FestFolk Klosi 2019, veprimtari e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore
Nga Hamdi Hysuka*


 

Kaloi një vit, që Klosi, për herë të parë, në festivalin e parë folklorik, më 16 shtator 2018, ishte qendra e kulturës mbarëkombëtare. Vërtetë qe ngjarje artistike dhe tregues i shpalosjes së vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të komunitetit klosjan.
Dhe përsëri, në ditën e bukur të vjeshtës së dytë, 13 tetor 2019, u organizua Festivali i Dytë Folklorik Kombëtar “FestFolk Klosi 2019”! Në garën e madhe të folklorit erdhën në Klos për të konkuruar grupe artistike, rapsodë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet etnike shqiptare: nga Klina, Bulqiza, Istogu, Kukësi, Ferizaj, Kurbini, Malisheva, Shoshaj i Dukagjinit, Tetova, Dibra dhe Rahoveci. Organizator ishte Grupi Folklorik “Petralba”. Rreth zhvillimit të festivalit mësuam nga drejtori artistik, instrumentisti i talentuar, z. Ikli Punavija. Sipas tij, qëllimi është të mbrojmë, promovojmë e popullarizojmë në publik vlerat më të mira muzikore, koreografike dhe etnografike të krijuara prej shekujsh në hapësirën mbarëshqiptare. “Për ne të gjithë, -theksoi ai, -ky festival ka dhe qëllimin madhor për të promovuar sa më shumë krijime të reja folklorike të grupeve”.

