AKADEMIA E SHKENCAVE BOTON NJË FJALOR TË RI TË GJUHËS SHQIPE


Nga HAJRI SHEHU

Ky është Fjalor i gjuhës shqipe. Ai është hartuar nga akademik prof. dr. Jani Thomai, prof. dr. Dhimitër (Miço) Samara, prof. dr. Pavli Haxhillazi, prof. dr. Hajri Shehu, prof. dr. Thanas Feka, prof. dr. Valter Memisha. Redaktor shkencor është akademik prof. dr. Jani Thomai – me një karrierë të spikatur shkencore. Vepra është shtypur në shtypshkronjën “Kristalina-KH”.
Fjalori ka 767 faqe, rreth 35 000 fjalë, rreth 3 000 njësi frazeologjike e mbi 100 000 kuptime. Ai paraprihet nga një hyrje (12 f.), ku shpërfaqen përmbajtja dhe ndërtimi i Fjalorit, kriteret e hartimit, teknologjia dhe teknikat leksikografike etj. Në dy faqe të tjera janë shkurtimet dhe shenjat shtypshkrimore që përdoren në Fjalor. Në parantezë: Edhe dallimet më të imëta shtypshkrimore janë me vlerë në fjalorë.
Në fund të Fjalorit janë dy shtojca, që zënë 22 f. Njëra është: Vendi (gjeografik – H. Sh.) / Emri i banorit sipas vendit / Mbiemri. Shtojca tjetër: Pasqyra gramatikore. Në pak faqe, është sistematizuar e tërë gramatika morfologjike e shqipes, çka do të thotë që në çdo çast mund të këshillohemi me to, kur mund të mos na kujtohet diçka, ose kur duam ta vërtetësojmë diçka.
Në hyrjen “Për përdoruesit e Fjalorit” thuhet: “Ky fjalor është hartuar kryesisht për nxënësit e shkollave të mesme dhe të klasave të larta të shkollës 9-vjeçare, duke synuar të pasqyrojë ligjërimin e sotëm të të rinjve, por me rrezatim edhe më të gjerë. … Fjalori synon, në radhë të parë, të jetë i përshtatshëm për moshën e shkallën e dijeve të nxënësve të këtyre shkollave, si me lëndën që përmban, ashtu edhe me mënyrën e trajtimit të saj leksikografik”.
Fizionomia e këtij Fjalori mund të shihet, më së pari, te hyrja “Për përdoruesit e Fjalorit”. Edhe te fjalësi i tij (fjalësi është tërësia e fjalëve që përfshihen në Fjalor, që renditen alfabetikisht e shpjegohen) e përditësimi i tij, në krahasim me fjalorë pararendës dhe sidomos, te shpjegimet e mënyrat e shpjegimit. Aty spikatin edhe vlerat e tij. Ne do të përmendim disa nga këto vlera.
Sot, gjuha shqipe ka bazë të gjerë sociale. Brenda kësaj baze sociale, gjuha e shkollës është një ndër themelet e saja sepse i tërë brezi është në shkollë. Shkollimi i detyrueshëm 9-vjeçar, shkollimi i mesëm dhe shkollimi i lartë luajnë rol themelor në përdorimin dhe përhapjen e standardit edhe me gjuhën e teksteve, edhe me gjuhën e mësimit e të klasës. Atëherë, gjuha standarde është lloji i kërkuar për nxënësin. Fjalori është për gjuhën e nxënësit dhe të shkollës. Prandaj shkolla e forcimi i shkollës kanë vlerën e tyre të veçantë edhe në punë të gjuhës kombëtare e të standardit kombëtar. Standardi është gjuha e shkollimit të përgjithshëm, e botimeve, e mjeteve të informimit masiv etj. Si i tillë, ai ka prestigjin e duhur.
