Ndërtimi i HEC Skavica është asgjesim i Dibrës.


Nga Dali Noka

A duhet sakrifikuar Dibra? Si banor i kësaj treve dhe që i përkas moshës së tretë, me plot bindje dhe me plot argument Dibra nuk ka asnjë arsye për t’u sakrifikuar qofshin këto Rajonale apo Kombëtare. Dibra jo njëherë, por shumë herë është sakrifikuar për interesat e mëdha të Dibrës e mbarë vendit.
Prandaj Dibra njihet për historinë e saj, jo vetëm brenda vendit por në gjithë botën.
Ja si shprehet shkrimtari nga Britania e Madhe Rikard Hibert në librin e tij me titull “Fitorja e Hidhur”: “Kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, njëri nga më të mirët në Europë, por një universitet të dytë e mbarova në Dibër”. Ai shfaq cilësitë më të mira që ka Dibra jonë siç janë: trimëria, mençuria, besa e bujaria. Pra këto cilësi është koha që dibranët t’i shfaqin tani për t’i thënë: Jo Skavicës, jo të keqes që i bëhet, jo perdes së zezë qe t’i vihet Dibrës.
Kanë shkruar shumë dibranë për Skavicën dhe i falënderojmë të gjithë, veçanërisht shkrimtarin Abdurahim Ashiku që i del zot edhe në emigrim Dibrës. Janë krijuar dy shoqata: Njëra që në vitin 2000 “Shoqata për mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi” dhe tjetra në vitin 2021 “Aleanca për Mbrojtjen e Dibrës” me siglën: “Po Dibrës, Jo Skavicës” me kryetar z. Zenel Hoxha, bir i Dibrës. Këto shoqata duhen mbështetur për të ndihmuar në parandalimin e kësaj masakre të madhe. Ka ardhur edhe një shoqatë nga Europa dhe Amerika me dy drejtuese të kësaj shoqate, njëra nga Gjermania dhe tjetra nga USA, bijë e Dibrës nga Fushë-Çidhna znj. Ferzileta Xhika. Kjo shoqatë ishte për mbrojtjen e ekosistemit. Në një takim ata sensibilizuan dibranët për të mbrojtur ekosistemin: Jo Skavicës.
Dy zonjat thanë se në Europë dhe në Amerikë nuk bëhen këto lloj hidrocentralesh. Ata na vunë në dijeni se në shumë vende të Europës i kemi ndaluar por edhe në Shqipëri përmenden Vjosën, Banjën, Kalivaçin, Valbonën e të tjerë. Ata na thanë se ka një ligj të veçantë, që mbi 15 metra lartësi nuk bëhen diga. Ndërsa Skavica është 147 m. Thënë shqip mbytet gjithë lugina e Drinit të Zi, që është hambari i Dibrës e jo vetëm kaq, por edhe Luma e Mati këtu janë furnizuar me bukë. Mbi lumenj si Drini i Zi nuk janë bërë në asnjë vend të Europës na thanë ata. Sakavica e madhe, aq sa dhe dëmi që bëhet. E çfarë fitoi vendi nga kjo vepër përveç dëmit. Në luginën e Drinit të Zi janë ndërtuar 8 Hec-e, në Mallën e Lurës 2 Hec-e, në Veleshicë 2 Hec-e, në Setën e Çidhnës 4 Hec-e e Lazhkizë 1, e shumë të tjerë do ndërtohen. Në Murr të Muhurrit, në Gram 3 Hec-e, e ka plot ujëra që duhen shfrytëzuar. Ndërtohet dhe një Hidrocentral i fuqishëm nga uji i Drinit pa e mbytur Dibrën. Pra energjia sigurohet pa e mbytur Dibrën. Diga e planifikuar i përmbyt gjithë këto Hec-e pra i kthen në inekzistuese në humbje. Këtu nuk bëhet një liqen ku të lulëzojë turizmi, siç e trumbetojnë, por kemi të bëjmë me një rezervuar të madh në sipërfaqe që mbyt tokën më prodhuese të Dibrës. Këtë tokë e kthen në moçalishte. Rezervuari mbushet dimrit po pati reshje e thahet në verë. Gjithë insektet e mbeturinat e tjera që ngelen e sipërfaqe konservohen e kthehen në burim infeksionesh, mushkonjat, era e keqe do të pushtojnë dhe Korabin.