* * *
Folklori ynë muzikor e bën jetën në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe tipet kryesore të instrumenteve të përdorur., Artistëve të folklorit tradicional popullorë iu uroi mirëseardhjen mikpritësi, kryetari i Bashkisë Klos, z. Ilmi Hoxha, duke theksuar se “FestFolk Klosi 2019” është veprimtaria më e rëndësishme e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, që na shërben për ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, krijuar në shekuj në gjinitë e këngës, valles, instrumenteve dhe kostumeve popullore. Me këtë rast kryetari përgëzoi entuziastët e kulturës dhe të traditës sonë popullore për mundin dhe përkushtimin e tyre, si dhe grupet pjesëmarrëse nga të gjitha viset shqiptare.
Sipas studiuesve, festivalet kombëtare, që organizohen në trojet etnike shqiptare, ndihmojnë bashkimin dhe afrimin e popullit shqiptar. Pjesëmarrja e grupeve folklorike nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe shqiptarët e Maqedonisë zgjeron hapësirat gjeografike të folklorit shqiptar dhe sjell vlera të larta në interpretimin e trashëgimisë kulturore tradicionale, duke e kthyer këtë veprimtari të rëndësishme në një festë të folklorit shqiptar”.
Festivali ishte festë e gëzuar popullore, me këngë, valle, rite e melodi, të cilat u interpretuan nga bartësit e folkut shqiptar. Pra, specialistë, profesionistë, folkloristë e gjurmues të pasionuar sollën para artdashësve të Klosit krijime folklorike të gjinive të ndryshme për t’i shijuar, ruajtur e përcjellë nga njeri brez te tjetri.
* * *
Për të shpalosur vlerat e trevave të tyre folklorike, së pari në skenë u ngjitën, jashtë konkurimit, të zotët e shtëpisë, artistët e Grupit Folklorik “Petralba”, me valle karakteristike brezash, kërcyer nga Pëllumb Elezi, Rexhep Ahmati, Emiljano Elezi, Denis Ahmati, shoqëruan me ciganë Adhurim e Sokol Xhepi dhe në lodër Man Xhepi; melodi karakteristike me çifteli, interpretuar nga Ikli Punavija; këngën “Krah për krah luftoi me burrin”, kushtuar heroinës Shote Galica, kënduar nga Verí Beça dhe vallen me motive të Xibrit, kërcyer nga valltaret e reja, Xibër.
Në Klos, nga skena e folklorit të Klinës, Festivalit tradicional gjithëkombëtar, “I këndojmë lirisë”, erdhi kënga “Valon i lirë flamuri kombëtar”, të cilën e interpretuan Fatmir Berisha e Xhavit Maxharra.
Vazhdoi konkurimin Grupi Folklorik “Gurra e Kurbinit”, Kurbin, i cili solli në skenë këngët “Lum kjo ditë që sjell Nëntori”, kënduar nga grupi i burrave; “Trámzit e beqarit”, nga Terezina Gega dhe “Kërkon qyqja mal mbi mal”, kënduar nga Mide Aliu.
Nga rrafshi i Dukagjinit, buzë bjeshkëve, Grupi Folklorik i Istogut, erdhi me këngën e Selman Kadrisë, kënduar nga Ismet Demaj; vallen dyshe të Podgurit, kërcyer nga Sadik Manxharaj (baca) dhe Ismet Demaj, si dhe melodinë me daulle e zyrlë, interpretuar nga Faton Bytyçi dhe Ukë Kamberaj.
Këngëtaret kuksiane Selvije Hajdini Sylaj dhe Beglie Ahmetaj kënduan “Mirë se të gjej, i bukuri Klos”, potpuri dasme kuksiane dhe “Një këngë të re këndoj me çifteli”. Qendra Kulturore Bulqizë, e Qarkut Dibër, solli në skenë këngë vajkalore, kënduar nga Agim Huna, shoqëruar në çifteli nga Besnik Dema, Bujar Lika, Rrahim Alliu, këngën për sheh Fejzë Bulqizën; melodi instrumentale me çifteli nga Besnik Dema, si dhe valle burrash, kërcyer nga Sinan Alliu e Bujar Çupi.
Këngëtarët Nazmi Hajdari dhe Afrim Krasniqi, nga jugu i Kosovës, komuna Ferizaj, u mirëpritën për interpretimin e këngës “Seç na erdh kjo ditë eksodi”. Nga fisi historik i Shoshit, malësia e Dukagjinit, Shoqëria Kulturore “Besa Shosh” kishte këngë majekrahu, akapélo, kënduar nga Gjon Kosteri e Gjelosh Kola; vaje me lahutë, luajtur nga Gjon Kosteri; këngë me çifteli, e kënduar nga Gjelosh Kola e Pjetër Kolmartini; melodi me gjethe, luajtur nga Nikollë Vata dhe putira (këngë burrash), interpretuar nga grupi.
Vazhdoi konkurimin Shoqëria Kulturore Artistike “Zëri i Llapushës” Carallukë, nga Malisheva. Në program kishte valle burimore me çifteli, interpretuar nga grupi i instrumentistëve; melodi baritore me fyell nga Jakup Krasniqi, këngët “Dola me shetit në baçe”, kënduar nga Erestinë Hoti dhe Doruntinë Zogaj, “S’kam kujtue kurrë për jetë”, kënduar nga motrat Kaltrinë e Festinë Gashi, “Ditët po kalojnë”, nga Elita Krasniqi dhe valle tradicionale e Llapushës, kërcyer nga grupi i vajzave.