Gjuha standarde është kulturë që edukohet e mësohet. Nxënësit e shkollave tona vijnë, sigurisht me gjuhën shqipe. Në gjithnjë e më shumë hapësira, edhe me gjuhën standarde e kulturën e saj. Sidoqoftë, ka vend për t’i rrënjosur normat e gjuhës standarde në shkollë. Prandaj, besojmë se ka vend për të përmirësuar programet (kurrikulat) e gjuhës shqipe në shkollë, b.f., për objektivat që kanë të bëjnë me pasurimin e gjuhës së nxënësve, çka do të thotë se mund të shihet raporti mes njohurive për zotërimin e gramatikës dhe njohurive për zotërimin e leksikut e të stilistikës (leksiku është tërësia e fjalëve të një gjuhe; stilistika është degë e gjuhës a e teorisë së letërsisë që studion mjetet dhe veçoritë shprehëse të gjuhës); kësisoj, të ketë më shumë njohuri e ushtrime që kanë të bëjnë me normën letrare, duke i lidhur me kundërnormën (p.sh., të folmet bisedore-krahinore, fjalët e huaja të panevojshme etj.); njohuritë për fjalëformimin të jenë të tilla, që nxënësi të kuptojë si lind një fjalë e re e prejardhur e si lind një përmbajtje e re kuptimore – thënë me një fjalë, të jepet (sipas klasës e moshës) sistemi konceptor minimal i shkencës së gjuhësisë. Mësuesi mund ta përdorë këtë Fjalor për ushtrime me kërkesa të tilla (sigurisht, sipas moshës e klasës) për të njohur më shumë fjalë të caktuara, por edhe shprehje të caktuara. Ja një shembull: Me pjesët e trupit të njeriut ka shumë shprehje (me gjuhën e fjalorëve: njësi frazeologjike). Dhe një ushtrim mund të ishte njohja e shprehjeve të tilla, për ta bërë gjuhën e nxënësit më të zhdërvjellët. Le ta zëmë se duam shprehjet me fjalën ballë. U themi nxënësve se balli është simbol i dinjitetit. Hapni fjalorin dhe gjeni shprehje me fjalën ballë! Dhe nxënësi do të vinte me shprehjet: ballë për ballë; me ballin lart; me ballë të larë; i bëj ballë etj. Fjalori ka, siç u përmend më parë, rreth 3 000 njësi frazeologjike. Fjalët e urta (p.sh., Fjala e burrit, pesha e gurit) janë një tjetër pasuri e gjuhës. Dhe e këtij Fjalori. Në Fjalor ato vihen te thëniet, që ilustrojnë përdorimin e fjalës, me shënimin fj.u. Fjala e urtë është mendim i shprehur me pak fjalë, por që përmban një të vërtetë të madhe jetësore. Dhe ne nuk kërkojmë t’i vërtetësojmë e t’i vleftësojmë ato, sepse të vërtetën e vleftësimin e kanë fituar, por gjejmë vetëm kontekstin ligjërimor për t’i përdorur. Dhe gjykojmë me to veten dhe të tjerët, veprimet tona dhe veprimet e të tjerëve. Fjalët e urta janë shprehje e drejtpërdrejtë e psikologjisë së një populli, e mënyrës si mendon një popull. Prandaj motivimi i tyre konceptor, domethënë, ndërtimi i tyre i brendshëm është i ndryshëm në gjuhë të ndryshme. Dhe Fjalori na jep një lëndë të pasur për të gjurmuar e krahasuar fjalë të urta shqiptare me fjalë të urta të popujve të tjerë. Në shkollat tona mësohet mirë anglishtja. Po japim vetëm një shembull krahasimtar: Anglezët thonë: An apple a day keeps the doctor away (në kuptim të drejtpërdrejtë: Po hëngre çdo ditë nga një mollë, s’ke nevojë të shkosh te mjeku.). Barasvlerësi ynë do të ishte: Që në gusht nga një grusht. Fjalët e urta e bëjnë shumë të zhdërvjellët ligjërimin tonë. Le të mësojmë nga ky Fjalor edhe shumë fjalë të urta!
