Përcjellje për artin e Jahe Delisë


Duke lexuar materialet e këtij vëllimi, që nga reportazhet, studimet, portretet e deri te mendimet e të tjerëve për shkrimet e autorit, pa ndrojtje mund ta ndajmë në dy pjesë: shkrimet e autorit për vendlindjen me njerëzit dhe natyrën e saj, ku dominon ndjenja e dashurisë për ta, e në vijim me portretet e të tjerëve. Pra, na paraqitet Unë (Jahja) dhe Tjetri (të tjerët rreth apo më larg tij). Ky koncept tingëllon si filozofik, por në fakt, së pari e ka përdorë populli e më pas janë marrë filozofët, shkrimtarë e poetë. A nuk ia hapim derën (të njohurit apo udhëtarit, kurdo, natë apo ditë qoftë? Po sa shprehje e fjalë të urta ka për mikun (të njohur e të panjohur)! Duke lexuar këto shkrime të Jahes, ku Jahja shkuan portrete për të tjerët dhe të tjerët shkruajnë për Jahen, pa dashje mendja të shkon te trajtimet filozofike të këtyre nocioneve, tek “Unë dhe Tjetri”, trajtuar nga filozofë të njohur botërorë. 

Autori është mësues në profesion dhe, si i tillë, puna e ka lidhë me tipa të ndryshëm shoqërorë, me moshë e me zhvillim të ndryshëm. Në këto anë‚ tjetri (udhëtari, miku, i njohuri e aq më shumë i panjohuri) vlerësohen në shkallën më të lartë. Kjo traditë bie në sy edhe në këto shkrime. Nëpër shkrimet e Jahes, tek ’Uni‘ gjejmë atë ‘Unë’ që i do të tjerët, atë ‘Unë’ që njeh botën e tjetrit, që, jo vetëm e njeh, por edhe e do. Kjo shihet qartazi në shkrimet e tij. Ka shkrime për veten dhe veprimtarinë e tij. Megjithatë, po ta vësh re, këto shkrime në formë kujtimesh, kanë në qendër ngjarjet me veten dhe (të tjerët njëjës apo shumës). Duke legjitimuar veten, me mendimet e tij, si vëzhgues e si veprimtar, nuk e ndan tjetrin nga vetja, përkundrazi, na e paraqet me dritë. Përshkrimet e artistëve, të drejtuesve popullorë, të kolegëve dhe të të dashurve të tij, plot nuanca lavdërore, Jahja komunikon jo vetëm me publikun e sotëm, po veçanërisht me të ardhshmin. Në mënyrën e shkrimeve dhe përshkrimeve jep një copë histori, një copë realiteti në një kohë të caktuar. 

 Shkrimet e Jahes, sikur lidhin brezat. Kjo lidhje vjen natyrshëm nëpërmjet përshkrimit të vendlindjes, qëllim madhor i tij. Transmetimi i vlerave të trashëgimisë te brezat e rinj ka qenë një proces me rëndësi të veçantë për të moshuarit, në mënyrë që të sigurohet mbijetesa kulturore. Për këtë, më së shumti, dikur shërbenin odat e miqve. Sot sikur ndodh ndryshe. Mjetet e informimit dhe, veças, ato elektronike po zbehin trashëgiminë apo transmetimin gojor. Edhe pse këto mjete dhe rrjetet shoqërore luajnë një rol dominues, përvoja e drejtpërdrejtë e më të moshuarve mbetet e vlefshme, veçanërisht për të rinjtë. 

Kështu, Jahja ka zgjedhur formën shkrimore të transmetimit, nëpërmjet reportazheve për vendlindjen, portreteve dhe analizave të ndryshme; së dyti, autori ka marrë dhe u ka dhënë të tjerëve veprimtari që e kanë bërë të gjithë të shkolluarit brenda një territori të caktuar, pra, jo vetëm mësuesit. Mësues si Jahja kanë ditur së pari të marrin (në kuptimin e njohjes) dhe pastaj të japin. Jahja i përket atij komuniteti ku lindi e jetoi, që dinë mirë të vlerësojnë veten dhe tjetrin. Aty, në krahinën e tij, në Radomirë, kishte dhe ka itifak, që do të thotë, përmes kolektivit përfiton individi, përmes rregullave të vendosura nga shumica kishte leverdi pakica. Kjo do të thotë se brenda kulturës popullore ka qenë vlerësimi i tjetrit, jeta dhe pasuria. 

Së fundmi, në konceptin Unë dhe Tjetri, them se unë e njoh Jahen. E njoh si mësues, drejtues shkolle, në takime e promovime, në veprimtari të ndryshme shoqërore. Pra, e kam njohë, po sigurisht jo në të gjitha shkallët e njohjes. Tashmë gama e njohjes është shtuar, pasi e ka shfaqë veten me botime në prozë e poezi. E njoh jo vetëm unë, por e njohin dhe të tjerët. Ndoshta më shumë, sidomos kolegët, me të cilët punoi një jetë, të afërmit dhe miqtë.