ZEQIR HYSA – kujtim e dhimbje, që dhemb gjithmonë


Nga SHAQIR ÇERPJA

Koha ecën dhe ne ecim e udhëtojmë me kohën. Edhe kujtimet ecin e udhëtojnë me ne. Kujtimet ecin me kohën, por ato nuk shkojnë si koha dhe nuk shkojnë me kohën, por rrinë përherë me ne, rrinë dhe flasin  me njerëzit. Rrinë në shpirtin dhe zemrën tonë. Malli i shpirtit i ushqen dhe i mban gjallë kujtimet. Malli i shpirtit bëhet lot dhe loti i flladit dhe i freskon ato. Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vjet, qëkur, njëri nga djemtë e mirë të Dardhës, një intelektual, specialit dhe drejtues kryesor i Dardhës, Zeqir Hysa, në moshë shumë të re, vetëm tridhjetë e tre vjeç, u nda nga jeta, por ai rron i gjallë dhe është i gjallë në kujtimet tona. Tridhjetë vjetë nuk janë pak, tridhjetë vjetë janë shumë për të mbajtur në shpirt e zemër peshën e kësaj dhimbje të madhe për vdekjen e parakohëshme të tij. Por vitet nuk i zbehin kujtimet tona për të. Kujtimet tona për Zeqirin janë të freskëta e dhimbja flet e dhemb përditë, përherë, gjithmonë.

Ishte dhjetor i vitit 1991. Ishte dimër, por ishte më ftohtë se dimër. Jo vetëm ai dhjetor, por edhe muajët e tjerë të atij viti, ishin të ftohtë e të akullt si dhjetor, si dimër dhjetori. Ishin ditë, javë e muaj  të zbrazët, të lodhshëm, të mërzitshëm, të ftohtë e të akullt, sepse bashkëfshatari, bashkëmoshatari, shoku ynë e shoku i të gjithëve, djali i dashur dhe dashamirës me të gjithë, Zeqir Hysa, vuante e dergjej në shtrat, pa shenja përmirësimi e pa shpresë shpëtimi.

Dhe, ndonëse kanë kaluar tridhjetë vjet, ne e kujtojmë me respekt e mirënjohje dhe mendojmë, meditojmë dhe tregojmë për të.

Zeqir Hysa u lind në fshatin Lashkizë të Dibrës, në pranverën e vitit 1958. U lind në muajin e parë të pranverës, më 23 mars, kur pranverë ishte, por pranvera dhe dimri akoma s’ ishin ndarë, akoma rrinin bashkë. Ishte ditë e dielë dhe ardhja e Zeqirit në jetë, solli ngrohtësi dielli dhe dritë dielli në familjen e tij. Ishte fëmija i dytë dhe djali i parë i prindërve Met Hysa e Xhibe Cani-Hysa. Por gëzimi në familjen e tij nuk zgjati shumë, se babai i tij, Met Hysa, u sëmurë dhe u nda nga jeta në moshë të re, duke lënë dy fëmijët e vegjël jetim. Kur i vdiq i ati, Zeqiri ishte shumë i vogël, vetëm pesë vjeç. Kujdesja dhe përkujdesja e nënës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes nuk i munguan asnjëherë, por mungesa e babait, dhimbja dhe malli për të, e shoqëruan gjithmonë, gjatë gjithë jetës së tij. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në Lashkizë, vazhdoi, kreu e përfundoi shkollën e mesme bujqësore në Zall-Dardhë, me rezultate shumë të mira. Në shkollën e mesme bujqësore,  krahas përpjekjeve për rezultate sa më të larta në mësime, Zeqiri ishte edhe një aktivist i dalluar shoqëror. Aktivizohej me organizatën e rinisë në shkollë dhe me komitetin e rinisë të zonës së Dardhës. Kishte dëshirë e pasion për të shkruar dhe shkruante e botonte edhe në shtypin lokal të kohës, në gazetën “Ushtima e maleve”, jo vetëm shkrime të karakterit informativ, por edhe poezi.

