“SHËNIME NË ÇADËR” NJË LIBËR ME VLERA SHKENCORE PËR GJEOLOGJINË, EKONOMINË, HISTORINË, TURIZMIN, etj.


 Në muajin janar të këtij viti doli nga botimi libri “Shënime në Çadër” me autor Vesel Hoxhën. Kam patur fatin të njihem me Veselin, sapo mbaroi shkollën e lartë për inxhinier gjeolog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Miniera Tiranë, kur drejtoria e Ndërmarjes Gjeologjike të Bulqizës e emëroi të kryente stazhin e diplomës në Ekipin Gjeologjik të Dhoksit, bashkë me mua që do të isha njëkohësisht udhëheqësi i diplomës së këtij inxhinieri të ri. Mbështetur në rezultatet e larta të arritura në mbarimin e shkollës së mesme dhe asaj të lartë, duke qenë dhe kuadër vendas me perspektivë u caktua të kryejë temën e diplomës në vendburimin e kromit të Bulqizës, një nga vendburimet më të mëdha të kromit jo vetëm në vendin tonë por edhe në shkallë botërore, njëkohësisht një nga vendburimet më të vështirë për të punuar një gjeolog i sapo dalë nga shkolla, mbështetur në intensitetin e madh të punës dhe vështirësive për t’u njohur shpejt me ndërtimin dhe strukturën e këtij vendburimi, për të punuar si gjeolog i pavarur në zbulim. Por mbështetur në përgatitjet e larta në shkollë, inxhinieri i ri Vesel Hoxha e kapërceu këtë shkallë dhe u ingranua në njohjen e vendburimit të Bulqizës edhe në sajë të vullnetit të tij të fortë, ç’ka nuk e kanë arrritur disa gjeologë vendas para tij, që brenda vitit janë larguar në ekipe të tjera kërkimi sepse nuk e kanë përballuar intensitetin e madh të punës në Ekspeditën e Bulqizës. Ai kujton vështirëssitë e ndjekjes së këtyre punimeve, natën e ditën në borë e acar, ndjekjen e punimeve nëntokësore të shpimit, në zonën Qëndrore e Galerinë 34 të zonës “D” afro 2000 ml. të gjatë, të ulët e me kthesa të mëdha, me ujë deri afër gjurit, Bulqizën ku duhet të ishe i gatshëm gjatë 24 orëve, se mund të lajmëronin edhe natën, që sonda ka takuar mineralin e kromit dhe inxhinieri bashkë me teknikun duhet të niseshin natën, më këmbë ose me makinë për të shkuar të bënin matjen e thellësisë së shpimit. Inxhinier Veseli e kapërceu dhe e përballoi këtë situatë të vështirë dhe në saj të bashkëpunimit më inxhinierët e vjetër që punonin në këtë vendburim si i ndjeri Koço Gushi nga Gjirokastra që punoi mbi 17 vite në Bulqizë dhe u nda para kohe nga jeta, Bashkim Jahja, etj. Kështu dy vitet e para të punës së tij në venburimin e Bulqizës ishin shkolla e dytë e përgatitjes së tij, për të punuar si gjeolog zbulues i pavarur, në çdo objekt apo venburim tjetër, këto dy vite ishin si kurs i lartë pas universitar për tu përgatitur si gjeolog zbulues. Në fillimet e punës së tij ai kujton dhe punëtorin e urtë, fjalë pak e të palodhur, drejtorin e Gjeologjisë së Bulqizës, Ismail Loshën.

Ndërmarja Gjeologjike e Bulqizës, rreth  85-90 %  të punimeve i kishte në venburimin e Bulqizës e zonën për rreth saj, aktivitetin për kërkimin e mineraleve të dobishme në pjesën tjetër të territorit, nga Maqellara në Peshkopi, Sllovë e Kala të Dodës, Muhur, Katër Grykët, Dardhë e Reç dhe Lurë e kryente EGJ Peshkopi. Kështu që kjo ekspeditë kishte nevojë për gjeologë të përgatitur, volumi i pakët i punimeve që kryhej duhet të ishte me efektivitet sa më të lartë. Mbështetur në këto kërkesa, falë edhe përgatitjes në vendburimin e Bulqizës si gjeolog zbulues, u plotësua dhe dëshira e inxhinier Veselit për të punuar në zonën e Korabit që ishte ngjitur me vendlindjen e tij në pjesën veri-lindore. 

