Anekdoda postelektorale


Tre ditë para zgjedhjeve një grup vëzhguesish të zgjedhjeve ishin në Peshkopi. Një mëngjes, duke dalë nga Dobrova, njëri prej tyre, që e pinte duhanin shumë, pa që i kishin mbaruar cigaret. Dyqanet ishin mbyllur. Diku në dalje të qytetit, pa një xhip që po ecte trotuarit dhe mbante një cigare ndezur.

Ndaluan makinën dhe ai që pinte duhan – ishte edhe vetë dibran, e pyeti xhipin:

– Mimgjes o kushaj, i foli Xhipit!

– Mimgjes, tha xhipi dhe ndali hapin.

– A ta baj ni pietje?

– Po mor, tha xhipi, fol.

– Turp asht me lip apo me dhanë!

– Turp asht me lip, – tha Xhipi.

– Atëherë, turpi më mbetet mu, – tha burri,

e jam tu t’lip: A ke t’më japësh ni cigare? Xhipi pa tre veta në makinë dhe pa folë asnjë fjalë nxori tre cigare dhe ua drejtoi. – Faleminders’, – i tha ky që lypi cigare. Këto dy të tjerët nuk e pinë, por unë me turp se me turp u bana dhe po i mbaj të treja. Por a ta bëj edhe një pyetje? Si e ke mendjen për të votuar?

– Hala nuk e kam nda, – tha xhipi. – Pres kush do m’vijë në derë i funit?

– Si të të vijnë në derë, nuk e kuptoj?

  • – Ka ardh’ i pari para ni jave dhe m’ka dhanë nizet mij lek për vot, ka ardh ni qetër di ditë ma vonë dhe m’ka dhana trajdhetë mijë. Tahaj po pres deri t’shtunën në dark mos po vjen ndonjë tjetër të m’japë pak ma shumë…

“5000 lekë një copë letër”

– A nuk ke turp si e ke shajt votën, – i thanë një burri të vjetër në një katund të Dibrës, i cili kishte pesë anëtarë me të drejtë vote dhe ishin përhapur fjalë se e kishte shajt ni votë 5000 lekë.

– Jo, tha, sepse nuk kam shajt votën, por kam shajt ni copë letër pesë mijë lek.

– Jo, jo, votën ke shajt! Se tani që e ke shajt, t’asht mshel gjoja me kërkue ato pak gjana si t’takojnë…

  • – Jo, jo, – tha plaku. – E ke gabim. Gojën e kam pas hap gjithë kohën, por nuk m’i ka dhanë kush ato gjana si m’takojnë. Tahaj prap nuk kanë me m’i dhanë, por t’paktën u mora pak nga ajo që na kanë vjedhur. Jo vetëm për vete e për familjen teme, por për t’gjithë katundin… Sa t’kalojm kët’ dimër, se verën qetër kemi prap zgjedhje…

“Kur s’ke sy, ke gojë”

Një grup deputetësh nga Tirana kishin shkuar në Dibër për fushatë. Dhe hipur mbi makinat e tyre të shtrenjta, përfunduan në një fshat pa rrugë e asfalt. Ngaqë nuk dinin ku të shkonin, menduan të ndalonin në atë katund të vogël, por shumë të hapur, me shtëpitë larg njëra – tjetrës. Dhe kishin dëgjuar se në Dibër, për fushatë, ose takojnë të fortin e lagjes ose më të vjetrin e fshatit. Ndaluan një kalimtar në rrugë, një djalë të ri dhe e pyetën:

– Jemi nga Tirana dhe kemi ardhur për fushatë elektorale. Të lutem, na thuaj, kush është më i vjetri në këtë katund dhe si mund të shkojmë të pimë një kafe?

– Është një burrë i vjetër, por nuk e di si mund të shkoni. Ja, është ajo shtëpia në fund, – dhe bëri me dorë nga një kodër, – por kam frikë se nuk shkoni dot me makina, pasi rruga është gropa-gropa e vija-vija, dhe do t’ju prishet makina.

