Sejfulla Sefa, 44 vjet në shërbim të arsimit


Njerëzit e ditur e të moshuar po i kin një e nga një nga kjo botë, ashtu si lisat e moçëm në një pyll të ri. Kështu u nda nga jeta dhe gjiri i ngrohte i familjes dhe i shoqërisë, shoku ynë i dashur i kolektivit arsimor, mësuesi gojëmbël e zemërbardhë Sejfulla Sefa. 

5 qershori i 2020-ës ishte goditja fatale për jetën e tij. I bërë para 3 muajsh operim në kokë, në spitalin e neurologjisë nr.5 të Tiranës për hemorragji cerebrale, u duk se Sefa ia hodhi të keqes shëndetësore, por ajo nuk e harroi. Goditja e dytë cerebrale i mori jetën dhe e ndau përfundimisht nga familja e shoqëria që aq shumë i deshte. Iku para kohe nga jeta ish mësuesi i dashur e i respektuar deri në admirim nga masa e nxënësve, njeriu zemërbardhë e kavalier që të falte vetëm fjalë të mira, fjalë shprese e dashuri njerëzore. Ai ishte altruist i vërtetë, që bëhej copa të ndihmonte njerëzit në nevojë. Nga këto veti të rralla që gëzonte Sefa, na u dridh zemra e na qau shpirti nga vdekja e tij e parakohshme.

Në 10 vitet e fundit ai jetoi familjarisht në Tiranë, në lagjen e ish Frigoriferit dhe ceremonia mortore u zhvillua në një lokal afër shtëpisë së tij. Varrimi u bë në varrezat e Tufinës në prani të qindra njerëzve të dashur të familjes e të shoqërisë, edhe pse pandemia e virusit i ndalon akoma njerëzit të lëvizin lirisht. 

Lamtumirë, o njeriu gojëmbël e zemërbardhë i shoqërisë, o mësuesi i palodhur i brezit të ri, një nga yjet e arsimit në zonën e Bellovës, që tërë jetën punove për arsimimin e edukimin e brezit të ri në katër fshatrat e zonës sonë!

Sefa lindi në fshatin Zagrad me 12 maj 1948, në gjirin e një familje punëtore e patriote. Edhe pse Zagradi ishte 2 orë larg nga Peshkopia, Sefa ndoqi shkollën 7 vjeçare ”Demir Gashi”, Peshkopi në fillim të viteve ‘60 , duke bërë nga 4 orë rrugë në këmbë çdo ditë. Etja për arsimim ishte më e fortë se lodhja e rrugës tek Sefa. Ai ishte vetë i pesti vëlla, por babai i tij, Latifi, vendosi që 2 djemtë e vegjël, Sefen e Nuriun, t’i shkollonte. Falë dhe përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme, ata u shkolluan dhe u diplomuan të dy arsimtarë, edukatorë të brezit të ri. Bashkë me shokët e tij moshatarë si Eqerem Lami, Nuri Sefa e ndonjë tjetër, ai nuk ju nda shkollës. Pas mbarimit të 7 vjeçares, Sefa u regjistrua në shkollën pedagogjike Peshkopi, si nxënës i jashtëm. Tre vitet e para i mbaroi në Peshkopi,kurse maturën në shkollën ”Shejnaze Juka” të Shkodrës në vitin shkollor 1967- 1968.

Fill pas mbarimit të shkollës pedagogjike Sefa filloi punën si mësues. Dy vitet e para të karrierës së tij i kreu në rrethin e Matit, si në Martanesh e Kurdari të Burrelit. Vitin e tretë Sefa e filloi në fshatin Rabdisht, në shtator të 1970, ku krahas mësimit të paradites, jepte mësim dhe në shkollën e natës, që funksiononte atëherë në fshat, bashkë me kolegët B.Lami e M.Xhembulla. Në vitet 1972- 1973 Sejfulla Sefa kreu shërbimin ushtarak ndaj atdheut në rrethin e Sarandës. Pas mbarimit të ushtrisë Sefa rifillon punën në profesionin e tij si mësues. Në 6-mujorin e parë të 1974 punon si mësues në fshatin Lajthizë të Lurës dhe pastaj 4 muaj si mësues në shkollën 8-vjeçare Kastriot. Nga janari I 1975 e deri në qershor të 1980 Sefa punon në shkollën 8-vjeçare Bellovë, duke dhënë lëndët Histori-Gjeografi. Pas këtij viti Sefa punon pareshtur si mësues dhe në fshatrat e tjerë të zonës si në Cerjan, Zagrad e Rabdisht, here në ciklin e ulët e here në ciklin e lartë, derisa doli në pension në verën e vitit 2012. Ai punoi pareshtur e me përkushtim për 44 vjet rresht për shkollimin e edukimin e brezit të ri. Ishte i komunikueshëm, luajal e i dashur me nxënësit. Për disa vjet rresht Sefa kreu dhe detyrën e zv/drejtorit të shkollës 8 –vjeçare Bellovë e Rabdisht. Motoja e punës së tij si mësues ishte: ”Mëso vetë, që të mësosh të tjerët”, “Duaji fëmijët, që të të duan”, “Po s’të deshën fëmijët, nuk të buzëqeshin”, ”Bashkëpuno me prindërit, se patjetër do të kesh rezultate të larta në mbesim”, “Bashkëpuno me kolegët për të pasur rezultate të mira e të vazhdueshme në shkollë.”

Për punë të mirë e të palodhur në procesin mësimor- edukativ dhe përdorimin e metodave të reja në mësim, Sefa dekorohet në qershor të 1989 nga Presidiumi I Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri”. Që nga viti 1983 e në vazhdim, për rreth 20 vjet rresht, Sefa ushtroi dhe detyrën e kryetarit të Komisionit të Kualifikimit për të gjithë shkollat 8 –vjeçare të Qendrës, që nga Bellova e deri në Brezhdan e Melan. Për 16 vjet rresht (në vitet 1984—2000) Sefa punoi në fshatin e tij të lindjes me dy klasa kolektive. Nga duart e tij dolën të shkolluar dhjetëra e qindra nxënës, djem e vajza të fshatrave të Bellovës, që ruajnë kujtimet më të mira për të si mësues. Ai ishte mësues i dashur e përkushtuar, metodist i mirë. Për dy legjislatura rresht ai ka qenë dhe këshilltar i komunës Melan, në vitet 1992- 2000 për subjektin PS. Ishte një koleg pune i dashur e i çiltër, bujar e human. U martua në verën e 1976 me znj.Fllanxa e nga kjo martesë ka lënë dy djem e një vajzë. Të tre fëmijët e Sefës janë fëmijë të mirë e të edukuar, që kanë krijuar tashmë familjet e tyre.

U prehsh i qetë, o shoku ynë i punës në tokën amë! Kujtimi yt do të rrojë për shumë kohë në memorien e kolegëve e të nxënësve që mësove e edukove dhe përjetë në gjirin e familjes tënde të shtrenjtë. Lamtumirë o malet e bjeshkët e Zagradit ku u linde e u rrite.

18.06.2020