Nxënësi do të mësojë edhe më shumë nga Fjalori. Do të përmendim më tej disa nga këto mësime që mund të marrë nxënësi nga ky Fjalor. Ndërkohë, duam të mos e mbajmë për vete një shqetësim tonin në punë fjalorësh. (Urojmë të mos jetë kështu.). Kemi përshtypjen që nxënësit tanë e përdorin pak fjalorin. Mbase, edhe nuk dinë si përdoret fjalori. E, nëse është kështu, nxënësit tanë kanë nevojë të mësojnë edhe si përdoret një Fjalor i gjuhës shqipe. Kjo detyrë i përket, sigurisht mësuesit të gjuhës e të letërsisë. Nuk ka pse të merret si ulje kjo. Punën me fjalorin mund të mos e njohin edhe studentë e intelektualë. Ndryshe, nuk mund të bëhen kaq shumë gabime në ligjërimin e sotëm të shkruar e të folur. Ndiqni televizionet tona dhe do të shikoni që bëhen gabime që mund t’i qortojë edhe një i pashkollë, por me intuitë gjuhësore. Dhe ky i pashkolli do të thoshte: tre përdoret për gjininë mashkullore, prandaj nuk mund të thuhet tre vajza; kush përdoret për njerëzit, prandaj nuk mund të thuhet kush janë objektivat tanë; jonë përdoret për gjininë femërore, prandaj nuk mund të thuhet qyteti jonë; ky i pashkolli e përdor në fjali emrin e huaj – le të themi Tramp, siç përdor emrin shqiptar Agim dhe thotë veprimi i Trampit e jo si në televizionet tona veprimi i Tramp, sepse shqipja ka rasa.
Dija gjuhësore e individit, aftësia e tij për të dalluar çfarë është e pranueshme, çfarë është e rregullt, çfarë është normë (drejtshkrimore, gramatikore etj.) është në njëfarë mënyre më e paktë se dija kolektive që kodifikohet në libra të gjuhës (gramatika, fjalorë etj.). E thënë pak më thjeshtë: Përveç gramatikave e fjalorëve të mendjeve të folësve të shqipes, duhen edhe gramatikat e shkruara, fjalorët e shkruar etj. sepse i sistematizojnë dijet tona. Një shembull i thjeshtë: A thua e dimë krejt mirë se si e kur përdoren parashtesa mohuese ç- e dy variantet e saja –sh- e –zh-? Pa asnjë gabim e shmangie na e thotë gramatika e shkruar dhe ky Fjalori, për të cilin po flasim: Parashtesa ç- vihet kur fjala nis me zanore ose me një bashkëtingëllore të zëshme (l, ll etj.); prandaj nuk mund të thuhet çkapja e shtetit. A thua nuk gabojmë ndonjëherë te përdorimi i shkronjës ë te dyjësia (çifti) mbiemër-ndajfolje, tipi i lartë, lart? Po, kur përdoret që e kur përdoret i cili (e cila) me përemrat a e dimë fort mirë? Po tek trajtat gramatikore të foljeve a nuk na duhet të mendojmë për të mos gabuar? Edhe këto na i thotë Fjalori fill sa paraqit fjalën.
Siç dihet, në gjuhë ka më pak fjalë se nocione. Në gjuhë ka më pak fjalë se kuptime (fjalësh). Sikur të gjitha nocionet e përpunuara nga një popull të kishin nga një fjalë, numri i fjalëve do të ishte kaq i madh, sa njohja e tyre do të ishte e pamundur, çka do ta bënte të vështirë komunikimin midis njerëzve. Mrekullia e gjuhëve është shumëkuptimësia, pra, aftësia e fjalës për të shërbyer për disa a për shumë nocione. Këtë mrekulli e ka edhe shqipja. Por a mund të mëtojë (pretendojë) dikush se i njeh e i di të gjitha kuptimet e të gjitha fjalëve? Sigurisht, jo. Kjo njohje dhe kjo dije vjen në fjalorë. Fjalorët i sistematizojnë kuptimet e fjalëve. Fjalorët sistematizojnë edhe mënyrën si mësohen kuptimet e fjalëve që nga fëmijëria. Një shembull për këtë: Po të shpjegonim, p.sh., fjalën deve, krahasimin do ta bënim me kalë, sepse kalin e njohim; devenë nuk e njohim. E kundërta – të shpjegohet kali, duke e krahasuar me devenë – kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë. Edhe ky Fjalor i sistematizon mjaft mirë kuptimet e fjalëve sipas hierarkisë së tyre.
Në gjuhë ka kuptime të drejtpërdrejta, konkrete; ka edhe kuptime të prejardhura, të figurshme. Dhe ç’bën Fjalori? Kuptimet e figurshme i parashenjon me shënimin fig. Ky parashenjim shërben si paralajmërim për përdorimin e fjalës në kuptimin e dhënë. Ky parashënjim e ky shënim (fig.) është modelizim për të gjitha kuptimet e këtij lloji në këtë Fjalor.
