Veli Torba, fermeri që nuk di të ndalet


Ai nuk arriti te shkojë më shumë se shkollimi i mesëm, ndonëse dëshirat i kishte të mëdha. Bile dhe atë e mbaroi, pa shkëputje nga puna, pasi duhej të ndihmonte familjen e tij të varfër, siç ishin të gjitha familjet e asaj kohe. Linte pas fshatin e tij të bukur malor e derdhej fushave poshtë me një çantë të thjeshtë në sqetull, me pak libra e fletore në të, por me shumë dëshira e ambicie për të ardhmen.

Një sfidë e re për të pas viteve nëntëdhjete. Veliu ishte kacavjerrë në rrjedhat e jetës si një pelivan i vërtetë dhe donte te mbahej aty me çdo kusht. Nuk shkoi në emigrim si shumë të tjerë. Donte ta ndërtoje aty folenë e tre fëmijëve, që po vinin njëri pas tjetrit. Aty te kulla gati 200 vjeçare, aty ku kishin punuar e jetuar të parët e tij në breza. Prodhoi misër e fasule, rriti lopë e viça, por më së shumti u muar me perime. Domate, speca, patate, qepë e çdo gjë tjetër, që ajo tokë e bekuar e prodhonte në sasi e cilësi. Me gjithë vështirësitë e tregut, të rrugës e ndonjëherë të thatësirës, ai ia doli të jetojë e të shkollojë dhe fëmijët, duke plotësuar pengun që i kishte mbetur nga vetvetja.

Kaluan vite dhe Veliu, krahas perimeve e hodhi shikimin nga frutikultura. Mbolli 250 rrënjë qershi, që i ka në vitin e pestë të prodhimit. Ndonëse, akoma të reja, ai i gëzohet prodhimit të parë, ku vitin e kaluar mori gati një milionë lekë. Mbolli dhe arra, gati njëqind rrënjë, që janë mjaft të shëndetshme e premtojnë ta shpërblejnë në të ardhmen. Ka dhe kumbulla të tipit Stanley dhe pak mollë, të cilat i ka më shumë për vete dhe miqtë e tij, që e vizitojnë shpesh. E vështirë për tu shpjeguar se si ky njeri me vullnet të hekurt, në gjithë këto vite, kishte mbajtur familjen, kishte shkolluar fëmijët e për më tepër kishte blerë dhe 14 dynymë tokë pjellore, të cilën po e menaxhonte më së miri. 

Pak vite më parë një tjetër emër, një tjetër dritë u shfaq para fermerëve. Paulonia do të ishte ajo bimë e pemë çudibërëse, që do ngjallte shpresë, kur shumë gjëra ishin venitur, si meteorë në perëndim. Veliu nuk nguroi ta eksperimentonte në tokat e tij. Para katër vitesh mori 500 fidanë nga Italia me dhjetë mijë lekë fidani. Kishte në treg dhe më të lirë, por ai zgjodhi llojin më të mirë, me shpresën se nuk do ta zhgënjente. Pas një viti rritje të bujshme u bëri prerjen teknike dhe në dy vite të tjerë ata kanë kapur lartësinë mbi tetë metra. Vitin tjetër e shtoi sasinë e mbjellë me 700 fidanë të tjerë, duke e çuar shifrën në 1200. E përkthyer në sipërfaqe, asaj i korrespondojnë 15 dynymë tokë. 

Pas euforisë së viteve të para, personalisht e kisha humbur besimin se kjo bimë është me vlerë për fermerin, të paktën në Dibër. Por, kur pashë atë lloj të bukur të paulonias, kur pashë ato bimë që zgjateshin e harliseshin drejt qiellit, mendova pak më ndryshe. Mendova që si për shumë punë të tjera të bukura dhe këtu Veli Torba nuk kishte gabuar. 

E ndoqëm Veliun, duke na treguar parcelat, si turisti ciceronin dhe u mrekulluam nga ata që pamë e dëgjuam. Në vitin e parë ta paulonias, ai kishte mbjellë dhe patate, në të njëjtën sipërfaqe, duke marrë në dy dynymë rreth 100 kuintalë. Po kështu kishte shfrytëzuar tokën dhe vitin e kaluar me perime, duke marrë në tre dynymë të tjerë 150 kuintalë domate. Dy parcela të mbjella me paulonia nuk kishin pasur rrugë, për të shkuar atje. Një pjesë të rrugës e kishte hapur me krahë dhe një pjesë tjetër me fadromë, duke bërë të mundur të shkojë atje me mikrobuzin, që e shfrytëzon prej 20 vitesh. Nuk ishte pak, por një kilometër, për të shkuar deri te parcela fundore. Aty, diku në mes të rrugës, ka hapur dhe një basen të vogël, me kapacitet gati 50 metër kub ujë dhe kjo i mundëson vaditjen e pemëve, sa herë që ajo është e nevojshme. Është kjo një metodë nikoqire, që të parët tanë e kanë përdorur më së miri e tani është humbur e tretur në kohë.

Shumë punë të fermës së tij, Veliu i bën vetë, por në situata të pranverës e të verës, ai merr dhe të tjerë për punime, plehërime e shërbime të tjera, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në fshat. Vajza e vetme e Veliut është e martuar dhe punon pranë bashkisë së Peshkopisë, si financiere. Dy djemtë, Mefati dhe Ganiu, kanë pak vite, që janë larguar drejt Anglisë. Ata i kanë thënë babai të tij të mos punojë më, se mjaft është lodhur e tani duhet të pushojë pak. Kanë blerë si familje dhe dy apartamente në Tiranë, për të dy djemtë, nëse kthehen në Shqipëri. Të gjitha këto nuk janë arsye të mjafta që ta ndalin heroin tonë. Ai vazhdon e vazhdon të punojë, të sfidojë kohën e tokën. Pasioni për punën, i ngjizur që në rini dhe nuk i shqitet më, sado t’i afrosh kapitale e vlera financiare.

Shimçani është një fshat i bukur, pjesë e një shtegu turistik, që të çon në Bahute, Zagrad, e më tej akoma, për të vizituar vende të mrekullueshme. Ndonëse ka plot të larguar nga fshati, por ka akoma të tjerë si Veli Torba, që punojnë e jetojnë duke besuar se ky fshat do të bëhet, se Dibra do të bëhet, se Shqipëria do të zgjohet nga gjumi e do të përparojë, si shoqet e saj.