Stema e Gropajve në Maqellarë të Dibrës së Epërme


Nga Adem BUNGURI

Stema e gurtë është gjetur në Maqellarë, në vendin e quajtur „Ara e Kazanit„ gjatë punimeve bujqësore në vitin 19701. Është gdhendur në gur gëlqeror të mermerizuar me ngjyrë të bardhë të mbyllur, i njejtë me mermeret e gurores së Banishtit, midis Maqellarës dhe qytetit të Dibrës. Stema ka trajtë rrethore, paksa të shtypur, me diametrat 63.5cm dhe 62cm dhe trashësi të prerjes 8cm. Faqja e pasme e saj, është punuar për t’u murrosur në llaç, ndërsa faqja ballore është trajtuar për t’u parë. Në pjesën qëndrore të stemës është modeluar në reliev një shqiponjë dykrenore me lartësi 21cm dhe gjërësi 19.5cm. Vetë shqiponja rrethohet nga 4 shirita të modeluar plastik, me lartësi 4.3cm dhe gjërësi 5.3cm, që duket se simbolizojnë 4 gjarpërinj të stilizuar. Stema e gurtë qarkohet nga një bordurë plastike me gjërësi 3.5-4cm dhe lartësi 0.4- 0.5cm (fig. 1).
Mendojmë se kjo stemë e gurtë i përket familjes feudale të Gropajve, e cila, sipas burimeve historike të viteve 70‘ të shek. XIII pas Kr., zotëronte territore mjaft të gjëra në viset e Dibrës së Epërme, përfshirë edhe fushën e gjërë pjellore të Maqellarës. Përfaqësuesi i saj, Pal Gropa, ndër më të shquarit e bujarëve abëresh, mbante titullin e lartë “sevast”, dhënë nga perandori i Bizantit. Gjithashtu, nga një diplomë e mbretit të Napolit, Karli I Anzhu, e datës 18.05.1273, mësojmë se sevasti arbëresh Pal Gropa, zotëronte fshatrat „Radicis maioris, Radicis minoris, Coboshetes, Zaudigorica, Sirclani, Craye dhe Zessiza, të vendosur në luginën e lumit të Ebu-s“(“casalia Radicis majoris et Radicis minoris, nec Cobocheste, Zuadigorica, Sirclani et Craye, Zessiza sitam in valle de Ebu”) 2. Emërtimet e shumicës së këtyre fshatrave, ruhen të pandryshuara nga viti 1273, kur u nënshkrua ky akt,deri në ditët tona ose lehtë të identifikueshme. Të tilla janë: Radicis maioris (Radikë e Madhe), Radicis minoris (Radikë e Vogël), Coboshetes (Klloboçishta), Zaudigorica (Gjorica) Sirclan (Zirklani i defterit osman të vitit 1467)3 dhe Craye (Krajka) (Krajkovishta e defterit osman të vitit 1467)4. Edhe lumi i Ebu-së, duhet identifikuar me lumin e Bulqizës, në luginën e të cilit shtrihen fshatrat Sirclan (Zerqan), Craye (Krajkë) dhe Zessiza5. Për toponimin “Zessiza”, janë propozuar dy lokalizime të mundshme: fshati Sebisht6 në Gollobordën Perëndimore dhe fshati Zepisht7 në rrethinën jugore të qytetit të Dibrës, në të dy rastet shumë larg luginës së lumit të Ebu-së. Meqenëse fshatrat “Sirclani, Craye dhe Zessiza”, ishin të vendosur në luginën e lumit të Ebu-së,d.m.th të Bulqizës, atëherë fshati “Zessiza”, fqinjë i dy të parëve, duhet kërkuar pikërisht në këtë luginë. Mendojmë se mundësitë më të mëdha për këtë lokalizim, i ofron fshati i sotëm Fushë-Bulqizë (hass, fshati “derbend” “Bulqizë” i defterit osman të vitit 1467)8, në krahun e majtë të lumit të Ebu-së. Edhe pse në pamje të parë, emrat “Zessiza” dhe “Bulqiza” nuk përputhen, mendojmë se është e mundur që emri “Bulqiza” të përfaqësoj një toponim kompozitë të formuar me lëndë vendi, nga bashkimi i rrënjës “Bu” të lumit “Ebu”-së me pjesën e dytë “ssiza” të emrit “Zessiza “ sipas skemës: Bu+ssiza = Bussiza = Bu(l)ssiza = Bulqiza, çka do të shpjegonte edhe etimiologjinë e emrit Bulqizë.
