NJË POEMË E MADHE PËR TË VOGLËN TIME
Artan gj. Hasani


1
kujtime të paharruar, harruar pa u ndërruar
si fletët e kalendarëve në hotele të dorës së dytë
ku serviren kokteile turbullues poetësh
në ditë të mbushura me të qeshura të bujshme
dhe netë tropikale me lotë të nxehtë
kur ti ndjeheshe Marianne dhe më quaje Leonard
pak kohë para se të bëhesha Neruda yt…

2
kemi dashur gjithnjë të fluturojmë, e dashur,
dhe nuk kemi bërë ndonjë mëkat
e vështirë të mbetesh me këmbë mbi tokë
kur ndjehesh re dhe dhe të thërrasin qiejt
me zërin prej shiu dhe Chardonay
derdhur bujarisht mbi ne të dy
nga Perënditë takikardike të Fundjavës
e vogël sa një avion dyvendësh ëndrra jonë
dhe gjumi aeroport për njerëz me flatra
ndaj dhe ti pranë meje nuk ecje, por fluturoje,
qeshje aq fort sa orenditë e shpirtit dridheshin
tingëllonin qelqet dhe gëzimi derdhej si vera
nga gotat e servirura në trenat e shpejtë
e mban mend?
Të mbaja për dore si fëmija balonën
ah…epik ky mall, rapsodi humnerash kënduar në heshtje
madhështor si përqafimi kur vjen nga krahë avionësh…

3
ato shtretër fluturues të 1001 bujtinave
ku marrin shpirt trupat tanë të zhveshur
janë Hiroshima jonë prej mishi, e dashur,
destinuar për bomba anatomike
hedhur nga sytë me parashuta njëpërdorimshe
vështrimesh tunduese arratisur nga ëndrrat
për të rënë mbi duar të vogla e të buta
që i vendosnin me puthje mbi buzë të paduruar
të nxehta gjuhët si kometa të çmëndura
me gjak trëndafilash përflakin qiellzën
qumësht dëshirash të djersitura derdh gjiri
në gojën time kriminale prej fëmije të parruar…

4
kish ardhur fundi i botës dhe jetonim veç ne
ishin kohë lirike të mbarsura me art dhe tinguj
kur Klimtë pasionantë mbyllnin buzët tona
dhe në shtrat rrinim si dashnorët në ekstazë
dalë nga vizatimet e paturpshme të Schiele-s
zhveshur nga petalet e Van Gogut
kridheshim lakuriq në Valsin e Trëndafilave
në atë dhomë që pas pak minutash ngjasonte
herë me një boudoir parisien ku një Baudelaire
me epshin tim shuante flakën e hireve të tua
dhe herë me Operan e Vienës vizatuar në qiell…

5
jemi bërë një dhe nuk dimë më kush jemi
kush shkruan këto vargje dhe për kë
ajo dritë në sytë nuk është muzg, por ag
dhe ti, bijë e mallit dhe zemra ime…
(Marrë nga vëllimi poetik ID, botimet M&B, Tiranë 2018)