Vlerat dhe veçoritë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër


O moj Dibra, heroinë
Në kohë që po studioja librin e Sakip Camit “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër”, më vjen një video nga një lab, kënga smokthinjote “O moj Dibra, heroinë” kënduar në vitet 1970. U çudita, por dhe u mrekullova që një grup tepër karakteristik i Smokthinës, nga jam dhe vetë, ti këndojë Dibrës heroinë. Kjo këngë më frymëzoi për të hedhur në letër disa mendime që të përforcoja më shumë punën e studiuesit Sakip Cami, për një nga periudhat më të lavdishme dhe më heroike, por siç shprehet dhe gjenerali shekullor Rahman Parllaku, ajo “është një luftë e lavdishme që e renditi popullin shqiptar në krahun e fituesve”.
Në përfundim të leximit të këtij libri theksova se dibranët duan të mësojnë dhe ta njohin sa më mirë e deri në fund të vërtetën për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër. Njëkohësisht kjo etapë madhore e historisë, siç ishte antifashizmi shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, duhet njohur, studiuar, respektuar dhe nderuar nga të gjithë me madhështinë e saj.
Libri me dokumenta na çon në të vërteta historike të ndodhura në ato kohëra, sepse historia është ajo që ka ndodhur dhe kurrë nuk mund të mendohet si ajo mund të ndodhte me sikur, siç bëhet në këto vite të demokracisë. Historia është realiteti i kohës dhe nuk mund të themi kështu apo ashtu, e që nuk ndodhi, siç e mendojmë sot.
Autori i ka vendosur vetes për detyrë që nëpërmjet historisë të kësaj epoke të ndodhur në Dibër, të mësojmë që të ecim përpara dhe jo të kthehemi pas, duke harxhuar të gjitha energjitë se ishte apo s’ishte luftë civile, u veprua drejt apo shtrembër nga të gjitha forcat politike dhe ushtarake të kohës. Në këtë kontekst të mos harrojmë dhe thënien e akademikut Moikom Zeqo që ka theksuar se “të mos harrojmë se ne shqiptarët e bëjmë historinë, por jo jashtë historisë evropiane dhe botërore. Askush nuk mund të na shfajësojë ose të na justifikojë. Historia ka folur, çështja ka përfunduar!”.
Thënë më shkurt dhe qartë se kjo, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një histori e mbyllur me fitimtarë, duam apo nuk duam. Kjo histori na bërtet dhe çirret duke thënë më lexoni dhe më shkruani siç janë dokumentet që fatmirësisht janë të shumta nga “ne”, “ata” dhe “atyre” që na u ndodhën pranë në luftë.

Antifashizmi shqiptar në luftë
duhet respektuar
Myslim Peza krijoi qendrën rezistuese dhe Çetën e Parë Antifashiste në Evropë. Ai gjithashtu u bë shtylla kryesore e Konferencës së Pezës, ku morën pjesë dhe figura të tjera popullore si trimi nga Dibra Haxhi Lleshi dhe Baba Faja nga Martaneshi dhe formuan Frontin Nacionalçlirimtar. Po çfarë të bëjmë me antifashizmin e Babë Myslymit dhe të çetës së tij, që bëri pushkë me fashistët italianë, kur Evropa pushtohej prej fashizmit, por çfarë t‘i bëjmë edhe Tercilio Kardinalit, i cili nga fashist e bë antifashist dhe ra për antifashizmin.
Në zhurmën e madhe dhe të gjithanëshme që po bëhet nga të gjitha anët kundër antifashizmit shqiptar, për ta urryer dhe bërë bashkëudhëtare me krimin dhe për ta çrrënjosur nga mendjet e popullit këtë vlerë madhore historike, na vjen një pjesë e historisë së Dibrës si kujtesë dhe kushtrim për të gjithë. Ky kor i të tërbuarve po kërkon dhe po ja arrin qëllimit për ta bërë antivlerë të neveritshme, por kjo nuk është as punë shkencore dhe as njohje dhe studim të dokumentave të kohës. Në këtë zhurmë të neveritshme që po bëhen dhe prej disa instrumentave të caktuara shtetërore dhe që nisen jo nga e vërteta historike, por nga e kundërta e kësaj të vërtete të shkruar dhe të dokumentuar.
