“JEHONA E URTËSISË DIBRANE” NË LIBRIN E RI TË POETIT NAMIK SELMANI


Nga Halil Rama

Pena e artë e poetit, studiuesit, eseistit e publicistit të mirënjohur Namik Selmani “shtegton” kësaj radhe në Dibrën e “Nëntë Maleve” kreshnike, duke sjellë prej andej vlera të rralla natyrore e njerëzore, ende të panjohura për lexuesin në një libër mjaft të veçantë. Një libër për mirënjohjen, në hyrje të cilit autori shpreh “Një falënderim Çamërie e mbarëkombëtare për atë krahina e Dibrës i ka dhënë kombit”.
I ndërtuar mbi një treshe magjike, ky libër sjell për lexuesin recensione, portrete njerëzore, poezi dhe ese poetike, të frymëzuara nga Dibra dhe dibranët.
“Kur hyra në shkollën dibrane, isha nxënës dhe dola prapë nxënës”, shprehet autori Selmani, i cili më tej vlerëson pa asnjë mëdyshje se dibranizmi është një portë rrezatuese të cilën, të gjithë në Shqipëri e në diasporë, duhet ta bëjnë atë pjesë të kulturës së tyre. “E dibranizmi na jep mjaft zemër e shpirt themi se ai jeton e do të jetojë tashmë edhe në urtinë e tij. Mbase nuk është e rastësishme që nga kjo krahinë kanë dalë mjaft ushtarakë e intelektualë të fushave të ndryshme të jetës…Nuk është e rastësishme që dhe boksierët më të mirë të kombit e me kurora bote (Ismail, Gjetan e Ferit Keta), të kenë lindur në këto troje. Është emocion të dëgjosh këngët elegjitë dibrane si perla të muzikës së kombit tonë, të interpretuara mjeshtërisht nga Arif Vladi, Hazis Ndreu, Liri Rasha, Qerim Sula, Vera Laçi, Sherif Dervishi e Dritan Jashari… Nuk është e rastësishme që lojërat e fëmijërisë i burrëronin më shpejt se mosha fëmijët e saj si ishte “kalaja dibrançe”. Mbase edhe manushaqet, ashtu si dardhat, kumbullat, mollët kanë atje një aromë që nuk e shijon në ndonjë vend tjetër.… Nëse diku keni dëgjuar e keni përsëritur shprehjen “Mat shtatë herë e prit një herë!” për Dibrën bashkë me këtë urtësi popullore, duhet të keni kaluar shkollën e dashurisë për shkronjën. Madje dhe mirë. Duhet të keni kaluar e të jeni përballur me një ujëvarë mentarie. Nëse nuk je i stërkaluar i tëri me atë ujëvarë, duhet me e pasë njomur me të penën tuaj, sytë tuaj!”, -shprehet ndër të tjera autori i këtij libri.

Një “dhuratë” për Dibrën e dibranët nga Bostoni

Në këto 30 vitet e fundit, po edhe më herët janë shkruar me qindra e qindra libra për Dibrën. Kjo temë dhe liria e fjalës ka nxitur mjaft shkrimtarë, historianë, poetë. Ky libër, i sapobotuar nga Botimet M&B, i shkruar për Dibrën, është krejt i veçantë.
Është shkruar nga një njeri i mirë i Çamërisë që quhet Namik Selmani. Më shumë se fjala e tij është një mirënjohje që një krahinë plot tradita e plot dhimbje si Çamëria, duket se ia bën Dibrës, por edhe vetë këtij shkrimtari.
Ai jeton prej disa vitesh në Boston e, siç e thotë dhe ai vetë, e ka shumë të dashur këtë libër për të cilin ka punuar gati 20 vite. Është një “dhuratë” që ai ia bën Dibrës në një përvjetor të veçantë siç është 70-vjetori i lindjes, ndërkohë që vetë Dibra, miqtë e tij dibranë dhe unë personalisht e uroj nga zemra për shëndet e për vepra sa më të arrira.
Para një të vërtete të prekur, unë do të thosha se libra të tillë janë të rrallë e për këtë, mirënjohja e lexuesve dibranë e më gjerë është e madhe.