Të gjithë e dimë, gjithashtu që ka në gjuhë fjalë me kuptime të ngjashme a të afërta, të cilat në gjuhësi quhen sinonime. Por ato asnjëherë nuk janë sinonime të plota. Përveç dysorëve (dubleteve / tipi gjuhësi-linguistikë), nuk ka sinonime të plota. Fjalët e ngjashme a të afërta për nga kuptimi kanë në vetvete ngjyrime (nuanca) të holla kuptimore ose përdorimore, të cilat sjellin ngjyrime të holla mendimore e prandaj janë një pasuri e veçantë e gjuhës. Dhe ato përbëjnë “portretin” e fjalëve. Dhe përdallimi i tyre bëhet vetëm në kontekst. Këtë dallim – kurrsesi arbitrar – e bën fjalori. Kemi aq shumë shembuj edhe te ky Fjalori i gjuhës shqipe.
Përse fjala është aq e rëndësishme? Të gjithë e dimë: Është mjet komunikimi midis njerëzve. Po përse, brenda këtij gjykimi, është edhe më e rëndësishme fjala normative, fjala e gjuhës standarde? Ajo është edhe më e rëndësishme, sepse gjërat e rëndësishme – letërsia artistike, mësimore, ekonomike, politike, publicistike, teknike, teknologjike, ushtarake, fetare etj. – përcillen nëpërmjet gjuhës standarde. Dhe në parantezë: Dëshira për t’u bërë pjesëmarrës në këtë përcjellje na bën të mbajmë qëndrim besnik ndaj saj. Standardi është njëri nga variantet e gjuhës së përgjithshme. Është varianti i përbashkët dhe më i pëlqyeri. Nëse dikush ka problemet e veta me gjuhën standarde, mund ta mësojë, sepse është kulturë që edukohet e mësohet. Në këtë përpjekje, Fjalori i gjuhës shqipe është ndihmëtari ynë i parë.
Çfarë tjetër mund të mësojë nxënësi nga ky Fjalor: Më së pari, atë që mund të quhet gabim gjuhësor. Nëse një gabim gjuhësor është i izoluar (po themi, përdorimi i gabuar rasor i përemrave vetorë, tipi neve themi) s’prish punë. Po u përhap, është shmangie gjuhësore. Nëse kjo shmangie përsëritet e përsëritet (p.sh., lekë të reja / duhet lekë të rinj sepse lek,-u është i gjinisë mashkullore), mundet që dikush ta marrë për normë sepse shpesh, norma kuptohet subjektivisht. Ky është problemi herë-herë edhe me gjuhën e folur në radio, televizione, gazeta. Këtu vjen edhe përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme. Këto na i tregon e na i mëson Fjalori. Ai nuk e pasqyron kundërnormën. Ai na tregon, p.sh., që kur emri ose përemri në rasën dhanore është në shumës, trajta e shkurtër para foljes është u e jo i: përsa u përket temperaturave të ajrit e jo siç na thuhet çdo natë te Parashikimi i motit: përsa i përket temperaturave të ajrit. Fjalori pasqyron ato fjalë të huaja a me prejardhje të huaj që zënë ndonjë qelizë të zbrazët në sistemin dhe strukturën e shqipes; por nuk i pasqyron ato fjalë të huaja që janë barbarizma. Kësisoj, p.sh., atraksion, benefit, frustroj, intimidoj, rekreativ (hapësira rekreative), suport, validitet (validiteti i kreditit) etj. nuk do t’i gjeni në Fjalor. Nëse, për arsye informimi duhen pasqyruar disa fjalë të tjera të huaja, ato jepen me referim te fjala shqipe. Referimi është përdorim normativ.
Fjalori e ka për detyrë të pasqyrojë standardin – atë që realisht përdoret në gjuhë, rrjedhën e natyrshme të gjërave, normat e gjalla të gjuhës. Fjalori i gjuhës shqipe, që e kemi a do ta kemi në duar, është normativ, standard. Kjo thuhet që në faqet e para të hyrjes. Dhe standardi na vjen në Fjalor me pesë informacionet: drejtshkrimi i fjalës (struktura fonematike), fjalëformimi (struktura morfematike), gramatika (trajtat gramatikore themelore), kuptimi a kuptimet, thëniet ilustruese përdorimore. Në hyrjen “Për përdoruesit e Fjalorit” jepen shumë shembuj për këto informacione dhe për zgjedhjet dhe zgjidhjet në Fjalor.
