Lugina e Drinit, një mrekulli natyrore e Botës


Nga Dr. Selman Mëziu

Nuk janë fjalë të pa vlera që përbëjnë një fjali të pakuptueshme. Por as fantazi trupash qiellor të largët me dymijë vjet dritë ku hamendësohet: ka jetë – nuk ka, ka hidrogjen apo oksigjen si elemente kimike të fillesës së gjallimit. Është një realitet që ka ekzistuar në mijëra shekuj, por, vlerësimi i asaj që lëviz, transformohet, zhduket, apo zbukurohet nga njeriu apo vetë faktorët klimatik ka mbetur pezull në memorien e kohës. Ndërsa në rastin tonë e kanë përzgjedhur ekspertët natyralist, të zgjedhur nga e gjithë bota, të cilën këtë luginë e kanë klasifikuar një ndër mrekullitë e botës.

 

Mrekullitë natyrale të botës

Nuk kam mundësi t’iu jap të shkruara me hollësi  të gjitha ato mrekulli të natyrës, qofte pyje, parqe natyrale, përrenj, lumenj, masive shkëmbinjsh, oaze, shkretëtira, male, lugina, rrafshnalta e masive malesh të cilat sigurisht janë me mijëra. Do të përpiqem të jap vetëm emrin e shteteve. Dhe ja fillojmë sipas rendit alfabetik të kontinenteve. Fillojmë me Afrikën, dhe ja, radhiten, Namibia, Algjeria, Angola, Kameruni e Kongon e më tej  me ishullin Mauricio  në Kenia e Madakaskar, nga Xhibuti  në Ruanada dhe akoma më tej nga Tunizia në Uganadae Zaire. Ndërsa Kontinenti Amerikan  fillon me Argjentinën, Kilin e Guetemalën, vazhdon me Meksikën, Kosta Rikën, Perun e SHBA. E zbret deri tek Uruguai e Venezuela. Në kontinentin Aziatik, fillon me Afganistanin,  Japoninë, Filipinet dhe vazhdon me Iranin, Nepalin, Vietnamin e Bashkimin e Republikave Sovjetike e deri ne ishujt indonezian.

Kontinenti Europian fillon me Shqipërinë dhe vazhdon me Bullgrinë,  ngjitemi  deri në Danimark, Finlanda e Islanda, dhe shkojmë më tutje nga Gjermania, Polonia, Portugalia, Anglia dhe  deri tek Zvicra e Hungaria, etj. Ndërsa për kontinentin Oqeania e fillon me Australinë, shkon tek ishujt Havai dhe arrin deri tek ato të Tahitit.

 

Përshkrim i Luginës së Drinit të Zi

Ndërsa Shqipëria përfaqësohet nga lugina e Drinit, ku autori, ose grupi i ekspertëve na e jep këtu në faqen 134: “Është lumi më i gjatë në Shqipëri, i cili  formohet nga dy degëzime, Drini i Zi dhe Drini i Bardhë duke përshkuar 283 km gjatësi”.(f.134)

Dhe më tej ja se si e trajtojn njohjen e kësaj lugine: “ Në fillimet e shekullit (XX-të S.M.), pjesa më madhe e gjatësisë së luginës ishte e panjohur, dhe konsiderohej vendi më i egër i cili nuk mund të kalohesh nga  evropianët.”  (f.134)

Deri më tani pak etnolog, gjeograf e kanë përshkruar gjatë gjithë gjatësisë së tij. Grykat që ai çan përmes masiveve malore, kthesat e forta, brigjet shumë të pjerrëta ka paraqitur në shekuj”… një pengesë të pakapërcyeshme, apo shume të vështirë për ushtrinë otomane,  duke u mbrojtur nga këto barriera gjiganteske natyrale si popujt e Mirditës, Këlmendit e Dukagjinit kanë mundur të krijojnë kushte për mbijetesë e një jete të qetë në alpet shqiptare.” (po aty. f. 134)

Drini i zi,  e ka vend burimin në liqenin kaltërosh të Ohrit, i cili ndodhet në një lartësi 700 m. mbi nivelin e detit. Në ish-territorin Jugosllav, sot Maqedonas, i cili  përshkon 45km. gjatësi, përmes grykash të përthyera por me bukuri natyrale mahnitëse. Shpatet janë të përbërë nga shkëmbinj gëlqeror ose flyshe, të cilat ngjiten deri në 800 m. mbi nivelin e detit. Pas këtij udhëtimi arrin në krahinën e Dibrës, duke përshkuar gryka mjaft të bukura, të cilat në lartësi duken shkëmbinjt masiv gëlqeror.

Të parin mal që takojmë është Valivari (2734 m.) në krahun lindor  ndërsa në perëndim ngrihet madhështor mali i Homeshit (2000 m). Ndërsa duke përshkuar disa ultësira në perëndim të Peshkopisë rihyn në grykat gëlqerore të Gjallicës, që duken si shkëmbinj vullkanik.  Kjo grykë ka një thellësi 600 m duke formuar një kanion  të frikshëm, të egër. Në këto relieve të thepisuar, të frikshme, të egëra si dhe në   shpatet shkëmbore e shumë të pjerrëta duken edhe gëmusha shkurresh që vegjetojnë plotë jeshillëk duke i dhanun pamje joshëse.