Në çdo skenë të kombit dhe jashtë tij, ku janë ngjitur dhe kanë interpretuar folklor me këngë e valle shqipe, Hajri Ismani, Xhemal Abdyrrahmani e Dashmir Saiti, artistë të Shoqërisë Kulturore Artistike “Jehona e malësisë” Tetovë, kanë mahnitur publikun. Në skenën e Klosit ata interpretuan potpuri këngësh me melos të Tetovës. “I dhe kombit të parin mbret”, ishte kënga popullore folklorike për Matin, të cilën e interpretoi këngëtari dibran, Bledar Kaca, i Ansamblit Folklorik “Dibra”, Peshkopi. Dhe për të mbyllur konkurimin, artistët e komunës së Rahovecit, të Shoqërisë Kulturore Artistike “Anadrini”, interpretuan këngët “Larg teje, o nënë”, nga Vlora Duraku, “Kreshtat e Kosovës” nga Islam Morina dhe suitë orkestrale të Baki Xhaferrit, shoqëruar nga orkestra.
Me pjesë folklorike u ngjitën në skenë për të përshëndetur festivalin vajzat e shkollës 9-vjeçare Gurrë e Vogël me valle vendçe grash të zonës së Gurrës; këngëtari Halil Aliaj, i Grupit Folklorik “Gurra e Kurbinit” Kurbin, me këngët “Jo gjakmarrje, por pajtim” dhe “Veç bashkimi forca e kombit”, si dhe këngëtari matjan, Shkëlqim Farrici, me këngët kushtuar Sali Vatdodës e “N’kamë e tan’ Kosova”.
* * *
Në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar “FestFolk Klosi 2019” u paraqitën grupe nga treva të ndryshme shqiptare, programi i të cilave ishte i gërshetuar me këngë e valle burimore dhe melodi instrumentale, kryesisht çifteli e bilbil. Konkurimet u ndoqën nga publiku me mjaft interes, sepse sollën vlera të shumta në drejtim të promovimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare.
Në krye të jurisë ishte Ali Mulaj, “Mjeshtër i Madh”. Sipas tij, “FestFolk Klosi” 2019 është nga aktivitetet kulturore dhe artistike më të mira, që bashkia e Klosit organizoi për të promovuar sa më shumë të jetë e mundur vlera folklorike. Festivali ishte dëshmi e një realitet të ri folklorik, pasi u pa konkurimi i grupeve nga krahina të ndryshme të kombit. Si juri e besuar, e fushës së etnomuzikologjisë, etnografisë dhe kostumeve popullore, për grupet më të mira konkuruese të festivalit dhe për interpretuesit më të mirë individualë u dhanë vlerësime. Çmim të tretë morën rapsodët nga Ferizaj, Nazmi Hajdari e Afrim Krasniqi dhe SHKA “Anadrini” Rahovec, çmim të dytë “Jehona e Malësisë” Tetovë e “Besa Shosh” Dukagjin, ndërsa çmimin e parë e fitoi SHKA “Zëri i Llapushës”, Malishevë. Sipas vlerësimit të Jurisë, Rapsodi më i mirë i festivalit ishte Gjon Kosteri nga SHKA “Besa Shosh“ Dukagjin; instrumentisti më i mirë Baki Xhaferi, SHKA “Anadrini” Rahovec; Vallja më e mirë ishte e Grupit Folklorik “Selman Kadrija” Istog; Valltari më i mirë Sinan Alliu Bulqizë; Valltarja më e mirë Floranda Bytyçi, SHKA “Zëri i Llapushës” Malishevë; Orkestrina më e mirë e festivalit SHKA “Anadrini” Rahovec; Kostumi autokton i festivalit ishte i Grupit Folklorik, Kurbin.
Ndonëse konkurenca ishte e madhe, ngaqë pjesëmarrësit vinin nga troje të ndryshme etnike shqiptare, SHKA “Zëri i Llapushës” Carallukë bëri diferencën duke u vlerësuar më e kompletuara e festivalit. Ndërsa për vlera të trashëgimisë së pashtershme folklorike dhe interpretim me nivel të lartë artistik, u dhanë çmimi i publikut për Grupin Folklorik nga Kukësi dhe Çmimi i karrierës për Fatmir Berishën, Gjergj Lekën, Nazmi Hajdarin, Gjon Kosterin, Ismet Demajn, Baki Xhaferrin dhe Agustin Cekën, me motivacion: “Për kontribut shumëvjeçar, nivel të lartë e mjeshtëri artistike në interpretimin e folklorit burimor tradicional ndër vite”.
Për ruajtjen e trashëgimisë folklorike të trevës së Klosi, kryetari i Grupit Folklorik “Petralba”, Ikli Punavija, vlerësoi me mirënjohje valltarin Murat Murati (pas vdekjes), instrumentistin Mehmet Kurti, rapsodin Nezir Neli (pas vdekjes), instrumentistët Veri Koburja e Shaban Ferra, instrumentistin Hasan Ferra (pas vdekjes), valltarët Nazmie Hoxha e Isuf Topalli, si dhe ish-përgjegjësat e kulturës Avni Halili e Sali Shqypi.
Parësorë për Festivalin Folklorik Kombëtar “FestFolk Klosi” është e do të jetë zhvillimi i kulturës tradicionale, ruajtja e origjinalitetit, e thelbit folklorik shqiptar dhe trashëgimi i këtyre vlerave artistike. Organizatorëve të festivalit u afruan mbështetje financiare “Koka & Ergi Energy Stavéç”, “Alb Leaa International”, Studio “Hasa”, “Gjoka Konstruksion”, “Ndregjoni”, “G. P. G Company”, “S. B. M Grup”, “Redi Mat”, Valbona Kola, Ilmi Hoxha, Asllan Muharremi, si dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, Tiranë.

* * *
Këngët dhe vallet folklorike bashkuan qytetarë e artistë nga mbarë trevat shqiptare. Përmes tyre morëm mesazhin e qartë, se folklori kalon nga brezi në brez dhe jeton e ruhet i paprekur edhe në ditët tona. Objektiv në të ardhmen për organizatorët e “FestFolk Klosi” mbetet cilësia e festivalit dhe zgjerimi i gjeografisë së grupeve pjesëmarrëse, duke synuar prurjen e vlerave folklorike dhe artistë popullorë nga më shumë treva shqiptare.
*kryetar i Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve “Pjetër Budi”, Mat.

KOMENTI JUAJ