Dritan Jashari, këngëtari i epikës dhe lirikës


Këtë radhë u bë sebep këngëtari i muzikës popullore dibrane Dritan Jashari që dibranët me banim në Tiranë t’i iknin sado pak vapës së madhe të korrikut e të udhëtonin për në qytetin e bukur të Peshkopisë. Më 21 korrik 2019, këngëtari i njohur Dritan Jashari u nderua me titullin “Nderi i kulturës dibrane”, dhe me kwtw rast, në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi u zhvillua njw veprimtari e madhe.
Akoma pa ardhur ora 11 kur niste dhe aktiviteti ajo sallë e madhe e cila kishte pritur me mijëra e mijëra spektatorë edhe nga vise të ndryshme të vendit, sidomos kur zhvillohet festivali i përvitshëm i Odës dibrane ishte mbushur edhe këtë radhë plot e përplot. Nuk ishin vetëm dibranët që kishin zënë vend në sallë por kishin ardhur dhe nga vise të tjera për të marrë pjesë me rastin e dekorimit të këngëtarit të njohur tashmë në të gjitha trevat shqiptare Dritan Jashari.
Nga Tirana së bashku me familjarë, miq, shokë e koleg të tij kishte ardhur edhe gazetari i njohur sportiv Defrim Methasani, kishte ardhur thjeshtë për këtë evinement të rëndësishëm në memorien e të gjithë artistëve dibranë për të moderuar vetë aktivitetin. Defrimi kishte përgatitur edhe një dokumentar të plotë për jetën dhe veprimtarinë artistike e kulturore të Dritan Jasharit e cila u shfaq para të pranishmëve.
Në emër të Këshillit bashkiak, titullin e lartë “Nderi i kulturës dibrane” ia dha artistit nënkryetari i këtij këshilli z. Flamur Bulku. Në sallë të binte në sy prania e mjaft këngëtarëve të njohur të skenës si: Perlat Sheqeri, Nexhip Dida, Artan Kola, Vera Laçi, Mehdi Puci. I pranishëm ishte edhe z. Leonard Tase, këshilltar i Presidentit të Republikës për sportin dhe kulturën. I gjithë ky aktivitet i bukur dhe me përmasa të mëdha u zhvillua në formë spektakli ku për të pranishmit ishte edhe si një koncert me këngë të ndryshme popullore të të gjitha trevave. Në fund përshëndetën: Leonard Tase,Veli Vranici, Baftjar Çera, Fatos Daci, Mirçe Duka, Bardhok Rajta, Linda Vranici etj.
Në mbarim të aktivitetit, të gjithë të pranishmit morën si kujtim fotografi me njeri-tjetrin si dhe me Dritanin.
Më pas, u dha një drekë bujare nga vetë familja Jashari ku edhe në këtë drekë u kënduan këngë e u kërcyen valle popullore.

Rruga artistike e Dritan Jasharit
Sot jo vetëm në të gjitha trevat dibrane por dhe jashtë kufijve të saj nuk ka njeri që nuk e njeh nga afër Dritan Jasharin, nuk e ka parë e duartrokitur në skenë apo edhe në ndonjë aktivitet të ngushtë miqësor dhe familjar, nuk ka pirë qoftë edhe një kafe rastësisht me të, dhe kjo e gjitha ndodh se Dritani në radhë të parë është njeri, njeri i thjeshtë e i dashur dhe respektuar nga të gjithë pastaj artist, artist që ka ndezur zemrat e mjaft artëdashësve jo vetëm në Dibër por edhe në vende të tjera.
Unë për vete u njoha vonë, u njoha në ato vite të arta për mua kur kisha kontakte të shpeshta me poetin e këngës popullore dibrane, të madhin dhe të pa harruarin Naim Plaku. U ndodhëm një mëngjes të dy së bashku në Don Bosko duke pirë kafe dhe si gjithmonë biseda e parë domosdo që tek tekstet e këngëve shkonte. Aty Naimi gjente gjithmonë veten.
