Rrugë e mbetur rrugëve


Reportazh: Në Rrugën e Arbrit, ditën që duhej të ishte përfunduar

Një tunel i Murrizit me një heshtje të frikshme, një asfalt me vijë të verdhë në mes, që po del, shembje e shtrembërime trasesh, shpate të zhveshura e përçudnuara. Ku është nusja me emrin historik “Rruga e Arbrit”, që nis nga sheshi Skënderbej në qendër të Tiranës? Ku është kjo nuse në imagjinatën tonë: e hijshme, panoramike, e veshur me guida turistike, jetëdhënëse? Ku është kjo nuse aq e propaganduar si një lule në një shall mëndafshi?

Nga Kamber Faruku

E nisa këtë shkrim për Rrugën e Arbrit me një titull të marrë nga një shprehje e Edi Ramës për rrugët e nisura copa-copa dhe të pabitisura e ta papaguara, që gjeti kur mori pushtetin me 2013-ten, nëntë vjet më parë.
Para tre vjetësh e më tepër, bashkë me një grup dibranësh, u nisëm dhe bëmë një vizitë në kantierin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Bëra dhe një reportazh optimist për punën atje.
Te hyrja e tunelit të Murrizit, në atë ditë me shi, në një shesh gjithë llucë, mbaj mend, që na priti një inxhinier i moshuar nga Mirdita, i skuqur nga rakia, që, me sa duket, kishte pirë nga i ftohti që po mbante. Na tha me një ton spartani se rruga do të përfundonte para afatit.
-Ta dimë për nder ta përfundosh në kohë dhe nuk e duam para afatit, – i tha dikush nga ne, duke mërmëritur nëpër dhëmbë.
Dhe, ja ku jemi sot. Në fund të prillit të vitit 2022. Pas shtyrje pas shtyrjesh, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pat thënë se “Rruga e Arbrit do të përfundoje në fund të prillit 2022”.
Pat thënë.
Por, çfarë thotë sot?
Vërtet, çfarë thotë kur Rruga e Arbrit ka mbetur rrugëve, siç thoshte qëmoti Kryeministri.
Por, kush e pyeti se çfarë thotë?
E pyeti ndonjë deputet i Dibrës aty në Kuvend, siç thuhet, interpelancë?
Askush.
Unë, miqtë e mi, një optimist dhe besues i pandreqshëm, pata vendosur ta vizitoj në ditën e dasmës Rrugën e Arbrit. Në fund të prillit 2022. U pata premtuar edhe disa miqve të mi t’i çoja në Dibër nga rruga e re, një ëndërr e jona.
Dhe e bëra vizitën sot, me 24 prill 2022. I vetëm. Kalova “Kafen e Rremës” dhe shkollën e qenve të policisë dhe, aty ku ndahet rruga për varrezat e Shishtufinës, ndoqa drejt një tabele të vockël, ku shkruhej “Rruga e Arbrit”. Sapo u futa në Shkallën e Tujanit, me del përpara një asfalt i përgjysmuar disakilometërsh, si një rrobë e grisur. Për fatin tim, ana ime e djathtë ishte disi e shtruar, kurse në krahun tjetër kërcente makina gurëve e shfrynte si kali kur fut turinjtë në pluhur. Ishte një rrugë e nisur para njëmbëdhjetë vjetësh dhe e lënë për muze.
Pasi kalova kilometra të tjerë, me vijën e verdhë në mes, fillova ngjitjen e një rruge alpinistike të shpartalluar, por, që mban emrin kirurgjik Bajpas. Po qe se bajpaset në spital do të ishin si kjo rrugë dhie, gjithë gropa, e shtruar me zhavorr bituminoz, pra, në lartësinë e këtij bajpasi rrugor, asnjë pacient nuk do të dilte i gjallë nga operacioni.
Por, na takon ta rropasin kryet dhe… të ecim më tej. Gjithmonë me vijën e verdhë në mes. Në Klos dal te e famshmja rrugë e vjetër, e ndërtuar në vitin 1943 nga italianët. Sapo ngjit maloren, të del një si kaçak, siç u dilnin dikur udhëtarëve dibranë kur ecnin natën e ditën rrugës më këmbë për Tiranë e kthim.
Është një shembje rruge e pakalueshme, krejt gropa dhe makina mendohet tre herë të kalojë apo të kthehet mbrapsht. Deri në Qafë Buall ecet kështu. Poshtë, në fshatin Plan i Bardhë, fle gjumë një trase e rrugës e hapur prej dymbëdhjetë vjetësh. Disa makina kalojnë atje si në Rellin e Dakar-it në shkretëtirën e Saharasë, me re pluhuri prapa.
Pastaj rruga e vjetër. Me një fjale, copë e grime.
Një tunel i Murrizit me një heshtje të frikshme, një asfalt me vijë të verdhë në mes, që po del, shembje e shtrembërime trasesh, shpate të zhveshura e përçudnuara. Ku është nusja me emrin historik “Rruga e Arbrit”, që nis nga sheshi Skënderbej në qendër të Tiranës? Ku është kjo nuse në imagjinatën tonë: e hijshme, panoramike, e veshur me guida turistike, jetëdhënëse? Ku është kjo nuse aq e propaganduar si një lule në një shall mëndafshi?
Kompania që drejton Rrok Gjoka nuk po e mbaron Rrugën e Arbrit. Ndoshta do e përfundojë kompania e Noc Rrokut!