Luiza Gega po çudit botën me shpejtësinë e saj


Komentatorët gjermanë në stadiumin e lojërave olimpike të Mynihut çuditen me shpejtësinë e Luiza Gegës.

Nga Enela Shehu Markja, Mynih

„Sehr Souverän!“ – Tepër e sigurt. Luiza Gega shpallet kampione Europe në garën e 3000 metrave me pengesa me kohën 9:11.31, duke shënuar jo vetëm një rekord personal, por edhe një rekord europian.
Nga 11 deri më 21 gusht u zhvillua në qytetin e Mynihut Kampionati Europian i Atletikës, aktiviteti më i madh sportiv veror, që nga Lojrat Olimpike në verën e vitit 1972.
Jo vetëm Parku Olimpik, i cili ishte dhe zemra e këtij aktiviteti sportiv, por dhe gjithë qyteti u shndërrua në një tribunë për sportistët dhe atletët më të mire europian.
Shiu i pritur gjithë verën ra pikërisht ditën e shtunë, por ky fenomen natyror nuk ndikoi aspak në performancën e Luiza Gegës drejt medaljes së artë.
Deri të shtunën në mbrëmje nuk e njihja Luiza Gegën, mbase nga largësia ose dhe mosinteresi që na mbuloi bashkë me pandeminë, derisa zëri i komentatorit në stadium komentoi garën 3000 m me pengesa për femra: “Die Albanerin vorne weg“ – Shqiptarja krejt përpara.
„Gega schockt die gesamte Welt mit ihrem mörderischen Tempo“ – Gega po çudit botën me shpejtësinë e saj.
„Sehr Souverän!“ – Tepër e sigurt.
Atletet britanike si dhe atletja gjermane e njohur Lea Meyer ju afruan, por nuk e arritën dot rekordin dhe përformancën e atletes shqiptare Luiza Gega.
Për t’u vlerësuar besimi i saj i plotë në vetvete si dhe në përformancën dhe teknikën sportive.
Mbresëlënëse fjalët e saj, kur tregonte që, përgjatë garës hidhte sytë nga spektatorët në kërkim të flamurit tonë kombëtar, për të ditur nëse në këtë stadium të madh, ka dikush që e njeh dhe e mbështet atë.
Dhe një flamur ishte aty, për ti dhënë kurajo atletës sonë, e cila e ktheu shumëfish gëzimin te shqiptarët anembanë botës.
“Ne, si spektator e sportëdashës përjetuam – falë fitores së Gegës – momente magjike, të paharrueshme, emocione që të ngjallin ndjenjën e krenarisë kombëtare kur ngrihet flamuri dhe këndohet himni kombëtar në atmosferën shumëngjyrëshe festive në Parkun Olimpik të Mynihut.
Luiza Gega dhe ekipi i saj, jo vetëm që treguan prezencë në kampionat, por me thyerjen e rekordit dhe medaljen e artë u përjetësuan si në botën sportive të atletikës ashtu dhe në qytetin e Mynihut.
Për sportin dhe shoqërinë shqiptare është medalja e artë e Luiza Gegës krenari, por edhe një sfidë e vërtetë.
Talentet nuk na mungojnë, por puna dhe performanca e tyre duhen vlerësuar, duke ju dhëne atyre kornizën dhe mbështetjen e domosdoshme në ecurinë sportive.
Luiza, kjo vajzë dibrane, është një shembull i shkëlqyer për të gjithë sportistët dhe më tepër për brezin e ri që edukohet nëpër shkolla.
Me disiplinë dhe këmbëngulje bëhen ëndrrat realitet!