Që në faqet e para të librit ai kujton me nostalgji fillimet e punës në zonën e Korabit, nga përgatitjet e bazës materiale me çadra e paisje guzhine në Bulqizë, rrugëtimin e parë me shoferin e urtë e punëtor Bujar Lala, takimin me Isuf Dobin e Muhurrit që do të bëhej transportuesi i ekipit, takimin e parë me Sherif Brikën në kafenenë e Ploshtanit, mbresat e takimit me mësues Destan Vishën nga Cereni, që tani ishte K/këshillit të Bashkuar të Kalasë së Dodës, për të marrë konfirmimin për punëtorët sezonalë që do të punonin gjatë verës dhe arritja më në fund në fshatin Tejzë (Radomirë) ku do të shkarkonim makinën sepse më tej, transporti i materialeve  për në Bjeshkën e Abazallarëve, ku do të vendosej baza e ekipit me çadra, do të bëhej me kafshë. Materialet për siguri i shkarkuan në oborrin e Postës së kufirit me lejen e komandantit Kozma Ziu nga Berati, me të cilin Veseli bisedoi për lejet e kufirit të punëtorëve, për lëvizjet se ishte zonë kufitare, njohjen me k/postës tjetër, lurianin Lenin Vladi, etj. Dy banorët e parë që takoi në Tejzë ishin mësuesit e fshatit, Mersim Sopoti nga Brezhdani e Nazmi Laçi nga Bresti i Poshtëm. Edhe ato kishin kushte shumë të vështira në fshat se nuk mund të shkonin çdo natë në shtëpi. Kujton transportin me kafshë të bazës nga Tejza në Bjeshkën e Shehut, ndihmën e k/postës me ushtarë të kufirit, ngritjen e bazës dhe ardhjen e lëndës eksplozive të shoqëruuar nga Lik Skarra e Ramadan Pali, sigurimin e saj sipas rregullave, takimi me punëtorët e parë që erdhën tek çadrat si, Ever Lamallari, Misim Daku, Xhevat Shehu, Esat Selmani, Sherif Ferhati, Skënder Domi, Avni Përzhilla, etj. nga fshatrat për rreth, të guzhinierit Gani Kolgjini dhe ardhjen e teknikut të vjetër e me eksperiencë Ali Bardhi nga Sina, që vetëm emrin kishte teknik por kishte aftësitë e një inxhinieri, me të cilin edhe unë kam punuar dy vitet e para në Lurë dhe ruaj kujtime të paharruara. Ai u nda nga jeta para kohe, por puna dhe kontibuti i tij në Ekspeditën e Peshkopisë nuk do të harrohen. Kujton nxënësin e shkëlqyer të Prrenjasit, Xhelal Sulin dhe kontributin e tij si topograf  në Ekspeditën e Peshkopisë.

Me ngritjen e çadrave në malin e Korabit filluan punimet e kërkimit në këtë zonë, në fillim punimet e rilevim kërkimit. Inxhinier Veseli, që në faqet e para të këtij libri nënvizon se: “Një gjeolog që nuk ka punuar në terren, veçanërisht në rilevimet gjeologjike, nuk mund të pretendojë të merret me shkencat gjeologjike. Pa rilevime gjeologjike nuk ka shkencë gjeologjike.  Ky është një postulat që po anashkalohet dhe harrohet”. E nënvizova këtë citim të tij sepse nuk mund të bësh gjelogji pa punë në terren dhe pa laborator. Inxhinier Veselit i qëlloi fati të punojë në zonën e Korabit, zona më e komplikuar e vendit tonë nga ana gjeologjike, ku me punën e tij këmbëngulëse dhe me përkushtim në terren arriti të bëhet një gjeolog i kompletuar edhe në fushën e kërkim rilevimit dhe të punojë si gjeolog i pavarur. 