Portretizimi, testi i saktë i profesionalizmit të Namik Selmanit

Pjesa e portretizimit të një gazetari natyrisht është testi i saktë i profesionalizmit të tij. Këtë ai e jep në mjaft personazhe të spikatur të njohur e të panjohur shumë për publikun e gjerë dibran e jodibran. Është gjë e bukur se optika e tyre përfshin mjaft sektorë të ndryshëm të jetës..
Kështu ai shkruan për Shuaip Methasanin, intelektualin dibran që rrezaton mirësi dhe vlera, duke vlerësuar dy librat e tij – testament për brezat ku përshkruhen më së miri vendlindja, historia e lavdishme, personazhe e personalitete që kanë bërë historinë e traditat më të mira.
Po në kapitullin “Portrete”, autori shkruan për Muharrem Gjokën, si mishërues dhe përçues të fjalës së mençur dibrane. Shkruan për këtë dibran të shquar që u “diplomua”në kantieret e ndërtimit e asfaltimit të rrugëve në gjithë vendin, ku implementoi suksesshëm dijet e marra në “Universitetin e Dibrës”, leksionet e të cilit i përvetësoi nëpër odat e kuvendet dibrane…., shkruan për vitet e jetën e Doktores së Shkencave Mjekësore Suzana Zhuka – Nuellari që si okuliste e talentuar e sheh jetën me sytë e dashurisë për profesionin e njerëzit…..,shkruan për intelektualin dhe biznesmenin e suksesshëm Latif Miha, i cili ka përvojën, moshën, fuqinë intelektuale, morale e materiale që t’i përkushtohet sipërmarrjes…. Autori “rrugëton”në gjurmët e jetës dhe veprës së Shemsi Prençit – muhurrakut që ka qenë dhe mbetet në garën e madhe dhe të ndershme me forcën dhe motivin për t’i shërbyer kombit…
Më tej ai shpreh fjalë zemre për gazetarin Defrim Methasani, që si ikonë e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv jeton dhe punon brenda mençurisë dhe humanizmit dibran. Nën titullin “Lum kush njeh vëllezërit Rusi”, autori shkruan për Demir e Baftjar Rusin, duke ua “peshuar” fjalën ndershmërisht! I gdhendur mjeshtërisht ëshë në këtë libër edhe portreti i prof.dr.Bujar Kapexhiut, Mjeshtër i Mjeshtrave – “Nderi i Kombit”. “Mirënjohje për mirënjohjen” është titulli i profilit të artistit Skender Cala , ikonë e artit dhe kulturës kombëtare.
Në këtë kapitull, autori shkruan edhe për urtakun e përjetshëm Azis Keta, për të cilin shprehet se ka të paktën rreth 30 vite që e njeh nga afër….

Një model i bukur gjuhësor i shkrimit të gjuhës amtare

Në kapitullin e tretë “Ese të zgjedhura”, si redaktor i librit do të veçoja esetë poetike me tituj: “Amaneti i këngës” (Në kujtim të këngëtarit dibran Qerim Sula – “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut); “Simfonia” për Çamërinë” (Në gjurmët e këngës së Arif Vladit – “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut); “Një shpirt lirie i derdhur në një këngë” –simfoni Duke ndjekur këngën “Kënga e Hajredin Pashës”; “Moj Fusha e Korabit, o e mjera unë-oooo” (Në vend të një mirënjohjeje publike për këngëtaret e shquara dibrane Liri Rasha dhe Vera Laçi – Meditim për këngën “Oj Fusha e Korabit”); “Ylberi nuk shuhet, edhe pse shekujt ecin me revan të pandalur” (Për këngën “Kur e përcolla ylberin”).
Libri “Jehona e urtësisë dibrane” mbyllet me kapitullin me një tufë poezi të frymëzuara nga Dibra. Me një gjuhë letrare dhe rrëfim të admirueshëm ato të emocionojnë për detajet e stilin që ai ka zgjedhur dhe që e bën origjinal.
Ky libër është një vlerë për historinë e Dibrës që mund të ushqente mjaft muze të saj atë të luftës, të arsimit, të teatrit, të ushtrisë, të shkencës, etj. Është një model i bukur gjuhësor, para të cilit mësuesët e gjuhës amtare do të shihnin modelin e mirë të shkrimit të gjuhës amtare. Dhe këto nuk janë pak që edhe vetë libri, ashtu si personazhet e tij, të vihet në Panteonin e kulturë së shkruar shqiptare të viteve të fundit.