RRUGA E ARBRIT PËRFSHIHET NË PROGRAMIN “NJË MILIARDË PËR RINDËRTIM”


Punimet e mbetura përgjysëm mbi Urën e Vashës I Foto: © Bujar Karoshi

Para zgjedhjeve nisin punimetKryeministri Rama: Rruga e Arbrit është në procedurë. Është projekti i parë që do realizohet me Programin “Një miliardë të rindërtimit” dhe kam shumë besim që, nëse nuk do të na tradhtojnë procedurat, shumë shpejt do të fillojë puna edhe për Rrugën e Arbrit”.

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një takim me kryetarët e bashkive për të deklaruar se “Rruga e Arbrit është duke hyrë në fazën e dytë të procedurave dhe në qoftë se ato nuk na tradhtojnë, shumë shpejt do të fillojë puna”.
Kryeministri e dha përgjigjen e tij si përgjigje për kryetarin e bashkisë së Dibrës, Muharem Rama, i cili kërkoi mbështetje nga qeveria për “investime në sistemimin e përroit të llixhave dhe vetë llixhat”.
“Ju falenderoj për investimet deri tani në Dibër, por kemi zonën e llixhave, një zonë kurative që pret shumë turistë, për të na mbështetur me investime në sistemimin e përroit të llixhave dhe vetë llixhat. Mendoj që kjo është lehtësuese për Dibrën”, – i tha Rama kryebashkiak Ramës Kryeministër.
“Jemi dakord për rëndësinë e llixhave nuk ka këtu, as majtas e as djathtas, – tha Kryeministri. Jam i bindur që nuk ka asnjë shans që të mos kemi konsensus që llixhat e Peshkopisë janë shumë të çmuara, por sill projektin. Ne financojmë projekte. Sillni projektin dhe ne do t’ju mbështesim. Për Dibrën kemi dhënë e do vazhdojmë të japim një mbështetje të vazhdueshme. Përfitoj nga rasti të them që Rruga e Arbrit është në procedurë. Komisioni duhet gjatë kësaj jave të mbyllë fazën e parë të procesit dhe të hyjmë në fazën e dytë. Është projekti i parë që do realizohet me Programin “Një miliardë të rindërtimit” dhe kam shumë besim që, nëse nuk do të na tradhtojnë procedurat, siç ka ndodhur me planin e Lezhës apo me ekskavatorët, shumë shpejt do të fillojë puna edhe për Rrugën e Arbrit”.
Për Rrugën e Arbërit Kryeministri foli edhe në një takim me përfaqësues të institucioneve financiare, sipërmarrjes, bankave dhe ekspertë për prezantimin e programit të ri kombëtar “Një miliardë për rindërtim”.
“Synojmë që me këtë program të adresojmë disa probleme të rëndësishme të infrastrukturës rrugore nacionale, të adresojmë nevojën për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e zonave turistike. Pjesë e këtij programi është edhe Rruga e Arbrit, për të cilën kanë nisur procedurat dhe është projekti i parë i cili përfshihet në këtë program dhe për të cilin ka një procedurë të nisur, bazuar në legjislacionin në fuqi, nga Ministria e Transporteve”, – theksoi Kryeministri.

E MAJTA – NJË HISTORI PËR RRUGËN E ARBËRIT

Kur Partia Socialiste ishte në fushatë katër vite më parë, Rruga e Arbërit ishte kryefjala. “Jo vetëm Rruga e Arbrit, por të gjitha rrugët do të jenë ndryshe nga rrugët që ndërtojmë këta, që kanë ngelur rrugëve”, – thoshte atëherë kryetari i PS.
Qasja e tij ndaj kësaj çështje ishte shumë ndikuese dhe të bënte me optimizëm.
“Ky është një projekt kombëtar, është një projekt shumë i rëndësishëm jo vetëm për ju, por është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Është një projekt që nuk garanton thjeshtë lëvizjen, nuk shkurton lëvizjen thjeshtë, po garanton një zhvillim për një territor të tërë që tani është jashtë hapësirës së zhvillimit dhe është një projekt që për ne hyn tek projektet strategjike që ne do ta çojmë përpara me shumë vullnet”, – thoshte zoti Rama nga Klosi.
Pasi mori postin e Kryeministrit Rama e përfshiu Rrugën e Arbërit në punën e parë të kësaj qeverie në fushën e infrastrukturës. Por kjo mbeti vetëm në letër.
Në dhjetor 2014 ishte vetë Kryeministri që në një status në FB dha lajmin e nënshkrimit të një “memorandumi bashkëpunimi me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nisë vitin e ardhshëm”. Në prill të vitit 2015, Parlamenti miratoi me 89 vota “pro” një ligj të posaçëm që i hapte rrugë negocimit me kompaninë kineze “China State Construction Company”. Për të gjithë kjo u interpretua si një hap i rëndësishëm në nisjen e punimeve, por muaj pas muaji u kuptua se negociatat po shkonin drejt dështimit. Asnjë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit, Financave dhe Ekonomisë dhe asnjë deputet i Parlamentit shqiptar nuk foli për dështimin e negociatave. Burime të gazetës pohuan se “negociatat dështuan për shkak të dyshimeve për korrupsion, gjë që e detyroi Exim Bank të tërhiqej nga financimi. Por qeveria e pranoi dështimin vetëm në fund të vitit 2015, duke nxjerrë si arsye koston e lartë të ndërtimit dhe financimit të kërkuar prej kinezëve. Nga 210-250 milionë që ishte oferta fillestare, sipas burimeve të qeverisë kostoja e financimit parashikohej të kalonte 600 milionë euro.
Më qesharakja në këtë proces ishte fakti që Ministri i Transportit, sa herë që fliste në televizione apo në takime me shtypin thoshte se “së shpejti nisin punimet”, por kur marrëveshja dështoi, askush nuk dha një informacion se cilat ishin arsyet e vërteta.
Tërheqja zyrtare e kompanisë kineze në muajt e fundit të vitit 2016 duket se e vuri në vështirësi qeverinë shqiptare. Në këtë periudhë, një kompani shqiptare, “Gjoka Construction” i propozoi qeverisë shqiptare që ndërtimin e 27 kilometra të mbetura të rrugës mund ta ndërtojë ajo me vlerën e 190 milion dollarë. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve po e diskuton këtë draft dhe sipas deklarimeve të fundit të Kryeministrit Rama, duket se procesi është drejt përfundimit.
Erind Gjoka, drejtor i përgjithshëm i “Gjoka Construction”, konfirmoi në muajin tetor 2016 se “i kishin propozuar qeverisë shqiptare për ndërtimin e plotë të të gjithë pjesës së mbetur të Rrugës së Arbrit. Koha e realizimit të punimeve 3 vjet dhe me një kosto shumë më të ulët se ajo e kompanisë kineze dhe standard më të lartë teknik”.
Një burim nga Ministria e Transportit tha për gazetën se bisedimet janë drejt fundit dhe Rruga e Arbërit do të jetë njëri nga projektet e financimit të paketës “1 miliardë dollarë” që parashikohet të nisë këtë vit me mbështetjen bankave dhe biznesit privat.
Burimi thotë se “Gjoka Construction” ka vënë garanci në bankë një shumë prej 45 milionë USD dhe është Banka Kombëtare Tregtare që pritet të financojë punimet. Por kjo e dhënë nuk është e konfirmuar plotësisht. Një email për më shumë informacion në adresë të kompanisë “Gjoka Construction” dhe deputetëve të Dibrës ka mbetur pa përgjigje.

