Bërxulla dhe Dibra, toka në mes


SHPËRNDARË ME LIGJIN 7501 alias LARË ME GJAK E FLORI?
A do të shkojnë dibranët të mësojnë se si mbrohet prona në Bërxullë?

Nga Abdurahim Ashiku

Bërxulla është një fshat i Tiranës.
Kam qenë në Bërxullë.
Kur isha student kam bërë praktikën bujqësore.
Kam bërë edhe një reportazh për të rinjtë dhe të rejat në rrugën e transformimit shpirtëror e zakonorë me të kaluarën.
Kohë e largët, diku tek gjashtë dekada më parë…
Bërxullasit, si të gjithë fshatarët përfituan tokë sipas ligjit 7501, tokë e shpërndarë me “litar” mbi bazën e frymëve të secilës familje.
Se e kujt ishte toka me TAPI, blerë nga gjyshi me flori, nuk u mor vesh, as atëherë dhe as sot. Kush nuk e tha e askush nuk e thotë. Veçse në rastet kur ndonjë (shyqyr që janë pak se po të dalin të gjithë atëherë “kthim kompensimi i pronave” do të griste xhepat e mbarë popullit, mbase për dy apo tre breza) nxirrte nga çekmexhetë tapi të hershme turke.
Nëpër Bërxullë do të kalojë autostrada. Do marr toka buke e ndërtime të vjetra e të reja. Do marrë aq sa do të jetë traseja e saj me gjerësi dhe gjatësi. As më pak dhe as më shumë. Dhe kjo tokë duhet të kompensohet në lekë apo euro. Sa është çmimi i kohës për zonën. Sigurisht jo sa është çmimi i një metri katror në “Sheshin Skënderbeg” por më pak, mbase sa gjysma, e shumta sa treçereku. Por me siguri më shumë se sa u kompensua toka me zgjerimin e aerodromit të Kuçovës ku një metro katrore tokë u kompensua me 1.9 euro, as sa një paqetë cigare. Kuçovasit nuk e kundërshtuan aq sa po e kundërshtojnë Bërxullasit.
Mbase se nuk ishte tokë e tyre, tokë e baballarëve e gjyshërve, blerë me flori e dokumentuar me “tapi turke”. Mbase ishte “tokë me litar”, shpërndarë për frymë. Kush mori – mori. Kush mbolli – mbolli.
Në Bërxullë do të kalojë autostrada.
Autostradat lidhin njerëzit, vendin, vendet, janë kërkesë e kohës…
Në Dibër këto ditë shoh të organizohen tubime.
Në Muhurr…
Në Fushë Alie…
Në…
Atje ku toka mbytet…
Atje ku historia shuhet…
Atje ku eshtrat luajnë vendit.
Të trimave e trimëreshave
Që serbit Drinin s’ia dhanë
Me gjak truallin lanë…
Pak, disa dhjetëra janë.
Megjithatë bukur.
Me ta jam,
me ta do të jem.
Një këshillë e kam
Shkoni në Bërxullë
Është një shkollë rezistenca.
Bashkohuni me ta,
merrini me vete.
Zërin bashkoni,
në një front luftoni.
Dibra e vetme nuk ia del dot
Pa “dibranët” e Bërxullit,
Bathores, Kamzës, Paskuqanit,
Rrethinave të Durrësit, Kavajës, Fushë-Krujës,
jallisë mbarë.
Kur të mblidheni bashkë,
si gishtat në grusht,
do vijmë edhe ne,
mërgimtarët,
Nga Athina…
Nga Roma…
Parisi…
Berlini…
Londra…
NewYorku…
Washingtoni…
Melburni…
Bota mbarë…
Mos e nënvleftësoni Dibrën
E bashkuar, gjithnjë ia ka dalë
Dhe mos harroni:
Tokën kush nuk ua ka falë,
Me flori e keni blerë,
me gjak e keni larë…
Athinë, 30 maj 2023