Jeta dhe veprimtaria e profesor asoc. dr. Vesel Hoxha


Vesel Ramadan Hoxha lindi më 20 tetor 1952 në fshatin Blliçe, bashkia Dibër. Shkollën fillore dhe 7 vjeçare i kreu në vendlindje dhe në Fush Çidhën më 1966, me rezultate të shkëlqyera. Më 1970  kreu po me rezultate të shkëlqyera Teknikumin e Minierave dhe të Gjeologjisë në Prrenjas të Librazhdit, ku diplomohet Teknik i Mesëm Markshajder. Në vitin 1975 kryen me rezultate shumë të larta Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave dhe diplomohet Inxhinier Gjeolog për Minerale të Dobishme të Ngurta. Në vitin 2000 mbaron SHPU-në, ku fiton Dipllomën e Studimeve të thelluara Pasuniversitare. Në vitin 2001 mbron me vlerësimin “Shumë mirë” disertacionin me temë : “Tiparet themelore të gjeologjisë dhe perspektiva e kërkimeve në rajonin Kërçisht-Sorokol” dhe fiton gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2014 Këshilli i Profesorëve të FGJM-së i jep titullin shkencor akademik “Profesor i asociuar” . 

Eksperienca në punë : Në vitin 1974 fillon stazhin e diplomës së shkollës së lartë në Ndërmarjen Gjeologjike Bulqizë (NGJB), Ekspedita Gjeologjike (EGJ) Dhoks, në vitin 1975 inxhinier gjeolog në EGJ Bulqizë për kërkim–zbulimin e mineralit të kromit. Më qershor 1976 transferohet në EGJ Peshkopi (Ekipi i Korabit), ku punoi për kërkimin e mineraleve të hekurit, manganit, dhe metaleve të çmuara. Më 1984 emërohet kryetar i EGJ Peshkopi. Në periudhën 1993-1995 zgjidhet Kryetar i Këshillit Drejtues të NGJB. Gjatë vitit 1996 komandohet drejtor i NGJB. Më 1988 emërohet përgjegjës i Sektorit të Gjeologjisë Peshkopi,  më 2003 drejtor i Degës Rajonale Gjeologjike Peshkopi. 

Më 2006 transferohet në Drejtorinë e Përgjithëshme të SHGJSH në Tiranë. Më 2008 në Institutin e Gjeoshkencave të Universitetit Politeknik të Tiranës, në Departamentin e Gjeoresurseve dhe Gjeoinxhinierisë, si drejtues i grupit kërkimor të mineraleve dhe po këtë vit zgjidhet anëtar i Senatit Akademik të Universitetit Politeknik  të Tiranës. Nga viti 2011 e në vazhdim, punonjës shkencor dhe drejtues i projektit për Hartën e re Metalogjenike të Shqipërisë, në DGJGJ të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Më 2005 deri më tetor 2017, punonjës shkencor në geupin kërkimor të Metallogjenisë në Departamentin e Gjeologjisë, të IGJEUM-it. Nga viti 2009 deri më 2015 ka dhënë leksione si pedagog i jashtëm në FGJM, në lëndën “Rilevim Gjeologjik dhe Gjeomorfologjik” për studentët e degës së Gjeoinformatikës (Bachelor) dhe gjatë vitit akademik 2016-2017 ka dhënë leksione në lëndën “Vendburimet e mineraleve të dobishme të ngurta dhe kërkimi i tyre”, për degët e Gjeoinformatikës dhe Inxhinierisë Gjeologjike (Bachelor). Në të gjtha institucionet ku ka punuar  e ka karakterizuar, thjeshtësia, drejtësia, ndërgjegja, përkushtimi, profesionalizmi dhe niveli shkencor i kryerjes së punimeve e studimeve.

Kontributi shkencor: Ka kryer rilevime të shkallëve të ndryshme në rajonet e Dibrës, Kukësit , Matit, Klosit dhe Bulqizës, krahas punës në kërkim-zbulimin e mineraleve metalore të kromit, hekurit, manganit, bakrit, polimetaleve, vanadit, etj. dhe mineraleve të tjerë jometalorë, si squfur, mermere, argjila, travertina, bojra dheu, gjipse, anhidrite, selenite, inerte, kuarcite, ranorë, gëlqerorë, pirofilite, etj. Është angazhuar në studime të gjeologjisë inxhinierike, gjeomjedisit, hidrogjeologjisë, etj. Ka bashkëpunuar me kompani të hueja në rajonin e Korabit, Vrenjtit, Muhurit dhe Lurës në vitet 1993-1997, për kërkim-vlerësimin e gjipseve, mermereve, bakrit, mineraleve të çmuar, etj. Në vitet 2006-2016 ka punuar si specialist i jashtëm pranë kompanisë gjermane “KNAUF”. Është autor dhe bashkëautor i mbi 127-të studimeve, raporteve, relacioneve, projekteve, prezantimeve gjeologjike, etj. në konferenca e kongrese brenda e jashtë vendit si dhe i mbi 22 artikujve shkencorë të botuar në buletine e revista shkencore vendase e të hueja. Disa nga studimet që ka drejtuar janë: “Harta gjeologjike dhe e pasurive minerale të rrethit të Dibrës në shkallë 1:50 000 dhe teksti shpjegues i saj” (1999), “Administrimi i teritorit dhe resurseve natyrore në rrethin e Dibrës, të Qarkut Dibër” (2001-2003), “Harta e rrezikut gjeologjik për rrethin e Dibrës në shkallë 1: 50 000 me tekstin shpjegues përkatës”(2004-2005), “Evaporitet e Shqipërisë dhe mineralmbajtja e tyre” (2009-2012). Ka bashkëpunuar në studimet madhore për gjeologjinë, mineralmbajtjen dhe metalogjeninë e Shqipërisë. Po përgatit për botim monografitë shkencore: “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” dhe “Rreziku gjeologjik i Dibrës”. 

Në vitet 2007 dhe 2019 ka marrë pjesë në Kuvendin Tekniko-Shkencor dhe Konferencën Shkencore për Rrugën e Arbërit, të organizuar nga Shoqata LID, ku ka qenë bashkëautori kryesor i dy referateve të mbajtura në këto aktivitete. Ka shkruar vazhdimisht në gazetën “Rruga e Arbërit” dhe në organet tjera të shtypit duke ngritur probleme të rëndësishme për riorganizimin e Institucioneve Shkencore të Gjeologjisë, për zhvillimin ekonomik të Qarkut të Dibrës, etj. 

Megjithëse tashmë në pension ai vazhdon aktivitetin e tij shkencor. Sapo ka botuar si bashkautor dy artikuj shkencorë me mbi 65 faqe në revistën shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në numrat 1, respektivisht të viteve 2019, 2020 (JNTS – Journal of Natural and Technical Sciences). Në janar të këtij viti nxori nga botimi librin “Shënime në Çadër”, vlerat shkencore dhe ekonomike të të cilit po i prezantojmë shkurtimisht në numrin e kësaj gazete. Vazhdon të shkruajë artikuj shkencorë në revista shkencore brenda e jashtë vendit, si dhe në organet tona të shtypit.