Lura, kjo Hirushe e harruar…


Rruga nga Rrësheni nëpërmjet Kurbneshit drejt Lurës kalon në reliev sa piktoresk e mbresëlënës, aq dhe të thyer dhe të vështirë. Udha është e paasfaltuar, por gjithsesi e mirëmbajtur, falë dhe stinës së verës pa shira e rrebeshe. Pas një maloreje të lodhshme para nesh u shfaq një pllajë kullote mbresëlënëse, një kullotë e mrekullueshme futur në rrënjë të maleve si një xhep i stërmadh.

– Ndalo këtu, i thotë, bashkudhëtari dhe mikpritësi ynë Rakip Cuku shoferit Shkëlqim, një djalë i ri, muskuloz dhe disi i heshtur, por i qeshur gjatë gjithë udhëtimit, në atë udhë që gjarpëronte mes malesh e rudinave me kullotë e pyjeve të dushkut, tashmë të lavinitur nga thatësira e tejzgjatur e kësaj vere.

– Ja këtu është kufiri që ndan krahinën e Lurës me atë të Mirditës. Ka një histori të veçantë ky kufi, këtu 100 vjet e kusur më parë. Një luras i mençur kishte mbushur opingat me dhé dhe në këtë vend u betua se kishte shkelur në dy toka, në të djathtë kishte dheun e Mirditës e në të majtë dheun e Bajrakut të Lurës. Këtu u vendos kufiri. Para nesh shtrihej një pllajë e ëmbël, me kodrina të vogla, me kullotën tashmë të zhuritur. Ishte tharë bari e lulja, dheu dhe gjurmët e bagëtive dhe të barinjve. Megjithatë, në sytë e mi, në mendjen time këto livadhe e shpijnë shpirtin dhe kurmin, e kurojnë dhe e bëjnë të lehtë si gjeth. Pastaj, 7 – 8 km më tej fillojnë të duken fshatrat e para të Lurës, Krej-Lura e Pregj-Lura, fshatra të futura mes malesh si në folenë e shqiponjës. Kulla të bardha, të hijshme, por të braktisura në këto vite tranzicioni, por që qëndrojnë në këmbë stoike, krenare, të heshtura me dertet e braktisjes së beftë, si pas një dimri që të mpin shpirtin dhe qenien.

Por në verë kullat ndjejnë erën e njeriut, të të zotit që vijnë e kalojnë ditë e muaj në vendlindjen e përmendur për bukurinë, hijeshinë, mrekullinë natyrore të pakrahasueshme të Lurës. Por dhe në dimër Lura ka një bukuri stoike, të ashpër, por të ëmbël, të ftohtë, por  një i ftohtë joshës. Ish banorë të këtyre anëve, të shpërngulur në Tiranë, Durrës, e Kamëz nuk u shkulet zemra e shpirti nga këto vise krenare me një bukuri të pashoqe në të gjitha stinët e muajt e vitit…

Mbijetesë e lodhshme, por krenare

Në dy anët e luginës kanë filluar të bulojnë, të rriten të shëndetshme pyjet e rigjeneruar të pishës e bredhit. Pastaj shfaqen fshatrat e tjera të Lurës, të ndërtuara në një luginë rrethuar nga malet e larta të Bakulinës, Rrunjës, Nezhdës, Kurorës së Lurës. Male me lartësi mbi 2000 metra, të thepisura e me kullota të pasura tërfili e lulesh. Lura e Vjetër, Fushë-Lura, Borje-Lurë e në thellësi të maleve Lashkiza, Arë-Molla, Gjurë-Lura, Sumaj, Vlashe, plot dhjetë fshatra, secili më i bukur se tjetri shtrihen në këtë luginë të përmendur për alternimin magjepës të relievit. Lura, me namin e një perle të natyrës, duket e shastisur këtë fillim vjeshte. E shastisur, sepse pak vizitorë e turistë pati këtë verë, e shastisur nga thatësira e zjarret pafund ndër pyjet me pisha, e shastisur nga indiferenca e shtetit për të bërë diçka për Lurën, për pyjet e liqenet e saj të mrekullueshëm, për njerëzit që gdhijnë netët të papunë e të varfër, por krenarë e të pasur gjer në lokun e shpirtit. Në këtë shastisje ka diçka që Lurën e bën gjithsesi të brishtë e të bukur si dikur.

