Urim Truka, njeriu që kurrë nuk i tha “Jo” punës


Urim Truka nga Pjeça punoi më shumë se 15 vjet në emigracion, në Itali. Punë të ndryshme, vende të ndryshme. Punoi në sera, ndërtim, duhan, frutikulturë, apo blegtori. Lëvizi nga jugu në veri, nga Kaserta në Bolzano. Urimi ishte gjithmonë i vëmendshëm në zanatin që ushtronte. Ai shihte mënyrën se si realizohej një proces i caktuar, kushtet, kriteret, sa shpenzohej dhe sa fitohej në një profesion të veçantë. Por duket, se serat me luleshtrydhe e magjepsën dhe e kuptoi se kurrë nuk do të ndahej më nga ky lloj biznesi.
“Njëra prej tyre, – tregon Urimi, – kishte 200 metër katror. Bimët mbilleshin në distancë 25 cm larg njëra tjetrës dhe e gjithë sera kishte afërsisht 1300 bimë gjithsej. Prodhimi mblidhej në dhjetë duar, me një rendiment të përgjithshëm prej 6 kuintalë luleshtrydhe”.
Nganjëherë, kur pushonte pak pas punës së lodhshme, vinte gishtin në tëmtha e mendonte: po sikur të kishte një serë të tijën? Po sikur të kishte më shumë, tre dynymë me sera, pesë dynymë, shtatë?… Por shpejt e kuptonte që kishte shkuar shumë larg me ëndërrimet e tij, se kjo gjë ishte gati e pamundur dhe ai nuk ishte vetëm një emigrantë që kishte ardhur në vendin fqinj, për të mbajtur familjen…. Pushimi i shkurtër kishte mbaruar dhe ai ngrihej për të rifilluar punën.
Qëndrimi për gjatë kohë në emigracion i solli jo pak para në xhepa. Mendoi njëherë të ngrejë një vilë të madhe e t’u krenohej bashkëfshatarëve të tij, por shpejt hoqi dorë nga kjo ide. Në vend të kësaj bleu tokë dhe jo pak, por 50 dynymë, pasi të tijën shumë pak kishte pasur. Ishte toka më e mirë e fshatit dhe quhej Paraspur, gati e gjitha një bllok. Dhe atëherë kur i kishte paguar lekët dhe kishte marrë në dorë letrat e pronësisë, nuk i besohej se ishte e tija, gjithë ajo pronë. Ishte viti 2003. Nuk priti më gjatë dhe filloi të mbjellë në tokën që kishte blerë. Jo, nuk kishte qenë ëndërr, ajo që kishte parë në Itali. Plot pesë dynymë me luleshtrydhe kishte mbjellë tani në Pjeçë, në fshatin e tij të lindjes. Arriti të marrë deri në 80 kuintalë prodhim prej tyre. Gati çdo ditë nxirrte 5 – 6 kuintalë, që e kishte të shitur në Tiranë me një vlerë 200 lekë kilogramin. Kjo punë vazhdoi për gati 10 vjet, deri në shkuljen e tyre, për ti rimbjellë sërish këtë vit.
Një vit pas luleshtrydheve, në vitin 2005, mbolli 12 dynymë mollë, në distanca katër me tre, varietete si Stark, Gran Smith, Gold, Hajdaret. Vitin e kaluar prodhoi rreth 270 kuintalë të një cilësie shumë të mirë dhe i shiti me 60 lekë kilogramin. Shpreson që këtë shifër ta çojë më lart, pasi pemët janë në rritje akoma dhe ushqimi i tyre është i jashtëzakonshëm. Nuk mund të linte qershinë jashtë vëmendjes, këtë frut të këndshëm, me vlera të shumta kurative. Dhe pse gomoza i ka dëmtuar një pjesë të rrënjëve, Urimi nuk është mësuar të humbasë beteja. Mbolli 200 rrënjë të egra, i shartoi me llojet që dëshironte dhe tani i ka në vitin e dytë.
Urimi ka mbjellë katër hektarë pemëtore deri tani. Ai mendoi se ftoi mund ti sillte të ardhura jo të pakta ekonomisë së tij dhe ka shtatë dynymë të mbjellë me këtë kulturë. Dhe pse një bllok e ka me pemë të reja, arriti të marrë mbi 60 kuintalë. Një kokërr prej tyre mund të ishte nga një, deri në 1,2 kilogram. Pothuajse, që të gjithë sasinë e tregtoi me një çmim mesatar prej 100 lekësh. Në këto përpjekje për të ecur përpara, krahas gomozës te qershia, ka dhe armiq të tjerë, që duan ta pengojnë e ta çojnë në kahun e kundërt. Zjarri bakterial po i sulmon ftoin, por Urimi sërish përpiqet ta sfidojë atë. Preparatet e bakrit, si pasta, gur kali, champions e të tjerë të kësaj natyre, duken që janë efektivë. Krahas këtyre, kohët e fundit aplikohen streptomicina e tetraciklina dhe Urimi nuk nguron ti ketë këto preparate në luftën kundër zjarrit bakterial.
