“Më preve në besë, o Qerim Sula”


 Më preve në besë, o Qerim Sula, më preve në besë si burra… Kisha vendosur disa herë se do të shkruaja për jetën dhe veprën tënde artistike ndër vite. Kishim biseduar bashkë disa herë, kishim biseduar edhe kur vije në lokal “Bar Kinostudio”, i shoqëruar së bashku me Razien, pas një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë që kalove në zemër. Ishte jo vetëm një kënaqësi të shkruaja për ju, por edhe një përgjegjësi e madhe, por gjithmonë modestia jua më kishte stepur, ma kishte prerë hovin. E ja, tani vonë, tepër vonë, më takoi të shkruaj, por Juve nuk ju kam pranë. Ti ike shpejt nga kjo jetë krejt e rrejshme.

Lajmin e trishtë për vdekjen tënde e mora vesh herët. Falë rrjeteve sociale tashmë lajmi vjen në çdo orë e minutë tek ne. Në fillim nuk e besova, nuk mund ta besoja Qerim, se duke gdhirë 31 maji e në vazhdim nuk do të të kishim më midis nesh. 

Telefonata e mikut tënd të mirë dhe gjithë dibranëve, Latif Miha, më bëri të ngrihem, të vishem e të dal në rrugë të prisja kortezhin tënd Qerim. Do të vija në Zalldardhë, do të të përcillja për herë të fundit, do të hidhja një dorë dhé nga dheu i ngrohtë i vendlindjes, që ti e deshe kaq shumë, saqë e le amanet që banesën e fundit ta kishe pikërisht në Zalldardhë. Dhe amanetin tënd, ne miqtë e shokët e tu, e çuam në vend.

Kortezhi u nis në mëngjes nga shtëpia jote në Kinostudio. Ishte Latif Miha ai që e bëri të gjithë organizmin e ceremonisë mortore. Ai nuk kishte fjetur gjumë fare. Që në orën 1 të natës t’u gjend pranë edhe në minutat e fundit të jetës tënde. Razia ndodhej e sëmurë, shumë sëmurë, nuk mund të vinte me ne. E tillë ishte situata, e tillë ishte gjendja shëndetësore e saj, por bashkëshortja jote, bashkudhëtarja ma e mirë u ngrit nga shtrati, zbriti poshtë dhe me lot në sy u përkul mbi arkivolin tënd Qerim. “Ta kam bërë hallall shërbimin Qerim Sula, hallall njëqind herë!”. Djali Aleksandri dhe vajza Greta nuk mundën të vinin, të ishin pranë teje, të përcillnin për herë të fundit në vendlindje. Ata ndodheshin larg, shumë larg, në tokën e premtuar Amerikë dhe të gjitha rrugët ajrore ishin të bllokuara. E, megjithatë, ne miq e shokë që të deshëm vazhdimisht e çuam amanetin tënd në vend.

Makinat që shoqëronin kortezhin ishin shumë, rreshti i tyre ishte i gjatë e heshtja e madhe po i vriste të gjithë. Heshtje në të gjitha makinat, lot tek të gjithë miqtë e shokët e tu. Askush nuk po i mbante lotët. Shikoja lotët në sytë e Latifit, i cili mundohej t’i mbulonte sa mundte, por ishte diçka që nuk mundej. Eh! Sot e kuptova sa shumë të paskan dashur miq e shokë!

Nga Tirana dolëm herët, udhëtuam ngadalë, se në fakt kështu udhëtojnë makinat që shoqërojnë funeralin. Nuk ndaluam askund. Rrugës u bashkua me ne Defrim Methasani, i cili nuk mund të ndahej kaq lehte prej teje Qerim. Deshi të vinte atje, në Zalldardhë dhe më shumë lot sesa fjalë këtë radhë do të derdhte për ju. Në makinë ishte edhe Muharrem Gjoka e Lazam Gjoka.

Në Milot kishte zbritur nga Lezha Hasan Rasha, daja juaj Qerim, së bashku me Shaban Mziun, por jo vetëm. Ishin tre makina e secila mbushur plot me njerëz. Shumë u nisëm nga Tirana, por më shumë u bëmë gjatë rrugës. Në hyrje të Peshkopisë na priste Rasim Shira. Edhe ai vetë i sëmurë, por ishte ngritur nga shtrati dhe erdhi me ne.

Në qytetin e bukur të Peshkopisë arritëm shpejt. Duhej të ishin hapur dyert e Pallatit të Kulturës, por ne nuk kaluam andej dhe mirë bëmë, se po të kishim kaluar, do të vonoheshim shumë. 

Do të dilnin të gjithë miq e shokë , kolegë e artdashës që të duartrokitën vite me radhë gjithë dashuri e zjarr. Zëri yt jehoi ndër vite në atë pallat kulture. Megjithatë, qyteti kishte dalë, na prisnin rrugës, na përcillnin  në heshtje dhe me lot në sy na përcollën derisa kaluam qytetin e Peshkopisë. 

