Profili njerëzor dhe profesional i Luljeta Çerës


Tregohet se diku e dikur, një mbret thirri një mjek të njohur, që të shërbente pranë tij, të cilit i tha: “Mos harro se po shërben në oborrin mbretëror”! Ndërsa mjeku i njohur e human iu përgjigj: “Madhëri, përpara meje, të gjithë pacientët janë mbretër”.

Gjithmonë kur kujton këtë shprehje, më vjen ndërmend Luljeta Çera, e cila ka dhënë prova se ajo është frymëzuar e motivuar nga ky parim i madh human.

Quhet Luljeta Çera, por thirret Leta. Thirret shkurt, sepse emri i saj përmendet shpesh dhe për Letën është folur e folet gjatë.

Luljeta Çera (Skeja), ose siç e thërrasin shkurt, Leta, ka lindur në vitin 1955, në fshatin Ploshtan të Kalasë së Dodës. Në vitin 1973 përfundoi shkollën e mesme për mami-infermiere në Peshkopi dhe deri në vitin 1978 punoi në vendlindje. Në vitin 1978 martohet me mjekun veteriner Halim Çera nga fshati Tartaj i Dardhës dhe prej atëherë, për shumë vite me radhë, derisa doli në pension, punoi, kreu dhe ushtroi detyrën mami-infermiere në fshatrat Lashkizë, Qan, etj., të Dardhës. Nuk është profesioni, posti dhe detyra, që i japin vlerë njeriut, por është njeriu që u jep vlerë profesionit, postit dhe detyrës. Leta Çera, me karakterin, cilësitë, vlerat dhe virtytet e saj të spikatura, me punën e saj të palodhur, me zell, pasion dhe vullnet, me këmbëngulje dhe përkushtim maksimal, për t’u shërbyer njerëzve, ia rriti vlerat, jo vetëm vetes, por edhe profesionit dhe detyrës që kryente dhe ushtronte.

Kudo dhe kurdoherë punoi pa përtesë për të qenë në krye të punës dhe detyrës, gjithmonë pranë njerëzve, për t’u shërbyer atyre. Për Letën kishte vetëm punë dhe puna për të nuk kishte orë e orar. Nuk kishte ditë feste dhe ditë pushimi. Në çdo minutë të ditës dhe në çdo orë të natës, ishte gjithmonë e gatshme, përherë e palodhur dhe e papërtuar. Për Letën koha nuk ndahej në ditë dhe natë. Nata ishte ditë dhe dita nuk kishte limit. Ajo punonte me shpirt dhe zemër; shkonte në çdo shtëpi, trokiste në çdo derë, hynte në çdo familje dhe kudo pritej me shumë dashuri, respekt dhe mirënjohje. Modeli i saj i punës dhe përkushtimit ishin nxitës, frymëzues dhe shpresëdhënës për të gjithë njerëzit. Ajo shpërndante dhe përhapte kudo mirësi, pozivitet, kurajo dhe shpresë. Pavarësisht kushteve ekonomike dhe social-kulturore, mjedisit, rregullit familjar, mënyrës së jetesës së njerëzve, ajo nuk përbuzte, nuk paragjykonte, nuk përgojonte, përkundrazi, me thjeshtësinë dhe modestinë që e karakterizonte, ajo i ndihmonte, i këshillonte, i udhëzonte për problemet e ndryshme familjare, të jetës së tyre të përditshme, si për higjienën, gatimin, veshjen, por edhe për mënyrën e administrimit të ekonomisë dhe kohës. Me të gjithë njerëzit ajo kishte marrëdhënie të çiltërta, të sinqerta dhe shumë të afërta. Ajo ishte shumë e mirëpritur dhe e dëshiruar në çdo familje dhe për çdo njeri. Në çdo familje në fshatrat ku ka punuar, ajo ishte si pjesëtare familje. Përveç problemeve shëndetësore, me Letën qanin, diskutonin dhe konsultoheshin edhe për hallet e tjera familjare.

Leta dhe bashkëshorti i saj, Halim Çera, kishin krijuar dhe ndërtuar një familje të shëndoshë, të kulturuar dhe të emancipuar, me shumë mirëkuptim, harmoni dhe unitet. Për shkak të punës dhe detyrës, Leta udhëtonte ditën dhe natën, nga njëri fshat në tjetrin, nga familja në familje, herë e shoqëruar dhe herë e pashoqëruar, por asnjëherë nuk u paragjykua, sepse asnjëherë nuk la e nuk dha rast për t’u paragjykua, sepse ajo ishte grua e drejtë, e drejtpërdrejt, korrekte dhe serioze.

Ajo është dyfish e gjallë dhe dyfish nënë. Është dyfish e gjallë, sepse përveçse jeton e lumtur midis njerëzve të saj të dashur, ajo jeton edhe në mendimet e mira dhe kujtimeve të çmuara e të bukura të njerëzve dhe gëzon respektin dhe mirënjohjen e thellë të tyre. Është dyfish nënë, sepse përveçse ka familjen dhe fëmijët e saj, ajo është nënë e dytë, nënë e dashur për fëmijët e familjeve ku punoi, për kohën që punoi. Në festat, ditëlindjet dhe dasmat e këtyre fëmijëve, në mos gjithmonë fizikisht, ajo është e pranishme në mendimet e kujtimet e njerëzve, të dasmorëve e të pjesëmarrësve në këto feste, dasma e ditëlindje. Në përjetimet e nënave, në mendimet e grave, në buzëqeshjet e fëmijëve tashmë të rritur, është gdhend imazhi dhe portreti njerëzor e human i Luljeta Çerës.

