Ura e Vashës përfundoi, por Tuneli i Murrizit nuk do të mbarojë në afat


Ura e re e Vashes e përfunduar. Foto e marrë nga faqja në Facebook Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Ura e Vashës përfundoi, por Tuneli i Murrizit duket se nuk do të mbarojë në afat. Ndaj lind nevoja e ndërtimit të një by-passi, i cili nuk është parashikuar në kontratë, gjë e cila do të bëjë të mundur që rruga të hapet për trafikun në pranverën e vitit 2021”.

Në fund të prillit kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të shoqëruar nga presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka, dhe inxhinierë të autoritetit rrugor shqiptar, zhvilluan një vizitë në Klos, nga ku panë nga afër urën e re të Vashës të përfunduar. Në kronikën e transmetuar më 28 prill në faqen e Facebook-ut të kryeministrit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregohet ecuria e punimeve të deritanishme, por edhe problematikat e shfaqura, si rezultat edhe të pandemisë, por që nuk do ta rrezikojë hapjen e rrugës për lëvizjen e trafikut.

“Tashmë, nga 70 kilometra rrugë gjatësi që ka Rruga e Arbrit dhe nga 6 tunele janë përfunduar 5 nga këto tunele dhe më shumë se 54 kilometra tashmë janë të përshkueshme”, tha ministrja Balluku.

“Jemi në fazën e hedhjes së asfaltit gjatë muajit maj për gjithë pjesën ku është shtruar traseja dhe janë mbyllur të gjitha detajet e trasesë. Punimet kanë ecur mirë, pavarësisht se ndodhemi në muajin e 22, fiks në mes të kontratës (kontrata parashikon 44 muaj punime), punimet kanë ecur dhe janë shumë të avancuara, edhe përtej grafikut të parashikuar që kemi pasur”.

Balluku i tha kryeministrit se Ura e Vashës, me gjatësi 316 metra dhe lartësi 152 metra ka përfunduar, ndërkohë që punëtorët janë duke mbyllur detajet e fundit”. Ndërsa për urën tjetër, atë të fshatit Fshat, e cila është e gjatë 174 m, por 5 metra më e lartë, është akoma në ndërtim”.

Balluku theksoi se “megjithëse është bërë një punë shumë e mirë, me ritme të shpejta, kemi pasur pak vonesë në javët e marsit, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Puna në kantier është ndërprerë disa ditë, por me pajisjen me maska, me syze dhe doreza puna ka nisur sërish.

Mbyllja e kufijve ka krijuar probleme me sjelljen e materialeve nga jashtë, konkretisht nga Turqia për profilet e urës së fshatit Fshat. Sipas presidentit të kompanisë, Rrok Gjoka, punimet e saj pritet të përfundojnë në gusht-shtator të këtij viti.

 

Tuneli i Murrizit 3.8 km, shtyhet afati i mbarimit

Një nga lajmet e mira për rrugën në perspektivën e saj është tuneli i Murrizit. Nga 3.2 km i parashikuar në fillim të punimeve, pas shembjes që ndodhi një vit më parë, ka ndryshuar projekti dhe tuneli do të jetë i gjatë 3.8 km, me dy tuba kalimi, njëri prej të cilëve do të përdoret në raste emergjente.

Rruga e Arbrit do të ketë në total 6 tunele, gjatësia e të cilave është rreth 10 km. 

Pavarësisht nisjes së punimeve në kantierin e ri, puna nuk duket se po ecën me ritmet e duhura. Një punëtor i kompanisë, në kushtet e anonimatit, tha për gazetën “Rruga e Arbërit” se nga ana e Tiranës tuneli ka ecur 250 metra, ndërsa nga ana e Xibrit 800 metra”.

Me këto ritme tuneli i Murrizit, që është edhe vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit nuk mbaron dot në 22 muajt e ardhshëm të parashikuar në kontratë. Ndaj, del e nevojshme një zgjidhje tjetër.

 

Pamje nga Tuneli i Murrizit, nga ana e Tiranës. Foto B.Karoshi / 1 maj 2020

“Kemi folur me ministren për një zgjidhje, e cila më kushton mua, por përfitojnë fshatrat që lidhin Xibrin me Bastarin, – tha Rrok Gjoka. Sipas tij, do të ndërtohet një by-pass 9 kilometra, i cili do të bëjë bashkimin nga njëra anë e tunelit në anën tjetër”.

“Në muajt në vazhdim do të bëjmë një vizitë në tunelin e Murrizit për të parë dhe kompleksitetin atje dhe për të parë dhe në terren zgjidhjen, pasi do kërkojë një lëvizje nga projekti. Është e pamundur të vazhdohet, pra, edhe koha po humbet dhe sigurisht edhe shpenzimet janë të larta, kështu që një zgjidhje të cilën ne po e shikojmë tani me ARSH, për sa i përket një by-pass-i, i cili jo vetëm bën lidhjen midis dy fshatrave, por na lehtëson edhe në vazhdimin e punimeve”, tha Balluku.

“Megjithatë, jemi në rrugë të mirë, jemi duke e përfunduar dhe padyshim kjo ka qenë pjesa më komplekse e gjithë Rrugës së Arbrit, e cila ka ngushtuar kohën për të ecur përpara dhe ndoshta do marrë pak më shumë deri në fillim të dimrit mund të mbyllet”.

