Shtatë vjet në Dibër me Rahman Ismailin e shquar dhe të palodhur


Nga JOVAN BARDHI

 I ruaj si relike, kujtimet nga jeta dhe puna me Dibranët.

Atje bëra edhe shkollën e Dibrës. Ajo ka kuptim të thellë: të jep zgjuarsi, aftësi për tu orientuar drejtë në jetë, për të bërë punë cilësore, dhe forcë për të përballuar çdo problem që të sjell jeta.

Këto edhe të tjera cilësi i gjeta tek Rahman Ismaili. Punëtor i pandalshëm: në çdo kohë, ditë e natë. 

Njohës i mirë i profesionit të shoferit, shembullor në mirëmbajtjen e automjetit, kurdoherë në gatishmëri për punë.

Njohës i mirë i të gjitha rrugëve brenda Dibrës, i përgatitur për udhëtuar në to në kohë të mirë dhe kohë të vështirë, me borë dhe akull, ditën dhe natën.

Njohës i të gjithë rrethit, i secilës krahinë e fshat, dhe i çdo zone ku punohej e jetohej në Dibër.

Gjatë 7 viteve, nuk mbeta asnjëherë pa shkuar në destinacionin e planifikuar për difekt të mjetit që ai drejtonte apo bllokim të rrugës. Ai, kur ktheheshim nga shërbimi, pasi më linte mua në zyrë apo shtëpi, nuk shkonte në shtëpinë e tij pa përgatitur mjetin të gatshëm për udhëtimin tjetër. Mjeti i tij ishte gjithmonë në gatishmëri të plotë.

Ai ishte njohës shumë i mirë i gjendjes ekonomike, sociale e shoqërore të çdo krahinë të Dibrës. Në shumë raste, me atë qetësinë dhe elokuencën e tij, fillonte bisedën dhe më bënte me dije, për gjendjen, shqetësimet dhe problemet që do të hasim atje ku do të shkonim. Ai kishte njohuri, edhe për prirjet dhe specifikat kryesore të secilës zonë dhe fshat. E ato, nuk nguronte të t’i shpjegonte qetë, qetë, kur udhëtonim sëbashku.

Dibranët e duan bujqësinë, sidomos prodhimin e misrit, të fasuleve bashkëshoqëruese, të jonxhës si ushqim për kafshët dhe asaj të farës, të patateve, perimeve, drurëve frutorë etj. Pemët frutore i duan shumë dhe u shërbejnë me përkushtim. Ato rritën në çdo kodër dhe tokën me pjellori të ulët e bëjnë një pemëtore cilësore. E gjithë toka e Dibrës është e mbushur me pemëtari cilësore, sidomos me qershi, kumbulla, mollë, dardha, etj., nga më të mirat në Ballkan dhe Europë. Zor se mund të gjeje një shtëpi në Dibër pa pemë frutore në kopshtin e shtëpisë.

Shtëpia e Rahmanit qe shembulli më i mirë për këtë. Atë e kishte ndërtuar vetë, në një tokë të pjerrët, të cilën e kishte kthyer në një vilë të bukur, të rrethua me pemë frutore, rrush, kumbulla, mollë, dardhë dhe ku mbilleshin edhe perime. Ajo ishte një shtëpi që kushdo që e shihte u kënaqte syrin dhe shpirtin.

Rahmani më tregonte për shumë shembuj të punëve të mira në të gjithë krahinat e Dibrës, më fliste me pasion për pemëtarinë, dhe më sugjeronte që unë të nxisja nisma, për të bërë të gjithë sipërfaqen e rrethit me një pemëtari të madhe dhe cilësore, pasi ajo i përshtatej klimës dhe do të bëhej burim i të ardhurave për të gjithë.

Prej tij mësova, në fillimet e mia në Dibër, edhe se dibrani është ndërtues i shquar i rrugëve, i urave, i veprave ujitëse, i hekurudhave, i fabrikave, uzinave, hidrocentraleve, etj.

Ai nuk pushonte së rrëfyeri për karakteristikat dhe prirjet e popullit të çdo krahine të Dibrës. Duke i dëgjuar këshillat e tij, si njohës shumë i mirë i dokeve, zakoneve, psikologjisë dhe cilësive individuale të krahinave, asnjëherë nuk gjendesha i pa përgatitur në situata që të krijonin individë të caktuar.