-Ka kohë që kam bërë një tekst kënge për Dibrën dhe me një muzikë të përsosur nga Edmond Zhulali e këndon një djalë i ri nga Maqellara. Dritan Jashari quhet dhe zëri i tij i veçantë kishte bërë të mundur që pikërisht kjo këngë shumë shpejt mund të bëhet hit. Naimi fliste me pasion por unë që ia njihja në fakt talentin nuk dija asgjë për këngëtarin Dritan Jashari. Nuk vonoi shumë dhe Naimi me anë të telefonit e njofton dhe ende pa e mbaruar kafen ne, Dritani na u prezantua tek tavolina. Një djalë me një trup mesatar e flokët të zes, me një buzëqeshje tepër të çiltër u përqafua me Naimin pastaj më dha dorën mua dhe u ul në karrigen që ishte bosh. Kjo ishte hera e parë që takohesha me këngëtarin virtuoz dibranë Dritan Jashari ku kjo lidhje do të vazhdonte gjatë falë dhe bashkëpunimit që vazhdoi përsëri me Naim Plakun. Me Naimin Dritani njihej herët, njihej që në kohën që të dy bashkë ishin me banim në qytetin e Peshkopisë. Bashkëpunimin e nisën të dy bashkë në Tiranë. Ishte pikërisht kënga “Fluturon shqipja mbi Korab” që të dy bashkë si poetin ashtu edhe këngëtarin do të vazhdonin gjatë në udhën e bukur të artit dhe kulturës.
Dhe e vërteta ashtu siç thoshte dhe vetë autori i këtij teksti me vargje brilante Naim Plaku kënga “Fluturon shqipja mbi Korab” shumë shpejt u kthye në hit, në një himn të Dibrës. Profesor Nuri Abdiu, ndjesë pastë, do t’i thoshte vetë Dritanit në një kafe të përbashkët: “Kam një mik të mirë në Shkodër, një shkodran fisnik dhe të mençur. Dhe e di si më tha një ditë:”Kur dëgjoj këngën “Fluturon shqipja mbi Korab” ngrihem në këmbë dhe këndoj edhe unë me zë të fortë pa e ditur se në dhomë mund të ketë edhe të tjerë”.
Dritan Jashari është një zë mjaft brilant i muzikës dibrane dhe jo vetëm por tashmë i njohur në të gjitha trevat ku flitet shqip dhe jetojnë shqiptarë.
Bashkëpunimi i gjatë me poetin Naim Plaku ndikoi pozitivisht që repertorit të Dritan Jasharit t’i shtoheshin herë pas here këngë të ndryshme të cilat kanë mbetur gjatë në memorien e artdashësve shqiptar. Për një këngëtar , që e ka identifikuar jetën e tij me muzikën dhe këngën, ka shumë për të shkruar e për të thënë, qoftë për gamën e gjerë të tematikës së këngëve , qoftë për idetë, vizionet dhe kumtimet nacionaliste që ajo ka sjellë në momentet më të vështira të historisë dhe të kujtesës sonë kombëtare. Këngëtari virtuoz, ky mbartës i epokës sonë historike, me zërin e tij gjëmimtar, krejt të veçantë e do të thoshim unik në përbashkësinë e të gjithë atyre që e lëvrojnë këtë zhanër të këngës, është bërë një simbol i vlerave që mbart dhe përcjell arti i vërtetë tek të gjitha shtresat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare, kudo që flitet gjuha jonë e bukur, pa kufijtë e ndarjet artificiale që na vendosën ne shqiptarëve kohët e vështira të trazimeve tona kolektive. Dritan Jashari është këngëtar dibran, por me këngën e tij, me aftësinë jo vetëm për të kënduar por dhe për të ndjekur ritmet kulturologjike të botës shqiptare, e kalon Dibrën, e kalon Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe mbetet një këngëtar simbol lirie e bashkimi ndër veti të të gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë, në trojet e tyre etnike, apo jashtë, në dhe të huaj. Që kur doli për herë të parë në skenë e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, por në këngët epike për Dibrën dhe heronjtë dibranë , ai ka derdhur jo vetëm zërin e tij brilant, por edhe shpirtin e madh, të pasur atdhetar e krenar.
