“Halil Alia” i Xhafer Martinit, një roman që sjell të vërtetën


Shkrimtari Xhafer Martini kësaj radhe doli para lexuesve me monografi në e romanizuar, “Halil Alia”, kushtuar njërës prej figurave më komplekse që ka nxjerrë historia jonë. Vendlindja dhe aktiviteti kryesor i Halil Alisë është në Dibër, por libri ka një rrezatim të gjerë që e nxjerr atë nga kuadri lokal dhe i jep një rëndësi mbarëkombëtare jo vetëm për mënyrën e konceptimit të figurës, por edhe për faktin që libri është një model i të shkruarit ndryshe të historisë.

Shkrimtari Xhafer Martini është i njohur nga lexuesi shqiptar si poet, kritik letrar, studiues serioz i të drejtës sonë zakonore, mbledhës dhe kodifikues i Kanunit të Dibrës etj. Ka një përvojë edhe si hartues i monografi ve për shumë figura të shquara të kombit tonë. Tek personaliteti krijues i këtij autori, historiani dhe shkrimtari punojnë bashkë, secili me mjetet e veta, në harmoni dhe në funksion të veprës, prandaj në monografi të e tij, krahas anës dokumentare, shikojmë edhe analiza të holla psikologjike të karaktereve, të tipave realë, por edhe të personazheve të krijuara. Zhbirimet në botën e tyre të brendshme i bën ata njerëzorë, me një fat historik të përcaktuar, por edhe të kërkuar, personalitete që nuk kanë ecur në rrugë të shtruara me asfalt, por në theqafje dhe gremina të rrezikshme. Autori i rikthehet figurës së Halil Alisë pas botimit të librit të parë: “Kaq shumë gurë u hodhën përmbi mua” (2007). Rikthimin tek veprat e botuara, Xhafer Martini, nuk e ka si qëllim në vetvete, por për të sjellë të dhëna dhe koncepte të reja.

Në këtë botim, ndryshe nga hera e parë, jeta e veprimtaria e Halil Alisë përmbledh të 34 vjetët e jetës së tij, që nga lindja deri në vdekje. Kapitujt e këtij libri përfshijnë: lindjen e Halilit, fëmijërinë, rritjen, mjedisin që e rrethonte, shkollimin, problemet e fisit të Alieve dhe të krahinës, miqësitë dhe armiqësitë, acarimet dhe pajtimet me krerët e parisë së Dibrës, ndikimi i fesë, marrëdhëniet me shtetin dhe pushtetin, bashkëpunimi me forcat pushtuese, hasmëria me Ndretë dhe Kaloshët, emigrimi, kthimi në atdhe, kuptimi për kolaboracionizmin, veprimtaria e tij ushtarake, besëprishjet, incidentet, atentatet, keqësimi i marrëdhënieve me italianët e të tjera.

Halil Alia, deri në vitet nëntëdhjetë, nga diktatura komuniste është konsideruar si armik i popullit, bashkëpunëtor i fashizmit, bashibozuk dhe kriminel, sidomos për luftën në Gjorm dhe vrasjen e Qazim Koculit. Pas viteve nëntëdhjetë është diskutuar dhe shkruar mjaftueshëm, por “bardhë e zi”. “Fanatikët” nuk lëvizin nga konsideratat e dhëna që burojnë prej dokumentacionit dhe propagandës komuniste. Ka të tjerë që e glorifikojnë këtë figurë, duke mos e analizuar në kontekstin e kohës kur jetoi dhe veproi. Këta kanë qëllim vetëm ta lartësojnë Halil Alinë, por e humbasin masën aq shumë, sa e shkëpusin nga tabani kombëtar dhe nga koha në të cilën jetoi, nga njerëzit me të cilët luftoi. Ka edhe prej atyre që figurën e Halil Alisë e shikojnë në një kuadër më të gjerë, si produkt jo vetëm i rrethanave historike, por edhe në marrëdhënie me shumë fi gura të tjera nacionaliste antikomuniste që vepruan gjatë pushtimit nazifashist, në vitet 1939-1945.