Ndërkaq, përderisa shumica e fshatrave të përmendra në diplomën anzhuine shtriheshin në zonën përreth qytetit të Dibrës së Madhe (Radicis maioris»(Radika e Madhe) dhe «Radicis minoris»(Radika e Vogël)9 dhe Maqellarës (Coboshetes (Klloboçishta), Zaudigorica (Gjorica), besojmë se thelbin e zotërimeve të sevastit Pal Gropa, e përbënte vetë Maqellara, vendgjetja e kësaj steme dhe fushat e saj pjellore10. Në këtë diplomë Karli I Anzhu e siguronte sevastin Pal Gropaj, zot i viseve të Dibrës, se zotërimet e këtij të fundit do të njiheshin prej anzhuinëve „mjaft që ato të mos jenë pjesë as të mbretërisë së Arbërisë dhe as të mbretërisë së Serbisë“11. Familja feudale e Gropajve i zgjeron zotërimet në drejtim të jugut dhe në vitin 1371 ajo merr në dorë Ohrin12, të cilin për afro një shekull (1371-1467) e kthen në kryeqendër të principatës së tij feudale. Kronikani i njohur Gjon Muzaka i quan Gropjat “zotër të Ohrit dhe të Dibrës” (“signor d’Ocrida overo Dibra”)13.
Fuqizimi i kësaj principate arbëreshe lidhet me emrin e zhupanit të madh, Andrea Gropa, zot i trevës së Dibrës, i cili arriti të presë edhe monedha të tij në Ohër 14, të rifortifikojë kalanë e këtij qyteti, dhe të shpallet zotërues i Ohrit. Ky status i tij dëshmohet edhe nga një mbishkrim i vitit 1378 (“μέγασ ζουπανοσ Ανδριασ ό Γρώπα”) në kishën e Shën Klementit të këtij qyteti15. Sipas burimeve historike kjo familje feudale i ruajti zotërimet e saj në Dibër të Epërme për rreth 200 vjet (1273-1467). Familja feudale e Gropajve kishte lidhje miqësore me familjen e fuqishme të Muzakajve, me të cilët kishte krijuar një koalicion antiserb dhe antibizantin për bashkimin e principatave feudale dhe shkëputjen e tyre nga Bizanti. Ky koalicion ishte përforcuar edhe nga martesa e zhupanit të madh Andrea Gropa me vajzën e bujarit të fuqishëm shqiptar Andrea Muzaka, sundues i Beratit16. Sipas studiuesëve, Gropajt kanë qenë pjesëmarrës me ushtri edhe në betejën e Kosovës të vitit 1389, krahas feudalëve tlë tjerë arbëresh, si Muzakajt17, Balshajt18 etj. Familja fisnike e Gropajve kishte lidhje të forta me principatën e Kastriotëve, që në fillimet e saj, i ka patur zotërimet në Dibër të Poshtme. Përfaqësues i fundit i shquar i kësaj familje ishte Zaharia Gropa, pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut, me të cilin kishte lidhje gjaku. Sipas Barletit ky ishte njëri nga kapedanët e shquar dibranë të ushtrisë së Skënderbeut, që lufton vetëm në viset e Dibrës. Ai u dallua sidomos në luftimet për rimarrjen e kalasë së Sfetigradit (1448)19, në mposhtjen në duel të komandantit turk Ahemaxe20, që i parapriu fitores së betejës së Oranikut të Dibrës kundër ushtrisë turke të komanduar nga Moisi Golemi (1456)21, në betejën e dytë të Vajkalit (Bulqizë) (1465)22 kundër Ballaban Pashës etj. Pas vdekjes së Skënderbeut, Zaharia Gropa, shpërngulet në Itali, ku pasardhës të derës së Gropajve takohen gjatë shek. XV në Siçili dhe më vonë në të gjithë Italinë e Jugut.