Që në moshë të vogël Dritani kishte dëshirë të merrej me muzikë por zërin nuk e kishte provuar. I pëlqenin veglat muzikore dhe në moshë të vogël është ngjitur për herë të parë në skenë në shtëpinë e kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi me orkestrën e çiftelive, nën udhëheqjen e mësuesit të tij Qani Mandri. Pra udhën e bukur të artit dhe kulturës e provoi në moshë të re dhe pa u kënaqur kurrë nga vetja por gjithmonë duke kërkuar maksimalen.
Thuhet se fati për të arritur tek njeriu, kalon brenda kushteve që krijon karakteri i tij, por djaloshi dibran e kërkoi shumë fatin, punoi shumë për të arritur ku është sot. Thonë se një gjë e mirë që fitohet në jetë, nuk është fare e rastësishme por është mundim. Në këtë kuptim edhe vetë buzëqeshja e suksesit fitohet me mundim, e ndaj Dritan Jashari çdo gjë e ka fituar me mund e djersë, ndaj meriton plotësisht të jetë krenar për sa ka arritur deri tani.
Dritan Jashari ka zërin unikal, të jashtëzakonshëm, mahnitës e të papërsëritshëm, ku me këngët e tij më të mira, veçanërisht me ato të epikës dibrane ka krijuar mitin e një zëri unik, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut tonë. Këngët e tij kanë mbetur në kujtesën e njerëzve të thjeshtë, u bënë hite dhe janë mjaft të preferuara nga publiku, që e do dhe e çmon këngëtarin.
Dritan Jashari është vetë zëri i ngrohtë i tokës së tij, zëri i ndërgjegjes estetike të popullit, vetëdija e një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura humane. Tek ai bashkohet fantazia, kreativiteti, pamja, fuqia e imazhit dhe gjendja e tij si këngëtar i kultivuar, me një talent të pazakontë, ndër më të talentuarit e brezit të sotëm.
Falë njohjes nga afër me poetin e këngës popullore dibrane Naim Plaku, këngëtari tashmë i njohur në skena brenda dhe jashtë saj Dritan Jashari të ketë në repertorin e tij mjaft këngë perla që po thuaj sot janë bërë të njohura anë e mbanë vendit por edhe jashtë kufijve të trojeve shqiptare. Mund të përmendim këngët: “Cen Elezi shkëmb i Korabit”,”Lum për djem që rriti Dibra”, “Besa besë jam shqiptar” “Oda dibrane” dhe më e fundit “Legjendari Skënderbe”.
Dritani pas vdekjes së Naimit, tashmë i afirmuar dhe i njohur me zërin e tij mahnitës dhe unikal bashkëpunoi edhe me autor të tjerë si: Hajri Mandri, Mois Murra, Munir Hoxha, Armand Trebicka etj. Ashtu sikur ka patur bashkëpunim të suksesshëm me autor tekstesh, Dritani ka ditur të bashkëpunoi edhe me kompozitorët. Këngët kryesore, po thuaj të gjitha këngët epika janë kompozuar nga kompozitori i njohur, Edmond Zhulali. Bashkëpunim ka patur edhe me Përparim Tomçini, Alban Furtuna, Gramoz Kozeli, Alban Arifi etj.
Jo vetëm këngët epike që e bënë të njohur kudo Dritan Jasharin, por edhe këngët e bukura lirike të cilat jo vetëm në dasma e gëzime familjare por edhe nëpër koncerte të mirë organizuara edhe jashtë trojeve shqiptare, të organizuara nga vetë emigrantët tanë kanë bërë që sallat e vogla të ngriheshin në këmbë e të bëheshin njësh me këngëtarin Dritan Jashari.
Në turneun e parë që bëri në kontinentin e largët në Amerikë, Dritani do të paraqitej para emigrantëve shqiptar me këngën e re e cila ende nuk kishte qenë dëgjuar në Shqipëri: “Gjeta Dibër n’Amerikë”. Këtë këngë Dritani ua dedikonte të gjithë emigrantëve dibranë që ishin prej vitesh me punë dhe banim në Amerikë. Gjatë ditëve të qëndrimit atje u kthye vërtet në hit pasi kudo ku mblidheshin dibranët emigrantë, kjo do të ishte kënga e parë.