DEBATI : SHOQËRIA CIVILE DHE RRUGA E ARBËRIT

Peticioni online i nisur katër vite më parë vazhdon të jetë aktiv. Në një faqe në Facebook organizatorët po vazhdojnë të kërkojnë mbledhjen e firmave në letër dhe online, si një mënyrë për t’i dëshmuar qeverisë se qytetarët nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e premtuar prej tyre gjatë fushatës së kaluar, me synim nisjen dhe përfundimin sa më shpejt të Rrugës së Arbërit me cilësi dhe standarde. Peticioni i ka kaluar mbi 12 mijë firma, por jo mjaftueshëm për ta detyruar kryeministrin që të ulet me nismëtarët e peticionit dhe organizata të tjera të interesuara, për të kuptuar më shumë se cilat janë shkaqet që procesi nuk po ecën përpara.
Për të nisur dhe përfunduar sa më shpejt punimet, ing. Faruk Kaba, drejtues i firmës projektuese “Infratransprojekt”, i cili ka projektuar një pjesë të madhe të segmenteve të rrugës, ka propozuar edhe një projekt të shpejtë, ndërtimin e rrugës në një fazë të parë pa tunel, e cila do të çonte në nisjen e shpejtë të lëvizjes së mjeteve brenda 18 muajve dhe një fazë të dytë ndërtimin e tunelit, kur edhe fondet të jenë të siguruara.
Por ky propozim ka hasur në kundërshtimin e organizatorëve të peticionit, të cilët kanë kërkuar që ky segment rrugor të tenderohet në bllok dhe jo pjesë-pjesë, pasi kjo do të rrezikonte standardet e ndërtimit.
Ndërsa ing. Bashkim Lleshi dhe dy shoqatat dibrane, “Lidhja e Intelektualëve Dibrane” dhe “Nisma Dibrane” kanë propozuar rishikimin e projektit në disa segmente, sidomos Tunelin e Murrizit dhe Urën e Vashës, me qëllim përmirësimin e ndërtimit të standardeve të rrugës.
Këto çështje kanë hapur debat mes shoqatave dibrane, por deputetët e Dibrës apo përfaqësues të Ministrisë së Transportit apo Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve nuk kanë shfaqur asnjë lloj interesimi.
Pavarësisht se kur do të nisin punimet, deri më tani përveç ndonjë të dhëne sipërfaqësore për gjatësinë e rrugës, gjerësinë e saj, veprat e artit dhe volumet e punës, nuk ka asnjë informacion për publikun për detajet të tjera, si. p.sh. gjatësinë e tunelit, Urës së Vashës, mënyrës së financimit si partneritet publik, privat apo si financim nga buxheti i shtetit, nëse rruga do të jetë me pagesë etj.
* * *
Punimet e para në Rrugën e Arbrit kanë filluar më 3 korrik 2005, kur një ekskavator gërmoi pak dhè në Fushë Bulqizë, te vendi i quajtur Gurët e Skënderbeut, sa për të prerë kryeministri i atëhershëm një shirit inaugurimi. Por tenderi i parë për një segment të rrugës nga Bulqiza te Ura e Çerenecit u zhvillua në tetor 2007, për të filluar punimet në fund të atij viti. Disa segmente të tjera, nga Bulqiza drejt Urës së Vashës dhe nga Tirana për në Qafë të Tujanit janë në ndërtim prej disa vitesh.
Nga projekti “1 miliardë për rindërtim” pritet të dalin financimet për pjesën e mbetur të rrugës, 27 km, nga Ura e Vashës në Qafën e Tujanit, ku përfshihet edhe Tuneli i Murrizit, Ura e Vashës dhe disa vepra të tjera arti. Rruga parashikohet në një gjerësi 10.5 m dhe një shpejtësi lëvizje 60 km në orë.