Me Ulvi Shehun, dibranin që më bëri mik të librit


Nga Petro Mejdi*

Duke kërkuar bibliotekën e qytetit
Nuk gjeta makinë për në Zall-Dardhë dhe atë pasdite e kalova në Peshkopi. Duke ecur në bulevardin “Gjok Doçi” (në Lurë kisha njohur të vëllain, Mustafën), në të dy anët kundërmonin blirët e çelur. Do të shkoja deri tej në Dobrovë, po të mos më kishte tërhequr vëmendjen një tabelë me të zeza mbi të cilën shkruhej “Biblioteka”.
“Më dole përpara vetë”, iu drejtova tabelës, a thua se po i flisja një të njohuri, i cili më kishte dalë papritur përpara. Nga sa më kujtohet, duhet të isha paralel me komitetin e Partisë, aty ku fillonte një rrugë e përpjetë, (në atë rrugicë kisha parë shpesh që të ngjiteshin jevgj grupe-grupe, ndoshta aty, pak më lart, ishte lagja i tyre. ) U ktheva nga e majta dhe që aty dukej ndërtesa (ndoshta dykatëshe). Isha aq pranë saj, e gjeta menjëherë. Kjo është e bukura e qyteteve të vogla.

Në bibliotekë: Ulvi Shehu dhe. . .
Duke hyrë atë ditë atje nuk mund ta fantazoja se kjo vajtje atje bëri që të njihem me një njeri me të cilin u bëmë shumë miq. Ishte shtatmesatar, pak i zeshkët, fliste ngadalë dhe kishte një zë të ëmbël, qetësues, që ndihmonte për ta ndjekur në çdo gjë që thoshte. Gjithë pamja e tij të bindtte se ai ishte një njeri i mirë dhe me kulturë. Ndoshta kjo veçori kishte lidhje me mënyrën meditative të syve dhe gjithë pamjes së tij.
Biblioteka kishte një zyrë të drejtorit, një sallë leximi dhe salla e fondit të librave. Ajo mund të kishte dhe kthina të tjera, por unë ose aq pashë ose aq ruan kujtesa ime.
Ai e kuptoi, nga mënyra se si shikoja interierin e bibliotekës, se isha për herë të parë që hyja aty, më thirri dhe duke e shoqëruar ftesën dhe me dorë për të hyrë në zyrë.
Drejtori, pasi më pyeti se nga cili fshat minoritar isha, e kuptoi nga akcenti i shqipes time dhe shmangu atë pyetjen e parë:- Nga të kemi? – Kemi disa miq lexues nga ato anë.
Kur i thashë se jam mësues i letërsisë në Zall-Dardhë ai u çel në fytyrë. – Ti e ke bibliotekën? Pohova me kokë. – Ke ardhur si me porosi, tha ai. Besoj se e di nismën e Ministrisë së Arsimit për trajtimin shkencor të librit dhe në bibliotekat shkollore? Dhe u ngrit, shkoi në një raft përballë tavolinës, dhe me radhë mbushi dorën me letra, binte në sy një si libër.
Më bëri një seminar të shkurtër se ç’ishte trajtimi shkencor i librit, pasi ai hynte në inventarin e bibliotekës shkollore. Diçka kuptova dhe ai më qetësoi:
– Lexo me kujdes udhëzuesin, krijo një grup të vogël nxënësish për të të ndihmuar. Me fondet e librave të bibliotekave bëhen abuzime. Krijo një inventar të qëndrueshëm. I futi materialet në një çantë dhe duke ma dhënë atë më tha: – Do të vij në Dardhë, të shoh punën që do të bësh. Dolëm së bashku nga zyra e vogël dhe më shoqëroi në fondin e bibliotekës.
Mësova se ishte me origjinë nga Dibra e Madhe, Shehri, siç dëgjoja që ta thoshnin shpesh të vjetrit. Ata, të Dibrës kishin emrin e mirë për mençuri, kulturë dhe si tregtarë të dëgjuar. Shumë e thoshin me krenari dhe me zë të ulët, se ishin me origjinë nga ai qytet shqiptar i dëgjuar në historinë kombëtare, përtej kufirit. E kam parë atë qytet,i shtrirë në fushë, nga Ostreni dhe nga kloni, në udhën automobilistike buzë Drinit të Zi.
Iu drejtua një burri që diçka shkruante në tavolinën e sallës së leximit. – Shoqëroje në sallë dhe në fond, t’u hedhë një sy librave dhe periodikut. Kemi libra dhe revista në gjuhë të huaj, tha pas pak drejtori. – Edhe në greqisht? – i them. – Kemi nga disa gjuhë ballkanike, u përgjigj ai dhe më vështroi në sy. Ndoshta për të parë nëse u gëzova. Dhe vërtet ndjeva gëzim.