Për Qerim Sulën – Mjeshtrin e madh 


Një lajm i hidhur u përhap me shpejtësi gojë më gojë, në media mëngjesin e datës 31 maj 2020. Një bir i vyer i Dardhës, një xhevahir për shokët, një prind shembullor, një bashkëshort model, nuk është më në jetë.

Qerim Sula u rrëmbye nga një sëmundje e rëndë. Në fillim askush nuk donte ta besonte, askujt nuk i thotë zemra që një kob i zi kishte ndodhur, një tronditje shpirtërore është e fortë dhe e përbashkët. Në mallëngjimin që po më zë fytin vijmë t’i japim lamtumirën e fundit këtij artisti të rrallë, që jemi rritur së bashku me të, me Qerimin e ëmbël dhe gjithmonë i buzëqeshur dhe i padjallëzuar, besnik deri në kulm.

Qërimi ishte një simbol i personifikuar i mëshirës dhe i dhembshurisë ndaj njerëzve nevojtarë, e ndjente thellë në shpirtin e tij bujar.

Valët e jetës e kishin rrahur që në moshë të re. Në kushte të vështira të jetës arriti të formojë një personalitet të shëndoshë me mundime e përpjekje, koshient i detyrës që njeriu duhet të ketë në shoqëri, në supet e tij peshonte një përgjegjësi e madhe.

Që në shkollën fillore nisi jetën artistike me këngë deri në ditën e vdekjes, ku pranë arkivolit të tij mbi dhe u këndua kënga e lamtumirës përgjithmonë nga kjo jetë. Ah kob i zi, për fat të keq fytyrat e familjes, motrave, vëllezërve e të afërmve, shokëve dhe miqve u vrenjtën befas. Qerimi i shtrenjtë nuk rron më. Lot rrëke të pranishmëve kur u këndua kënga nuk patën të ndaluar. Plagë që shkaktoi humbja e tij ka për të qenë gjithmonë e hapur. Në horizontin e botës së artit shqiptar ai kaloi si një meteor i ndritur, duke lënë pas gjurmë pa zhdukur të veprës së tij mirëbërëse, artdashëse ndaj njerëzimit. Po të përcjellim Qerim i shtrenjtë, o shoku, miku, babai, kolegu, në banesën tënde të fundit. Oh! ç’fatkeqësi të mos shohim me kurrë hijen tënde të pashme, fytyrën tënde të përmallshme.

Po si nuk i erdhi pak keq vdekjes që të rrëmbeu nga gjiri i familjes tënde të përlotur që të kishin për mburojë, po si nuk i prite fëmijët e tu që i lë në pikëllim të thellë dhe të vajtuan larg në Amerikë. Kështu e ka jeta, na ndau për së gjalli dhe për së vdekuri me kohë e pa kohë.

Të qajmë e të vajtojmë o Qerim se na le në vetmi me shpirt të djegur, ti u ndave fizikisht, por rron në zemrat dhe shpirtin tonë. E si mund ta ngushëllojmë familjen tënde që u godit rëndë nga humbja jote në kohën që kishin nevojë shumë të madhe për ty?

Ti na ke lënë amanet repertorin tënd të këngëve: si: “Zot ti dalim këtij vatani”, “Ballë përballë Dibra me dushmanin”, “Jam shqiptar dhe nuk shitem kurrë”, “Jam Kosovë, kam le me emër”, “Më ka le nana mos me vdek”, “Na këndojnë pushkët nëpër kulla”, “Këngë për Skënderbeun” etj.

Lamtumirë përgjithmonë o Qerim i shtrenjtë, prehu i qetë në paqe se shkove nga kjo jetë me ballin hapur dhe krenar!