Mes për mes kësaj lugine kalon në udhën e tij Lumi i Mallës, ku po ndërtohet një hidrocentral më fuqi të konsiderueshme. Janë bukuritë dhe klima karakteristike që e bëjnë Lurën një vend të veçantë pelegrinazhi për turistët e vizitorët, një vend të bekuar nga perëndia. Por infrastruktura, prerja e pyjeve e kanë bërë këtë Hirushe disi të mpaket, të mblidhet në hallet e dertet e veta, në një mbijetesë të lodhshme, por krenare. Lura, aq shumë e përmendur për bukuritë e pashoqe, ku gërshetohet si në një simfoni peizazhi i luginës me malet përreth, tashmë disi të mbetura jetime e pa krahë. Në këto hapësira dikur kanë qenë rreth 13000 ha pyje, nga të cilat 1280 ha përbënte Parku Kombëtar i Lurës dhe rreth 6000 ha kullota. Dallohen lurasit për mbarështimin e blegtorisë, ku spikatin me tufat e deles rudë, me blegtorët e talentuar, Han Gjeçi e Lazam Kaci.

Ngjitur me Fushë-Lurën është ndërtuar një hotel, me pronar Hasan Doçin, administrator aktual i ish komunës së Lurës. Ka kushte të mira, shërbim të kulturuar, me gatime tradicionale të familjeve mikpritëse në mbarë Lurën. Është i vetmi hotel në këto anë. Dikur e në një kohë, shteti monist ndërtoi një hotel që i shërbente nomeklaturës, që sot është privatizuar, por jo i konstruktuar dhe funksional. Pra, Hasani, është mikpritësi i parë në Lurë, që të afron miqësinë dhe shërbimin komod.

Bajraktari i Lurës

Në bisedat me banorët që buajtën për të na takuar në hotelin e Hasanit, flasin me krenari të ligjshme për Lurën, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Lurës, të këtij vendi me bukuri përrallore, me njerëz fisnikë, të dashur, krenarë, fodullë, punëdashur e arsimdashës deri në dhimbje. Rakip Cuku, miku ynë i çmuar si dhe mësuesi me karrierë dyzet vjeçare në arsimimin e vajzave dhe djemve lurjanë, Dedë Llesh Doçi, të flasin me pasionin e ligjshëm për administrimin e krahinës së Lurës në kohën pa shtet e pa ligje në Shqipëri. Lura ishte bajrak më vete në gjithë krahinën e Dibrës dhe si të thuash kishte në vetvete një vetëqeverisje që dominonte ndër banorët e Lurës e në një farë mënyre jehona e saj ndihet ende në konaqet e bisedat e lurasve.

Bajraktari i Lurës ishte nga fisi i Menëve, aq i persekutuar e i lançuar në kohën e diktaturës. Bajraktari nuk ishte më i pasuri, por më i mençuri, më toleranti, më autoritari në Lurë. Shtëpia dhe pronat e bajraktarit nuk ishin mbi shtëpitë e tjera të Lurës dhe kjo është një ndër veçoritë dalluese të bajrakut të viseve të kësaj ane me diell e hënë. Përveç bajraktarit, që ishte ndër figurat më të spikatura të trevës, për zgjidhjen e problemeve te pronës, të mosmarrëveshjeve, të dasive të ndryshme, të gjakmarrjes, ngërçi i mosmarrëveshjes do të zgjidhej më tej nga 6 dhetarë, pleq, që si të thuash përbënte në vetvete një senat të mençurish dhe, më pas, si  të vendosej zgjidhja më e mirë, më e paanshme, mbështetur në Kararet e Lurës, këtë vendim të marrë e zbatonin 12 çekiçe, që si të thuash ishin të veshur me zbatimin e ligjit në bajrakun e Lurës. Kishte vendime për pronat, meratë, bagëtinë, kullotat, pyllin. Duke qenë e baraslarguar nga Dibra e Mirdita me kilometra të tërë e pa rrugë, vetadministrimi i Lurës ishte e domosdoshme dhe atë bënë stërgjyshërit, gjyshërit e prindërit tanë, më thotë Rakipi. Ishte një mbijetesë në Shqipërinë e asaj kohe. Në sytë e bashkudhëtarit tonë, mikut e shokut tonë të dashur, Ahmet Prençi, dallova shkëlqimin e syve.