Duam të ndalemi pak më gjatë te thëniet ilustruese – te shembujt për përdorimin e fjalës, te bashkëlidhjet e fjalëve, te fjala bashkë me fjalën. Përse duhen thëniet për përdorimin e fjalës në fjalor? Për shumë arsye. Arsyeja më e parë: Jashtë konteksteve fjala ka vetëm kuptim potencial (të mundshëm). Bashkëlidhja me një fjalë tjetër e aktualizon kuptimin e saj. Më thuaj me çfarë rri, të të them se çfarë je – ky do të ishte gjykimi pak më popullor. Shembull? Vetëm kur fjalën tavolinë e bashkëlidhim me shtroj, pra, vetëm kur themi shtroj tavolinën, marrim vesh se kemi thënë vë pjatat, lugët, pirunët, thikat etj. për të ngrënë. Nga përvoja jonë si përdorues fjalorësh, tjetri do më shumë ç’kuptim ka thënia shtroj tavolinën se fjalën tavolinë. Arsyeja e dytë: Fjala, e bashkëlidhur me fjalën, pakëson edhe pasigurinë tonë kuptimore. Një arsye e tretë: Vlera stilistikore-ligjërimore e një fjale zbulohet vetëm në një minikontekst. Krahaso: U vra në luftë ai farë trimi dhe Mos u mërzit se nuk u turpërove me atë farë burri. Ndoshta, prandaj psikiatri thotë që gabimet logjike zbulohen te gabimet në bashkëlidhjen e fjalëve. Sigurisht, ka edhe arsye të tjera. Prandaj, është parim i përgjithshëm (leksikografik) që për çdo fjalë të jepen bashkëlidhjet e saja me fjalë të tjera. Në Fjalor i gjuhës shqipe jepet jo vetëm informacioni i duhur për përdorimin e fjalës e të shprehjes, por edhe modeli, në mënyrë që përdoruesi të mund të ndërtojë edhe vetë bashkëlidhje sipas gjedhes së caktuar, sepse njeriu e përdor gjuhën në mënyrë krijuese. Kërkesë e veçantë në punën hartuese për fjalorët është që shembulli për përdorimin e fjalës të gjendet e jo të krijohet nga hartuesi, çka do të thotë se kështu ai është autentik, i gjallë, tipik, i duhur (tipi ekzemë e lëngët / e thatë). Të tillë janë shembujt përdorimorë edhe në këtë Fjalor dhe përdoruesi mund ta shohë krejt qartë si punon gjuha shqipe standarde. Më shumë po të kishte pasur, më mirë do të kishte qenë.
Mënyra si flet a si shkruan dikush, tregon çfarë është a çfarë dëshiron të jetë. Mendimi i njerëzve, – thotë një i mençur, – formohet nga mënyra si flasin. Atëherë, nëse flet gjuhën standarde, tregon se e vlerëson fort atë. Nëse shkruan pa gabime, do të thotë se të dhimbset gjuha amtare. Në Fjalor na vjen kjo kulturë – kultura e të folurit. Ai na thotë përse duhet të flasim e të shkruajmë mirë dhe si mund të flasim e të shkruajmë mirë. Dhe na sjell për këtë modelet drejtshkrimore, gramatikore, leksikore dhe stilistikore.
Ka edhe një kulturë gjuhe. Ajo është njohja e gjuhës dhe e zhvillimit të saj. Dhe koncepti themelor i kulturës së gjuhës është norma dhe njohja e normës. Edhe kjo kulturë na vjen në Fjalor sepse, siç u tha, ai jep modelet normative të gjuhës shqipe standarde dhe përdoruesi mund t’i ngulitë në mendjen e tij.
Nga leximet tona, kemi mësuar që në Amerikë, i vetmi standard gjuhësor që njihet, është ai i fjalorëve dhe fjalorët janë autoriteti se si duhet përdorur gjuha. Siç e ka fjalori – ky është vlerësimi. Ky vlerësim është shumë i rëndësishëm, sepse kontribuohet për gjuhën kombëtare dhe për kohezionin ligjërimor kombëtar. Besojmë që edhe ky Fjalor është autoriteti se si duhet njohur dhe përdorur shqipja nga nxënësit e nga shkolla.