Rruga e Arbrit, zgjatet me 17 muaj afati i përfundimit të punimeve


Pamje nga punimet para hyrjes së tunelit të Murrizit. Qershor 2022

Qeveria shqiptare kishte vendosur që më datë 20 tetor 2020 zgjatjen e kontratës së ndërtimit të Rrugës së Arbrit, por vendimi u bë publik vetëm gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti i Dibrës Xhelal Mziu më 7 korrik 2022. Gjatë këtyre 20 muajve as Autoriteti Kontraktor i Rrugës së Arbrit, as kompania ndërtuese, as ndonjë anëtar i qeverisë apo deputet i parlamentit nuk kishin bërë publik vendimin. Zgjatja e afatit e çon përfundimin e rrugës në nëntor 2023.

Xhelal Mziu: “Gjysma e rrugës ka mbaruar në kohën e PD dhe ka kushtuar 70 milionë euro. Më pak se gjysma e rrugës që është në ndërtim do të kushtojë 336 milionë euro. Çfarë standardi ka kjo rrugë që kushton 5 herë më shumë?”

Belina Balluku: “Vlera e kontratës koncensionare që është 33.6 milionë lekë do të mbetet e pandryshueshme, edhe pse projektzbatimi është rishikuar, pasi ky ndryshim projekti është njohur nga autoriteti kontraktor si kusht lehtësimi, bazuar në përcaktimet kontraktuale”

Deputeti i Dibrës Xhelal Mziu zhvilloi të enjten (7 korrik 2022), një interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, për ecurinë e punimeve në Rrugën e Arbrit.

Mziu: Në Rrugën e Arbrit nuk punohet. Cilësia e ndërtimit nuk i plotëson standardet. Kosto e ndërtimit është abuzive.

Pamje nga kantieri i tunelit të Murrizit, i braktisur më 9 maj 2019

“Pritëm edhe ca ditë nga afati përfundimtar i pritur për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, por ngaqë nuk pati asnjë njoftim, u detyruam të kërkojmë këtë interpelancë me ministren, në lidhje me këtë aks rrugor me rëndësi kombëtare”.
Deputeti Mziu e nisi fjalën e tij me një citim nga kryeministri Edi Rama në vitin 2013, që duke iu referuar rrugëve të pambaruara, thoshte “rrugët e lëna rrugëve”. Rama pati premtuar në atë kohë se “puna e parë që do të bënte ishte ndërtimi i Rrugës së Arbrit”.
“Nga viti 2005 deri në vitin 2009 në Rrugën e Arbrit u ndërtuan më shumë se 20 km me standarde bashkëkohore. Gjithashtu, u ndërtuan edhe 13 km të tjera, punimet e të cilave ishin kryer mbi 80 %, nënvizoi Mziu. Sipas tij, këto segmente rruge të ndërtuara deri në vitin 2013 kanë kushtuar jo më shumë se 70 milionë euro.”
“Me ardhjen e Rilindjes jo vetëm që puna nuk filloi në mandatin e parë, por iu desh vite për ta filluar. Dhe për këtë rrugë u bë një shpikje: U krijua fondi 1 miliardë për investime publike përmes skemës PPP. Dhe rruga e parë që do të bëhej ishte Rruga e Arbrit”, tha deputeti i Dibrës, zgjedhur me votat e Partisë Demokratike.
“Kjo rrugë ka mbetur rrugëve, sepse jo vetëm që nuk ka mbaruar, por nuk ka mbaruar as gjysma”, tha Mziu.

“Nga viti 2005 deri në vitin 2009 në Rrugën e Arbrit u ndërtuan më shumë se 20 km me standarde bashkëkohore. Gjithashtu, u ndërtuan edhe 13 km të tjera, punimet e të cilave ishin kryer mbi 80 %. Këto segmente rruge të ndërtuara deri në vitin 2013 kanë kushtuar jo më shumë se 70 milionë euro.” “Rruga ka ngelur rrugëve vetëm për një shkak, dhe kjo është e qëllimshme: humbja që morën në Dibër si dhe për shkak të lobit grek e serb, sepse Ballkani i Hapur kërkon akse të tjera oportune” – Xhelal Mziu.