– Po ty, i dashur, pse të shkëlqejnë sytë?

– Epo unë jam stërnip i Menajve. Babai im është nip dere te kjo familje lavdimadhe. Nga fisi i Menajve, të bajraktarit të Lurës, janë pushkatuar me gjyq e pa gjyq të paktën 11 burra nga regjimi komunist. Ishin kundërshtarë gjer në vdekje të komunizmit, por kurrë bashkëpunues me pushtuesin, në asnjë kohë, në asnjë periudhe kurciale që vendoseshin fatet e Kombit. Përkundrazi, një ndër djemtë e dajës së babait tim, të bajraktarit të Lurës, ka marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit. Janë njerëz paqësorë, të respektueshëm, të dashur e patriotë të thekur. Shumë djem e burra kanë marrë pjesë në shumë ngjarje qëndrese e luftërash për liri e pavarësi. E për këtë kam një krenari të ligjshme.

…Në qendër të Lurës janë dy monumente. Ajo e Dom Nikollë Kaçorrit, ish pjesëmarrës i Kuvendit të Vlorës, për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë, i zgjedhur në këtë kuvend si nënkryetar i qeverisë, dhe ai i Gjok Doçit, Hero i Popullit, që dha jetën fare i ri në përpjekje me pushtuesit nazifashistë. I ka të shtrenjtë bijtë dhe bijat e saj Lura. Fare pranë tyre është ndërtuar një memorial si promemorie në kujtim të burrave lurjanë të përndjekur, të vrarë nga regjimi komunist. Falë djalit të Lurës, biznesmenit Dodë LLesh Doçit, që investoi bujarisht, u ngrit kjo përmendore kujtese që dëshmon për historinë, bëmat dhe antikomunizmin e Lurës e të bijve të saj e që lëshon jehonën në të gjithë vendin. Doda ka investuar, si dhuratë për katolikët e Lurës dhe të gjithë lurjanëve dhe për ngritjen e kishës së re, mbi themelet e ish kishës qindra vjeçare të kësaj treve. Një investim serioz i këtij biznesmeni bujar e filantrop.

Dhe një masakër tjetër nuk e harrojnë lurasit. Rakipi na tregon një vend fare pranë fshatit Fushë-Lurë, një kodër e vogël, ku  në vitin 1916, nga pushtuesi austriak, nemcja, brenda një dite u pushkatuan 108 burra lurjanë, sepse nuk u pajtuan me këtë pushtim kolere. Kjo masakër tregon më së miri shpirtin luftarak e atdhedashës të lurjanit. Për një kohë të gjatë të mbetet në mendje masakra, ndër më të rëndat, më të kobshmet në historinë tonë kombëtare.

Krenaritë e Lurës

Djemtë e vajzat e Lurës kanë lënë gjurmë në veprimtarinë shoqërore, politike e shkencore, në kulturë dhe në art. Lurasit janë njerëz kurajozë, të qeshur, të çlirët, krenarë mikpritës, sedërli e bujarë e që i kanë dalë dhe i dalin zot vendlindjes si rrallëkush, vendlindjes aq të përmendur për bukuritë e pashoqe të natyrës. Kujtoj me nostalgji mikun tim, doktorin Preng Doçi, që shërbeu me përkushtim të rrallë në vendlindjen e tij, por për vite me radhë edhe në qytetin minator të Bulqizës. Ai nuk jeton më, por emri i tij është i pashlyer në kujtimin e bashkëfshatarëve të tij, të minatorëve të qytetit të kromtë, që u shërbeu me përkushtim si rrallëkush. Shërbeu në Lurë me një përkushtim të spikatur, derisa shkoi në specializim dhe mori emërimin në Bulqizë. Po kështu dhe mjekët e tjerë të pasionuar si Ndreë Vladi e Skënder Buci, stomatologu Bardh Asllani, infermierët Diamanta Doçi, Dila Vladi, Ruta Moriseni etj., që kurrë nuk u shkëputet mendja dhe shpirti nga shëndetësia, nga Lura.

