Dibra apo Skavica?


Lugina e Drinit të Zi është një nga “PERLAT” më të bukura e më të pasura në tërë rajonet shqiptare. Ajo krijon një korridor të bukur natyror me shtrirje nga Kukësi në veri deri në kufi me Maqedoninë në jug në një gjatësi prej 75 km. Kjo luginë kufizohet nga male të larta që shkojnë paralel me njëri-tjetrin. Në lindje të saj shtrihet mali i Korabit, bjeshkët e Gramës, vargmalet e Deshatit, kurse në perëndim malet e Lurës, të Xharxhishtit dhe vargmalet e Pllajut.

Rrëzë këtyre maleve, si në lindje dhe në perëndim, në hapësirat e gjera e me gjatësi deri në dhjetëra km shtrihen bjeshkët alpine. Sipërfaqja e tyre në rreth 18.000 ha shërben për mbarështimin e blegtorisë dhe është një pasuri shumë e çmuar për turizmin veror e atë dimëror në vitet që do të vijnë.

Në lartesitë e këtyre bjeshkëve zë fill burimi i degëve të Drinit të Zi, si Seta me ujin e kristaltë ku rritet trofta, Malla, Murra, Veleshica, Grama, Gjelagjoshti, Bellova etj, të cilat zbresin vrullshëm drejt shtratit të lumit Drin dhe na krijojnë gryka të thella, të vështira për hyrje e dalje, misterioze për armiqtë e këtij vendi ndër shekuj, por dhe mjaft tërheqëse, mikpritëse e bujare për vizitorë vendas e të huaj. Ata shërbejnë si burime ujore për ujitjen e tokave pjellore të pellgut të Drinit të Zi dhe janë një pasuri shumë e çmuar për të prodhuar energji pa shqetësuar askënd.

Anash Drinit të Zi shtrihen fusha pjellore, më në lartësi lugina të bukura e kodra të veshura me pyje e drufrutore. Brezat pyjore janë një tjetër pasuri e këtij rajoni. Ata fillojnë me shelgun e vërrinin buzë lumit, kurse më në lartësi shtrihen masive me pyje të dushkut, të ahut e të pishës.

Pjelloria e lartë e tokës, klima e shëndetshme, ujërat e freskët, ajri i pastër, larmia e relievit natyror me bukuri të rralla, malet kala natyrore mbrojtëse, tërhoqën vëmendjen e njeriut për të banuar në këtë rajon që në prehistori. Burimet arkeologjike informojnë se rrënjët e jetës dhe vijimësia e saj nisin me neolitin e hershëm, mëse 2000 vite p.k. Kjo luginë e banuar nga një popull krenar për historinë e tij mbart brenda vetes një trashëgimi të pasur etnokulturore me vlera rajonale e sidomos kombëtare. Është trishtuese kur dëgjon se tërë këta vlera të mëdha natyrore e njerëzore kërcënohen nga një vepër me emrin “SKAVICA”.

U bënë 4 dekada që Dibra e Skavica janë vënë përballë njëra-tjetrës në luftën për ekzistencë. Nga projektuesit e digave mbi kaskadën e Drinit është deklaruar disa herë se hidrocentrali i Skavicës duhej të ishte bërë i pari, por për çudi mbeti i fundit. Në ato vite shteti ishte pronar i tokës, kurse pronari real ishte proletare. Kaluan 20 vite të atij sistemi, i cili edhe pse kishte edhe arrën dhe çekiçin në dorë e mund të bënte çfarë të donte, Skavicën nuk e bëri. Arsyet e mosbërjes kush t’i dëshirojë i gjen në arkiva. Një fakt i hidhur është real për banorët e luginës së Drinit të Zi. Për 40 vite ndërtimi i kësaj vepre ka frenuar e mban të ndrydhura energjitë e komunitetit të 30 fshatrave të këtij rajoni, projekte për zhvillim e mirëqenie, ecjen përpara të tyre në raport me mundësitë që ata kanë. Ata nuk janë e fajtorë para askujt, pse janë banorë të këtij vendi.

