Koncensioni në pyjet e Bulqizës, një histori dyshimi për korrupsion dhe abuzime


Nga Hysen Likdisha

“Me gjak do ta mbrojmë, pyllin nuk e lshojmë”, i tha një grua Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një takim të zhvilluar më 21 korrik në Kodër Dane, njërin nga katër fshatrat që protestojnë për më shumë se katër vite, kundër shfrytëzimit të pyjeve në malet mbi fshatrat e tyre. Dhe nuk mund të kishte më shumë sinqeritet dhe revoltë bashkë në një thirrje të tillë. Përfshirja e grave në protestë, angazhimi i tyre për mbrojtjen e pyjeve, duket se ishte një akt që e detyroi ministrin Klosi të merrte rrugën e vështirë, plot kthesa e gropa për në Bulqizë, për të premtuar vetë marrjen e hapave ligjorë për anullimin e koncensionit për shfrytëzimin e pyjeve.

Historia e koncesionit dhe dritë-hijet e tij
Historia e koncesionit fillon në vitin 2015 kur Ministria e Mjedisit dha leje për shfrytëzimin e parcelave pyjore pranë katër fshatrave në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, të bashkisë Bulqizë. Ashtu si në mjaft koncesione të tjera që kanë të bëjnë me burimet natyrore të zonës, banorët kundërshtuan, duke akuzuar se nuk ishin pyetur dhe se koncensioni prekte burimet e tyre jetësore. Megjithatë, kompanitë koncesionare “Almex-Ëood” dhe ‘Lubima’ shpk, tentuan të fillonin punën për ndërtimin e rrugës auto-pyjore, që do tu mundësonte shfrytëzimin e parcelave. Banorët kundërshtuan me forcë duke u përplasur me kompaninë dhe policinë e cila shoqëroi disa prej tyre. Pas protestave të banorëve, Partia Demokratike, akuzoi se përfituesit e koncensionit kishin lidhje fisnore me funksionarë të lartë të LSI-së, e cila në atë kohë kontrollonte Ministrinë e Mjedisit, e cila lëshoi lejen vetëm pak kohë para se të hynte në fuqi moratoriumi për pyjet. Përkundër protestave të banorëve, kompanitë koncensionare “Almex-Ëood” dhe ‘Lubima’ shpk, ritentuan herë pas here për ndërtimin e rrugës auto-pyjore, që do tu mundësonte shfrytëzimin e parcelave. Në çdo tentativë të kompanisë për fillimin e punës, banorët kundërshtuan me forcë duke u përplasur me kompaninë dhe policinë e cila shoqëroi disa prej tyre në polici, për protesta të paligjshme dhe të dhunshme. Banorët e katër fshatrave nënshkruan një peticion të firmosur nga 450 kryefamiljarë, ku konfirmojnë se nuk janë dakord me shfrytëzimin e pyjeve, me pretendimin se një gjë e tillë sjell për ta dëme të mëdha mjedisore, me pasoja për fshatrat e tyre, si furnizimi me ujë të pijshëm e vaditës, lëndë drusore, bimë mjekësore etj., të cilin ja nisin Prefekturës së Qarkut të Dibrës. Prefektura me shkresën nr. 5271/1, datë 23.10.2015, urdhëron pezullimin e punimeve për hapjen e rrugës auto-pyjore. Vendim ky që sipas koncensionarëve është konsideruar në kundërshtim të hapur me ligjin. Ata kanë përcjellë pretendimet për dëmet e shkaktuara nga protestat, që kapin vlerën e 100 mijë eurove nga djegia e “Varinskit”, pranë institucioneve shtetërore si, Prefektura Dibër, Bashkia Bulqizë dhe Komisariati Policisë Bulqizë, Drejtorinë e Policisë Dibër etj. Ndërkohë, sipas banorëve (kryesisht të atyre që u shoqëruan në mjediset e komisariatit të policisë, për protesta të paligjshme), ndërhyrjet e policisë konsiderohen si presion ndaj tyre dhe të dhunshme, në mbrojtje të kompanive që kanë marrë lejen për shfrytëzimin e pyllit.