Këngëtari i njohur i muzikës popullore shqiptare, Dritan Jashari, ka vendosur të rikthehet në treg herë pas here me projekte të reja muzikore. Në repertorin mjaft të pasur të tij na vijnë këngë të tjera si:”Rrak tak tak” me tekst të Mirjeta Memës dhe muzikë të Gramoz Kozelit si dhe “Kësaj i thonë dasëm shqiptare”. Është një këngë që u prit mjaft mirë nga publiku pasi gjithmonë në festa e dasma familjare këngët dhe vallet popullore janë pjesë e këtyre gëzimeve tradicionale, ku vetë hareja dhe gëzimi i dasmorëve kthehen në kryefjalën e dasmës, “Nuk është jeta njëmijë vjet”,”Dibra dhe Kosova”, Ndryshe”, “Oda dibrane” etj. Këngëtari Dritan Jashari është vlerësuar me mjaft çmime të ndryshme si në Dibër, në Kamëz e Tiranë por çmimin dhe vlerësimin më të madh ia ka dhënë vetë spektatori duke e duartrokitur e mbushur sallat sa herë që në skenë do të ngjitet Dritan Jashari.
Tradita dhe kultura shqiptare për të janë shumë të rëndësishme. Është një thesar shumë i çmuar që duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë këto vlera. Me këngët e tij, ai ka kaluar kufijtë e Dibrës, Shqipërisë, Kosovës e Çamërisë duke dokumentuar një pjesë të rëndësishme të traditës dhe kulturës tonë. Në repertorin e tij ka dhjetëra këngë dhe videoklipe, albume të realizuara kryesisht me motive lirike dhe epike. Ai i këndon me plot emocion dhe krenari Dibrës së tij kreshnike, legjendat, baladat e mitet, meloditë e këngët nga folklori i zonës së Dibrës por kulmin e vet artisti dibranë e ka shënuar me këngën e tij: “Fluturo shqipe mbi Korab”.
Një mbështetje e madhe për udhën e bukur që ka ndjekur Dritani domosdo që është familja ku suksesin e tij e ndan edhe me ndihmën që i ka dhënë familja. Dritani është i martuar me Shkurtë Salkurti ku kanë lindur tre djem: Olsin, Sakipin dhe Arjonin i cili siç duket do të vazhdojë në udhën e bukur të artit e kulturës, ashtu siç vazhdoi Dritani.
Duke parë dhe njohur nga afër Dritanin, duke biseduar e komunikuar shpesh për projektet në të ardhmen shpesh herë pretendonte të arrinte edhe më shumë se sa jepte, kërkon vazhdimisht nga vetja bindeshim se ky artist do të jepte përsëri e përsëri. Dritani është i lidhur shumë ngushtë me vendlindjen pasi shumica e këngëve të tij si epiket por edhe liriket aty e kanë burimin. Dhe megjithatë repertorit të tij kaq të pasur diçka i kishte munguar. Këtë mungesë më shumë se kushdo e kishte ndjerë vetë Dritani. Pa dyshim që i duhej edhe një këngë e bukur për vendlindjen e tij, për Maqellarën . Ditët e fundit u shtua edhe kjo këngë, një këngë vërtet e bukur si në tekst ashtu edhe në muzikë, një këngë që u prit e u pëlqye shumë jo vetëm nga banorët e Maqellarës por të gjithë dibranët. Refreni i saj si një apel për të gjithë të tjerët që vendlindja vërtet është e bukur për të gjithë:
“Ah moj vendlindje, moj bukuri,
rrënjët e mia i kam tek ti.
O ma mbush zemrën plot me mallë,
jam krenar për ty Maqellarë!”
Dritan Jashari është nga ata artistë që i ka përkushtuar të gjithë karrierën e tij vendit ku lindi dhe u rrit, trevave të Dibrës. Ai ka një zë melodioz, por edhe shpërthyes, ashtu siç u shkon për shtat edhe këngëve të kësaj zone. Falë talentit dhe angazhimit të tij në muzikë, ai ka arritur të sjellë për publikun edhe këngë të zhanreve të tjera, por siç shprehet edhe ai vetë, “më afër zemrës ka këngët e veriut dhe sidomos ato patriotike” por pa lënë në hije dhe këngët e shpirtit, këngët lirike. Ne i urojmë suksese Dritanit dhe sa më shumë këngë të bukura e cilësore!