Nga sa dimë, kjo stemë e gdhendur në gur, përfaqëson modelin më të hershëm të shqiponjës dykrenore të zbuluar deri tani në Shqipëri23. Mbështesim mendimin e shprehur më parë nga H. Sadikaj, se stema e Gropajve është huazuar në stemën e mëvonshme të Kastriotëve24. Një e dhënë interesante në mbështetje të këtij mendimi është informacioni që sjell nga studiuesi austriak Th. Ippen, sipas të cilit, njera nga tre emblemat e mermerit, që Hecquard kishte parë në pallatin e kështjellës së Lezhës,“kishte një shqiponjë, që mbante në kthetra një gjarpër, dhe që duhet t’i përkiste familjes Kastrioti“25. Megjithëse nuk jepen hollësi të tjera, pasi vetë Ippen nuk e ka parë atë, nga sa thuhet, duket se emblema e Lezhës, është e ngjashme me atë të Maqellarës, gjë që i jep më shumë besueshmëri mendimit të mësipërm.
Gjetja e stemës së Gropajve në Maqellarë të Dibrës së Epërme, do të thotë se pikërisht këtu duhet të kenë qenë edhe sarajet e kësaj familjeje të fuqishme feudale dhe se epiqendra e zotërimeve të saj, shtrihej pikërisht në këtë rajon, dmth në zonën nga Maqellara në veri deri në qytetin e Dibrës së Madhe në jug. Ajo është njëherësh edhe dëshmi e luftës së Gropajve të Dibrës për shkëputje nga varësia e mbretësisë anzhuine dhe perandorisë bizantine, të cilat për interesat e tyre, nuk nguronin që të nënshkruanin marrëveshje edhe me palë të treta, në dëm të interesave të kësaj principate feudale26.

Referenca
1 Sadikaj 1996, 3; Bunguri 2014, 302-303, tab. V, 1-2.
2 Buda et al 1962, 96; Xhufi 1995, 101-104, shën. 1.
3 Defteri 1467 (1969), 88.
4 Defteri 1467 (1969),47.
5 Në përforcim të këtyre identifikimeve, vjen toponimi „ Fusha e Gropës„ në krahun e djathtë të lumit të Bulqizës, mids fshatrave Sopot dhe Strikçan, që ndoshta mund të lidhet me ndonjë nga pronat e kësaj familje feudale.
6 Ippen 1932, 29. Mbi identifikimin e vendeve: Sirclane-Zerqan, Craye-Krajkë, Zezzisa-Sebisht, Radicis-Radika. Krhs. Th. Ippen, Contribution a l’histoire de l’Albanie du XII au XV siecle, në “Albania”, nr. 4, 1932, 29. Krhs. Thalloczy et al 1913, nr.300 (cituar nga Xhufi 1995, 105, shën. 1).
7 Xhufi 1995, 101; Xhufi 2009, 121.
8 Fshat “derbend” ishte fshat i përjashtuar nga taksat me urdhër të Sulltanit, në mbrojtje të rrugës që kalonte nëpër territorin e tij. Krhs. Defteri 1467 (1969), 5.
9 Është vënë në dukje se emri i lumit të Radikës, afluent i Drinit të Zi, në krahun lindor të qytetit të Dibrës, «në mesjetë, duhet të ketë përfaqësuar një lokalitet me atë emër» (Krhs. Xhufi 1995, 101). Megjithatë, nuk duhet përjashtuar mundësia që emërtimet «Radicis maioris»(Radika e Madhe) dhe «Radicis minoris»(Radika e Vogël), në fundin e shek. XIII, të përfaqësonin grupimet e fshatrave në përbërje të Rekës së Poshtme (Radicis maioris») dhe Rekës së Epërme («Radicis minoris»), që shtrihen përgjatë luginës së Radikës.