Në Kuben na prisnin kolegët e tu, ata që punove gjatë. Kishin dalë për t’u bashkuar me ne Veliu, Faiku, Agimi. Sapo kaluam urën e re në Arras dhe u futëm në Rrugën e Dritës, Rrugën e Rinisë, në atë rrugë që kishe kaluar me mijëra e mijëra herë me makinën tënde Qerim, kujtimet e asaj kohe u zgjuan. Ndaloje me makinë çdo njëqind metra e merrje njerëz në makinën tënde. Rruga ishte e keqe, makina kishte pak, lëvizjet e njerëzve ishin të shumta që zbrisnin në qytet, e nuk kishte nevojë të ngrinin lart dorën. Ti ndaloje vetë dhe i merrje të gjithë. Edhe sot e njëjta rrugë si atëherë kur udhëtoje vetë me makinë, e pashtruar e gropa-gropa, megjithëse ky është udhëtimi yt i fundit që po bën në këtë rrugë Qerim! 

Era i kishte sjellë retë e zeza, i kishte ulur aq shumë poshtë, sa edhe Drini me vështirësi dukej, megjithatë shiu ende ishte larg. Kështu ishte koha që kur u nisëm nga Tirana e ja deri këtu në vendlindjen tuaj Qerim. Dielli sot e kishte humbur ndriçimin e tij.

E doje vendlindjen. E doje Zalldardhën që të lindi e të rriti, Zalldardhën që të bëri vërtet krenar, duke u ngjitur edhe në skenat më prestigjioze të botës. Ajo të dha emër e famë, të bëri artist, por edhe ti e nderove gjithmonë.

Dhe sot më 31 maj 2020 , në qendër të Zalldardhës kishte njerëz, kishte njerëz si dikur kur gumëzhinte si zgjoj bletësh nga kuadro, mësues e nxënës. Ishin mbledhur edhe sot shumë, ishin mbledhur me u takuar për herë të fundit me ju Qerim. Kishin ardhur nga Sorica, Lashkiza, Lugjaj. Kishin ardhur vërtet shumë. Kishin ardhur të gjithë, se të gjithë të deshën, të gjithë i deshe. Kaq shumë njerëz nuk ishin mbledhur ndonjëherë në Zalldardhë pas viteve nëntëdhjetë. Ishin mbledhur të gjithë për ty, për të dhënë lamtumirën e fundit.

E lamë Zalldardhën dhe u ngjitëm në një kodër dominuese nga ku dukej e gjithë Lugina e Drinit të Zi si në pëllëmbë të dorës. Ndaluam tek kjo shtëpi e vjetër ku linde 69 vjet ma parë. Oborri ishte plot me njerëz. Kështu mbushej sa herë vije ti e uleshe shtruar. Mblidheshin të gjithë nga ana e anës. Zalldardha e merrte vesh. “Ka ardhë Qerim Sula!” – dhe ai oborr mbushej me njerëz të moshave të ndryshme. Të kishte hije Qerim muhabeti, por më shumë të kishte hije kënga, kënga jote që gjëmonte më shumë se dallgët e Drinit kur vinte rrëmbyeshëm e gjithë potere. Kishin ardhur dhe sot në oborrin e shtëpisë tënde. Kishin ardhur burra e gra nga të gjitha anët. Qielli ishte nxi nga retë, saqë ishin ulur kaq poshtë, ku edhe Drini nuk dukej mirë. Ishte gati në të plasur rrebesh shiu, por jo. Edhe pse era i kishte sjellë retë e zeza, shiu ende ishte larg. Koha ishte në favorin tonë.

Burrat qanin nën zë e në heshtje, gratë e Dardhës, Çidhnës e Reçit vajtonin. Një heshtje e madhe, një heshtje varri kishte pllakosur në atë kodër të lartë, ku vetëm zëri i Defrimit dëgjohej, edhe ai ndryshe nga herët e tjera ma shumë lot sesa fjalë. Eh, Qerim! Dhimbja për ju paska qenë e madhe, humbja edhe më e madhe, malli do të na rëndojë gjatë mbi supe. Të gjithë lindim, rritemi dhe vdesim. Me punën tonë, me sjelljet tona gjatë gjithë etapave të jetës mundohemi të bëjmë mirë, të kemi vetëm miq, por është e pamundur, se jeta është e gjatë dhe mund të kemi edhe njerëz që nuk na duan. Ti ishe ndryshe Qerim Sula, ishe ndryshe se ja tek po e shikojmë edhe sot. Gjatë gjithë jetës tuaj paske bërë vetëm miq e miq të mirë. 

