Një histori e mikpritjes dhe e dashurisë me dibranët


11 shkurt 1920-11 shkurt 2020, Tirana mbush plot 100 vjet si kryeqyteti i Shqipërisë. Ajo u shpall e tillë nga një vendim i Kongresit të Lushnjes, një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë kombëtare. Më 11 shkurt të vitit 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante, një kryqëzim rrugësh: nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në Lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje. Kjo ishte rruga veriore, ishin dy rrugë të tjera pastaj horizontale, njëra nisej nga Durrësi, bregdeti vinte në Tiranë dhe kalonte në rrugën e “Shën Gjergjit”, kështu lidhej Malësia me detin. Ishte një rrugë tjetër që nisej nga Kavaja, që ishte një qytet tregtar po aq i lulëzuar sa edhe Durrësi, e shkonte nëpër Ndroq, tek Urë e Beshirit në Tiranë e hynte në Rrugën e Dibrës e në Qafën e Tujanit, Qafë të Murizës, në Mat, në Dibër, në Maqedoni.

Ata qe njohin sadopak historinë e Tiranës të pas viteve 1900, njohin mirë dhe ardhjen e dibranëve gjatë viteve 1912-1913. Historia e Tiranës do të ishte e cunguar pa dibranët, ashtu si një trupi do t’i mungonte një pjesë e tij.

Kjo ishte vala e parë e emigracionit të dibranëve për shkak të dhunës serbe, ku dibranët pothuajse u përzunë dhe qyteti për shumë pak kohë u zbraz i gjithi. Një grup ndoqi rrugën Dibër-Strugë-Elbasan dhe Tiranë, ndërsa tjetri Dibër-Mat-Shkallë e Tujanit – Tiranë. Pak familje zunë vend në Elbasan, ndërsa pjesa më e madhe e tyre zuri vend në Tiranë.

Të gjithë këta dibranë mbërritën vetëm rrobat e trupit, sepse nuk patën kohë të merrnin ndonjë plaçkë. Ndër ta ishte dhe stërgjyshja ime. Quhej Beglie Gordani, po e thërrisnin Bega (Dibër 1897 – Tiranë 1947). Të parët e mi më kanë treguar që ato pak para që ajo kishte i fshehu nëpër astarët e rrobave duke i qepur mire. Di që stërgjyshi kishte vdekur ndërkohë. Ajo mbërriti në Tiranë vetëm me fëmijët e saj dhe sipas llogarive të mia me ato pak të dhëna që kam, ata erdhën fiks në 1912, kur gjyshi im Qazim (Dibër 1902-Tiranë 1991) ishte jo më shumë se 10 vjeç. Dibranët u vendosën në disa pjesë të Tiranës. Një pjesë e madhe e tyre themeluan atë që njihet edhe sot nga të gjithë “Mëhalla e dibranëve”. Familjet dibrane u vendosën kryesisht në të djathtë e të majtë të “Xhamllikut”, por dhe disa pika të tjera si: te “Namazgjaja”, “Mëhalla Shebekve”, “Selvia”, rruga “Qemal Stafa”, “Hoxha Tahsim” dhe “Pazari i Ri”. Shumë shpejt e blenë truallin ku ndërtuan shtëpitë dhe me punë e përkushtim i dhanë jetë një Tirane të re. 

Dibranët respektuan bujarinë, dashamirësinë dhe mikpritjen tiranase. Ata nuk kërkuan të bëheshin të parët e vendit, nuk zaptuan asgjë me forcë, por u bënë njësh me autoktonët: kjo është diferenca dhe merita e tyre. 

Tironsit falën shumë dashuri, hapën dyert e shtëpive të tyre, por edhe dibronët ia kthyen mbrapsht. Nuk erdhën me prepotencë, e respektuan të zotin e shtëpisë duke ia vlerësuar zakonet, pronën, qytetin e gjithçka.

Ustallarët duarartë dibranë ndihmuan tiranasit të riparonin e ndërtonin shtëpitë e tyre, që deri në atë kohë në pjesën më të madhe ishin të ndërtuara me qerpiç, pra, Tirana ishte trupi  dhe dibranët ishin krahët. 

