Bota fëmijënore në poezinë e Selim Çerpes


Nga Ilmi DERVISHI

Shpeshherë, kur shkruan për një libër të një autori me të cilin ke miqësi, është e vështirë të bësh një vlerësim për krijimtarinë e tij, pa u ndikuar prej miqësisë. Por me librin “Cicërimat në agime”- poezi për fëmijë të poetit Selim Çerpja, e kam të lehtë. Sepse, së pari e kam njohur krijimtarinë e tij në pikturë, në poezi e interpretim, por e kam njohur autorin edhe si djali i Sali Çerpes, një valltar virtuoz i ansamblit të Dardhës në Dibër, si nip i Qazim Selimit, – themeluesi, organizatori dhe interpretues i grupit folklorik të Zall Dardhës, që me punën e përkushtimin e tij, e çoi këtë ansambël deri në Moskë, në Festivalin e Rinisë Botërore. Ansambli i Zall Dardhës ka vite që jehona e këngës dhe e valles i ka kapërcyer kufijtë shtetërorë, nga Europa në SHBA. Por, e kam njohur autori edhe kur lexoja poezitë e tij në gazetën “Zëri i Rinisë” në vitet 1975-1980.
Pas botimit të vëllimit poetik “Gonxhe në muzg”, Selim Çerpja vjen me librin më poezi për fëmijë “Cicërima në agime”. Ky vëllim me vjersha, mund të themi se është një arritje nga ana e nivelit artistik, krahas emrave të njohur në letërsinë për fëmijë të brezit të poetit Selim Çerpja. Ky është nga ata libra që çdo prind duhet marrë për bibliotekën e fëmijëve.
Bota fëmijënore vjen në këto poezi në një kohë ku realiteti në ditët e sotme, interneti, ka ndryshuar shumë gjëra. Ai e ndërton poezinë mbi një fabul, më gjetje artistikisht bukur, më një mesazh të qartë artistik dhe edukuese siç janë poezitë “Bota e fëmijëve”, “Kur çelin lulet”, “Ne dhe fëmijët” etj., të shkruara bukur, të kuptueshme e të dashura për fëmijët.
Në letërsinë për fëmijë, botërore apo shqipe, ka poezi e fabula më kafshët shtëpiake apo të pyllit, e këto lexohen shumë, por dhe në libër do të gjejmë poezi si “Dhia më keca”, “Delja laramane”, “Zogu” etj., shkruar me një këndvështrim origjinal e me një vërtetësi e sinqeritet fëmijënor.
Keq si bëra askujt
Qengjin tim që kapi,
Aman mos më thuaj
Që e mori kasapi.
(Delja laramane, f. 24)

Edukimi i fëmijëve, mirësjellja, i gjen në disa poezi, që me detaje të thjeshta, por që kanë kuptim, si poezia “Jo refugjat”, “Celular” etj.
Në poezinë “Gabimi”, autori na jep portretin e një vajze, e lidhur shumë me babain, që mbjell një lule, e rrit e pret një ditë feste që t’ia dhurojë atij. Vjen ai moment dhe, kur po i dhuron lulen babait, sytë i shkuan të buzëqeshja e mamit.
“Gabimin e kuptova,
Se bëj përsëri,
Kur lulen e mbolla
Të kisha mbjellë dy…”
(Gabimi im, f. 37)

Poezia vjen e freskët, lexohet rrjedhshëm, vargjet kanë muzikalitet dhe janë shkruar me dashurinë e poetit prind për fëmijët, për nipërit e mbesat, për të gjithë fëmijët.
Suksese dhe më libra tjerë Selim Çerpja!