Vetëm fizikisht ke vdekur, shpirtërisht do të jetosh gjithmonë në zemrat tona, se nuk do të vdesë kurrë kënga jote. Ajo këngë që u bë hit, që mbeti himni i Dibrës, që këndohet nga këngëtar të ndryshëm në të gjitha trevat shqipfolëse, por që nuk mund të këndohet kurrë si ju Qerim! 

Ajo këngë kishte lindur për ju dhe ju kishit lindur për atë këngë. Edhe tek ceremonia e varrimit, Defrimi e vuri atë këngë, si një amanet prej jush Qerim. Kënga jehoi, jehoi gjatë këndej dhe matanë Drinit. 

Askush nga të pranishmit në ato çaste nuk i mbajti dot lotët, por njerëzit e pranishëm hapnin më shumë veshët e dëgjonin në heshtje. Dikush foli: “Jo, or jo. Nuk paska vdekur Qerim Sula!”

Folën të gjithë, folën me lot në sy. Foli administratori i Zalldardhës Abaz Kaca, foli Veli Vraniçi, Agim Skarra, Faik Vojka, Rasim Shira, Lazam Gjoka, Muharrem Gjoka. Eh! Atë ditë foli, heshti dhe qau e gjithë Zalldardha. E pashë me sy, Qerim, se sa shumë miq e shokë paske pasur, sa shumë të paskan dashur të gjithë. Thonë se burri nuk qan, por unë pashë se të gjithë burrat e pranishëm në atë ceremoni mortore ishin të përlotur . 

Heshtja dhe zija e kishte pllakosur Zalldardhën tënde Qerim! Ishe lindur dhe rritur në këto vise të bukura, ku natyra vërtet ia ka falur të gjitha. Kënga u bë bashkudhëtare me ty që kur ishe i vogël. Në fillim këndoje tinëz kur dilje nga shkolla, rrugës kur shkoje në shkollë. Më vonë, pasi përfundove shkollën mekanike dhe more edhe patentën për shofer, këndoje në makinën tënde gjatë udhëtimeve të gjata. Shkove vetë pastaj pa të ftuar tek grupet amatore në shtëpinë e kulturës Zalldardhë. Aty panë se zëri yt kishte karakteristika të veçanta.

Ishte viti 1967 kur u angazhove me ansamblin “Dibra” dhe një vit më vonë, në vitin 1968 do të merrje pjesë në festivalin e parë folklorik kombëtar në Gjirokastër me këngën e “Lam Dacit”, këngë e cila u vlerësua me çmim të parë në atë festival.Pastaj festivali folklorik kombëtar i Gjirokastrës u bë si shtëpia juaj Qerim. Deri në vitin 2000. More pjesë në mjaft trupa e ansamble si dhe ke qenë pjesëtar i Estradës profesioniste të Peshkopisë.

Në vitin 1981, kur shkele për herë të parë në Kosovë me ansamblin “Kukësi i Ri”, kur u ktheve na tregove të gjitha emocionet që përjetove mes vëllezërve tanë të një gjaku, por edhe kosovarët ende këngët e tu i bënë hit dhe ato këngë sot po këndohen nga këngëtarë profesionist dhe amatorë, në koncerte e gëzime familjare.

Repertori juaj është i pasur, mjaft i pasur me këngë epike, se ti kishe lindur për këngën epike. I realizove dy albume me këngët më të bukura dibrane, të mbeti peng i treti, pasi vdekja nuk të priti edhe pak se të mori shpejt. Dhe këngët e tua janë vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por janë vlerësuar edhe me diploma e tituj nderi në aktivitete të ndryshme. 

Punove gjatë gjithë karrierës tuaj artistike me këngëtarë të njohur profesionistë si Arif Vladi, Haziz Ndreu, Liri Rasha, Vera Laçi, Sherif Dervishi, Saje Poleshi. Breza të tërë artdashësish të muzikës popullore shqiptare u rritën me këngët epike të tua, se ti ishe dhe mbete ikona e këngës dibrane aq të njohur dhe të dashur në çdo trevë ku flitet, shkruhet dhe këndohet shqip.

Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer nga legjenda e Zalldardhës Haziz Ndreu, që ti nuk e mohove kurrë, por e vlerësoje vazhdimisht, me interpretimin e këngës epike mbushe me krenari çdo shqiptar. Këngët e tua ishin këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin fort kudo, si himne që mbartnin në vetvete krenarinë dhe vetëdijen. I këndove bukur ti trimërisë së dibranit përballë okupatorëve të shumtë, por ti i ngrite himnin nëpërmjet këngës epike mbijetesës së kombit tonë.

Ti dhe modelin më të bukur se gjithmonë artisti nuk plaket kurrë, nuk del jashtë kohe kur mbetet besnik i këngës së vërtetë të popullit. Udhëtimi yt drejt këngës është një udhëtim drejt një magjie, se sa më shumë shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh i pushtuar nga magjia e artit elitar.

