Tuneli u shemb, por “rruga” i solli turizmin


“Thashethemet” se tuneli i “Rrugës së Arbrit”, aq shumë i përfolur mediatikisht, që do të lidhë kryeqytetin me rrethin e Matit e Dibrës, u shemb…paskan qenë të vërteta. Pas një kalvari të gjatë të kalimit të pushteteve, e madje edhe shkatërrimit përfundimtar të kanionit shekullor të Brrarit, i ndodhur në Shkallën e Tujanit, e njëherazi premtimeve se do të mbarohej rruga shekullore, në vitin 2013, si dhe kalimeve sa tek njëra e tek tjetra firmë kontraktuese, telashet nuk paskan të sosur (“për ti bërë qejfin sadopak”, terreni është i përbërë kryesisht nga shkëmbinj shtufe, atje ku është hapur edhe tuneli). Gojët e liga thonë madje se, shumë gjëra janë mbuluar në atë rrugë, përveç fondeve dhe firmës greke “Actor” që u përjashtua nga tenderi për shtatë milionë euro më shumë, duke iu dhënë firmës “Gjoka Construction”…
Madje fotot e videot pranë tunelit (më saktë, ish-tunelit) që vajti 800 metra dhe u shemb, ishin krejt të ndaluara, (ekzistonin ngado tabela) ku “sy punëtorësh” të mbetur aty, të ndiqnin me kërshëri teksa makina jonë 4×4 ngre pluhurin vendit, poshtë fshatit të Murrizit, apo siç njihet ndryshe zyrtarisht, Bastar-Murrizit; fshatit të fundmë që lidh rrethin e Tiranës, me atë të Matit. Nga ana tjetër e Qafës së Murrizit, thuhet se punimet po ecin duke çarë “shtufën” drejt Tiranës (këtë na i pranoi edhe nipi i Ramazan Lilës që takuam në Murriz, e i cili kishte punuar vetë për një vit rresht deri në shembjen e tunelit). Por çdo e mirë e ka edhe një të keqe, ku ndonëse tuneli “tiranas” u shemb, banorët e fshatit Murriz, ku edhe kalon rruga dytësore e “Rrugës së Arbrit”, janë që tani…të lumtur.
Madje entuziazmi nuk ka pushtuar veçse Ramazanin, pronarin e një bar-restoranti tradicional, e banorin e fshatit Murriz, por edhe gjithë të tjerët që mblidhen duke pirë ndonjë gotë në lokalin e tij, në qendër të fshatit. Ramazani, madje, përveç lokalit të tij me objekte e ushqime tradicionale, që tani ka filluar planet për të ndërtuar një fshat turistik, krejt të ngjashëm me “fermën e famshme franko-shqiptare”, “Albanik” në Ballaban, pranë Përmetit.

Ky reportazh eshtw shkruar ekskluzivisht për gazetasi.al.
Shkrimin online, së bashku me video mund ta shihni në linkun:

Tuneli u shemb, por “rruga i solli” turizmin