– Po si mund të shkojmë ndryshe, thanë fushatistët nga Tirana. – Ja, merrni rrugës sipër te kanali u ujit

merrni djathtas dhe për 10-15 minuta jeni te shtëpia. Ashtu bënë. U nisën në këmbë, por kur shkuan te kanali i ujit, syri ju zuri një fushë kanabisi gati për t’u korrur. Kokulur dhe pa zë, vijës së ujit dhe mespërmes fushës me kanabis, nxituan hapat dhe për 5 minuta shkuan te shtëpia e plakut.

Ai i priti mirë, i vuri në krye të odës dhe ndërkohë që po bëhej kafja, po u dridhte nga një cigare miqve. Njëri, që ishte më i riu, pasi kishte dëgjuar shumë për muhabetin e odave, e ngacmoi plakun:

– Duhan vendi është?

– Po, po, – ia ktheu plaku. Ka mbjellë djali ca rrënjë. Ai i bën shërbimet, e vjel dhe e than, dhe unë veç e pres në kimë dhe e dredh brenda këtyre katër mureve. Djaloshi, i cili kujtoi se plaku nuk ia kapi muhabetin, e ngacmoi sërish:

– Djali a mbjell duhan ta tymosësh veç ti, apo ka mbjellë edhe nga ai duhani që e tymos edhe rinia?

Por plaku bëri sikur nuk e kuptoi sërish djaloshin, ngriti kokën dhe e pyeti prap: – Unë nuk e njoh këtë duhanin e ri, unë njoh veç këtë që po dredh në kuti… Por djali vazhdoi në të tijën: Kanabis, xhaxha, kanabis! A ke parë ti të kenë mbjellë këndej nga katundi juaj? Plaku, ndaloi dredhjen e duhanit, drejtoi trupin dhe gjithë serioz i tha:

– Nga ma gjete shpajn, mor voc, nga xhadja poshtë apo rrugja nalt?

– Rruga sipër, – tha djaloshi pa u menduar.

– Mor bir, kur nuk ke pas tej saj me e pa si ke kalue midis arës, nga ta shof unë m’shele m’rena katër mureve…

  • – Mos ia vër re, – i tha plakut njëri prej burrave që ishte më i moshuar, se këta të rinjtë, kur nuk kanë sy, kanë gojë…

“Si të thotë burri”

Dy militantë partie, që ia kishin pirë gjithë lëngun demokracisë, herë majtas e herë djathtas, kishin shkuar në fushatë në një katund. Aty shtëpi më shtëpi e lagje më lagje, kërkonin vota për partinë e tyre të re. Kaluan pranë një shtëpie dhe në oborr panë dy të moshuar.

– Ndalojmë këtu, – thotë njëri prej tyre. Ai burri është i partisë tjetër dhe nuk na e jep votën, por gruaja është bijë te një mik i imi, dhe ata janë me në. Ndalojmë e bëjmë një dorë muhabet dhe di si t’ia kërkoj unë votën kësaj here…

Burri dhe gruaja i panë që u kthyen nga shtëpia e tyre. Nuk kishin hiç qejf me i pritë, por burri i tha me zë të ulët: T’i presim, t’u japim n’i kafe, se nuk duhet me e koritë shtëpinë për këta të dy … Pasi u përshëndetën, i kërkuan zonjës së shtëpisë që në vend të kafes t’u jepte ose një gotë dhallë ose një gotë qumësht, se u ishte mbush stomaku me miell kafeje dhe po u përzihej. Dhe u ulën këmbëkryq dhe filluan muhabetin.

– Oj nanë, – i thanë gruas. – A do t’na e japësh votën kësaj radhe?

– Si t’thotë burri, – tha gruaja.

– Jo, jo, oj nanë. – Jemi në demokraci dhe vota është e lirë! Burri ka votën e vet dhe gruaja ka të vetën!

