Urime Straka: Besimi te vetja më ka sjellë suksesin


– Urime, ju jeni një nga zërat më të rinj të penës dibrane. Na fol pak për veten për një publik më të gjerë?
– Unë jam Urime Straka. Lindur më 8 prill 1995 në fshatin Cetush. Vij nga një familje e thjeshtë dhe që ka brenda një dashuri të madhe. Aktualisht po ndjek studimet e larta në degën e Psikologji-Sociologji. Pasioni im për librat dhe letërsinë lindi që në moshë fare të vogël ku u pikasa nga mësuesit më pas nga persona të tjerë të cilët më ndihmuan në konkretizoja në librin tim të parë krijimet dhe poezitë e mia. Libri i me titull “Qetësisht” ishte libri parë duke u pasuar më pas me dy libra të tjerë “Përtej ëndrrës” dhe “Trokas”.

– Ti vjen nga një fshat i Dibrës. Sa e vështirë është që një vajzë nga fshati të ketë sukses?
– Është me të vërtetë e vështirë të thyesh tabutë dhe mentalitetin kaq të egër sidomos në qytetin e Dibrës. Pasi të kesh arritur të largohesh nga idetë e provincës është më e thjeshtë të ecësh përpara. Asgjë nuk është e thjeshtë në qoftë se nuk përpiqesh. Të gjithë duhet të dimë që ndryshimi vjen nga vetja.

– Kujt i je falënderuese për suksesin tënd Urime?
– Padyshim që familja është gjëja e parë që më ka ardhur në mendje. Ato kanë qenë dhe janë shtysa ime për çdo gjë. Të shumtë janë personat që më kanë qëndruar afër dhe që më kanë dhënë kurajo.

– Keni ju një mesazh për të rinjtë Dibranë?
– Unë jam pjesë e të rinjve dibranë dhe mendoj që ne kemi një fuqi të jashtëzakonshme. E pranoj që jetojmë në një mentalitet të egër por besimi në vetvete është arma kryesore e një suksesi. Besimi në vetvete është besimi më sublime i njeriut. Çdo lloj besimi tjetër është varësi dëshpëruese.

– Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
– Aktualisht po punoj fort për një libër me terma psikologjik. Një libër që flet për motivimin dhe ngritjen shpirtërore. Mendoj që pas përfundimit të shkollimit tim të jem në fushën e biznesit, normalisht, pa u shkëputur nga letërsia dhe nga librat
Bisedoi: Samet Zagradi