Mziu kritikoi cilësinë e ndërtimit, e cila nuk përmbush standardet e një rrugë nacionale, jo më të një rruge ndërkombëtare që të çon në Shkup.
“Rruga në 3D duket një rrugë vërtet bashkëkohore, por ato segmente që kanë mbaruar nuk plotësojnë asnjë standard”, tha Mziu.
Mziu akuzoi kompaninë ndërtuese për abuzim në ndërtimin e rrugës.
“Në uebsajtin e ‘Gjokës’ është shkruar se segmenti Bulqizë – Ura e Vashës është rrugë e përfunduar, madje tregon edhe se është hedhur edhe 41,200 m2. Ku është ky asfalt?!” – pyeti Mziu. Ai tha se për këtë segment rrugor janë marrë lekët dhe se rruga duhet të kishte përfunduar në vitin 2014.

Pamje nga segmenti i rrugës së Arbrit pranë Urës së Vashës në Klos

Mziu tregoi në parlament disa foto ilustruese të këtij segmenti të pambaruar.
Mziu më pas akuzoi qeverinë se për të justifikuar vonesat e ndërtimit të tunelit, “shpikën ndërtimin e një by-passi”, ku kanë ndodhur shumë aksidente, edhe me pasojë vdekje.
Duke treguar një urë që nuk gjendet në terren, Mziu aludoi për ndryshime të projektit pa marrë miratimin e autoriteteve shtetërore.
Deputeti i Dibrës akuzoi edhe për shkelje të standardeve të ndërtimit, duke sjellë rastin e rrugës dogana e Bllatës – rrethrrotullimi i Maqellarës, një segment rrugor që nuk i përshtatet standardit C2.
“Kjo rrugë duhet të ishte 13 m, asfalti duhej të ishte 9 metra dhe nga 2 metra trotuar në secilën anë. Në fakt asfalti është vetëm 7 metra”, tha Xhelal Mziu.
Mziu tha se kthesat në rrugë nuk përmbushin standardet e ndërtimit si dhe ka pasur shembje të rrugës pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj.
“Daljet nga dy tunelet për në urë janë me kthesa më pak se 90 gradë, që nuk është e standardit C2. Në çdo segment të rrugës saj ka cedim 50-60 metra”.
Mziu akuzoi për shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës si dhe për braktisje të punimeve nga kompania “Gjoka ‘87”.
“Gjysma e rrugës ka mbaruar në kohën e PD dhe ka kushtuar 70 milionë euro. Më pak se gjysma e rrugës që është në ndërtim do të kushtojë 336 milionë euro. Çfarë standardi ka kjo rrugë që kushton 5 herë më shumë?”, pyeti Mziu.
Ai tha se “Gjoka sapo mbylli tunelin e Skërficës, është duke ndërtuar një segment të unazës së madhe të Tiranës dhe është duke ndërtuar tunelin e Llogarasë”.
“Që nga 29 nëntori 2021, kur u inaugurua, asnjë mjet i kompanisë nuk është duke punuar në rrugë”, tha deputeti Mziu.

Balluku: “Inxhinieri i pavarur, Instituti i Ndërtimit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë dhënë mendim për alternativën e dytë si zgjidhja më e mirë, e cila kërkonte spostimin e hyrjes së tunelit të Murrizit, gjë që solli rritjen e këtij tuneli me 500 metra, duke e çuar nga 3256 metra në rreth 3800 metra, kosto kjo e cila nuk cenon shumën totale të pagesës për këtë vepër nga qeveria shqiptare”

Vonesat në ndërtimin e Rrugës së Arbrit deputeti Mziu i lidhi me faktin e humbjes nga PS të zgjedhjeve parlamentare në Dibër si dhe ndikimin e lobit grek dhe serb në pengimin e lidhjes së Tiranës me Shkupin me një rrugë shumë të shkurtër.
“Rruga ka ngelur rrugëve vetëm për një shkak, dhe kjo është e qëllimshme: humbja që morën në Dibër si dhe për shkak të lobit grek e serb, sepse Ballkani i Hapur kërkon akse të tjera oportune” – deklaroi Mziu.