Në dokumente thuhet se Skavica do të prodhojë energji dhe mbron nga përmbytjet ultësirën shkodrane e atë malazeze. Të njëjtën gjë shpreh dhe Ministri i Energjitikës Dritan Prifti në takim me grupin e punës të mbledhur enkas për këtë problem. (shih gazeten “Integrimi” dt. 08/05/ 2010 ). Pra sipas tyre për të prodhuar energji duhet të sakrifikohet Dibra, kur në Dibër ka burime të tjera për t’i dhënë energji vendit deri në parametrat e Skavicës.

Të na falin banorët e rajoneve që kaluan një dimër të tmerrshëm nga përmbytjet e këtij viti, por nga që një dimër i tillë projektohet të jetë i përjetshëm për mijëra banorë të rajonit të “Nëntë Maleve” të Dibrës, përcjellim shqetësimin e tyre dhe të drejtën për të pyetur: Për çfarë janë fajtorë dibranët e luginës së Drinit të Zi, dhe para kujt, që për të mbrojtur një rajon tjetër nga përmbytjet duhet t’u mbyten atyre pronat, bizneset e nisura dhe tërë ajo trashëgimi e pasur etnokulturore e ndërtuar me aq mund e djersë dhe e mbrojtur nga lakmia e të huajve me një kosto shumë të shtrenjtë?

Jemi njohur me dy shkrime mbi Skavicën, atë të Emirjon Senjës “Skavicën e bëjnë specialistët jo politikanët” botuar në gazetën “Shekulli” 10/02/2010 dhe të Agim Kasës “Skavica do t’i japë më shumë dritë luginës së Drinit të Zi” botuar në gazetën “Rruga e Arbërit”, prill 2010. Që të dy i referohen projektit të Inxh. Emin Mysliut. Në këtë projekt bëhet fjalë për një digë 220 m të lartë, me kuotë 485 m mbi nivelin e detit, që fundos nën ujë 10600 ha, me një rezervuar 6.7 miliard m3 ujë me një shtrirje nga Kukësi në veri deri në kufi me Maqedoninë në jug. Kush janë efektet e një vepre të tillë?

Sipërfaqja e tokës bujqësore në Dibër është rreth 19 000 ha, kurse toka nën kulturë është 12 500 ha. Skavica fundos 10 600 ha ose 55% të fondit të tokës në total. Ky rezervuar fundos nën ujë 8000 ha tokë nën kulturë, ose 64% të saj për tërëDibrën. T’i heqësh Dibrës 64% të tokës nën kulturë në rajonin më pjellor që përbën bazën e ekonomisë bujqësore për të, do të thotë të zbrazësh Dibrën nga dibranët. Dibra dikur (para 1913) shtrihej nga fusha e Pollogut në lindje deri në luginën e Matit në Perëndim dhe nga malësitë e Prizrenit në veri, deri në afërsi të Ohrit në jug. Zinte vend qendror në trevat shqiptare dhe ishte faktor përcaktues për fatet e kombit, shkruajnë studiues dhe historianë shqiptarë. Mëse një shekull më parë në qarqe të caktuara shoviniste sllave thuhej se “Vetëm vënia nën kontroll e Dibrës, mundëson depërtimin sllav drejt Adriatikut”.

Luftërat e Dibrës në mbrojtje të këtij rajoni, që sot synohet të mbulohet me ujë, nisin në mesin e shekullit të VI dhe mbarojnë me kryengritjen dibrane të viteve 1913-1921 të shek. XX. Nuk është rastësi as ai vendim fatal (më 1913 ), kur Dibra një etni, një gjak, një gjuhe, me një kulturë, me një histori të përbashkët dhe në kufijtë e vet natyror ndahet në: Dibra e Epër që u kaloi sllavëve dhe në Dibra e Poshtme që i mbeti Shqipërisë. Nuk është normale, që pas një shekulli Dibra e Poshtme të rindahet në dysh nga veriu në jug. Një projekt i tillë prish unitetin ekonomik dhe etnokulturor të Dibrës së Poshtme duke sjellë pasoja të rënda për të.