Ajo fushë e begatë, kthehet në vatër infeksionesh. Ajri i pastër që vjen nga malet e pyjet që na rrethojnë do të na mungojnë. Ka edhe një tejtër mashtrim që na bëhet. Duhet të sakrifikojmë për të mos përmbytur ultësirat e Shkodrën ka sakrifikuar jetë njerëzish në momente të vështira, i janë ndodhur afër Shkodrës. Janë qindra dibranë që mbeten në luftën e Shkodrës në vitin 1913 kundër Karadakut (Malit të Zi) i nxitur nga Serbia pasi kërkonte të merrte Shkodrën. Edhe sot janë varret e dibranëve në Shkodër. Fushën e vet shkodranët e mbrojnë me taksat e veta. Dibra me Shkodrën ka pasur lidhje të forta që janë edhe sot. Besoj se po të pyeten edhe ata nuk janë dakord që të përmbytet Dibra, se i thahen krahët nga tkurrja e Dibrës.
Si mund ta shuajmë historinë e Dibrës?
Historia e Dibrës është e lashtë, aq sa dhe vet Dibra. Synimet e hasmit kanë qenë tepër agresive për të na pushtuar këtë tokë për të cilën çdo pëllëmbë është e larë me gjak nga të parët tanë, që herët e deri tani vonë Dibra ka nderin e krenarinë që heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është biri i kësaj treve. Si mund t’i harrojmë betejat e mëdha të Dibrës me në krye heroin tonë. Si mund të harrojmë gjakun lum të derdhur për atë tokë, që tentohet të përmbytet. Si të fundosim eshtrat e të rënëve. Vetëm nga serbët Dibra është djegur me çfarë ka mbi tokë, siç i thonë me “mace e me minj”. Në majë të bajonetave të gjakatarit kanë rënë jo vetëm burrat, por edhe gratë e fëmijët e Dibrës, në beteja të mëdha për këtë tokë.
Të dashur dibranë:
Sot është dita që ta ndajmë të mirën nga e keqja, që brezat e ardhshëm të mos na mallkojnë. Punët e mira e të mëdha bëhen vetëm të bashkuar, ashtu siç kanë qenë të parët tanë. Partia e jonë është vetëm Dibra jonë. Dibranët nuk kanë lakmuar paranë, ajo ikën shpejt. interesat e Dibrës nuk janë shitur. Si të sakrifikojmë Dibrën, si të sakrifikojmë shëndetin tonë, ekonominë tonë, ajrin tonë, historinë tonë të lavdishme e gjithçka mbi tokë. Të mos mbulojmë eshtrat e atyre që ranë për këtë tokë.
I bëjmë thirrje firmës ndërtuese të ndalojë punimet: Mendoni si për vendin tuaj! Dijeni se dibranët e kanë desht shumë Amerikën që kur komunizmi nuk e donte atë, tani që truri i Dibrës është atje me ju. Duan të na e vjedhin Dibrën! Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të botës që të marrësh gjithçka mbi tokë, pa pyetur të zotin. T’i lësh këto njerëz pa tokë, pa shpi, pa dinjitet, u ke marrë jetën! Asnjë lëshim në dëm të Dibrës, haramin e dënon edhe Zoti, asnjë lëmoshë në dëm të Dibrës. Pleqtë thonin se “zija një vjet, e marrja (turpi) për vjet”. Dibra nuk e pranon turpin. Të mos ia humbim krenarinë e dinjitetin e Dibrës, mos ta tkurrim Dibrën, ta lëmë siç na e lanë të parët tanë. Dibra nuk është mbrojtur vetëm me pushkë, por edhe me penë. Dibrës nuk i mungojnë kapacitetet intelektuale, ka specialistë të zotë në të gjitha fushat: ekonomistë, agronomë, ambientalistë, inxhinierë, historianë. Bëni studimet tuaja me argumente të plota që t’i thoni: Jo Skavicës.
Kush firmos Jo Skavicës ka thënë: Po Dibrës, ndryshe jemi të dënuar përjetësisht nga ana morale. Morali e mban të gjallë e të devotshëm njeriun e mirë, pa moral ke vdekur. Mos ta prishim folenë e shqiponjave.