– Po, mor bir, po, por unë do t’votoj si t’thotë burri…

Lëre burrin të bëjë si të dojë vetë. Ti na e jep këtë herë votën! Mos e dëgjo burrin, se burri jot është si muri, nuk luan!

Duhet n’gjue burri, mor bir, duhet ngjue!

Se po t’ishte për mu, ua kisha fajt ni bar majni n’tamël, por burri nuk m’la. M’tha: Oj grue, fajti ni lugë mjalt n’gotë t’amlit, t’amëltohen e t’shkojnë n’punë t’vet… Dy militantët e lanë përgjysëm gotën e qumështit, u ngritën e ikën gjithë inat…

 

“Ku po e ban burgun Saliu?”

Disa nga udhëheqësit e PD në një katund në Dibër shkuan për një kafe te një burrë i vjetër. Plaku i priti dhe u dha muhabet duke i pyetur një nga një. Njëri prej tyre i tha:

– Do ta rrëzojmë komunizmin kësaj here.

Nga Dibra do të fillojë revolucioni që do t’u fusë tmerrin bijve të Enverit…

  • – Po, mor, po, – tha plaku… A m’bëjn sajt, a ti je ai voci si herën e kalueme m’kërkove votën se do fajsish n’burg Saliun… E ku po e ban burgun Saliu?

“Estradë në katund”

Ishin përhap fjalë në katund se një kaubojs do të bënte takime me popullin. U mblodhën burrat te dyqani i fshatit duke pirë birra e duke sharë opozitën.

– Ku shkon, o bab, – i tha një fëmijë i vogël babait të tij.

– Jam tu shkue në nji mbledhje se ka ardh Kaubojsi…

– A t’vi edhe un me ty se kam qejf me pa ni kaubojs me saj…

Babai mori të birin përdore dhe shkuan në mbledhje. Aty fliste kaubojsi dhe burrat e fshatit ngrinin shëndete me birrë kuqalashe dhe gajaseshin së qeshuri….

– O bab, – tha i biri me zë të ulët në vesh, ky kaubojsi po rren…

– Jo, mo bir! Nuk rren ai! A e shef çish burri asht? Nuk rrejn këto soj burrash….

– Po rren, po rren, – tha djali serioz. – Sepse ai nuk asht kaubojs, nuk ka as kal dhe as patllake…

Babai qeshi dhe i tha:

– E di, mor bir, e di. Por ne për të qeshur erdhëm këtu, pasi ka 25 vjet që nuk ka ardhë estradë në katund.

“Fitore për Kurban Bajram”

Pas fushate e pyeta njërin që ishte me partinë fituese:

– Pse jeni kaq të mërzitur!

– Jo, mo, tha, të gëzuar jemi, por nuk e prisnim një fitore kaq të thellë!

– Atëherë nxire gëzimin, – i thashë, –

merre një flamur të PS dhe dil të festosh në bulevard.

– Jo, nuk dal dot, – ma ktheu!

– Por çfarë ke atëherë që më je i vrenjtur si moti?”

– Po shpresoja që të vazhdonte numërimi dhe të shpallej nesër fitorja. Se sot është dita e Kurban Bajramit dhe kryetari i ri do të thotë se ‘jam zgjedhur në një ditë të bekuar nga Zoti’ dhe do t’i ndajë të gjitha vendet e punës përgjysëm… Dhe kam frikë se do më kërkojnë të ndaj vendin e punës time përgjysëm…

Humor paszgjedhor

E pyetën një burrë:

– Çish qe kjo si ndodhi n’Dibër?

– Ndodhi, – tha burri, – s’kemi ç’t’i bëjmë.

– Po ku i patët sajt, a nuk e shajfshi se hashashi ishte tu u gje votat?

– O bir, – tha burri. Ata me dy saj kan ik nga ki ven, ata me ni saj kanë shkue n’Bathore, ndërsa k’tu kan mbet ata pa saj…