Me emrin tënd Qerim është e lidhur ngushtë kënga epike, e cila nga brezi në brez do të udhëtojë në kujtesën e njerëzve që e duan, shijojnë dhe impresionohen nga magjia e shpirtit tënd të bukur artistik. Dhe ti kishe lindur për këngën epike. Kënga “Këndojnë pushkët nëpër kulla” sot është bërë hit, këndohet në jug dhe veri, në Maqedoni dhe Kosovë, këndohet kudo ku flitet e shkruhet shqip, nga këngëtarë profesionistë dhe amatorë, por askush nuk mund ta këndojë si ju Qerim! Ajo këngë kishte lindur për ju. Ashtu sikurse edhe kënga e Hajredin Pashës që sot këndohet nga të gjithë, kur e dëgjojmë të kënduar nga Haziz Ndreu tingëllon ndryshe, tingëllon më bukur, shumë më bukur se ishte këngë për artistin e madh të Dibrës Haziz Ndreu. 

Edhe kënga “Këndojnë pushkët nëpër kulla” kishte lindur për ty e ka mbetur gjithmonë pronë e juaja Qerim! Që në zanafillë ju ishit një treshe që kishit lindur për njëri-tjetrin, kishit vendosur për të bërë vërtet një himn për heroizmin e dibranëve. 

Dhe ia dolët së bashku; ti, Naimi dhe Përparimi. Të tre nuk jetoni sot, por ama këngën, këtë pasuri të madhe shpirtërore na e latë. Dhe ajo këngë për të ardhur deri në skenat e festivaleve ishte e vështirë, pati një rrugëtim të gjatë. Sa net pa gjumë keni qëndruar të tre bashkë, sa orë pune, sa mund e lodhje. Për një fjalë qëndruat një natë të tre tek Ura në Pilafe derisa u gjet, thua se u gjet “Eureka”, por ama edhe ju ishit të kënaqur për këtë gjetje, se kënga mori udhë.

Zëri yt jehoi edhe në skenat më prestigjioze të botës si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë dhe kudo që ishe, artdashësit shqiptarë, diaspora të ndoqi nga pas, të fali duartrokitje të zjarrta, se këngët epike të tua ishin himne të krenarisë kombëtare. Ti ishe dhe mbete, Qerim, këngëtari me zërin uragan, që dukej sikur zbriste nga lartësitë e ujëvarave dhe alpeve shqiptare.

Ishe dhe mbete ikona e këngës epike dibrane, me një repertor mjaft të pasur. 

Me zërin tënd Qerim ke mbartur dhe përcjellë të gjitha motivet e Dibrës, qëndresën, trimërinë, heroizmin, këngë që i ke kënduar qëkur ishe fëmijë dhe që përbëjnë një fond të artë të kulturës shpirtërore të popullit dibran në fushën e këngës dhe folkut.

I dhurove publikut dibran dhe atij shqiptar, vetë historisë së muzikës shqiptare. Me zërin tënd të artë, përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj artit, dashurinë për vendin e tënd të dashur, të cilin e mbarte kudo që vajte, në të gjitha skenat dibrane, shqiptare e të botës, si një peng malli e përkushtimi, për t’i shërbyer deri në fund, me magjinë e një arti të madh e të papërsëritshëm.

Zëri yt tashmë është shuar dhe nuk do të dëgjohet më live në skenat shqiptare, pasi ti ike në një rrugë pa kthim, por kënga jote jeton e do të jetojë përgjithmonë në memorien e brezave, në kujtesën kombëtare të artit të madh elitar, i cili do të ruajë në analet e tij të përjetshëm imazhin e një këngëtari brilant, imazhin e papërsëritshëm të këngëtarit Qerim Sula, me emrin e së cilës lidhet muzika dibrane, kënga dibrane, ikona e së cilës ishe dhe mbete sa kohë që të ekzistojë kënga dhe arti i vërtetë…

Ike shpejt Qerim, ike shpejt nga kjo botë e rrejshme. Ike pa i mbushur shtatëdhjetë vite, pa e festuar shtatëdhjetë vjetorin, por siç tha edhe Defrimi, do ta festojmë shtatëdhjetë vjetorin, se ti vetëm fizikisht na mungon, shpirtërisht do të kemi pranë gjithmonë. Erdhëm me ju Qerim në Zalldardhë dhe u larguam pa ju. U lamë këtu përgjithmonë në këtë vend të bukur e me njerëz fisnikë. Ashtu siç na pritën, ashtu edhe na përcollën, kokën ulur, lotët në sy e dhimbje të madhe në shpirt e zemër. Zalldardha kishte humbur birin e saj më të mirë.