Kjo vepër shkëput komunikimin e fshatrave kodrinor e malorë në perëndim me ata që mbetën në lindje. Një rezervuar i tillë gjigant ndot mjedisin, përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe ndikon keq në kulturat bujqësore. Në të tilla rrethana pjesa e popullsisë së mbetur në të dy anët e rezervuarit detyrohet të largohet nga Dibra. Krejt natyrshëm lind pyetja : “A ka Dibër nëse dibranët do të largohen prej saj “? Nëse ndodh kështu Dibra e Poshtme shpërbëhet. Lugina e Drinit të Zi përbën bazën kryesore të ekonomisë bujqësore të Dibrës.

Zoti Agim Kasa ndërmjet dy alternativave, prodhimit të energjisë dhe zhvillimit agrar me drejtim bujqësi, blegtori e pemëtari për luginën e Drinit të Zi, zgjedh të parën. Zgjedhjen e tij mund ta bëjë çdo qytetar tjetër shqiptar, që nuk i njeh as vlerat dhe as historinë e këtij populli. Ai na sjell një fakt atë të groshëssë Muhurrit, e cila në panairin ndërkombëtar në Francë më 1927 mori çmimin e artë. Nga ajo kohë grosha e Muhurrit u bë pjesë e menusë për familjet mbretërore këtu në Shqipëri. Çdo produkt i kësaj lugine bën për familjet mbretërore. Po sjellim një fakt tjetër. Në fushën e Kastriotit (në ish NB Kastriot) më 1989 kultivoheshin 60 000 rrënjë drufrutore, mollë, kumbull, qershi e arrë. Brenda këtij blloku ishte një parcele me emrin “Blloku i Bllokut”. Ky vend e mori këtë emër, pasi mollët që prodhoheshin këtu shkonin në Bllokun e udhëheqësve të PPSH-së, pra për familjet mbretërore të asaj kohe.

Janë disa veçori specifike të këtij rajoni ndryshe nga vise të tjera që shënohen rekorde në rendimente dhe me cilësi të pakrahasueshme. Degët e Drinit të Zi me prurjet e tyre nga lartësitë malore me përmbajtje minerale kanë pasuruar shumë strukturën e tokës së kësaj lugine, përbërjen kimiko-fizike të saj. Shumë ndikim sjellin klima, cilësia e ujërave, temperaturat, ajri, rreshjet, erërat që harmonizohen në mënyrë të përkryer.

Këto veçori specifike shtuar dhe mjeshtëritë e dibranëve në shërbime, bënë të famshme produktet bujqësore- blegtorale të këtij rajoni, të cilat dy dekada me parë konkurronin dhe në tregjet e vendeve më të zhvilluara europiane. Në ish NB Kastriot makina të mëdha sa një vagon treni me targa nga vende me të cilat nuk kishim as marrëdhënie diplomatike, ngarkonin me mollët e kumbullat e Kastriotit, me lëngun e rrushit të Ostushit e viseve të tjera dhe niseshin për në vendet e tyre.

Zoti Kasa për varfërinë vite më parë në këtë rajon fajëson luginën e Drinit të Zi. Si shembull merr Muhurrin në vitin 1989 dhe na shpjegon se në këtë fshat kishte 9 televizorë, 5 frigoriferë, asnjë lavatriçe dhe se populli furnizohej me gram për frymë. Në ato vite e tillë ishte gjendja në çdo cep të Shqipërisë jo vetëm në Muhurr, pasi zhvillimi dhe mirëqenia e një populli varet nga sistemi dhe politika që drejton. Cila është gjendja e Muhurrit pas 18 vitesh demokraci?

