HYNI NË PROTESTA, NGRIJENI ZËRIN NË QIELL, FORCONI RADHËT, MOS DILNI NGA BETEJA DERI NË FITOREN E PLOTË.


Mesazh, drejtuar dibranëve për tu bashkuar në PROTESTA për mbrojtjen e Dibrës

Kur dymbëdhjetë të shkuara ngritëm zërin për ti thënë “JO” ndërtimit të hurdhës së Skavicës, “JO” mbytjes së Dibrës, ishim pak zëra, pak pena; numëroheshim me gishtat e dy duarve: Murati, Aliu, Bujari, Argëtimi, Shaqiri, Halimi, Linda, Xhemali, Hakiu…
Protestën tonë e përcollëm në shtypin e kohës, në gazetën “Rruga e Arbërit”, në përmbledhjen “PO DIBRËS! JO SKAVICËS” botuar në vitin 2010…
Tash jemi shumë, jo dhjetëra, as qindra, por mijëra e dhjetëra mijëra…
Të motivuar si asnjëherë për ta mbrojtur Dibrën nga hurdha e korrupsionit, nga zhdukja e gjithçkaje që lidhet me të kaluarën heroike, ekonominë dhe kulturën, emrin e madh të saj.
Zë më të fortë se sa sot, zë për mbrojtjen e saj, zë të bashkuar pa dallime partiake, NUK KA.
Sot Edi Rama, shpatull-mbështetur pas një firme amerikane që nuk guxon do të ndërtojë vepra të tilla në vendin e vet (veçse në vende koloniale si Shqipëria), me bekimin e Juri Kim, ka shpallur mbytjen e Dibrës, shuarjen përgjithmonë të emrin e të zërit të saj.
Siç mësoj nga larg, në pamundësi për të qenë në rresht të parë me ta, dibranët po shtrëngojnë radhët për ti thënë publikisht “PO DIBRËS! JO SKAVICËS” në një tubim mbarë dibran më 16 prill 2022 në Tiranë.
Këshilla ime është:
HYNI NË PROTESTA!
NGRIJENI ZËRIN NË QIELL,
FORCONI RADHËT,
MOS DILNI NGA BETEJA DERI NË FITOREN E PLOTË…
Është beteja finale për Dibrën, betejë që duhet fituar.
Është thirrje e të parëve që derdhën gjak që Lugina e Drinit të jetë e bukur dhe e begatë siç e ka krijuar natyra, Dibër e pastër shqiptare…
Po nuk e ndalëm serbo-sllavin e ri, mallkimi i brezave do bjerë mbi ne.
Këtë turp nuk e mbajmë dot.
Ndaj: O SOT O KURRË…
PO DIBRËS ! JO SKAVICËS !
Abdurahim Ashiku
Athinë, 14 prill 2022