Faton Daci, fizioterapisti i Dibrës


Faton Daci

Faton Daci është mjek fizioterapist, i cili e ushtron profesioni e tij me shume pasion dhe dëshirë. Është themeluesi i Shoqatës Shqiptare të Fizioterapisë, e cila që prej vitit 2012, ka organizuar mjaft veprimtari të suksesshme, si kongrese ndërkombëtare dhe trajnime për fizioterapistët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në rajon. Gjithashtu, klinika dhe trajtimi i pacientëve janë pjesë e punës së përditshme, një pune e cila i jep kënaqësi kur shikon përmirësimin e gjendjes së pacienteve. Ndërkohë, mes këtyre angazhimeve, gjen edhe kohën për të dhënë mësim në universitet,  për të kontribuar në edukimin e brezave të rinj të fiziterapistëve. Por përtej profesionit dhe angazhimeve profesionale, mbi të gjitha Fatoni është një djalë i ri, i cili e shijon jetën në maksimumin e saj. I pëlqen të kaloj kohë e lirë mes veprimtarive fizike, siç janë  sportet, palestra dhe vrapi buzë detit që është një “terapi” shumë relaksuese.

 

– Ju keni studiuar në Bullgari? Cilët kanë qenë vështirësitë e tua?

– Studimet i kam kryer në vitet 2003-2010  në Bullgari në Universitetin Mjekësor të Plevenit. Vështirësitë që kam hasur kanë qenë ato që çdo student kalon gjatë viteve të studimeve. Por duke shtuar edhe faktin që isha në një vend të huaj,  kjo do të thotë më shumë kohë për t’u përshtatur me kulturën dhe mentalitetin e tyre. Gjithsesi, jam një person i cili integrohet lehtësisht dhe kjo ka qenë në avantazhin tim. Suksesi në studimet ka qenë si rezultat i dedikimit dhe përkushtimit tim të vazhdueshëm.

 

– Sa i vështirë dhe sa fitimprurës është profesioni fizoterapistit në Shqipëri?

– Profesioni i fizioterapistit, sidomos në Shqipëri dhe diasporë, është relativisht i ri, ose ka marrë më shumë zhvillim gjatë dy dekadave të fundit. Për këtë arsye është dashur një punë ndërgjegjësuese për masën e gjerë të opinionit publik. Gjatë këtyre viteve në Tiranë, ne si SHFSH kemi punuar fort dhe i kemi dhenë prioritetin e duhur integrimit të profesionit të fizioterapistit në fushat përkatëse të mjekësisë. Investimi jonë në trajnime, kongrese dhe aktivitete formuese për fizioterapistët ka funksionuar pikërisht për t’i dhenë fizioterapisë vendin që i takon në aplikimin e saj të domosdoshëm për rehabilitimin dhe trajtimin e pacientëve. Mund të them me plot bindje se është një profesion sa i bukur dhe sfidues, aq edhe shpërblyes ne aspektin e kënaqësisë të punës dhe atë në vlerë monetare. Por kjo padyshim qe kërkon impenjim, dedikim dhe investim të vazhdueshëm në fushën e studimeve të fizioterapisë si një nga shkencat mjekësore të aplikuara.

 

– Ju jeni pedagog në Universitetin Amerikan të Tiranës? Cila është marrëdhënia juaj me studentët?

– Aplikimi i fizioterapisë në aspektin akademik është një investim i mirë për të formuar breza të denjë dhe të aftë studentësh në këtë profesion. Përtej marrëdhënies strikte dhe tradicionale akademike, unë personalisht kam zgjedhur edhe një rol tjetër me studentet e mi, atë të një profesionisti dhe këshilltari të  mirë, por edhe rolin mbështetës për t’i integruar studentët që gjatë viteve të studimeve në praktika mësimore në klinikat ku unë punoj. Njëkohësisht, studentët i trajtoj si kolegë kur ata i angazhoj jo vetëm në praktikë në klinikë, por edhe në aktivitetet e shumta që zhvillon FSHF. Besoj se kjo lloj marrëdhënie e afërt dhe trajtimi i studenteve si kolegë, i motivon ata që të japin maksimumin gjatë studimeve në fizioterapi. Gjithashtu, unë jam shumë i gatshëm t’i informoj dhe të këshilloj studentet për të rejat në fushën e fizioterapisë dhe specializimet që ata duhet të ndjekin pas përfundimit  të studimeve.

 

– Cilin do të falënderoje për suksesin tuaj?

– Suksesi asnjë herë nuk vjen nëse nuk ke mbështetjen e personave të duhur në jetë. Për këtë arsye, edhe unë gjej rastin të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për familjen time, e cila më ka mbështetur në çdo hap të jetës. Nuk mund të le pa përmendur edhe mirënjohjen time për kolegët e mi, për pedagoget e universitetit, si edhe për të gjithë bashkëpunëtorët e projekteve që kemi zhvilluar gjatë këtyre viteve. Një falënderim të madh për të gjithë pacientet që kam patur rastin të trajtoj gjatë gjithë këtyre viteve eksperience, për besimin e tyre.

 

– Dibra mbetet gjithmonë me ju. Çfarë do të doje të ndryshoje në vendlindjen tuaj?

– Karriera ime si fizioterapist ka filluar në qytetin tim te lindjes, në Dibër. Unë kam punuar për gati 2-3 vjet, dhe atje kam patur fatin e mirë të bashkëpunoj me një staf të shkëlqyer mjekësh dhe kolegesh. Kam shumë kujtime të mira prej kësaj përvoje dhe për këtë arsye kam shumë dëshirë që në të ardhmen të kthehem sërish dhe të investohem në profesionin e fizioterapistit në qytetin tim, në Dibër.

Me Dibrën jam i lidhur ngushtë, është qyteti ku kam lindur, jam rritur dhe kam hedhur hapat e para drejt suksesit në karrierë. Por njëkohësisht, Dibra është qyteti ku kam shumë  kujtime, eksperienca dhe ku aktualisht jeton familja ime. Kur flas për Dibrën ndjej shumë nostalgji. Në atë qytet kam plot miq, shokë, familjarë dhe njerëz që i vlerësoj.

Personalisht, mendoj se Dibra ka shume potenciale për t’u zhvilluar në disa drejtime, qoftë atë ekonomik, social-kulturor dhe turistik. Qytetarët e Dibrës dhe bashkëkombësit e mi janë njerëz me vlerë dhe jam i bindur që në një të ardhme të afërt do japin kontributin e duhur, që ky vend të përmirësohet dhe të ofrojë më shumë punësim, shërbime cilësore mjekësorë, arsimim, dhe mundësi argëtimi dhe formimi për të rinjtë.