Nuk kisha ndeshur asnjëherë, që një shofer, të kishte aq njohuri e kulturë, sikur të ishte një intelektual i shkolluar në disa universitete. Por ai kishte bërë me shumë sukses shkollën e bukur të odës dibrane, dhe trashëgonte virtytet e larta të një familje me tradita të mëdha atdhetare.

Ai interesohej për çdo projekt që bëhej për Dibrën, jo vetëm për ekonominë, por edhe për arsimin, për emancipimin e gruas, për luftën kundër zakoneve prapanike dhe zhvillimin social të çdo zone.

Më tregonte për dukuritë e së kaluarës që ishin pengesa për zhvillimin e Dibrës, dhe sugjeronte si duhet të vepronim, për zhvillimin e arsimit të mesëm masiv dhe profesional. Interesohej dhe më kërkonte gjithnjë të dërgonim e sa më shumë vajza e djem në shkollat e larta, në të gjithë degët e Universiteti të Tiranës dhe Instituteve të tjera.

Ai dhe bashkëshortja e tij Vahidja e bënë detyrën e tyre: rritën dhe edukuan 4 fëmijë, i arsimuan dhe i përgatitën të aftë për të përballuar vetë jetën, duke qenë shembull për familjet dibrane.

Rahmanit nuk i shpëtonte as një rast pa u njohur me projektin për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, për zgjerimin e industrisë të nxjerrjes së kromit, për zhvillimin e frutikulturës në të gjithë territorin e Dibrës dhe ngritjen e industrisë të përpunimit të frutave për nevojat e vendit dhe për eksport.

Dibra ngriti një Ndërmarrje Bujqësore të krahasuar me atë të Korçës. Ai sugjeronte të ndërtohen depo, magazina, frigoriferë, fabrika e punishte për përpunimin e frutave, në mënyrë që prodhimi të mos dëmtohej, por të rruhej, evadohej dhe eksportohej me cilësi të mirë.

Ai, si dibran i mirë, qe i shqetësuar për nevojën e investimeve më të mëdha për rritjen e prodhimit bujqësor dhe të industrisë së kromit. Si ish Ndërmarrja Bujqësore e Peshkopisë, mund të ngriheshin edhe 3 – 4 ndërmarrje të tjera bujqësore, pasi terreni e kushtet ishin shumë të favorshme. Ai na sugjeronte që këtë nisëm ta realizonim, që të punësoheshin sa më shumë të rinj e të reja të arsimuar.

Ai qe tepër i interesuar që të ndihmoheshin zonat e fshatrat malor për zhvillimin ekonomik e kulturor, për mekanizimin e shërbimeve në bujqësi dhe pemëtari, për lidhjen e çdo fshati me rrugë automobilistike.

Mbaj mend, gjithmonë na sugjeronte të zhvillojmë sa më shumë industrinë e lehtë dhe ushqimore, për të punësuar sa më shumë gra e vajza, në mënyrë që të ardhurat e familjeve dibrane të rriteshin më shpejtë, dhe pesha e femrave në familje të vinte duke u rritur, pasi ajo çlirohej më shpejtë nga një farë prapambetje që kish krijuar e kaluara dhe padituria.

Rahmani qe një figurë e mirë shoqërore në Peshkopi në saj të sjelljes së tij dhe familjes, e cila qe e thjeshtë, e arsimuar, me marrëdhënie shumë korrekte dhe të mira me të gjithë banorët, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të njeriut që jetonte me mundin dhe djersën e tij.

Siç përmenda më lart, Rahmani dhe Vahidja bënë kujdesin e duhur që të 4 fëmijët e tyre të arsimohen, rriten dhe edukohen me normat më të mira moralo-qytetare, duke qenë shembulli më i mirë edhe për të tjerët. Rahmani qe edhe një shembull i mirë i kujdesit për shëndetin e tij, të Vahides dhe fëmijëve.

Për mua ai nuk qe vetëm një shofer i dalluar, por edhe një ndihmës i mirë për të kryer detyrën time. Ai qe një njeri i pa lodhur, kurdoherë i merakosur, i përkushtuar për të kryer detyrën që i ishte ngarkuar me korrektesë dhe besnikëri.

I tillë qe Rahman Ismaili, një nga miqtë e rrallë të familjes time.

Tiranë, më 13 Maj 2021

*Jovan Bardhi shërbeu si Sekretar i Parë i Komitetit Partisë në Dibër (1976-1982) dhe Ministër i Industrisë Ushqimore (1989-1990).