…Mësuesi Dodë Llesh Doçi flet me shumë pasion, respekt e dashuri, me mirënjohje e mirësi për intelektualët e Lurës, që kanë dhënë kontribute të pashlyera jo vetëm për Lurën e Dibrën, por dhe për kombin. Intelektualë të tillë si Ahmet Kaçori, Ahmet Përleka, Halit Tollja, Leke Rajta, Sali Ajazi, Bardhok e Nikollë Rajta, Ndue e Nikollë Kola, Osman Murati, Tahir Nezha, Llesh Nikolla, Naim Buci, Dodë Doçi, Ali Kaci, Hamit Skana, Gjergj Vladi, Hekuran Vladi, Artan Cuku, etj., etj. Ky i fundit u vra nga dora gjakatare e krimit, për shkak të detyrës si drejtues i lartë i Policisë së Shtetit. Vëllai i Tanit, Kipi, siç e thërriste gjithnjë Tani, mikpritësi ynë energjik, na çoi në kullën ku u rrit dhe kaloi fëmijërinë Tani, kulla e Sul Cukut i thonë, babait të Tanit. Me lot në sytë e tij ngjyrë bjeshke, ai na çoi në dhomën e ndenjes ku mësonte Tani, në oborrin ku mblidheshin çdo pasdite moshatarët e tij, në lumin e Mallës, me të cilin Tani ishte dashuruar pafundësisht, në fushën e futbollit te shkolla ku luante derisa nata të binte në luginën e malet madhështore të Lurës. Djalë çapkën, i dashur, i  shkëlqyer në mësime, në marrëdhëniet më shokët e shoqet e fëmijërisë, derisa shkoi në shkollën e lartë të Policisë, pas një kalvari vuajtjesh, diskriminimesh të kohës.

Punoi si refugjat në Greqi, si shumë bashkëmoshatarë të tij. Krenar, i gjallë, hokatar, i sinqertë, i pakorruptueshëm, me sytë që i shkëlqenin nga mirësia, pasioni e dashuria sublime për punën. Dhe ashtu iku Tani, në një natë të prillit të këtij viti, në pusi, në terr, në pabesi, në pusi cubash dhe la pas dhimbjen e madhe në zemër e shpirt për të gjithë ato që e kanë njohur dhe kanë punuar me të. Lura e kujton me respekt e dashuri Tanin, i cili, siç thonë lurasit, bashkëmoshatarët e tij, kishte lidhje shpirtërore, të patjetërsueshme e krenar më Lurën dhe bashkëfshatarët e tij lurjanë, megjithëse punoi e jetoi në Tiranë vite me radhë.

– Tanit duhet t’i jepet titulli “Dëshmor i Atdheut”, se sakrifikoi në emër të ligjit, nuk u zmbraps para krimit dhe bandave kriminale dha gjithçka për sigurinë e qytetarëve të tij, dha gjithçka si drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, – thotë administratori i Lurës, Hasan Doçi. Ne duhet të bëjmë punën tonë, nderimin tonë për të rënin në krye të detyrës, njeriut, babait, bashkëshortit shembullor bashkëfshatarit tonë të pazëvendësueshëm, Artan Cukun.

Njerëzit e kulturës

Lurasit janë arsimdashës. Të duash arsimin do të thotë të duash të sotmen dhe të ardhmen, të duash jetën cilësore, përmirësimin e saj nëpërmjet shkollës, dijes, kulturës. Në Lurë është shkolla 9 vjeçare dhe e mesme me një bazë të pasur didaktike, me nxënës të zellshëm e mësues të palodhur. Tradita e mësuesve të përkushtuar në këtë shkollë, si mësuesja e parë, bijë e Lurës, Margjela Vladi, Jashar Kaci, Dodë Llesh Doçi, Ali Koçeku, Hajri Begu, Ismail Hoti, Kasem Hoti, e Destan Ajazi, si drejtues shkolle e brezi i sotëm i mësuesve si: Trëndelina Koçeku, Fatmir Hoti, Kastriot Doçi, Muharrem Koçeku, Fatjon Zebi etj. Ato të përmendin në bisedë e sipër nxënësit e talentuar si: Daniela Mena, Henri Vladi e shumë e shumë të tjerë, nxënës që të bëjnë për vete për sjelljen, zellin e përkushtimin e tyre në mësime. Daniela kërkon të bëhet mjeke, ndërsa Henri ka pasion elektronikën…