Xhafer Martini i përket atij grupimi studiuesish që i vlerëson ngjarjet në kohën kur kanë ndodhur dhe në një terren konkret, në lidhje me mjedisin dhe psikologjinë shoqërore të asaj kohe, në lidhje me traditën dhe marrëdhëniet e atyre që jetuan në të njëjtat situata dhe kaluan nëpër të njëjtat ngjarje, duke dhënë kështu gjeopolitikën dhe politikën e kohës së pushtimit, të zakoneve, të traditave etj. Përshkrimi i miqësive dhe i  armiqësive të “më të fortëve” të Dibrës, pesha e tyre në ngjarjet historike, ndikimi i Kanunit dhe i marrëdhënieve fisnore e më gjerë, administrimi dhe administrata, gjendja arsimore dhe kulturore e popullsisë, interesat e tyre ekonomike, të para këto në kompleksitetin e vet dhe me seriozitet, e bëjnë këtë libër bindës, me logjikë historike dhe të kuptueshëm për çdo lexues. Ndërhyrja e shkrimtarit në punën e historianit, nuk e cenon vërtetësinë e ngjarjeve dhe të karaktereve, por, përkundrazi, i afron ato më shumë me lexuesin. Kjo është arsyeja që tek ky libër nuk kemi një monografi të thjeshtë. Studiues, historianë, etnografë, psikologë, por edhe njerëzit e thjeshtë mund të gjejnë në këtë vepër ngjarje, qëndrime dhe fakte që duhen marrë në konsideratë.

Më konkretisht, në këtë libër dalin më të evidentuara këto probleme:

1. Lindja dhe ngritja e një figure të fisit të Alieve, fis me histori dyshekullore të luftërave për liri dhe pavarësi, kreu i Malit të Çidhnës; fis që përjetoi lavdinë dhe rënien, ringritjen nëpërmjet një kalvari peripecish; fis me miq, por edhe me armiq të fuqishëm, siç ishin Ndretë dhe Kaloshët, me të cilët e bashkonte historia e lavdishme, por e ndanë dhe e armiqëson një ngjarje e dorës së dytë.

2. Në libër pasqyrohet Kanuni, dhe kultura e Çidhnës me një pasuri të rrallë historike, zakonore, alegorike, etnografi ke; ajo jepet si një zonë që kishte formë vetëqeverisëse parlamentin e përbërë nga 70 shtëpitë e Has Përnezhës, pleq e stërpleq, që ndanin Kanun në gjithë Dibrën, zonë ku pyetej i mençuri dhe jo i forti.

3. Halil Alia del si një individ që e nxori dhe e ngriti krahina e Çidhnës për ta përfaqësuar atë, duke i veshur krenarinë, trimërinë, përkushtimin atdhetar; Çidhna e ndoqi atë kudo pa e paragjykuar, “në të mirë dhe në të keqe”. Këtë e tregoi pjesëmarrja e burrave të këtij Mali në tërë veprimtarinë ushtarake të Halil Alisë.

4. Kushtet për të qenë pari në Dibër ishin këto: “Trimëri, mençuri, sofër”. Halil Alia nuk e plotësonte kushtin e “sofrës”, ai nuk e kishte ekonominë e Ndreve, Kaloshëve dhe Hoxheve. Banorët e Çidhnës, duke qenë krenarë dhe të pabindur, nuk iu nënshtruan forcës së Halil Alisë për ta mbështetur ekonomikisht. Atij nuk i mbeti rrugë tjetër veçse të shfrytëzonte koniukturat politike dhe të përfi tonte nga pushtuesit. Shkrimtari këtë e jep me vërtetësi, pa ia mbajtur anën aspak Halil Alisë.

5. Edukimi arsimor dhe tradicional i Halil Alisë, i patrajtuar deri më sot, në këtë libër vjen në mënyrë kronologjike dhe të saktë. Halil Alia kishte një edukim arsimor, profesional dhe linguistik të kompletuar për kohën. Zotërimi i disa gjuhëve të huaja, përvoja dhe edukimi jashtë shtetit, si në: Jugosllavi, Itali dhe Rusi, i japin atij mundësinë për të qenë lider.

6. Pika më “errët” e kësaj figure – qëndrimi ndaj pushtuesit dhe Luftës Nacionalçlirimtare- sqarohet mjaft mirë në këtë libër. Qëndrimi i pushtuesve ndaj Shqipërisë, krijimi i asaj Shqipërie që e ëndërronin dhe e dëshironin shqiptarët, qëndrimi ndaj popullsisë, marrëdhëniet midis krerëve nacionalistë, marrëveshjet dhe kontradiktat midis tyre, aleancat kundër vendosjes së komunizmit në Shqipëri, marrëveshjet e fshehta dhe të hapura të komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, zënë vend qendror në libër dhe të gjitha këto, të marra veç e veç, por edhe në tërësinë e tyre, përcaktojnë sjelljen e çdo individi ose grupesh të mëdha shoqërore, duke mos përjashtuar as Halil Alinë.