Balluku: Nuk ka shtesë fondesh. Tuneli i Murrizit është zgjatur, por vlera e kontratës mbetet e pandryshuar: 33.6 milionë lekë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e nisi fjalën e saj duke theksuar rolin e rëndësishëm të qeverisë në synimet e saj për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
“Kjo rrugë kaq e rëndësishme filloi të realizohej vetëm pasi qeveria Rama bëri të gjitha studimet mbi ato studime që ishin bërë nga viti 2007 deri në vitin 2013. Se cilat kanë qenë kushtet teknike të parashikuara në ato studime dhe si janë ato sot”.
Ajo mbrojti punën e kompanive shqiptare në ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe kompaninë “Gjoka Konstruksion”
“Kompanitë shqiptare po i ndërtojnë sot veprat në mënyrën më të mirë, ato kanë fituar eksperiencë dhe meritojnë respekt”.
Balluku tha se zyrtarisht punimet në Rrugën e Arbërit kanë filluar në korrik 2018 dhe i gjithë projekti do të zgjasë 13 vjet, përfshirë periudhën ndërtimore dhe atë të mirëmbajtjes.
“Rruga e Arbrit përfshin një gjatësi 70 km nga Tirana deri në Maqellarë, si dhe dy rrugë lidhëse, ajo e Klosit 2.42 km dhe rruga Maqellarë – Bllatë 3 km. Në total rruga është rreth 75 km, nga të cilat 20.12 km janë ndërtuar në vitet 2009-2011 nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve”, tha Balluku.
“Vlera e kontratës koncensionare është tridhjetë e tre milionë milionë e gjashtëqind mijë lekë, sipas përcaktimeve kontraktore miratuara me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 28 mars 2918”, theksoi Balluku.
Sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, “nga korriku 2018 deri në maj 2022 janë realizuar punime në vlerën 26 milionë e 590 mijë lekë. Për periudhën 2018-2022, nga buxheti i shtetit është financuar shuma në vlerën 9 milionë e 900 mijë lekë, në përputhje me vlerat e përcaktuara në modelin financiar të miratuara në kontratë”.
Balluku mohoi të ketë pasur shtesë fondesh për ndërtimin e rrugës.
“Jo vetëm që nuk kemi shtuar para në këtë kontratë, por janë bërë pagesat sipas kalendarit të punimeve.”
“Vlera e kësteve që autoriteti kontraktor do të paguajë deri në fund të kontratës do të jetë vlera e miratuar nga VKM nr. 180. Nuk ka shtesë dhe nuk do të ketë shtesë të fondeve në këtë kontratë”.
Duke folur për shtyrjen e afatit të punimeve, Balluku tha se “është kërkuar kohë shtesë për ndërtim prej 17 muajsh, duke pasur parasysh periudhën e pezullimit të punimeve në tunelin e Murrizit sipas projektit fillestar. Mbi kohën e ndërtimit, e cila ka qenë 44 muaj, duke e çuar periudhën e ndërtimit në 61 muaj. Aktualisht jemi në muajin e 46 të punimeve, ku kemi garantuar ecuri punimesh në përputhje me grafikun e punimeve të rishikuar, me cilësi dhe përputhje me standardet e ndërtimit”.
“Vlera e kontratës koncensionare që është 33.6 milionë lekë do të mbetet e pandryshueshme, edhe pse projektzbatimi është rishikuar, pasi ky ndryshim projekti është njohur nga autoriteti kontraktor si kusht lehtësimi, bazuar në përcaktimet kontraktuale”, tha Balluku gjatë interpelancës me deputetin Mziu.
Balluku i justifikoi vonesat për shkak të punimeve në tunelin e Murrizit.
“Punimet në tunelin e Murrizit filluan në tetor 2018. Për shkak të probleme gjeologjike, më datë 9 maj 2019 u pezulluan punimet me urdhër të inxhinierit të pavarur dhe kanë rifilluar pas miratimit nga autoriteti kontraktor me datë 20 tetor 2020”