Por zona e vështirë kërkonte edhe bashkëpunim, të cilin ai arriti t’a realizojë duke bashkëpunuar me gjeologët më të mirë të vendit tonë, të cilët filluan të jenë edhe mysafirët e parë në çadrat e gjeologjisë, afër majës  së Korabit, që aq bukur e me pasion i përshkruan autori në faqet e këtij libri. Ato ishin profesorët e gjeologjisë në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave dhe specialistët e Instiutit të Gjeologjisë, që punonin në grupet e Hartës gjeologjike në shkallë 1: 200 000, grupit të Studimit të hekurit, Studimeve stratigrafike etj., ku Veseli ishte dhe bashkëpunëtor i këtyre studimeve. Mysafirët e parë në Çadër ishin K/gjelogu Sali Bushi dhe specialistët më të mirë të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, shumica e të cilëve sot janë kthyer në ikona e personalitete të shkencës së gjeologjisë shqiptare si, dekani Eshref Pumo, profesorët Vangjel Melo (studiuesi i parë shqiptar i zonës së Korabit), Selam Meço, Jorgo Kanani, Andon Grazhdani,  specialistët e grupit të Hartës dhe grupeve të tjera të Institutit si, Minella Shallo, Shyqyri Aliaj, Pandeli Pashko, Polikron Theodhori, Alaudin Kodra, Abedin Xhomo, Vangjel Kici, mineralogu i shquar Petro Kati, mineraloge Dylbere Gjokuta, zv/drejtori i Institutit Feti Arkaxhiu, gjeologët Nuredin Osmani, Enver Bushi, Vangjel Qirici e Nikoll Meshi, gjeofizikantët Zoto Rjepaj e Aleksandër Kospiri etj. 

Gjatë viteve që kam punuar në Institutin e Gjeologjisë edhe unë kam qenë mysafir në Çadrën e tij, gati 2-3 herë në vit së bashku me shoferin shembullor e të papërtuar Tiranas, që punonte me mua, Ramazan Vrapin e pa harruar, i cili kishte aftësi dhe si kuzhinier dhe në bagazhin e makinës mbante një kamineto, disa paisje kafeje e kuzhine dhe 2-3 arka të vogla me ushqime e zarzavate dhe kudo që të ndaleshim në mal, pinim ndonjë kafe, ose gatuanim ndonjë gjë të shpejtë në kushtet e malit, për të ngrënë vetë, apo për të gostitur edhe ndonjë mysafir të rastit në mal. Ai brenda 10-15 minutash ishte në gjendje të përgatiste ushqim për 4-5 veta dhe e shtronte në tavolinën e vogël portative dhe thoshte: “Hajde bujrum, urdhëroni të hamë me këto që na ndodhën”,  që aq bukur e përshkruan  dhe Veseli në kujtimet e tij. Ai shkruan për kujtimet  me mua që në Ekipin e Dhoksit në Bulqizë, në Peshkopi, Korab e deri kur erdhi në Tiranë.

Nga viti në vit njohuritë e ti shkencore vinin duke u rritur. Zona e Korabit nuk është perspektive vetëm për minerale të dobishme metalore e jo metalore, por ka perspektivë edhe për naftë dhe gaz. Për këtë duhej bashkëpunimi me specialistët më të mirë të Institutit të Naftës e Gazit në Fier që u bënë mysafirët tjerë të inxhinier Veselit si, Fotaq Lula, Petraq Naço, Engjëll Prrenjasi, etj. për kryerjen e studimit “Mendime për ndërtimin gjeologjik dhe vlerësimin e mundësisë së perspektivës naftë-gaz mbajtëse të rajonit Veleshicë-Kostenjë” mbi bazën e të cilit është projektuar dhe një shpim kërkues në zonën Ura e Çerenecit-Okshtun me thellësi 2 500 m, i cili nuk është kryer. Kujton bashkëpunimin me specialistët e tjerë të naftës si, Mynyr Arapi, Luftar Bandilli, Telo Velaj, Skënder Miftari, Eleni Gjani, etj. Vite më vonë do të vinte prof. Fotaq Diamanti për studimin e Evaporiteve në zonë e Korabit, së bashku me specialistët, Telo Velaj, Skënder Miftari, Irakli Prifti, Eleni Gjani, Vladimir Veizaj, Adem Hyseni, Vangjel Ndroi e Vesel Hoxha.  