7. Veprimtaria e Halil Alisë në Vlorë, në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit të vitit 1943, është një tjetër çështje e nxehtë që komunistët shqiptarë e kanë shfrytëzuar 46 vjet me radhë për ta përbaltur këtë figurë. Aleancat lokale midis Qazim Koculit, Lelo Koçit me partizanët e vendit, bënë që të shkaktohet një luftë vëllavrasëse, megjithëse Halili me komisarin partizan ishin marrë vesh që një gjë e tillë të mos ndodhte. Halili  mbas katastrofës që pësoi (iu vranë shumë vetë) vrau Qazim Koculin, Lelo Koçin (prefekt i Vlorës) dhe kolonel Klementin. Qeveria më vonë nxori urdhër arresti për Halil Alinë dhe Selim Xhetan Kaloshin, por ai nuk u zbatua. Dokumentet e kësaj periudhe dhe për këtë problem kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe duket se janë prodhim i politikës koniukturiale.

Xhafer Martini e analizon me imtësi këtë periudhë dhe hedh dritë mbi të vërtetën me paanësi. Për vrasjen e Qazim Koculit, Halil Alisë dhe Selim Xhetan Kaloshit iu bë atentat në Tiranë, pa cilësuar cili qe autori ose autorët. Një luftë vëllavrasëse u bë në Dukat të Vlorës pa qenë fare i pranishëm Halil Alia e forcat e tij. Lufta vëllavrasëse qe mbjellë prej tjetër kujt.

8. Lufta civile midis forcave partizane dhe malësorëve, mbështetës të Halil Alisë, në qershor – korrik të 1944-ës, masakrat që bënë partizanët mbi Fushë Alien, pasqyrohen me një dritë të re nga Xhafer Martini. Marrëveshjet e lidhura në Dibër kanë një veçori në krahasim me krahinat e tjera të Shqipërisë. Kur ishte puna për liri dhe pavarësi, krerët e Dibrës bëheshin bashkë, duke ndërprerë çdo hasmëri. Kështu ndodhi edhe në atë kohë, para sulmit partizan mbi Fushë Alie, kur Kaloshët u pajtuan me Halil Alinë dhe i dhanë dorën e besën. Më vonë u pajtuan dhe shuan mosmarrëveshjet krejt krerët nacionalistë për të penguar vendosjen e komunizmit në Dibër. Xhafer Martini, djegien e Fushë Alies në një kohë ku aty nuk kishte jo më këmbë armiku, por as banorë vendas, që morën arratinë nga terrori komunist, e konsideron jo vetëm si luftë vëllavrasëse, por edhe si genocid kundër njerëzimit, kryer nga një ushtri e organizuar, me divizione dhe korparmata kundër një fshati të vetëm.

9. Forcat nacionaliste nuk e pushuan luftën kundër vendosjes së komunizmit edhe gjatë vitit 1945-ë. Markagjonajt, Muharrem Bajraktari, krerët e Malësisë së Madhe vazhduan rezistencën në male. Halil Alia nuk ishte nga ata krerë që braktisën vendin për të jetuar të qetë në Evropën Perëndimore.  Ai qëndroi bashkë me ata që nuk iu ndanë asnjëherë, për të organizuar qëndresën kundër komunizmit derisa u vra në Kolesjan të Kukësit.

Megjithëse Halil Alia vdiq, lufta e PKSH-së ndaj Fushë Alies vazhdoi me mjete të tjera, në formën më të ashpër të luftës së klasave. Zona e Çidhnës nxori dëshmorë të tjerë të mospajtimit me regjimin komunist dhe të fjalës së lirë. Burgjet, internimet, pushkatimet u kthyen në simbol të rezistencës së këtij populli për liri dhe demokraci.

Kërkesës së ish-mësuesit tim në shkollën shtatëvjeçare të Fushë Alies për të shkruar parathënien për librin e tij më të ri “Halil Alia”, iu përgjigja me kënaqësi, por edhe me njëfarë frike se, a do të isha unë në gjendje për të nxjerrë në pah vlerat e këtij shkrimtari dhe studiuesi, pena e të cilit na ka dhënë shumë libra me vlerë nga të gjitha fushat. Një tjetër vështirësi qëndron në faktin se, duke qenë bir i Fushë Alies, kisha frikë se nuk do t’i shmangesha “konfliktit të interesit”. Kam besim se, si unë, si autori, kësaj ia kemi arritur plotësisht. Askujt nuk i duhet një Halil Alia i pavërtetë.

Në fund është lexuesi ai që do të vlerësojë ose kritikojë si parathënien time, ashtu edhe librin e Xhafer Martinit. Por, sido që të ndodhë, unë kam bindjen se Xhafer Martini ka shkruar një libër serioz, me pasion dhe kulturë, me qëllimin e mirë për të ndriçuar një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe tok me të edhe figurën komplekse të Halil Alisë.

* Gjeneral Brigade në pension.

Marrë nga parathënia e librit