Çdo familje ka jo një, por dhe dy e tre televizorë. Ka familje që ka dy frigoriferë se një nuk i mjafton, pasi iku koha e furnizimit me gram për fryme. Lavatriçe ka çdo shtëpi, sepse Muhurri ka 24 ore ujë të shëndetshëm, që vjen nga bjeshkët, ka 24 orë drita dhe rrugë të asfaltuara. Të pish një kafe në mbrëmje tek ura e Muhurrit, buzë lumit, është kënaqësi, është luks. Pra varfërinë z. Agim duhet t’ia faturonte atij sistemi që ai i shërbeu dhe jo luginës së Drinit të Zi.

Për luginën e Drinit të Zi ky zotëri shprehet: “… na ka pëlqyer ta quajmë “Hambari i Dibrës”, por nuk është krejt kështu”. Ky përcaktim nuk është i saktë. Si ish punonjës i statistikës në Dibër ai mund të na sillte të tjerë tregues për këtë luginë. Nëse i referohemi një segmenti rreth 5 km në këtë luginë dhe vetëm në rajonin kodrinor të saj në kulturën pemëtari më 1989 rezulton; në Pasmar kultivoheshin 90 000 rrënjë drufrutore, në Gjaraicë 135 000, në Ostush 60 000, në Shumbat 158 000, në Kastriot 60 000, në Zall Sinë 90 000 rrënjë drufrutore, që në total kapin shifrën 597 000 rrënjë drufrutore. Prodhimi shënonte shifra rekord, por nëse marrim për bazë rendimentin në nivelin më të ulët dhe vlerën në lekë si të shitjes me shumice në kohë piku, të ardhurat në pemëtari në këtë rajon të kufizuar kodrinor kapin vlerën 14.9 miliardë lekë. Megjithëse të ardhurat ishin në nivele të larta populli i këtij rajoni ishte i varfër. Prodhimet e kësaj lugine nuk dihej se ku përfundonin. Ata çanin “bllokadën”, në tregjet europiane për të mbushur arkën bosh të atij shteti. Dibra është një vend turistik për t’u patur zili dhe nga ato vende shumë të zhvilluara në këtë fushë. Këtë na thonë këto ditë dhe qytetarë nga Shkodra, Lezha, Kruja etj. të mirëpritur nga dibranët në “Qendrën Balneare Peshkopi”. Nuk do të jetë e largët dita kur asfalti do të arrijë në Korab, në bjeshkët e Gramës, në bjeshkën e Zonjave, në Derës, në Zimur, në Ilnicë në lindje, si dhe në Lurë, Xharxhisht e Pllajë në perëndim. Këtu magjepsesh nga bukuritë e natyrës, këtu merr jetë nga klima e shëndetshme, nga ujërat e freskët e kurative, nga ajri i pasur me oksigjen dhe shumë i pastër, nga flladi i malit, aroma e luleve, zërat e ëmbël të zogjve. Jo rrallë në këtë rajon janë shëruar persona me probleme shëndetësore, të cilët nuk kanë gjetur dobi as në klinika të specializuara. Ndërtimi i Rrugës së Arbërit do të krijojë mundësinë dhe për tiranasit, apo durrsakët të ngopur me detin që të kalojnë pushime të këndshme në këto rajone jetëdhënëse.

Aktualisht rruga për në këto vise është e vështirë, megjithatë turiste nga vende europiane gjatë verës janë të pranishëm mes banorëve të këtij rajoni. Këtu ka terren të përsosur për turizëm dhe lojëra dimërore deri në rang ndërkombëtar.

Që të lulëzojë ky turizëm janë të domosdoshme dhe prodhimet e luginës së Drinit të Zi, të cilat kanë marrë dhe çmime të arta, pasi turizmi dhe bujqësia duhet të jenë pranë me njëri-tjetrin.

Burime historike që duhet të flasin, Skavica i bën të heshtin PERGJITHMONË.

Botuar në gazetën Rruga e Arbërit, Nr. 50,  Qershor 2010