Miq në çadrat e tij në Korab kanë qenë dhe disa specialistë të shquar të gjeoshkencave si, Prof. Pierre Vergely (francez), specialistët gjermanë, prof. Peter Koenigskof e dr. Eberhardt Schindler së bashku me prof. Selam Meçe, specialisti gjerman dr. Martin Holzapfel dhe ai bullgar Xhorxh Paraskov.

Me punën dhe përkushtimin e tij, ai diti të bashkëpunojë me këto personalitete shkencore, të gjeologjisë së mineraleve të dobishme të ngurta dhe të naftës, të marrë nga eksperienca e tyre dhe arriti brenda një kohe jo shumë të gjatë të futet në radhët e tyre. Në sajë të këtij bashkëpunimi dhe punës me përkushtim të tij u arrit që të deshifrohet më tej gjeologjia, stratigrafia dhe perspektiva mineralmbajtëse e kësaj zone. Ky bashkëpunim do të ngelet si model i bashkëpunimit në historinë e gjeologjisë shqiptare. 

Gjatë punës në Korab, mysafir në Çadër erdhi dhe një student nga Sllatina e Dibrës, Alban (Ahmet) Çollaku të cilin falë rezultateve të shkëlqyera të arritura në fakultet e mbajtën pedagog, i cili më vonë u specializua në Francë ku mbaroi doktoratën me rezultate të larta. Kujton takimin në Peshkopi me gjeologun e madh francez, prof. Jean Paul Cadet, udhëheqës i doktoratës së Albanit “Zhvillimi gjeodinamik i Shqipërisë së Veriut” së bashku me dy udhëheqësit shqiptar, profesorët Vangjel Melo e Aleks Vranai. Në vitet 2002-2003 erdhi në Shqipëri në krye të kompanisë franceze “Coparex” për kërkimin e naftës në Shqipërinë e mesme dhe vazhdon të punojë në kompanitë më me emër botëror të naftës e gazit, si drejtor i Studimeve për Evropën dhe Afrikën, nga Bukureshti në Kongo, Algjeri, etj. 

Bazat ku vendoseshin çadrat lëviznin  nga Bjeshka e Abazallarëve të Vleshës, afër Bjeshkës së Shehut, në Përroin e Lushit, në pyllin e Mështeknave në Kijavec, etj. deri sa u vendosën më në fund në bazën e rregullt me baraka mbi Postën kufitare të Ploshtanit, poshtë Sorokolit. Sa herë që ndrronte bazën do t’i vinte në ndihmë përgjegjësi për punimet minerare në Ekspeditë, zjarmëtari Lik Skarra që i njihte mirë banorët dhe zonën ku do të punonin. 

Autori sjell në kujtimet e tij të gjithë punonjësit që e rrethonin, kujton teknikët Ali Bardhi e Halit Koka, elektriçistin e pa përtuar Isuf Lela, kolegët e EGJ të Peshkopisë, Esat Manjani, Sakip Elezi, Selim Muça, Niko Kita, Nexhat Hysa, Xhelal Suli, Muharrem Sturçe, Adli Baholli, Isa Mandri, Emërllah Kolgjini, Miftar Islami, etj. 