Po kush e bën këtë, ç’rrugë dhe filozofi ka brenda saj, këtë e shohim si drita e diellit, sepse është e pamundur që të mohohet dhe të denigrohet antifashizmi shqiptar, por nuk mund të shpërbëhet dhe të shkelmohet Antifashizmi Botëror i shek XX. Antifashizmi Shqiptar gjendet i lidhur ngushtë me Antifashizmin Botëror, pjesë e aleancës më të madhe të njohur në historinë e politikës dhe të luftës. Kjo është një periudhë madhore e historisë dhe Antifashizmi Shqiptar në këtë luftë duhet respektuar prej gjithë popullit shqiptar.
Ndaj dhe historia më e lavdishme e popullit dhe e kombit tonë në shek. XX është Antifashizmi shqiptar. Antifashizmi ishte një shpikje dhe një kulturë e re që njerëzimi në Luftën e Dytë Botërore e bëri të vetën. Ndërsa në Luftën e Parë Botërore nuk kishte antifashizëm, por shembje të perandorive dhe mbretërive dhe lufta për krijimin e një mekanizmi botëror, me bazë idetë e revolucionit francez, të një demokracie dhe lirie për popujt.
Antifashizmi u bë një apel madhor dhe u krijua Aleanca më e madhe e kohërave, në të gjithë shekujt e shoqërisë njerëzore, Aleanca midis SHBA-Anglisë-BS, për të luftuar, rezistuar dhe fituar ndaj shtërngatës nazifashiste. Kushtet historike, bënë që shqiptarët të merrnin pjesë me dinjitet në Aleancën Antifashiste të Aleatëve të Mëdhenj dhe luftuan kundër fashizmit italian dhe nazifashistëve gjermanë.
Kështu që në kushtet e një pushtimi, siç u gjend Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore, nuk kishte luftë civile, por luftë të mbarë popullit që u ndesh dhe me bashkëpunëtorët vendas të pushtuesve. Një shembull i thjeshtë: Antifashistët italianë luftuan kundër fashistëve italianë dhe në historiografinë e tyre nuk thuhet për luftë civile. Dhe më tej. Antifashizmi francez, partizanët francezë të udhëhequr nga PKF mbajtën peshë të madhe në luftë. Antifashistët francezë u persekutuan u burgosën dhe u vranë nga Qeveria Kolaboracioniste e gjeneralit Pëten. Lufta vazhdoi, jo vetëm kundër pushtuesve gjermanë, por dhe ndaj tradhtarëve, siç i quante antifashisti De Gol. Kur Franca u çlirua De Goli bëri dënim të kolaboracionistëve francezë, të Pëtenit e disa nga ministrat e tij, të njohur dhe intelektualë me emër. Në historiografinë e Francës nuk e quajnë luftë civile. Tani duhet që edhe Rusvelti dhe Çërçilli të akuzohen se bënë aleancë me Stalinin. Pa këtë treshe, pa këtë Aleancë nuk do kishim Antifashizëm Botëror.

Panoramë e ndryshme në Dibër gjatë luftës
Në kreun e parë autori analizon dhe sqaron edhe disa nga veçoritë e LANÇ-it në Dibër dhe në Dibër të Madhe. Interes paraqet letra e ish drejtorit të shkollës teknike amerikane në Tiranë, raportet e huaja për zhvillimet e luftës në Shqipëri (1943-1944), si dhe misionet ushtarake aleate në Shqipëri dhe në Dibër. Vëmendje autori i ka kushtuar misionit britanik ushtarak në Tërnovë tek shtëpia e Bajram Zenelit, misionit amerikan, sovjetik, jugosllav, ideja për krijimin e shtabit ballkanik, si dhe për shtabin aleat të forcave ajrore për Ballkanin në Bari. Interes paraqesin dhe porositë (urdhërat) e misionit anglez në Dibër.
Vëmendje të veçantë i kushtohet partisë nacional zogiste ose Lëvizjes së Legalitetit që e kishte bërthamën në Dibër. Në mënyrë të detajur përshkruhet pushtimi fashist dhe qëndrimi i dibranëve, jepen kolaboracionistët, bashkëpunëtorët me pushtuesit fashistë dhe nazistë. Me interes janë dhe dokumentet që flasin për celulat komuniste dhe fillimin e lëvizjes komuniste në Dibër, pozicioni i dibranëve dhe Haxhi Lleshi e Konferenca e Pezës. Studiuesi Sakip Camika paraqitur edhe Faik Qukun dhe Ballin Kombëtar në Dibër sipas librit dhe shënimeve të Faikut, “Bashkimin Dibran” dhe krerët e grupet e Dibrës, Parinë e Dibrës që mori pjesë në Konferencën e Zall Herrit në tetor 1943, përpjekjet e kësaj parie në Peshkopi për formimin e qeverisë së përkohshme.