Rezultatet shumë të mira në mësime, por dhe  sjellja, qëndrimi shoqëror dhe aktivizimi në aktivitete dhe veprimtari të ndryshme shoqërore, i hapën rrugën dhe i dhanë mundësinë për të vazhduar studimet e larta. Në periudhën 1979-1984 vazhdoi e kreu studimet e larta në Institutin  Bujqësor të Korçës. Ashtu si në shkollën e mesme bujqësore në Zall-Dardhë, edhe gjatë studimeve të larta në Korçë, krahas punës, përpjekjeve e studimeve për të përvetësuar programin mësimor e shkencor, ai vazhdoi të aktivizohej me organizatën e rinisë dhe komitetin e rinisë të Institutit dhe në veprimtari të ndryshme shoqërore. Vazhdoi të shkruante poezi, të merrte pjesë në konkurimet letrare në Institut, por edhe duke botuar në shtypin e kohës poezi, shkrime të karakterit informativ, skica etj.

Gjatë studimeve në Institutin Bujqësor të Korçës, përveç formimit shkencor e profesional, ai u pais me kulturë të gjërë dhe formim të përgjithshëm intelektual . Dhe, me të kryer e përfunduar studimet e larta, kthehet në vendlindje dhe  fillon e vazhdon punë agranom në sektorin e Lashkizës të kooperativës bujqësore Dardhë. Ndonëse i ri në moshë, ai ishte i pjekur dhe i matur në sjellje, qëndrime dhe veprime. Ishte i dashur dhe dashamirës me të gjithë. I thjeshtë, modest, i komunikueshëm dhe tolerant, jo vetëm me kolegët dhe shokët, por edhe me vartësit, me brigadierët dhe punëtorët kooperativiste, me të cilët bashkëpunonte ngushtë dhe konsuloheshin bashkë për të gjetur zgjidhje efektive për realizimin e detyrave. Balanca e përkushtimit intelektual dhe profesional anonte gjithmonë në krah të punëtorëve dhe gjithmonë kërkonte e gjente zgjidhje të ndërmjetme, të buta, për të lehtësuar punëtorët, të cilët punonin e lodheshin shumë, por paguheshin shumë pak. 

Vetëm disa muaj pasi Zeqiri kishte filluar punë agranom në Lashkizë, ndodhi një tragjedi e rëndë, që tronditi jo vetëm Zeqirin dhe familjen e tij, por tronditi gjithë fisin e fshatin, Dardhën e Dibrën, por edhe më gjërë. Në dimrin e madh të vitit 1985, në janarin e ftohtë të atij viti, ra në krye të detyrës, Xhelal Hysa, “Hero i Punës”, kushëriri i parë i Zeqirit, të cilin e kishte si prind, e kishte këshillues, krah dhe mbështetje për çdo rast, për çdo punë dhe për çdo gjë. Disa muaj pas vdekjes së Xhelalit, në tetor të vitit 1985, Zeqirit i besohet detyra e rëndësishme e kryetarit të këshillit të bashkuar të Dardhës, që kishte në juridiksion të nëntë fshatrat e Dardhës. Edhe në këtë detyrë të rëndësishme, ai u shqua për thjeshtësi, për tolerancë dhe dashamirësi me të gjithë njerëzit. Për të gjitha këto cilësi pozitive, ai u bë,ishte dhe mbeti një njeri, një intelektual, një specialit, një kuadër dhe drejtues i vlerësuar, i dashur dhe i respektuar nga njerëzit.

Në karierën e tij drejtuese si kryetar i këshillit të bashkuar të Dardhës, ai pati rast t’a provonte mirënjohjen, respektin dhe dashurinë e njerëzve ndaj tij. Ishte një rast delikat në karrierën e tij, që zgjidhjen pozitive në favor të Zeqirit e dha populli, dashuria e popullit, këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit.