Edhe më parë, por tani edhe më shumë e më shpesh se më parë e pyes veten se ku e gjente gjithë atë forcë, ku e merrte gjithë atë energji, ku buronte gjithë ai pasion, vullnet, përkushtim dhe këmbëngulje maksimale për të punuar aq shumë, për të qenë pranë njerëzve dhe për t’u shërbyer atyre, duke mos u lodhur e ankuar asnjëherë. Si shumë punë, si çdo punë, edhe puna që bënte dhe kryente Leta, kishte shumë vështirësi dhe pengesa. Edhe më të vështirë e bënte punën e saj, terreni shumë i thyer malor, shërbimi pa orar, ditën e natën, etj. Përveç lodhjes fizike, jo vetëm njëherë ka rrezikuar edhe jetën e saj. Njerëzit e dinë, e mbajnë mend dhe i kujtojnë sakrificat e saj, por unë po veçoj dhe evidentoj vetëm njërin nga rastet. Ishte dimër i vitit 1984. Bora kishte mbuluar vendin dhe rrugët ishin zënë. Poshtë akullit ishte krijuar një shtresë e padukshme akulli. Leta, e vetme, ndërsa po kalonte rrugës në Lerat e Shkaurranit, rrugë e vështirë, ku edhe më herët ishte aksidentuar me vdekje një nxënës shkolle, ajo rrëshqet, rrokulliset dhjetëra metra mbi akull dhe përplaset në trungun e një arre. Me shumë vështirësi mbahet për trungut të arrës, derisa vijnë njerëzit nga Lashkiza dhe e shpëtojnë. Familja organizoi darkë gëzimi për shpëtimin e saj nga vdekja. Pas tri ditësh, e vetëdijshme se mund të rrezikonte jetën përsëri, Leta kolon përsëri në atë rrugë me bore dhe akull, për të shkuar dhe për të qenë pranë njerëzve, për t’u shërbyer atyre.

Nëse heronjtë dhe heroina çmohen dhe vlerësohen njerëzit, të cilët, me ndërgjegje e vetëdije rrezikojnë edhe jetën e tyre për t’i shërbyer punës, për të përmbushur detyrën dhe misionin e ngarkuar, atëherë, edhe Luljeta Çera është grua, nënë heroinë, e cila meriton vlerësim, mirënjohje dhe respekt.

Përveçse njeri i sjellshëm, grua e kulturuar dhe nënë e dashur, Leta ishte edhe njeri dhe grua e fortë, e zonja për të kapërcyer vështirësitë dhe pengesat, për t’u përballur me sfidat e jetës, në punë dhe në familje. Ajo ka dhënë provat e një gruaje të fortë, e cila luftoi dhe nuk u dorëzua edhe në situatë të vështirë familjare dhe luftoi e vetme për të mbajtur punën e shërbyer detyrës dhe duke u kujdesur me përkushtim për fëmijët, burrin dhe njerëzit e tjerë të familjes.

Përveçse një mami-infermiere shembullore, ajo ishte edhe një aktiviste shoqërore, e angazhuar në strukturat e ndryshme shoqërore e shtetërore. Ajo, për shumë vite me radhë ka qenë anëtare e pushtetit lokal (ish këshillit të bashkuar dhe komunës) të Dardhës. Gjithashtu ka qenë kryetare e organizatës së gruas të fshatit dhe nënkryetare e kësaj organizate për zonën e Dardhës.

Ajo ishte zërit i njerëzve për të gjitha hallet dhe problemet e tyre. Ishte një aktiviste, agjitatore, mësuese dhe edukatore për emancipimin e shoqërisë, jo vetëm të grave, por edhe të burrave.

Profili njerëzor dhe profesional i Leta Çerës nuk mund të plotësohet me një shkrim. Ai plotësohet me mendimet, kujtimet, konsideratat dhe vlerësimet që njerëzit kanë dhe e ruajnë për të. Dhe këtë mirënjohje dhe respekt e thonë dhe e shprehin në mënyra të ndryshme. 

Gjithmonë, në punë dhe në jetë, kudo ku jetoi, punoi, veproi e shërbeu, Luljeta Çera ishte një njeri e grua shembullore, model për gratë.

Mirënjohja dhe respekti i njerëzve është i rëndësishëm, bile më i rëndësishëm, më i çmuar dhe më i vlefshëm se dekoratat dhe vlerësimet e tjera institucionale, sepse mirënjohja dhe respekti burojnë nga shpirti dhe zemrat e njerëzve, janë të gjalla dhe nuk thahen si bari, nuk shkrihen si bora, nuk vjetrohen si rrobat, nuk mplaken dhe nuk vdesin si njeriu. Të gjithë njerëzit i dëshirojnë, i duan dhe i lakmojnë mirënjohjen dhe respektin, por jo të gjithë i kanë, sepse ata i marrin, i kanë dhe i gëzojnë vetëm ata që i meritojnë, siç i ka, siç i ka merituar dhe fituar Luljeta Çera.