 Puna në zonën pranë trojeve të tij të lindjes, i zgjoi kujtimet e fëmijërisë, kohën kur ishte fare i ri dhe kulloste delet në Çelias, në Çeliasin ku ishte rritur dhe Skënderbeu i cili sipas historianit të shquar prof. Kristo Frashëri, “kishte lindur në Sinë dhe ishte rritur në Çelias”. Çeliasi ndodhet vetëm 500 m larg Blliçes, po aq larg edhe fshatit Kukaj, vendbanimi i Pal Kukajt, bashkëkohës i Skënderbeut, dhe 1000 m larg fshatit Kastriot, vendbanim i Gjon Kastriotit, babait të Skënderbeut, kujton maloren e Kodrës së Bitrit, burimet e fshatit si, Kroin e Milecit, të Arrave, Dertit, Lajthisë e Sadikut, xherizet në Vneshtë, Kodrën e Gjatë, Kodrën e Pareve, Përroin e Gramës, varrezat e rrethuara të lagjes e të fshatit, etj. etj.

Me mall e dashuri kujton mësuesin e klasës së I-rë, Aqif Sherif Spatën, në sitën e të cilit kanë dalë shumë breza nxënësish, si: Sakip Dauti, Munir e Vesel  Hoxha, Ruzhdi, Ilir e Esat Spata, Shaban, Maliq e Muhamet Bitri, Lazam e Hamdi Nezha, Ismet Kuta, Nuri Noka, Pajazit Noka, etj., nuk harron as mësuesit e tjerë të kësaj shkolle, Miftar Bushi, Selim Noka, Nazmi Kaci, Skënder Kuta, etj. kujton moshatarët e tij, Majune, Rrushe, Sakip, Ramiz, Xhetan, Halim e Din Dauti, Dije, Gani, Imer e Fatmir Bitri, Ilir, Esat, Ajet e Agim Spata, Hamdi, Nuri e Rexhep Noka, Hysen Tota, etj. Kujton mësuesin e vjetër Zotëri Ahmet Çaushin, që më vonë për disa vite do të ishte edhe kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mësuesin e gjuhës dhe letërsisë në shkollën 7 vjeçare të Fushë Alies, shkrimtarin e shquar dibran, Xhafer Martini. 

Kujton bariun e deleve, xha Bajramin me opinga e kësulën e bardhë, vuajtjet e moshatarit të tij Sakip Dauti, i cili megjithëse kishte mbaruar arsimin e lartë ekonomik me rezultate shumë të mira, sistemi i atëhershëm nuk e lejoi të ushtrojë profesionin e tij. Kur rastësisht e takoi Veseli dhe mësoi se ishte pa punë, e mori në punë punëtor dhe më vonë u bë brigadier e zjarrmëtar i EGJ Peshkopi, ku edhe doli në pension.

Gjatë periudhës që ka qëndruar në Ploshtan ai kujton pritjen e këtyre malësorëve bujarë, kujton në veçanti, Basri Litën, nënë Adivijen (motra e Lik Skarrës) dhe Bajram Litën në Ploshtan, prindërit e Halit Kokës në Stredok, etj. në shtëpitë e të cilëve shkonte si në shtëpinë e tij, kujton pritjet e ngrohta të banorëve të Kalasë së Dodës, kësaj krahine me emër në të gjithë Shqipërinë si: si Maliq Ganiu (Lika), Mahmut Hasani (Përzhilla), Daut, Hysen e Vait Përzhilla, Ibraim e Njazi Shehu, Hamdi Kamber e Sabri Ferati, Qerim Skeja, Jonuz Visha, Muharem Baloshi, Tosum Kolgjini, Rrahman Sufa, Ali Jakupi, Veli Koka, Ramadan Hima, Jaho Kasemi, Eshref e Avzi Visha, Sherif Brika, Sami Koka, Sami Isai, Abaz Palushi, Enver e Veli Lamollari, Mersim e Esat Selmani, Xhabir Domi, Misim e Agim Daku, Etem Madana etj. etj., dhe shumë punëtorë të gjeologjisë të kësaj zone si, Njazi Hima, Safat Hoxha, Veli Lamallari, Sherif e Agim Ferati, Xhevat Shehu, Vasip Manallari, Adem Sufa, Adem Përzhilla, Skënder Domi, Halim Mandri, kuzhinierin Agim Ferati, Faik Feratin nga Kullasi (Çernjeva) makinistin e Diagaçit të Luftës së II-të Botërore me të cilin transportonim materialet e sondave, zhurma e të cilit dëgjohej në gjithë Kalanë e Dodës, kujton të gjithë punëtorët e punimeve sipërfaqësore të kanaleve e puseve, minatorët e galerive, sondistët e shpimeve, etj. numri i të cilëve arriti në 130 punonjës, me intensifikimin e punimeve të kërkim zbulimit në këtë zonë.  