Ndërsa në lindje ngrihet, “ vargmali i Korabit me një bardhësi ndriçuese, vezulluese,  për një kohëzgjatje gjashtë mujore, me kreshtat në formë dhëmbësh me  shenjat e erës së  akullnajave,  me dhëmbëzime të shumta, apo thepa thepa.” (po aty, f.134)

Ndërsa pranë qytetit të Kukësit bashkohet me Drinin e  Bardhë, i cili përshkon krahinën e Kosovës e Metohisë (banuar nga shqiptar). Shtrati i tij është formuar në 250 metra mbi nivelin e detit dhe ka një prurje prej 98 km³ në sek. Më pas Drini përshkon një  gryk prej 50 km. Në vargmalet e Alpeve të veriut me shkëmbinj gëlqeror, por shfaqen hera-herës edhe ato serpentinor. Duke formuar pamje magjepse, me zbritjet e vrullshme dhe kthinat e relievin mjaft të thyer të shpateve të maleve.

“Procesi i industrializimit  i ka përdorur ujërat e tij për të prodhuar energji elektrike, e cila krahas të tjerash   për popullsinë e krahinave përgjatë brigjeve të Drinit, ka kontribuar në nxjerrjen e tyre nga izolimi qindra vjeçar” (po aty, f.135). Por, lidhja e popullsisë në brigjet e kundërta është e pamundur nga mos ndërtimi i urave e përdorimi i varkave apo anijeve të vogla.

Transformime dhe vlerësime

Në hyrje te shkrimit mbi lumin Drin është shkruar: “Grykat e thella, me anët shumë të pjerreta e të thella  që përshkon Drini, kanë shërbyer gjithmonë si një barrikadë mbrojtëse me përmasa gjigante për ushtritë e shumta pushtuese, të cilat i bëjnë akoma këto krahina vende më  të paarritshme të kontinentit europian” (po aty, f. 135).

Me gjithë këtë konstatim subjektiv mbi peizazhet tërheqëse e me bukuri të rralla të Drinit, në rrëpirat e shpatet e pjerrëta të maleve, në qafat e tyre kanë kaluar përgjatë ekzistencës së ilirëve me fisin Penest që banonte në Dibër dhe ma radhë hordhitë romake, gote, hunëve, bullgare, serbe, turke, të cilë kanë masakruar popujt e luginës së drinit. Por duke u përballur me ato me luftëra titanikësh.

Natyra me relieve malesh e luginash të thella, me pllaja me sipërfaqe të kursyera, kanë krijuar kushte për formimin e karaktereve të forta. Po kështu janë kultivuar sipas mjedisit gjeografik të jetës, trimëria, guximi, vullneti i fort,  punëdashës e mjaft energjik në punët bujqësore e blektorale e mbrojtjen e vendbanimeve.

Dhe ja po japim një fragment tjetër të kësaj enciklopedie ku trajton një dukuri tjetër tek popujt që banojnë në dy anët e brigjeve të Drinit: “Edhe pse nuk kemi ma rrezik të na vrasin me pushkë nga malsorët edhe pse kullat ( ndërtime antike me kulla mbrojtëse nga dritare në pjesët e sipërme) janë të boshatisura, gojët (bedenat) e tyre mbeten të papushtueshme, po kështu edhe urat dhe livadhet etj.”(f. 135).  Edhe pse enciklopedia është botuar në vitin 1979, vlerësimet e mjediseve psikologjike e shoqërore, janë së paku të viteve 1930. Duke krijuar një mendim të keq, cinik e të frikshëm mbi malësorët, të cilët tanimë janë të shkolluar, zhvilluar kulturisht e të emancipuar në të gjitha hallkat e veprimtarive ekonomike e kulturale.

Vendbanimet kanë dhjetëra vjet që janë të arritshme dhe me dëshirë e projekte të modeleve evropiane kanë arritur të transformojnë natyrën dhe e kanë vënë ujin në shërbim te tyre, hidrocentrali me liqenin në Dibër të Madhe, Vau i Dejës, Komani e Fierza, duke krijuar kushte të lundrimeve përmes qindra kilometrave e shijuar peizazhet e egra e fshatrat e ndryshme përgjatë  lumit Drin.

Tanimë, në këto brigje ku kemi kala të lashta si ajo e Ohrit, kalanë që ndërtoi Gjergj Kastrioti në Medriçe, qytetin antik i Gërdecit, kalaja antike dhe e madhërishme e Grezhdanit,  e në vazhdim deri tek vendbanimi i Shurdhahut në Vaun e Dejës dhe me kishën  shumë të vjetër që u hodh ne erë në vitin 1968 po këtu.

Prandaj, turizmi malor për evropianët, që i njohin pak bregdrinasit në dyqind e tetëdhjetë e tre kilometra, do të zbulojnë jo vetëm një natyrë të virgjër, por edhe atë të transformuar nga dora e njeriut duke e kthyer në arkitektura peisazhistike të mahnitshme,  do të njihen me histori të lashta që të epokës së gurit e deri në kohët moderne. Kështu, ato do të ndjejnë kënaqësi shpirtërore dhe do të marrin përshtypjet e tyre, ku ndokush do të shkruaj për transformimet e natyrës dhe të botës psikologjike, morale e kulturore të banorëve të dy anëve të Drinit.

 

Mbyllja

Vlerësimin që i ka bërë luginës së Drinit kjo enciklopedi asht një dëshmi e vlerave të mëdha natyrore, turistike, hidrologjike e kulturore që ka kjo luginë mjaft e populluar. Por, edhe pse ka patur aleat malet e vargmalet më të larta e më të egra në Shqipëri, ka mundur të ruaj në gjirin e vetë, natyra në bashkëpunim me njeriun, mijëra e mijëra banor në shkreptimat, rrufetë e bubullimat e shekujve, të cilat nga gjeografët, historianët duhen vlerësuar, propaganduar e ngritur lart  në dobi të mjedisit e qytetërimit të popullsisë që jeton në dy anët e Drinit.

Ky material u mbështet në librin: “Guida illustrata alle Meraviglie naturali del Mondo”, Milano 1979, f. 464, format 21.3 x 27.6 me 400 fotografi, harta, diagrama.