Përplasja e institucioneve: “pro” dhe “kundra” protestave

Me nisjen e protestave nga banorët, nisi edhe pozicionimi i institucioneve shtetërore, pro dhe kundër tyre. Kështu, Policia dhe Bashkia janë bërë palë me kompaninë për zbatimin e kontratës, duke shpërfillur kështu hapur, ankesat dhe kërkesat e banorëve. Protestat kundër koncesionit të dhënë në vitin 2015 u rigjallëruan, kur kompanitë koncesionare “Almex-Ëood” dhe “Lubima sh.p.k” filluan të hapin një rrugë të dytë auto-malore, në krahun tjetër të malit, duke e shmangur kalimin e saj nga 4 fshatrat protestues. Rezistenca e banorëve dhe një vendim i prefekturës së Dibrës në fund të vitit 2015, bllokuan ndërtimin e rrugës që do të shërbente për shfrytëzimin e pyllit, duke djegur afatet e lejes që kompania kishte për ndërtimin e saj. Pas një pauze gati dy vjeçare, koncensionari këmbëngul përsëri, për hapjen e rrugës auto-pyjore, kësaj here me ndihmën e Bashkisë Bulqizë, e cila dërgon në këshillin bashkiak një projekt-vendim për të zgjatur lejen e ndërtimit të rrugës auto-pyjore. Por edhe në këtë përpjekje, kryebashkiaku Melaim Damzi i LSI-së dështoi, kur këshilli bashkiak i Bulqizës hodhi poshtë një kërkesë të tillë, pasi një gjë e tillë nuk ishte kompetencë e tij.
Këshilltarët e bashkisë akuzuan se kryebashkiaku tentoi hapur t’i përdorte ata, për të favorizuar koncensionarin me marrjen e vendimeve të paligjshme
Ndërkohë, vetëm pas më shumë se një muaj nga kjo përpjekje, kompania koncensionare filloi punimet për hapjen e kësaj rruge edhe pse nuk dispononte asnjë lloj leje për hapjen e saj. Dhe përsëri janë banorët që të vendosur për ruajtjen e pyllit, hidhen në protestën e radhës, duke bërë që punimet për hapjen e rrugës të dështojnë. Sipas banorëve, Bashkia e Bulqizës është bërë palë në këtë skandal, duke mbajtur një qëndrim klientelist, nën justifikimin e zbatimit të koncensionit, për “pastrimit të pyllit”. Banorët gjatë protestave të tyre, akuzojnë kryebashkiakun Damzi, se ndihmon që të pritet edhe i vetmi pyll shekullorë dhe e vetmja kurorë e gjelbër e Bulqizës, që aktualisht ka mbetur e paprekur nga motosharra, pasi është ruajtur nga vetë banorët e këtyre fshatrave. Kompania është mbrojtur duke bërë me dije se kishte fituar një kontratë të ligjshme dhe se po kërkon zbatimin e saj, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.
“Ne jemi konform të gjitha rregullave, kemi fituar një kontratë të ligjshme dhe po kërkojmë zbatimin e saj, pavarësisht kundërshtimit të banorëve, tha për “Rruga e Arbërit” Shkëlqim Keshi, përfaqësues i kompanisë Lubima shpk. “Ne jemi konform të gjitha rregullave, kemi disponuar shkresat në të gjitha institucionet, që janë të firmosura dhe vulosura nga ish komuna e Fushë-Bulqizës, ku është edhe firma e ish kryeplakut të fshatit Koçaj, Qemal Stafa.
Por nga ana tjetër, Qemal Stafa, e mohoi firmën e tij. I kontaktuar nga “Rruga e Arbërit”, për këtë problem, ish kryeplaku i fshatit Koçaj, tha: “Denoncoj hapur se shkresa me nr. extra, prot. datë 16.02.2015 e “nënshkruar” nga unë, ish kryeplak i fshatit Koçaj, ku thuhet se komuniteti dhe Komuna, janë dakord për zbatimin e këtij projekti për shfrytëzimin e pyjeve nga koncensionari, është e falsifikuar, pasi në asnjë rast nuk është e firmosur nga unë. Për këtë i jam drejtuar me shkresë denoncimi më 25.10.2015, ish prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, z. Adriatik Llalla”.
Ndërkohë, edhe ish anëtarë të këshillit komunal në atë periudhë kohore pohojnë se në asnjë rast nga ky këshill, nuk është marrë vendim për dhënien me koncension të pyjeve “Sheshe Bulqizë”..
Donika Hyseni, sekretare e përgjithshme në Prefekturën e Dibrës, tha për gazetën se “ kontrata duhet parë, për t’i dhënë zgjidhje problemit të kësaj përplasje, që ajo të mos agravojë më tej”. “Në atë kohë, thotë zonja Hyseni, më ka ardhur në Prefekturë një peticion me 450 firma kryefamiljarësh nga këta fshatra, të cilët kundërshtojnë shfrytëzimin e masivit pyjor, pasi në asnjë rast ata nuk kanë firmosur për dakordësi në këtë drejtim. Di që banorët kanë denoncuar për këtë problem, por nuk janë thirrur në Prokurori. Përderisa banorët nuk kanë dhënë pëlqim, ata janë në të drejtën e tyre të protestojnë. Natyrisht, bashkia Bulqizë, nuk duhet të jetë e njëanshme në qëndrimet e saj, pasi është prona e saj dhe duhet ta mbrojë atë konform ligjeve të shtetit”, tha Hyseni, e cila në atë kohë ka ushtruar e komanduar detyrën e Prefektes së Dibrës.

