Jonida, Logopedja pioniere e Dibrës


Jonida Trupja

Nga Samet Zagradi

Jonida Trupja është një ndër logopedistet e para të Dibrës. Ajo është nga Staraveci. Arsimin e mesëm e ka kryer në shkollën e mesme “Said Najdeni” në Peshkopi, ndërsa  studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ,  në programet e studimit Bachelor dhe Master Shkencor  në degën Logopedi. Gjatë viteve të studimit ka qenë e angazhuar me punë vullnetare pranë organizatës “Përtej Barrierave”, po në Tiranë. Fillimet e karrierës i ka në qytetin e Peshkopisë, menjëherë pas përfundimit të studimeve, ku  filloi të ushtrojë profesionin si logopediste. U bë pjesë e stafit akademik të Universitetit  “Aleksandër Moisiu” – filiali Peshkopi. Aktualisht  vazhdon të ushtrojë profesionin e saj, por paralelisht  punon edhe si pedagoge me kohë të pjesshme pranë Universitetit të Mjekësisë, në fakultetin ku u diplomua.

 

– Si është të qënit pedagoge dhe cila është marrëdhënia juaj me studentët?

– Shumë shpejt u bëra pjesë e auditoreve, por tashmë për një tjetër qëllim.  Të dy eksperiencat  për mua janë një fillim i mirë dhe më kanë dhuruar ndjesi shumë pozitive. Në rastin e parë kanë qenë emocione të papërshkrueshme për vetë faktin që një eksperiencë me përgjegjësi të madhe mu dha mundësi ta jetoj në vendlindjen time, ku në fakt ka marrë fill çdo eksperience e imja deri më sot. Ndërsa fakulteti  ku u diplomova dhe sot jam pjesë e stafit, mbart kujtime në çdo auditor ku mora dijet e para profesionale. Në këtë fakultet kam  pasur fatin që të kontribuojnë në formimin tim pedagogë të mrekullueshëm që për mua janë modele për tu ndjekur. Është privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe  të jem në mesin e profesorëve dhe doktorëve të afirmuar në fushën e mjekësisë.

Studentët kam pëlqyer ti trajtoj si kolegë dhe jam përpjekur të jem sa më e drejtë me ta, qoftë në mësimdhënie, vlerësim dhe në mirëpritjen e mendimeve të tyre, për ta bërë marrëdhënien tonë sa më produktive. Një pjesë e tyre sot janë pjesë e rrethit tim shoqëror edhe pse ka përfunduar  raporti ynë pedagogë-student.

 

– Ju jeni Logopediste dhe njëkohësisht po e ushtron këtë profesion. Sa nevojë ka Dibra për logopedistë?

– Logopedia është program studimi relativisht i ri në Shqipëri, prandaj  shërbimi lodopedik mungon në shumë qytete, gjithashtu edhe në Dibër. Logopedia merret me problemet dhe defektet e të folurës, dhe nevoja për këtë shërbim është e madhe pasi në mungesë të profesionistëve që mund ti mbulojnë të gjithë rastet, qytetarë të Dibrës i drejtohen  qyteteve të mëdha si Tirana ku dhe dyndja e profesionistëve është më e madhe. Megjithatë,  përgatitja e vazhdueshme e brezave të rinj jep shpresë për një mbulim më të gjerë institucional të këtij profesioni. Logopedia së fundmi ka marrë një hov të madh zhvillimi dhe vetë komuniteti po ndërgjegjësohet për rëndësinë e ndërhyrjes logopedike,  në mënyrë të tillë që rehabilitimi i çrregullimeve të gjuhës dhe komunikimit si pasojë e shkaqeve të ndryshme të bëhet sa më herët të jetë e mundur.

 

– Sa e vështirë është të jesh e suksesshme në Dibër?

– Të rritur nën ndikimin e një mentaliteti si në të gjithë qytetet e vogla, çdo lloj fillimi mund të jetë i vështirë për një femër. Por ne mund t’ja dalim edhe kur përballemi me faktorë të tillë jo favorit . Vitet janë dëshmi e shumë vajzave të suksesshme në Dibër. Për mua suksesi  në karrierë i një femre, besoj  varet  nga mbështetja që ajo merr nga familja dhe miqtë. Edhe pse është ende shumë herët për të folur për një karrierë të suksesshme, unë sot jam pasqyrë e motivimit, mbështetjes dhe besimit të familjes time në çdo hap që kam hedhur, besoj si çdo prind për fëmijën e tij, qoftë vajzë apo djalë. Diferenca që po shuhen dita-ditës edhe në qytetin tonë.

 

– Në qoftëse se do të ishte në dorën tuaj, cilat do ishin gjërat e para që do doje të ndryshoje në komunitetin tonë ?

– Nëse do të ishte në dorën time, do krijoja më shumë hapësira për të rinjtë dibranë, të cilët janë një potencial i fuqishëm zhvillimi. Projekte dhe mundësi punësimi ku të shfaqeshin  idetë dhe aftësitë e tyre, të vlerësohej iniciativa dhe dëshira për të kontribuar në zhvillimin e qytetit të tyre. Besoj se ndryshimi fillon nga secili prej nesh.

 

– Sa vend zënë librat, muzika dhe filmat në jetën tuaj. Cilët janë të preferuarit?

– Unë udhëtoj shumë për shkak të punës kështu muzika është pjesë e pandashme e ditës time. Pëlqej zhanre të ndryshme të muzikës dhe dëgjoj këngëtarët më të zë të momentit. Ndërsa literatura artistike tashmë i ka lënë hapësirë literaturës që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën time, dhe që më shërben për formimin e mëtejshëm profesional. Kohën e lirë më pëlqen ta kaloj mes miqve dhe të afërmve për tu shkëputur pak dhe nga teknologjia.

 

– Thuaj dy fjalë për rinin dibrane.

– Të rinjtë dibran sot i gjen pjesë të rrjeteve të ekselencës në universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Shumë prej tyre japin kontribut në sektorin publik e privat në tregun e punës. Unë besoj se duke e dashur fortë atë që bëjmë, qoftë profesion apo zanat, ne mund të arrijmë sukses për veten, Dibrën dhe dibranët. Edhe pse në dukje mundësit që të ofron qyteti i Peshkopisë janë të pakta, forca jonë e mendimit duhet të jetë baza e ndryshimit.

 

– Si ndiheni të intervistoheni si një shembull për rinin dibrane dhe jo vetëm?

– Duke ju falënderuar për konsideratën, ndjehem e privilegjuar të jem pjesë e kësaj rubrike dhe të shihem si shembull për të rinjtë. Ju përgëzoj dhe ju si gazetë për një dritare të tillë promovimi dhe motivimi për të rinjtë dibranë. Suksese në punën tuaj!