Nuk kishte se si kultura e arrës, të ishte jashtë vëmendjes së tij. Kjo kulturë shfrytëzon dhe toka, ku të tjera kultura nuk mbijetojnë, bile duke e mbrojtur tokën nga gërryerjet dhe erozioni. Ai ka mbjellë deri tani mbi katër dynymë, por arra e shartuar po i tërheq më së shumti vëmendjen. Futja e shpejtë në prodhim, kokrrat e mëdha e të buta, për pasojë tregu më i garantuar, i japin prioritet këtij lloji, krahasuar me atë tradicional. Shumë shpejt mendon që nga llogaritë në letër, të zbresë në fushë, për të mbjellur këtë vit një hektar, një pemë kjo që aq shumë i shkon Dibrës, dhe aq shumë po kërkohet nëpër tregje.
Nuk di nëse ka një kulturë që Urimi të mos e ketë pasur e të mos e ketë në fermën e tij. Këtë vit ka mbjellë 6,5 dynymë patate me farë speciale hollandeze, për të marrë në total rreth 400 kuintalë. 1,5 dynymë i ka mbjellë me qepujkë, pesë dynymë me misër, po kaq me grurë, dy dynymë me qepë dhe dy dynymë me lakra. Të gjitha këto e bëjnë shumë interesante e të larmishme fermën e Urim Tukës, të këtij njeriu, që kurrë nuk i tha jo punës.
Në këto përpjekje të jashtëzakonshme për të thyer rekorde, kur shumë njerëz nuk mbjellin një dynym të vetëm e ai menaxhon mbi pesë hektarë, gjithë familja e tij, gruaja dhe dy djemtë, punojnë si një ekip kompakt. Në faza të ndryshme të prodhimit, vjelje, rrallim frutash, apo procese të tjera, Urimi punëson tre, pesë, apo tetë veta njëherësh.
Sa borxh u kemi këtyre njerëzve, këtyre njerëzve që jo vetëm nuk rrinë varur tek zyrat e punës, që jo vetëm nuk qahen nga plogështia e shtetit, por hapin fronte pune dhe për të tjerë, duke i bërë shoqërisë një shërbim të madh. Përveç familjes, ai ka dhe një aleat të fuqishëm, zetorin e tij të stërmadh, me superspont, Londin atlas, me 80 kuaj fuqi. Me të punon tokat e tij, me të punon dhe tek të tjerët, me të sjell rërë e zhavorr sipas kërkesave të klientëve, me të sjell plehun e shpendëve nga pularia e Dibrës, me të cilin plehëron pemët dhe perimet. Normalisht që dhe frutat, ballat e barit dhe çdo punë tjetër e bën me të. Mjafton të themi se treqind ton pleh shpendësh, janë sjellë me të njëjtin mjet. Kështu pra zetori trupmadh , fjalëpak e punëshumë, i shërben Urimit dhe familjes së tij, në këmbim të naftës dhe fare pak shërbimeve të tjera.
Diku në mes të rrugës së Trepçës dhe asaj të Pjeçës, gjate vjeshtës , sheh një dyqan të improvizuar frutash e perimesh. Shitësi, është djali i Urimit, që tregton prodhimet e fermës së tij. Në vend të tij, do të donim të ishte një pikë grumbullimi, që të mblidhte prodhimet e tij, por dhe të fermerëve të tjerë, për ti dërguar më pas në tregun vendas, por dhe jashtë, në vende të rajonit. Derisa të realizohet kjo dëshirë e të gjithëve, familja e tij do të vazhdojë të shesë frutat, aty anës rrugës, me shpresën që një ditë gjërat do të ndryshojnë për mirë.
Udhëtarët të kënaqur me cilësinë e këtyre produkteve, kërkojnë të blejnë sërish, duke i dërguar ato në Bulqizë, Tiranë, Durrës, apo diku tjetër. Nuk na mbetet tjetër, veçse ti bëjmë Urimit një urim, të ketë shëndet e jetë të gjatë, për ta pasur modelin e njeriut të mirë e punëtor, që mban familjen dhe ndihmon komunitetin.