Si Dibra shpëton nga lufta civile, është një përpjekje e veçantë që autori ka arritur dhe ka shpjeguar për këtë dukuri, që sot mjaft studiues dhe politikanë duan që ta pranojnë si një të vërtetë, kur realisht nuk ka qenë luftë civile por luftë për çlirim nga pushtuesit fashist dhe nazist. Në këtë kapitull paraqiten disa dokumente arkivi të Ministrisë së Brendshme dhe përshkruhen shkurt kryeministrat dhe ministrat e brendshëm gjatë pushtimit nazi-fashist 1939-1944.
Është interesant dhe studimi që merr vlera dhe veçori për rolin e ushtarakëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirmtare nga Dibra. Lufta ishte tepër e mpleksur dhe e shpejtë në kohë, ku autori thekson se në konak ishte një dhomë parija dhe një partizanët.

Formacionet luftarake dhe luftimet e zhvilluara në Dibër
Në kreun e dytë përshkruhen formacionet luftarake dhe luftimet e zhvilluara në Dibër gjatë Luftës Antifashiste. Autori fillimisht përshkruan forcat ushtarake të armikut (italianë dhe gjermanë), UNÇSH, Balli Kombëtar, Legaliteti dhe qeveritë në Dibër dhe në Dibër të Madhe, ku përparësi marrin repartet e mbrojtjes kombëtare, forcat qeveritare, njësitë partizane, forcat ushtarake të Ballit Kombëtar, forcat ushtarake të Legalitetit dhe forcat armike. Në vëmendje të autorit është dhe Lëvizja në Dibër, ku përshkruhen shtëpitë dhe bazat e LANÇ-it në Dibër, Tërnova, fshat bazë i luftës, takime të Haxhi Lleshit e Qazim Prishtinës me Bajram Zenelin e bashkëfshatarët e tij në Tërnovë, vendi dhe roli i këshillave nacionalçlirimtare dhe këshilli antifashist i qarkut Dibër, roli i gruas antifashiste, nusja “partizane” që kaloi përmes nazistëve, roli i fëmijëve dhe kujdesi për robërit e luftës etj.
Me interes paraqiten dhe çetat luftarake, si çeta e parë antifashiste e Dibrës, çeta partizane e Gollobordës, çeta e vetëmbrojtjes së Trebishtit në Gollobordë etj. Vend të dukshëm zënë si çetat nacionaliste dhe çetat partizane. Autori përshkruan dhe formimin e batalionit partizan të Dibrës, shërbimin shëndetësor, spitalet partizane. Me interes janë dhe çështjet që kanë të bëjnë me internimet gjatë vitit 1940 dhe internimet në Itali.
Të ndarë si nënçështje shtjellohen dhe lufta kundër fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë në Dibër. Në çdo epapë përshkruhen të gjithë ngjarjet dhe luftimet e zhvilluara me këto dy forca ushtarake të kohës e që kishin pushtuar territorin e Dibrës dhe Dibrës së Madhe. Vëmendje autori i kushton dhe luftës së njësive të mëdha partizane që bënë në Qarkun e Dibrës. Përparësi autori i ka dhënë dhe formimit të Br. XVIII S me luftëtarë nga Dibra dhe luftimet e zhvilluara prej saj deri në çlirimin e plotë të vendit, por dhe pjesëmarrjen e saj në çlirimin e Prizrenit etj. Vend të dukshëm në libër zë Haxhi Lleshi, Hero i Popullit, gjeneral Dali Ndreu, Nderi i Kombit, Esat Ndreu, komandant i Br. XVIII S, Hamdi Mersim Dema, Nexhat Zija Agolli dhe Qemal Agolli. Më tej në libër jepet e plotë dhe lista e dëshmorëve të Dibrës, si një risi e re e një libri të tillë me vlera historike. Libri është i ilustruar dhe me mjaft foto që e bëjnë më të gjallë historinë e Luftës në Dibër.