Sipas raportit gjeologjik të kryer për këtë rast, rezultoi se kostot e vazhdimit të punimeve do të ishin shumë të mëdha. Balluku tha se janë pritur rekomandimet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar përpara se të rifillonte puna në tunel.
Sipas Ballukut, shoqëria koncesionare paraqiti tre alternativa për rifillimin e punimeve.
Alternativa e parë parashikonte vijimin e punimeve të hyrjes së tunelit sipas projektit të miratuar dhe zgjidhjet përkatëse, por duke pasur kosto të lartë financiare dhe impakt negativ në mjedis.
Alternativa e dytë parashikonte shmangien e rrugës dhe të tunelit nga formacionet rrëshqitëse, ndërkohë që një alternativë e tretë ishte ndërtimi i një tuneli dhe një segmenti totalisht të ri.
“Për shkak të kostove, alternativa e parë dhe e tretë u hodhën poshtë, duke u zgjedhur alternativa e dytë për vazhdimin e punimeve”, tha Balluku.
“Inxhinieri i pavarur, Instituti i Ndërtimit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë dhënë mendim për alternativën e dytë si zgjidhja më e mirë, e cila kërkonte spostimin e hyrjes së tunelit të Murrizit, gjë që solli rritjen e këtij tuneli me 500 metra, duke e çuar nga 3256 metra në rreth 3800 metra, kosto kjo e cila nuk cenon shumën totale të pagesës për këtë vepër nga qeveria shqiptare”, tha Balluku.
Sipas saj, më 20 tetor 2020 Ministria e Infrastrukturës ka miratuar ndryshimin teknik për projekt-zbatimin për tunelin e Murrizit, duke i hapur rrugën rinisjes së punimeve.
Balluku solli në vëmendje disa ndryshime thelbësore të projektit nga ai i vitit 2008. “Projekti i vitit 2008 ishte i standardit C3, ndërsa sot po ndërtohet një rrugë e standardit C2; rrezja minimale e kthesave ishte parashikuar 16-20 metra, ndërsa sot është minimumi 120 metra; pjerrtësia maksimale në 2012 ka qenë 7.75%, jashtë çdo standardi, ndërkohë që sot është rreth 6 %. Kuota maksimale e rrugës ka qenë 948 m mbi nivelin e detit, ndërsa sot është 862”
Duke vlerësuar standardet në rritje të ndërtimit, Balluku solli në vëmendje gjatësinë totale të tuneleve në rrugë.
“Rruga e Arbrit ishte parashikuar atëherë të kishte vetëm 2.6 km tunele, ndërsa sot ka 7.8 km tunele, që tregojnë standardet se si kjo rrugë është ndërtuar”, vlerësoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

***

Megjithëse në debat u përfshinë edhe deputetë të tjerë të parlamentit, afati për mbarimin e segmenteve të ndryshme të rrugës mbeti pa përgjigje.
Ajo që bie në sy gjatë debatit parlamentar është fakti se pse qeveria shqiptare dhe institucionet përgjegjëse nuk kishin bërë publik faktin e zgjatjes së kontratës së ndërtimit, një vendim i marrë më shumë se 1 vit më parë, para se të hapej rruga për qarkullimin e mjeteve në nëntorin e kaluar.
Gjithashtu, gjatë debatit nuk iu dha përgjigje as afatit se kur segmenti i rrugës përgjatë Planit të Bardhë, që lidh Urën e Vashës më Bulqizën, do të vihej në funksionim.
Debati politik e ka shoqëruar Rrugën e Arbrit që nga nisja e punimeve në vitin 2005 dhe duket se do ta shoqërojë deri në përfundimin e saj në fund të vitit 2023.
Deri atëherë nuk dihet nëse segmente gjysmë të ndërtuara si ai i Planit të Bardhë apo përgjatë lumit të Tiranës do të përfundojnë më parë, apo nëntori i vitit 2023 do të jetë dita zyrtare e përfundimit të punimeve.