* * *
Gjithsesi, ndodhemi në situatën kur të dyja palët këmbëngulin në të tyren. Kompania koncensionare mbrohet me faktin se ka një kontratë të ligjshme për shfrytëzimin e masivit pyjor në “Sheshe Bulqizë” dhe duhet ta vejë në funksion atë konform ligjeve të shtetit. Por, edhe banorët, me protestat e herë pas hershme, janë po kaq të vendosur në mbrojtje të masivit pyjor, pasi siç thonë ata, pylli mbi fshatrat e tyre është e mbetet i vetmi burim jetese për ta. Kështu që banorët, jo vetëm që nuk i kanë ndërprerë protestat, por i kanë zhvendosur ata para bashkisë Bulqizë, ku njoftojnë për protestën e radhës, duke kërkuar që bashkia të reflektojë, në mbrojtje të tyre për pyjet.

“Zëri i qytetarëve të Bulqizës”

Një lëvizje qytetare që nuk kishte ndodh njëherë tjetër në rajonin e Dibrës. Banorët e fshatrave të Fushë Bulqizës për dy vite rresht ishin ngritur dhe protestonin kundër koncesionit që kishte marrë në shfrytëzim pyllin e tyre. Të gjithw banorët, i madh dhe i vogël, burra dhe gra, fermerë dhe mësues, hallexhinj dhe njerëz të suksesshëm të këtyre fshatrave ishin të një mendje që nuk do lejonin që pylli i tyre të merrej nga koncesionari, siç është bërë me shumë burime të tjera natyrore të kësaj zone. Muaji i fundit ishte koha e një revolte dhe proteste jo vetëm në tre fshatrat por në Bulqizë, në qendër të qytetit dhe po të ishte nevoja edhe në qendër të Tiranës apo Brukselit.
Ju bashkuan kësaj proteste të ndershme dhe të drejtë të gjithë banorët e Bulqizës, dhe nga e gjithë Shqipëria. Aleatë të fortë të banorëve të Fushë Bulqizës në protestë u bënë media lokale, media sociale, shoqëria civile dhe grupimi “Zëri i Bulqizës” që ishin lajmësit e së vërtetës për protestën. Ju bashkuan protestës edhe figurat e shquara të kësaj treve vëllezërit kampion boksi në botë Keta që u bënë imazhi i qëndresës së kësaj proteste. Federata e Pyjeve dhe Kullotave të rajonit të Dibrës, nëpërmjet projektit “Zëri i qytetarëve të Bulqizës” sensibilizoi dhe advokoi në nivel lokal me shoqatat e tjera të pyjeve dhe aleancën “Zëri i Bulqizës”, në nivel kombëtarë nëpërmjet Federatës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave, dhe në nivel më të gjerë nëpërmjet programit PACT (Partnerë Kundër Korrupsionit) të financuar nga fondet e Delegacionit Europian në Shqipëri. Protesta pati një mbështetje të gjerë edhe nga media kombëtare, nga programi mediatik investigativ BIRN, dhe nga deputetet e Dibrës, ku më avokatia e çështjes në nivel politik-bërje ishte deputetja Almira Xhembulla. Në sajë të kësaj qëndrese dhe këtij mobilizimi të të gjithë aktorëve dhe shpirtit të protestës për të mbrojtur të drejtën e tyre, u arrit që të organizohet një takim bisedues në Kodër Dane, me Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit z. Bledi Klosi, prefektin e Dibrës z. Nexhbedin Shehu dhe deputeten znj.Almira Xhembulla. Nga ky takim mes palëve qeveritare dhe banorëve të fshatrave të Fushë Bulqizës u arrit që nga Ministri të premtohet prishja e marrëveshjes me koncesionarin, dhe ndjekja e veprimeve procedurale nga institucionet përkatëse.
Kjo ishte fitorja e parë e një lëvizje komunitare qytetare, për të mbrojtur të drejtën e tyre, për të mbrojtur pasuritë e tyre. Ky ishte një shembull i mirë se si banorët i dalin zot të drejtës së tyre, u dalin zot pasurive të tyre që nëpërkëmben nga autoritet e korruptuara qeveritare.
Sot banorët e Fushë Bulqizës do të kenë pyllin e tyre për ta shfrytëzuar për turizëm. Ky ishte një shembull i mirë se si duhet të veprojnë qytetarët dhe banorët e tjerë të Bulqizës e Dibrës në mbrojtje të pasurive natyrore të tyre, jo vetëm të pyjeve por edhe të kromit, ujërave dhe pasurive të tjera natyrore.
Është koha që “Zëri i qytetarëve të Bulqizës” të ngrihet dhe të dëgjohet.
Përgatiti: Mirdash Alku