…Lurasit janë kulturëdashës. Ka pasur një shtëpi kulture, me biblioteke e sallë shfaqjesh në Lurë. Tashmë shtëpia e artit është adaptuar për zyrat e ish komunës. Në këtë shtëpi kulture ka punuar vite me radhë Ilmi Kolgjegja, një ndër drejtuesit, krijuesit, muzikologët më të spikatur për Lurën e Dibrën. Ai pasuroi, mblodhi folklorin e pasur si vetë natyra të Lurës, krijoi valle e këngë të cilat dhe sot përbëjnë një pasuri të madhe kulturore për trevën. Kënga e shtatë liqeneve të Lurës e shumë rubaira të folklorit lurjan janë krijuar nga ky bir i Lurës. Por ndër të spikaturit e ndër talentet e rrallë jo vetëm për Lurën e Dibrën është këngëtari brilant, Arif Vladi. Me këngët himn të tij si “Sef Kosharja”, “O prite Azem Galicen”, për betejën me serbët në Kolosjan, me këngët lirike dibrane, ai u bë një ndër bijtë më të shquar të Lurës në fushën e muzikës, të këngës. Nuk e di nëse Arif Vladi dhe shumë kontribues të tjerë në fushën e arsimit dhe të artit janë shpallur nder i trevës së Lurës apo të Dibrës. Në qoftë se jo, jemi shumë të vonuar në vlerësimin e figurave të tilla si Arif Vladi i vërtetë apo Ilmi Kolgjegja që ka “udhëtuar” me kohë për në botën tjetër.

Bashkëjetesa fetare

Lura ka një bashkëjetesë të spikatur fetare e ndoshta është treva e vetme ku në një familje jetojnë, ngrysin ditët e netët, hallet, dertet e gëzimet katolik e myslimanë. I festojnë të gjitha festat fetare, në respekt të njëri-tjetrit, në dashuri e mirësi me njëri-tjetrin. Dikush e ka zonjën e shpisë myslimane, dikush të zotin e shtëpisë katolik e fëmijët të bekuar nga të dy fetë, janë rritur në një ambient ku harmonia fetare është biblike. Në të dhjetë fshatrat e Lurës nuk mund të çuditesh për këtë. Ajo është reale, e prekshme prej dhjetëra e dhjetëra dekadash e ndoshta shekuj. Edhe sot ndodhin martesa midis myslimanëve që përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë dhe katolikëve që banojnë në të dhjetë fshatrat e Lurës.

Në qendër të Lurës, në vitin 1995 është ndërtuar xhamia, si në shumicën e fshatrave. Fare pranë tyre janë ndërtuar kisha. – Jemi krenarë për këtë, – shprehen lurasit, si një gjë krejt normale, krejt natyrale. Kurrë dasi fetare, kurrë përçmim të njëri-tjetrit, gjithnjë respekt e mirësi ndaj njëri-tjetrit! Këtë gjë e ndjen e rrok në çdo bisedë, në çdo shtëpi në Lurën Hirushe, që jeton e gëzon të mirat e dhimbjet e kësaj jete në 1050 metra lartësi mbi nivelin e detit. Drurët frutorë janë të paktë në Lurë, prodhimet janë doracake për shkak të dimrit të egër e të gjatë, por jeta është e bukur, e shëndetshme e pasur në vlera e tradita shekullore të patjetërsueshme për Lurën e lurjanët.

Ringjallja e pyjeve

Lura do ta marrë veten nga masakra mjedisore. Në shpatet e maleve të saj duken pishat, bredhat e ahet që kanë dalë nga dheu si Anteu. Është një mrekulli e natyrës që pyjet që duhen vite e ndoshta dekada për t’u ripërtërirë, të mbushin me shpresë, me optimizëm. Dashuria e lurjanit për pyllin është si copa e bukës. Kush e hedh, kush e shkel është haram dhe i nemur nga Krijuesi. Në Lurë thonë se masakrën e pyjeve, duke përfshirë dhe Parkun Kombëtar, është bërë jo nga vendasit, por nga pushtetarë të lartë të monizmit, në gërhamat e fundit të sistemit diktatorial. Si ujqër dhe çakej, si shejtanë e djaj ju sulën sistemit ekologjik e të paparë mjedisor të Lurës, mrekullisë të natyrës me liqene e pyll si në përralla, me një klimë të ëmbël si mjalti, me njerëz krenarë, mikpritës, të besës, të respektit, të mirësisë. Punëtorë e qejflinj, jaranë të dashurisë e dhembshurisë janë lurasit…