Libri “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër” i Sakip Camit është një përpjekje serioze që bëhet për të pasqyruar sa më realisht dhe pranë dokumentave të kohës, gjithë veprimtarinë luftarake dhe jo luftarake të një zone të fuqishme siç është Dibra dhe Dibra e Madhe.

Vlerësime për librin dhe autorin
Përmes këtij libri autori sjell ndihmesën e tij në trajtimin e plotë dhe mbi baza dokumentare të njërës prej zonave më të veçanta e më të mëdha si Dibra, për kohën kur veproi, duke sjellë njëherësh dhe një ndihmesë të çmuar në fushën e Historisë Ushtarake Shqiptare. Autori është përpjekur dhe i’a ka arritur të rindërtojë të plotë imazhin e kësaj zone luftarake, me veçoritë e veta dalluese si në organizim ashtu edhe në veprimtarinë e dendur luftarake, pa lënë jashtë trajtese edhe rolin e spikatur të saj, si një burim njerëzor për ngritjen e çetave, batalioneve dhe të brigadës sulmuese. Në punim, për herë të parë jepet e tërë skema e veçantë organizative, e plotësuar tashmë dhe me të dhënat për drejtuesit kryesor, si dhe me dukuritë e risitë e veprimtarisë luftarake të njësive që vepruan në Dibër. Madje aty sillen në mënyrë të plotë mjaft të dhëna e statistika përmbi formacionet ekzistuese para krijimit dhe të tjerave që u formuan më pas, gjatë veprimtarisë së luftës.
Autori me një gjuhë dhe stil të thjeshtë, por të qartë e të rrjedhshëm, me një stil rigoroz shkencor, ka operuar me faktet dhe dokumentet e marra në arkivat, muzetë, bibliotekat dhe madje edhe me ish-drejtues të formacioneve luftarake, duke ia dalë me sukses të risjellë në mënyrë të plotë formatin dhe përmbajtjen organizative, luftarake dhe drejtuese në zonën e Dibrës. Njëherëshi, autori, në këtë punim thuajse monografik, kontribon dhe në publikimin e një numri jo të vogël faksimilesh dokumenta autentik që i përkasin kësaj periudhe dhe veprimtarisë së drejtuesve të saj. Këto dhe aparati shkencor i pasur, që shoqërojnë punimin, e bëjnë atë më të besueshëm dhe të argumentuar. Kësisoj, libri jo vetëm sjell vlera njohëse dhe shkencore, por ai mund të shndërrohet si një botim shkencor me vlera studimore. Edhe pse autori operon në një terren disi të lëvruar, trajtesa në një libër e organizimit dhe veprimtarisë luftarake në Dibër, të formacioneve të ndryshme që operuan në terrenin konkret, ka vlera të veçanta. Është meritë e autorit që ka ditur të na i japë këto veçori duke shmangur përsëritjen. Autori jep një imazh të qartë dhe të menduar mirë, të njeh me situatën politike dhe ushtarake të trevës që do të bëhet arenë e veprimtarisë së luftimeve, me pozicionin gjeografik dhe me atë dënduri formacionesh luftarake që vepronin gjatë zhvillimit të luftës. I ndërtuar mbi bazën e një strukture të qartë, libri jep një tabllo të plotë për LANÇ-in në Dibër me të gjithë treguesit e vet. Me interes është informacioni për strukturën e formacioneve, të shtabeve dhe përbërjen e tyre me kuadro me kulturë e përvojë luftarake. Me realizëm trajtohen problemet e organizimit dhe mekanizmit të funksionimit të çetave dhe të batalioneve, në përshtatje me veçoritë e detyrave dhe të veprimtarisë së tyre.
Punën e organizimit të luftës në Dibër autori e shikon me një vizion të gjerë, si në organizimin dhe veprimtarinë luftarake të formacioneve të saj, në ndihmesën për organizimin e pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare e sidomos në furnizimin me efektiva, armatim e materiale etj. Nëpërmjet këtij studimi evidentohet qartë vlera dhe roli i madh që kanë luajtur këto formacione në Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Dibër. Materiali shquhet për gjuhë të pastër, për një mendim të rrjedhshëm e të qartë. Vihet re, se ky libër është rrjedhojë e një pune tepër voluminoze, e një studimi të gjërë të literaturës së botuar e arkivave, të cilën autori e ka përdorur e cituar me kriter e korektesë.