 

 

Ministri Blendi Klosi premton pezullim të kontratës

Protestat e banorëve të fshatrave, Dushaj, Koçaj, Kodra e Danit dhe Kokërdhak, në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, të bashkisë Bulqizë, që kundërshtojnë shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”, sipër këtyre fshatrave, kanë detyruar Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, të marrë pjesë në protestën e tyre të radhës. Më 21 korrik, ministri Klosi, së bashku me deputeten Almira Xhembulla dhe Prefektin Nexhbedin Shehu, u ngjit në fshatin Kodra e Danit, ku u premtoi atyre se një kontratë koncensionare për shfrytëzimin e pyjeve të zonës, të cilën banorët e kundërshtojnë, do të synohet të pezullohet. Në fjalën e tij para protestuesve, ministri falënderoi banorët, për vënien e tyre në mbrojtje të pronës publike. Protestat tuaja janë një monument promovimi për vendin, se si t’i ruajmë pasuritë natyrore.
“Si qytetar jam me ju, si ministër do të ndjek procedurat ligjore për verifikimin dhe pezullimin e kontratës “, tha në fjalën e tij Ministri Klosi. “Ajo që duam të themi është se ne, unë si ministër, paçka se duhet të them se pylli është në pronësi të pushtetit lokal, pra tashmë kontratën duhet ta implementojë kryetari i bashkisë, por unë do kërkoj në bazë të inspektimit që ka bërë Inspektorati i Mjedisit, pezullim të kontratës. Ju falënderoj se keni bërë një mision shumë të madh, atë të “mbrojtjes”, tha ministri Klosi mes banorëve, të cilët brohoritën deklaratën e tij. Klosi shtoi më tej se rruga e Arbrit do prodhojë mirëqenie. Klosi gjithashtu u tha banorëve se ministria e tij e ka shqyrtuar dosjen e kontratës së shfrytëzimit të pyjeve pas ankesave të banorëve dhe ka dalë në konkluzionin paraprak se ka disa shkelje, ndaj ne do na duhet ta pezullojmë atë.
“Ajo që kuptojmë ne, Inspektorati i Mjedisit, Prefektura, kontrata në 4 vite që nuk është zbatuar ka ndryshuar shumë nga implementimi i saj i parë. Situata ka ndryshuar. Ka pasur një ndërhyrje që ne duhet ta verifikojmë, për devijimin e një rruge. Ka prerje të pemëve, kanë prerë disa dynym dhe kjo është një gabim që do të ketë ndërveprim ligjor,” tha Klosi.
Deputetja e PS-së e Qarkut të Dibrës, Alma Xhambulla, në fjalën e saj vlerësoi ngritjen e nënave dhe grave një model, që do të mbahet mend gjatë në Shqipëri. Si deputete e zonës i kërkoj edhe në emrin tuaj, ministrit Klosi dhe qeverisë, që të reflektojnë me seriozitetin maksimal për këtë situatë që është paksa komplekse. Kemi predispozitën maksimale për ta zgjidhur çështjen në dobi të qytetarëve, u shpreh deputetja Xhembulla përpara banorëve.
Banorët nga ana e tyre, kanë shprehur vendosmërinë e tyre për ruajtjen e pyjeve.
“Ne jetojmë me këto pyje. Ata janë gjithçka për ne. Ndaj në asnjë rast nuk do ta lejojmë që hajdutë të veshur me pushtet, të na e marrin atë për pellet. Kjo lëvizje e jona në mbrojtje të një pasurie të përbashkët siç janë pyjet, në mbrojtje të të vetmes kurorë të gjelbër mbetur në Bulqizë, do vijojë duke na mbajtur të bashkuar, për ruajtjen e pronës së përbashkët. Kjo përgjigje, për pezullimin e kontratës, na gëzon, por deri në momentin kur të jetë e zeza mbi të bardhë, vulosur dhe firmosur, nuk do të ulë në asnjë moment vigjilencën tonë për ndalimin e shkatërrimit të masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”.