Qerim Sula: zëri i lavdisë shekullore dibrane


Dibra, e vendosur në pjesën e brendshme të truallit arbëror, nëpër shekuj luajti rolin vendimtar si qendër politiko-administrative, strategjike dhe ekonomike të trevave shqiptare. Jo rastësisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në dhjetor të vitit 1912, Dibra u bë objekt debati midis përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, të cilat për fat të keq e ndanë atë më dysh. Përballjet e panumërta historike dhe përplasjet e egra me armiqtë shekullor, e mësuan popullsinë dibrane të përshtaste forma organizative-shoqërore që edhe në kushtet më të egra të pushtimit, të mbijetonte e papërkulur në lirinë e vet.

Me këtë motiv vijnë në konsideratë, veç tjerash, qindra vargjet e poetit Naim Plaku, si jehonë e qëndresës së lavdishme dibrane. Por, vargjet e poetit të papërsëritshëm, u kënduan në skenë me shumë pasion nga këngëtari Qerim Sula, zëri i të cilit bëri vend në gjithë zemrat shqiptare, që lirinë atdhetare e deshën më shumë se veten.

Qerim Sula, u lind në prill të vitit 1951 ne komunën e Zall Dardhës në Peshkopi, ku kreu shkollën fillore, për ta vazhduar të mesmen në shkollën mekanike të Peshkopisë. U aktivizua në grupet amatore të Zall Dardhës, ndërsa në vitin 1967 bën prezantimin e parë skenik në edicionin e parë të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës me këngën e mjeshtrit Hazis Ndreu “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmimin e parë.

Historia e Dibrës u këndua nëpër oda nga artistët popullorë dibranë, veçanërisht me daljen në skenë të Hazis Ndreut, por pasuesi i këtij brezi të artë artistësh, qysh herët u bë Qerim Sula me zërin e tij kumbues. Pas shumë prezantimesh para publikut shqiptar, në vitin 1978 ai publikon projektin me të cilin sot identifikohet karriera e tij artistike “Na këndojnë pushkët nëpër kulla”. Autori i tekstit, Naim Plaku dhe autori i muzikës Përparim Tomçini, ia besojnë pikërisht Qerim Sulës këtë projekt “të rrallë” muzikor, sepse ishte i vetmi që mund të jepte maksimumin gjatë prezantimit të kësaj kënge të suksesshme në gjithë epokat e artit muzikor popullor shqiptar. Realizimi i kësaj kënge është histori më vete dhe meriton më shumë hapësirë për t’u rrëfyer, por ajo për herë të parë u këndua në skenën e Festivalit të Gjirokastrës në vjeshtën e vitit 1978, ku Qerim Sula u vlerësua përsëri me çmim të parë.

Emocione të mëdha, artisti përjeton në vitin 1981 kur bashkë me ansamblin “Kukësi i ri” organizojnë turne disa ditor në Kosovë, ku gjatë prezantimeve të tij, publiku kosovar hidhej përpjetë me sy të përlotur nga mallëngjimi dhe jehona e këngëve patriotike.

Veç kësaj, Qerim Sula si fillim u aktivizua në “Estradën Profesioniste të Peshkopisë”, pastaj në shumë trupa amatore, ndërsa deri në vitin 2000 mori pjesë në të gjitha edicionet e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, ku u nderua me çmimet më të rëndësishme të festivalit.

Përveç brenda vendit, ai debutoi nëpër skenat e mërgimtarëve të Gjermanisë, Austrisë, Belgjikës, Turqisë, etj.

Në sirtarin e tij artistik radhit 10 albume artistike, kryesisht me këngë epike, siç janë: “Kënga e Hajredin Pashës”, “Kënga e Elez Isufit”, “Djemtë e Dibrës marrin hak”, “Mu në ballë shqipja e flamurit”, “Për liri e për vatan”, “Kënga e Dom Nikollë Kaçorrit”, e shumë tjera, të punuara me kompozitorët e shquar dibranë, Përparim Tomçini, Imer Seferi, Xhelil Ymeri, Edmond Zhulali, etj., duke u bërë njëri nga këngëtarët më të vlerësuar të trevave veriore.

U vlerësua me çmime e mirënjohje të ndryshme nëpër aktivitete të shumta kombëtare, por në vitin 2013 nga Presidenti i republikës Bamir Topi, u dekorua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Qerim Sula ndërroi jetë më 31 maj në Tiranë, dhe sipas amanetit, trupi i tij u preh në vendlindje, Zall Dardhë. Ndërsa zëri i tij do të këndojë në shekuj, duke mbushur zemrat shqiptare me dashurinë për atdheun.

Lulzim Basha:Qerim Sula, besnik muzikës së vërtetë të popullit

M

e hidhërim mora vesh për ndarjen nga jeta të rapsodit të njohur Qerim Sula.

Breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të Qerim Sulës, kësaj ikone të këngës dibrane të shumënjohur në të çdo trevë ku flitet e këndohet shqip.

Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer muzikore nga legjenda Hazis Ndreu, interpretimi i këngës epike nga Qerim Sula mbushte me krenari çdo shqiptar, edhe në një kohë të vështirë kur kënga epike nuk shihej me sy të mirë nga diktatura, sepse i bënte hije përpjekjes shpirtvogël për ta zëvendësuar trashëgiminë muzikore të vendit me këngët për kultin e diktatorit.

Këngët e Qerim Sulës ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfonte mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav.

Qerim Sula i këndoi jo vetëm trimërisë së dibranëve përballë okupatorëve, ai i këndoi jo vetëm namit të mirë të kësaj trimërie, por ai i ngriti himn mbijetesës së kombit tonë.

Në dy kohë, Qerim Sula dha modelin se si artisti nuk plaket, nuk del jashtë kohe, kur i mbetet besnik muzikës së vërtetë të popullit.

Ngushëllimet dhe lutjet e mija shkojnë sot tek familja Sula që humbi njeriun e saj të shtrenjtë.

Dibranët dhe mbarë shqiptaria ndahen sot nga kjo ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, por jo nga vepra artistike e Qerim Sulës që kumbon përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh.

Nuk mund ta përcjell këtë ngushëllim përveçse me një prej hymneve të Dibrës e mbarë Shqipërisë që ngren peshë shpirtin e çdo shqiptari patriot, sot e sa të jetë jeta. I lehtë i qoftë dheu!