…Ka të drejtë Hasani, administratori i Lurës, kur flet me optimizëm për të ardhmen e afërt të Lurës së dikurshme. Duhet pak vëmendje nga bashkia Dibër, pak vëmendje nga shteti për fonde pyjore për mbjellje, shërbimet e domosdoshme, pastrimin, se pyjet në Lurë nuk kanë nevojë të vaditen e as tjetërsohen. Duhet pak investim në infrastrukturë, në pastrimin e pyjeve, në ruajtjen e tyre nga sëpata, motosekat, nga ujku, çakalli, dhelprat e djalli… Hasani flet me siguri për ringjalljen e Lurës, të liqeneve të mrekullueshëm të Kurorës së Lurës, për Parkun Kombëtar, për hotelet dhe bujtinat, për gatimet gjithë shije të kuzhinës lurjane. Të një mendje janë dhe tekniku i pyjeve, tashmë në pension Elez Doçi, Haziz Mena, Selman Vladi, Ramazan Skana, Sefer Murati…

Padyshim që, sytë e mendja e biznesmenëve të Lurës duhen kthyer nga vendlindja e tyre që të mrekullon me hirin e bukuritë që i ka falur pa kursime e pa ja da, Nëna Natyrë.

Shtatë liqenet e Lurës, dikur si shtatë sy shqiponje, të rrethuara me pishën e bredhin lozonjar, siç e thotë kënga e mrekullueshme e kënduar nga këngëtarja dibrane, Liri Rasha. Por sot ato kanë mbetur si sy bualli, pa vetulla, pa qepalla e qerpik të gjelbërt. Kanë mbetur të shushatur në shkretinën që solli diktatura në fundin e palavdishëm të saj, për prerjen pa asnjë kriter e cak pyjet pafund të këtyre anëve me bukuri mahnitëse. Por me shpresë, me ëndrrën e lurjanit, tonën, që shumë shpejt ato do të ndjenë nusërimin e natyrës për vizitorët, turistët, për miqtë e banorët vendas.

Pisha dhe ahu po rriten

Lurasit janë të ndjeshëm. Të ndjeshëm për një fjalë që e thua pa menduar e pa u përtypur. Por mbi të gjitha janë të ndjeshëm për natyrën. Janë binom lurasit me natyrën, për hijeshinë, për krenarinë dhe fisnikërinë  që u ka falur ajo, me bujarinë e pashoq të saj. Ahmeti thotë se natyra bën çudira. Ja, në vend të sëpatës, motorsekës, në vend të ujkut, çakallit, të lugatit, të dreqit e shejtanit, po rritet, disi ngadalë, por pa ju da një pyll pishe, ahu e bredhi joshës e i gjelbërt si kurrë më parë. Ka të drejtë poeti dhe stërnipi i Menajve dhe Lurës, Ahmet Prençi.

Këtu ka nevojë dhe për një pistë për ski në sezonin e dimrit, – vazhdon ai. Ka nevojë për bujtina kullash, ka nevojë për rrugë të përshtatshme e për vizion për të ardhmen e afërt. Lura do të bëhet përsëri hanëm, si Hirushja e përrallave, si Borëbardha, mjafton të menaxhohen mirë investimet e shtetit, që do Zoti e kujtohet për Lurën tonë, për Lurën e të gjithëve. Jo tolerancë ndaj sëpatës, piromanëve, hajdutëve të natyrës së mrekullueshme të kësaj treve mahnitëse…

Por prapë se prapë, megjithëse diçka po ripërtërihet, po rilind, në Lurën tonë, në pasurinë e lurasve, në pasurinë kombëtare, toka e Lurës, e Hirushës sonë të nëpërkëmbur, të harruar, përsëri e përsëri djeg, shpupuriset si prush e ende digjet nga ethet e katër stinëve, e ditëve dhe netëve që ngrysen e zbardhin në bajrakun e kësaj treve mbresëlënëse, të papërsëritshme për hijeshinë dhe bukuritë e saj.