10 Ka edhe të dhëna toponimike për shtrirjen e zotërimeve të kësaj familjeje në pellgun e Dibrës. Kështu në fshatin Burim (Allajbegi) të Maqellarës, në lagjen e Beglerëve, ruhet toponimi „Gropas“, ndoshta i lidhur me zotërimet e familjes Gropaj, në kohën e sevastit Pal Gropa.
11 Buda et al 1962, Acta et Diplomatica, I, 300, 96. Sipas studiuesëve të tjerë, këto zotërime do t‘i njiheshin sevastit Pal Gropa „ me kusht që ato të mos jenë në përbërje…të mbretërisë së Serbisë „ ( „dummodo non sint pertinente regni Servie“. Krhs: Xhufi, 2006, 252, shën. 5.
12 Hysa 2008, 249.
13 Muzaka 1510 (1996), 29.
14 Xhufi 1995, 103; Xhufi 2006, 43.
15 Xhufi 1995, 103.
16 Muzaka 1510 (1996), 29; Xhufi 1995, 103.
17 Xhufi 1995, 103-104.
18 Brahaj 1997, 66.
19 Barleti (1537) 1964, VI, 236-239.
20 Barleti (1537) 1964, VII, 343-344.
21 Barleti (1537) 1964, VII, 345-348.
22 Barleti (1537) 1964, XII, 460-461; Shuteriqi 1989, 95, shën.46.
23 Shqiponja dykrenore, është simbol shumë i lashtë kultik, i ndeshur për të parën herë tek qytetërimi shumer në Persi që në mijëvjeçarin IV para Kr. dhe tek ai hitit në Azinë e Vogël gjatë mijëvjeçarit II para Kr. Rreth shek. VI para Kr. ajo është dëshmuar tek ilirët japodë, në një urnë guri të nekropolit tumular të Ribicit (Kroaci), ku në mburojën e njerit prej dy luftëtarëve ilir, paraqitet e skalitur shqiponja dykrenore, tek ata dokleatë, në një pllakë kultike të shek. VI para Kr. të zbuluar në nekropolin e Gostilit (Mal i Zi) (Basler 1969, 29, pl. VI) etj. Në mesjetë, përkatësisht në kohën e dinastisë së Paleologëve (1258-1370) ajo përhapet gjërësisht në perandorinë bizantine dhe prej andej edhe në principatat feudale të Italisë, përshirë edhe mbretërinë anzhuine. Modeli i shqiponjës dykrenore, i materializuar në stemën e gurtë të Gropajve, mund të jetë huazuar drejtpërdrejt nga Bizanti apo edhe nga anzhuinët. Përveç shqiponjës, në këtë stemë të hershme feudale, është skalitur edhe gjarpëri, një element kultik i rëndësishëm për ilirët dhe shqiptarët. Në mitologjinë ilire gjarpëri lidhej me kultin e pjellorisë dhe konsiderohej si hy ktonik dhe mbrojtës i madh mitologjik (Stipčeviċ 2002, 267, 320), si totem i ilirëve i lidhur me kultin e vatrës (Tirtja 1993, 211). I njëjtë konceptim ruhet tek shqiptarët, që e konsiderojnë atë si kult ktonik të mbrojtjes së banesës, kult i ruajtur në tradicionin popullor deri në ditët tona.
24 Sadikaj 1996, 3.
25 Ippen (1908), 2002, 211.
26 Është fjala këtu për marëveshjen e vitit 1299, kur perandori Andronik II Paleolog (1282-1328), i lëshonte mbretit serb një pjesë të viseve të Dibrës dhe për traktatin e vitit 1308, midis anzhuinëve dhe mbretit serb Urosh II (1282–1321), që përfitonte sipas tij viset e Dibrës, Prilepit e Kërçovës deri në veri të Ohrit. Krhs. Xhufi 1995, 103.