Në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, pati përpjekje për t’a penguar rikandidimin e Zeqirit për mandatin e dytë si kryetar i këshillit të bashkuar në Dardhë. Por përpjekjet për t’a penguar rikandidimin e tij nuk funksionuan, nuk rezultuan të suksesshme dhe nuk e penguan dot rikandidimin e tij. Por edhe pasi u kryen dhe përfunduan  votimet dhe Zeqiri ishte zgjedh anëtar i këshillit të bashkuar të Dardhës dhe pritej mbledhja e këshillit të bashkuar për të votuar dhe për t’a rikonfirmuar kryetar të këshillit të bashkuar për mandatin e dytë, përpjekjet për t’a shmangur rizgjedhjen e tij, jo vetëmnuk u ndërprenë, por vazhduan,  u rritën, u zgjeruan e intensifikuan edhe më shumë. Problemi u ndërlikuar shumë, sepse çeshtja u adresuar dhe shkoi në organet kryesore politike dhe shtetërore në rreth. Tani që Zeqiri ishte zgjedhur anëtar i këshillit të bashkuar, njerëzit që ishin angazhuar dhe punonin për të penguar rizgjedhjen e Zeqirit kryetar i këshillit të bashkuar, jo vetëm donin t’a pengonin rizgjedhjen e tij, por donin t’a revokimin publikisht. Si argument u përdor një shkresë (me të dhëna të vërteta, krejt të vërteta), që Zeqiri kishte lëshuar në mbështetje e në mbrojtje të një specialisti të zonës, në një proces gjyqësor. Dhe, përpjekjet e këtyre njerëzve të veshur me pushtet politik e shtetëror nuk u ndërprenë, por vazhduan. Në fshatin Lashkizë u organizua një mbledhje e zgjerur e popullit, jo vetëm të Lashkizës, por edhe të fshatrave të tjerë Tartaj, Soricë,  etj. Kishin ardhur të deleguar nga organet kryesore të rrethit të Dibrës, nga komiteti i partisë, nga komiteti ekzekutiv dhe nga gjykata. Organizatorët e këtij takimi popullor dhe të deleguarit e organeve shtetërore të rrethit Dibër kishin bindjen se do t’a realizonin lehtësisht revokimin e tij, por dështuan. Dështuan, sepse Zeqirin e donte populli dhe populli e mbështeti, këmbënguli dhe e mbrojti. Të deleguarit u kthyen bosh, të mundur e zemërthyer nga ky takim i dështuar dhe i pasuksesshëm me popullin në Lashkizë. Por, nga ky dështim, strukturat e organeve politike e shtetërore në rreth, u egërsuan edhe më shumë. Dhe, pas pak kohe, në fshatin Qa`, në vendlindlindjen e Zeqirit, u organizua një mbledhje e zgjeruar e popullit të Dardhës. Në këtë mbledhje të zgjeruar të popullit të Dardhës vjen edhe vetë sekretari i parë i rrethit të Dibrës, Xhelil Gjoni, i shoqëruar nga kryetari i degës së punëve të brendshme I. B. dhe drejtues të tjerë të strukturave të organeve politike e shtetërore në rreth. Ardhja  e vetë sekretarit të parë të rrethit të Dibrës, Xhelil Gjonit, por dhe shoqërimi i tij nga kryetari i degës së punëve të brendshme, ishte një presion psikologjik për popullin, që populli të heshtë, të mos fliste. Por populli nuk heshti. Populli foli. Folën shumë veta. Dhe të gjithë folësit në atë takim popullor folën me guxim dhe me shumë vlerësim për Zeqirin. Vetëm vlerësime pozitive për Zeqirin. Dhe çdo diskutim shoqërohej me duartrokitje nga populli i pranishëm në atë takim. Xhelil Gjoni i dëgjoj me shumë vëmendje të gjithë diskutantët e diskutimet e tyre. Dhe, në fund, edhe Xhelil Gjoni u dorëzua. E pranoi dështimin. Atë ditë, në atë takim popullor, Zeqir Hysa u rizgjodh kryetar i këshillit të bashkuar Dardhë, për mandatin e tij të dytë. Në fund të takimit, Xhelil Gjoni i drejtohet Zeqirit dhe i thotë: -Ti je kryetar me mandat popullor, se ty të don populli dhe mandatin ta jep e ta dha populli. 

Zeqiri vazhdoi punën në mandatin e tij të dytë si kryetar i këshillit të bashkuar të Dardhës, duke punuar me përkushtim për të justifikuar jo vetëm detyrën, por dhe dashurinë, besimin, vlerësimin, respektin e mirënjohjen e popullit ndaj tij.

Por, megjithëse Zeqiri u rizgjodh kryetar i këshillit të bashkuar Dardhë, me mandat popullor në takim popullor, fundi i këtij mandati ishte i vështirë, sepse në shkurt të vitit 1991, shëndeti i tij u prek dhe u trondit nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Ai përjetoi ditë e netë të vështira, duke luftuar me sëmundjen dhe duke përballuar dhimbjen. Dhe, më 23 dhjetor 1991, ai u nda nga jeta në moshë shumë të re, veç tridhjetë e tre vjeç, duke lënë në pikëllim, jo vetëm fëmijët jetim, nënën e moshuar dhe nusen e re, por edhe të gjithë njerëzit që i deshi dhe e deshën aq shumë.

Kujtimi i tij rron e do të rrojë midis nesh.