundit jo nga Peshkopia, zona të ndryshme të Dibrës, Tirana dhe qytete të tjera në shenjë nderimi e respekti për të.

Rahmani bëri një jetë të qetë e të ndershme familjare. A kishte harmoni të shkëlqyer me bashkëshorten Vahiden. 

Rahmani jetoi goxha, iku nga kjo jetë i qetë pa vuajtje e sëmundje. Ai ishte simboli i njeriut të vlerave, njeri i punës e patriot i vërtetë.

Peshkopi, më 20 Maj 2021

*Besnik Lami, ish-arsimtar, autor, dhe Sekretar i Komitetit të Veteranëve të Rrethit Dibër

 

Njeriu që e deshi me gjithë shpirt Dibrën

Nga DEMIR OSMANI*

Ndonjëherë në jetë takon njerëz të thjeshtë, me edukatë të shëndosh shoqërore dhe cilësi e virtyte të larta njerëzore që është e vështirë t’i harrosh, pasi në udhëtimin tënd, gjenden në momente deçizive, nga ku merr ndryshim kahu i lëvizjes tuaj. Një i tillë është edhe Rahman Ismaili.

Për herë të parë e kam takuar Rahmanin në vitin 1977 kur isha mësues në shkollën e mesme të Maqellarës. Një ditë, ndërsa po jepja mësim, një nxënës më thotë se me kërkonte një burrë ‘për një porosi me rëndësi’.

Dola nga klasa dhe pashë një meso burrë, me buzën në gaz, me sy të qeshur, i veshur me xhaketë e pantollona stofi të mirë për kohën, me këmishë të bardhë. Pasi u prezantua tha se kishte ardhur me porosi të Jovan Bardhit, Sekretarit i Parë te Komiteti të Partisë, kuadri me funksionin më të lartë në Rrethin e Dibrës.

‘Njofto Kadriun (babain tim)’, vazhdoi Rahmani, ‘se sot ne shtëpinë tuaj do të vij shoku Jovan.Do të jemi vetëm ne të dy. Nuk është nevoja të jesh as ty’. 

Ngaqë e ndjeu habinë time, Rahmani me tha me atë zërin e tij te qetë dhe bindës: ‘Është për mirë, është për ty. Edhe unë dëshiroj që djemtë e mi të bëhen si ti, që vijnë e të kërkojnë në Tiranë. Ne i kemi këtu, e nuk i vlerësojmë.’ 

U ngroha në shpirt dhe menjëherë ndjeva simpati të veçantë për atë njeri që u shfaq krejt papritur me një mesazh kaq të madh.

Në atë kohë kisha mbaruar dy shkolla të larta, dhe disa digastere qendrore kishin kërkuar të më tërhiqnin në Tiranë. Diçka më pengonte. Gjate luftës nacional-çlirimtare shtëpia ime ishte një nga bazat më të mëdha në Dibër dhe babai im kishte qenë partizan. Por në vitin 1946 babai ishte dënuar dhe kishte vuajtur dënim në burgun e Gjirokastrës 2 vjet për ‘agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor’. Pavarësisht se ai kishte marrë pafajësinë pas prishjes së marrëdhënieve me jugosllavët, sapo hapej dosja ime, gjendej i shkruar dënimi i tim eti, dhe kështu mbyllej rrugëtimi im.

Më pas me Rahmanin më takoi të punoj, udhëtoj, bashkëbisedoj dhe diskutoj për shumë gjera. Mësova shumë prej këtij burri të rrallë e të zotë të Dibrës, të cilin unë e gjithmonë e njoha si fjalë pak e punë shumë, me sjellje korrekte e shumë të kulturuar, besnik dhe i pa përtuar për të të ndihmuar e mbështetur kur vërente se përpiqeshe, bujar dhe fjalë ëmbël, i ndershëm dhe shumë fisnik.

Pas kishim punuar bashke për disa vite Rahmani përsëri u shfaq në një moment kyç. Në Mars 1986 isha propozuar për t’u larguar nga Dibra në një detyrë më të rëndësishme në një vepër të madhe. Kjo gjë nuk u pëlqeu shefave të mi në Rrethinën e Dibrës të cilët më penguan.

Megjithëse i mërzitur nuk e dhashë veten dhe u nisa për Kala të Dodës për të nxjerrë aksionistë. Ndërsa udhëtoja me tre instruktorë të Komitetit të Rinisë rrugës për Kastriot, shoferi Kadri Meda tha se Rahmani po vinte mbrapa dhe po bënte sinjal të ndalemi.’

Ndalojmë makinën dhe Rahmani më thotë: ‘Zbrit nga makina dhe eja me mua. Këta djemtë le të vazhdojnë rrugën. Do të shkojmë në zyrën e Sekretarit të Parë.’

U ktheva me makinën e tij. Rahmani me atë buzëqeshjen e para 8 viteve më thotë: ‘Nuk mund ta ndalojë askush rrugëtimin tënd. I thanë atij shokut këtu ata të Tiranës, ai na duhet për punë më të mëdha. Dibra ka plotë djem e vajza të mirë që mund ta zëvendësojnë.’

U gëzova sa nuk thuhet. Edhe Rahmani fluturonte nga gëzimi; bëri ç’bëri, e rregulloi me shefin e tij, dhe më nisi menjëherë për në Tiranë.

Ja ky ishte Rahman Ismaili, njeriu që e deshi me gjithë shpirt Dibrën dhe Dibranët.

Tiranë më 15 Maj 2021

*Demir Kadri Osmani, fizikan, ish Sekretar i Parë i Rinisë të Rrethit Dibër