Shtëpi që sot i rezistojnë çdo lëkundje tërmeti, ashtu si dhe shtëpia  katërkatëshe që gjyshi im e ndërtoi i vetëm rreth viteve ‘50-të, pasi bleu truallin nga familja Derhemi (një nga familjet historike autoktone tiranase), me të gjitha dokumentet e hipotekuara. Në atë shtëpi  janë rritur pesë breza e ku jetojnë akoma prindërit e mi. Floririn e botës të më japin, nuk do të bija kurrë viktimë e delirimit të pallatizimeve që ka pushtuar Tiranën. Ajo shtëpi është qendra ime e gravitetit, sado larg të jem nga Tirona.

Shumë shpejt filluan martesat ndërmjet tiranasve dhe dibranëve, një pjesë e mirë e familjeve të hershme dibrane njërin prind e kanë dibran e tjetrin tiranas. A ka sot dibranë Tirane që nuk kanë mbase një prind ose gjyshër puro tironas? A ka sot tironsa që s’janë të mpleksur me dibranët e Tiranës? 

Një shprehje thotë: “Disa tironca, po t’i gërvishtësh pak, dalin dibranë.”

Kjo  është bukuria e të omlës Tironë, që ato që e deshtën si nonë, i bëri bijtë e vetes. Përse dibronët janë bijtë e Tironës? Sepse u lindën, u rritën, burrnuan e vdiqën në gjirin e saj.

“Po ti je tironse?” – shpesh dëgjoj të më thuhet.

Ashtu realisht ndihem. Nga Tirana morëm natyrën e omël, ku fjalët janë më të buta se pambuku. 

Por origjina thërret, gjenetika nuk gabon, as nuk mund të shndërrohet. Prej paraardhësve të mi kam trashëguar dashurinë dhe respektin për punën, deri në sakrificë. Një femër dibrane punon më shumë sesa një burrë, do jetë një zonjë shtëpie me “Z” të madhe madje. 

Nuk kam informacione mbi programin që Bashkia e Tiranës do të ndjekë për këtë event  historik, ajo që prej kohësh e mendoj është që këto zona apo lagje të kryeqytetit të shpallën e të mbrohen si lagje historike, sikurse ndodh në shumë vende të botës, si shembull ideal i integrimit dhe bashkëjetesës … të ruhet e të përcillet historia ndër breza, detyrë që na takon ne, pasardhësve të tyre. 

Në Dibër të Madhe është ndërtuar “Sahati”, në shenjë dashamirësie për Tiranën. Ky shembull të ndiqet dhe në Tiranë. 

Më poshtë do të gjeni mbiemrat e disa familjeve dibrane në Tiranë:

Pitarka, Pustina, Salku, Limani, Mia, Saraçi, Klloboçishta, Sengla, Jashari, Shamku, Torozi, Çanka, Ostreni, Muhaxhiri, Gorenca, Varvarica, Çoku, Basha, Pregja, Oshafi, Reka, Kapexhiu, Erebara, Strazimiri, Kodra, Menzelxhiu, Xhuglini, Dibra, Agolli, Najdeni, Cami, Hysa, Borova, Jorganxhiu, Daci, Abule, Çausholli, Verzivolli, Kuçuku, Kosovrasti, Juca, Kërçiku, Sakiqi, Langu, Lata, Spahiu, Zeqja, Turkeshi, Zllatku, Dibra, Lazimi, Haxhiymeri, Haxhirexha, Pilku, Tërshana, Leksani, Laçi, Qylafku, Resuli, Rusi, Fishta, Zeraliu, Kuriu, Kujofska, Brekofska, Pasholli, Lleshi, Mullahi etj.

Historia e Tiranës është një histori edhe e dibranëve, ndoshta më e bukura histori dashurie që reziston prej më shumë se një shekull. Më mirë e përshkruajnë fjalët e këngës së Haxhi Maqellarës:

“Un’ me zemër fort të du’ 

se si ti nuk gjej në botë, 

me dash borxhin o me ta shly 

asnjëherë nuk ta laj dot.”

(Botuar për herë të parë në indibra.al)