Një inxhiniere e Autoritetit Rrugor Shqiptar ishte më e qartë kur i tha kryeministrit se “kjo rrugë ndihmon zonën, por na jep dhe ne kohën që Rruga e Arbrit të përshkohet në kohë brenda kontratës në gjithë gjatësinë e saj”.

Ura e fshatit Fshat në proces ndërtimi

Ndërsa një inxhinier tjetër, të cilit Balluku iu drejtua me emrin Ergys, duke iu referuar problematikave të hasura gjatë punës në tunelin e Murrizit tha se “në variantin me by-pass kemi dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme ekonomike, bazuar mbi zgjidhjen nga ana gjeologjike, duke iu atashuar edhe Institutit të Gjeologjisë dhe oponencës teknike që mori projekti”. 

Kryeministri Edi Rama, pasi u informua mbi punimet në by-pass, pyeti se ndërkohë punimet në tunel do të vazhdojnë, apo jo? Dhe përgjigja e presidentit të kompanisë ishte se punimet në tunel do të vazhdojnë ndërkohë. “Ajo e zgjat 5 kilometra rrugën në total. Rruga është shumë e nevojshme, është turistike, lidh edhe 2-3 fshatra, por ajo nuk është e papërshtatshme në dimër”. 

Rruga panoramike do të jetë e gjatë 9 km dhe do t’i shërbeje turizmit në këtë zonë. Nga një vizitë në terren, banorët e Murrizit thanë se ishin shumë të kënaqur. Rruga, e cila do të kalojë përmes fshatit të tyre, do t’i japë shumë perspektivë zhvillimi zonës.

Një burim pranë kompanisë tha për gazetën se “pritet që kur kufijtë të hapen, për vazhdimin e punimeve në tunel do të vijë një kompani nga Turqia, së bashku me punonjësit e saj”.

Por ky lajm nuk mund të konfirmohet. Disa përpjekje për të kontaktuar kompaninë për më shumë informacion, duke u bazuar edhe të disa kërkesa të lexuesve, nuk morën përgjigje.

Financimi: Viti 2020, 1 miliardë lekë më pak për Rrugën e Arbrit

Kuvendi i Shqipërisë, në ndryshimet që i bëri Buxhetit të Shtetit për vitin 2020 gjatë një seance të jashtëzakonshme në mes të prillit, vendosi që të heqë nga financimi një shumë prej 1 miliardë lekësh të llogaritura si këste të radhës gjatë këtij viti për Rrugën e Arbrit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, revista “Monitor” raportoi se qeveria shqiptare “ka rritur financimin e rrugës me 45%, duke e çuar koston totale të ndërtimit të saj në 58 miliardë lekë (460 milionë euro), nga 40 miliardë lekë (33,6 miliardë vlera e kontratës plus 6.5 miliardë lekë TVSH) të parashikuara në kontratën ligjore”.

Për shkak të kostove të rritura, opozita kishte kërkuar në fillim të periudhës së pandemisë ndërprerjen e financimeve për Rrugën e Arbrit. 

Më 25 prill, në një status në Facebook, zv. kryeministri Erion Braçe theksoi se nuk do të ketë ndërprerje të punimeve. Gjithashtu, ai thekson se rruga do të kushtoje 33.6 miliardë lekë, aq sa ishte parashikuar në kontratën fillestare.

Punimet në rrugën panoramike. Bastar-Murrizë, 1 maj 2020.

Grupi i Lobimit nga shoqëria civile, që po ndjek hap pas hapi punimet në Rrugën e Arbrit që në mars 2013 doli me një deklaratë ku theksohej se “ne jemi të shqetësuar se kjo krizë mund të sjellë pasoja për rrugën, ndaj ju bëjmë thirrje aktorëve vendimmarrës që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet dhe përgjegjshmëri. Covid-19 solli menjëherë një realitet ekonomik të ri në vend dhe ky realitet do të ishte më pozitiv në qoftë se Rruga e Arbrit do të ishte ndërtuar me kohë. Nevoja për komunikimin e tregjeve të brendshme në mënyrë të shpejtë dhe me më pak kosto, e bën Rrugën e Arbrit një arterie që duhet të përfundojë sa më parë”.

* * *

Punimet në Rrugën e Arbrit nisën në pranverën e vitit 2018. Pavarësisht afatit prej 44 muajsh që parashikon kontrata, premtimet e presidentit të kompanisë në hapjen e punimeve në Klos më 17 qershor 2018,  ishte se rruga do të mbaronte brenda 2 vitesh. Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama gjatë zgjedhjeve lokale në qershor 2019 deklaroi në Peshkopi se në pranverë të vitit 2021 Rruga e Arbërit do të jetë e kalueshme.

Në këtë situatë të vështirë ekonomike që po kalon vendi këtë vit, për shkak të pandemisë Covid-19, duket se ndërtimi i by-passit panoramik në Qafë Murrizë, do ta ndihmojë kryeministrin dhe presidentin e kompanisë “Gjoka Konstruksion” të mbajnë premtimin.