Djali i Lurës, një profesionist me integritet


Më 18 prill 2020 u nda nga jeta Hekuran Vladi – Lura. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ishte Doktori i Shkencave Ekonomike në Fushën e Kriminalistikës.

Hekuran Vladi – Lura u lind në Lurë më 22 qershor 1973. Arsimin 8-vjeçar e përfundoi në Lurë, më vonë përfundon shkollën e mesme pedagogjike Peshkopi dhe pas përfundimit të saj punon si arsimtar në fshatin e lindjes në Lurë. Vazhdoi studimet në Fakultetin Ekonomik “Dega Financë”, ku u cilësua në tre nivelet e arsimimit si student shembullor, përfunduar me “Medalje Ari”.
Pas përfundimit të Fakultetit ushtroi profesionin e tij në radhët e Forcave të Armatosura në Degën e Financës.
Me vullnetin e tij dhe prirjet intelektuale u trajnua brenda dhe jashtë vendit si financier ne drejtimin “Krimi i Organizuar dhe ai Ekonomik”.
Hekurani ka përfaqësuar Shtetin Shqiptar në ekipe të niveleve të larta parlamentare me objekt “Legjislacionin ndër Ballkanik dhe Evropian”, ku ka spikatur në thellësinë e mendimit shkencor në zgjidhjen e problemeve të kohës..
-I trajnuar në fushën e Sigurisë Kombëtare duke përfunduar “Kolegjin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, duke dhënë Kontribute të shquara intelektuale.
Gjithashtu Hekurani ka kryer detyra të rëndësishme Shtetërore si: Këshilltar i Ministrit të Financave, Drejtor i Bankës Botërore për Zhvillim, Drejtor i Agjensisë së Sekuestros.
Hekurani Vladi – Lura ka qenë autor dhe bashkëpunëtor i disa studimeve tekniko – shkencore e profesionale. Bashkëpunëtor dhe analist i pareshtur në studiot e të gjitha televizioneve Shqiptare. Objektiv, dashamirës, kritik dhe i ashpër për atë që ai shkencërisht e argumentonte.
Së fundi, Hekurani pati në dorë një dokument tepër shkencor “Për formën dhe mënyrën e organizimit dhe menaxhimit të krizave (luftarake), të luftës dhe korrupsionit”, e cila do të jetë së shpejti në proces botimi.
Hekurani Vladi – Lura u nda nga jeta duke lënë mbresa shumë të mira e interesante, jo vetëm te familja dhe të afërmit, por edhe te shokët e shoqet e panumërta dhe audiencën e pafundme që krijoi përmes mjeteve bashkëkohore të komunikimit.
Hekurani u nda fizikisht nga bashkëshortja Elisabeta, vajza e tij Hiluria, emër simbol i shpirtit dhe krenarisë së tij, si djalë, besnik e shpirt “ILIR”, siç e thoshte shpesh, një nga themeluesit kryesorë të “Unionit Lura”.
Hekurani ndahet fizikisht nga prindërit në moshë Daliu dhe Liria (me shumë brenga në jetë), vëllezërit dhe motrat e talentuar sa vetë ai, nga kushërinjtë e tij, miqtë dhe shokët.
Ai ndahet nga legjenda aktuale lurjane gjyshi i tij 102-vjecar Demir Vladi, të cilit i referohej thuajse në çdo bisedë.
Ti djalosh i mrekullueshëm i Lurës dhe shumë më gjerë do jesh mungesë serioze dhe kujtesë e dhimbshme!
Lamtumirë Hekuran Vladi-Lura!
U prehsh në paqe!