Gjatë punës në Korab dhe në zonat e tjera të Dibrës me shokët e Ekipit, Ekspeditës apo me miqtë e ardhur nga Tirana ka rastisur të shkojë për ndonjë vizitë, ku mund t’a kenë mbajtur dhe për darkë ose drekë, sigurisht në familjet që i njihte ose kishte miqësi, duke filluar nga familja e tij në Blliçe, ku i priste babai i tij Ramadan Hoxha, një nga burrat më të zgjuar të fshatit Blliçe. Ai tregon për pritjet që i kanë bërë Basri e Bajram Lita i Ploshtanit, Mexhit Paci i Cerjanit, Ali Hoti i Borije Lurës, Shefki Lleshi i Zogjeve të Dibrës, apo tek miqtë e tij të Tole në Çidhën, etj.  

Në vitin 2001 mbron disertacionin po për zonën e Korabit dhe fiton gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2014 fiton  titullin shkencor akademik “Profesor i asociuar” . 

Përgatitja nga ana profesionale gjatë punës në Korab e bëri që në vitin 2006 të transferohet në Drejtorinë e Përgjithëshme të SHGJSH në Tiranë, në vitin 2008 në Institutin e Gjeoshkencave të UPT. Gjatë kësaj periudhe ai kujton bashkëpunëtorët e tij, Ibrahim Milushi, Safet Dogjani, Nezir Mekshiqi, Idriz Jata etj. 

Duke qenë një nga njohësit më të mirë të gjeologjisë së Korabit, së bashku me prof. Kodrën morën pjesë në projektin e korelimit gjeologjik ndërkufitar (Shqipëri-Kosovë), kujton bashkëpunimin me drejtuesin e këtij projekti prof. Murat Meha dhe kolgun Dukagjin Shala, kujton marshutat deri natën vonë në bjeshkët e Sharrit, në Restelicë, Brod, Krushevo, Zli Patok, Glloboçicë, etj. 

Gjatë punës që ka punuar në Bulqizë, Korab dhe EGJ Peshkopi ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e gjeologjisë dhe stratigrafisë së kësaj zone, duke konkretizuar dhe objekte të mineraleve të ngurta metalore e jo metalore si të kromit, hekurit, manganit, bakrit, polimetaleve, vanadit, etj., dhe mineraleve të tjerë jometalorë, si squfur, mermere, argjila, travertina, bojra dheu, gjipse, anhidrite, selenite, inerte, kuarcite, ranorë, gëlqerorë, pirofilite, etj. të cilat janë një pasuri e madhe për rajonin e Dibrës. Për secilën nga këto pasuri ka studime e raporte ku Inxh. Veseli është autor ose bashkëautor kryesor, të cilat në mënyrë të përmbledhur jepen edhe në kapitullujt e këtij libri, si : “Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” mbajtur në Kuvendin Tekniko-Shkencor për Rrugën e Arbërit më 7 maj 2007 dhe “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive Administrative të Peshkopisë, Kastriotit, Çidhnës, Lurës, Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së Dodës, Tominit e Melanit, me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, turizmit malor e historik” mbajtur në Konferencën shkencore të LID “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Abërit”, më 12 maj 2019. 

Në këto referate krahas mineraleve të dobishme metalore e jo metalore, përshkruhen dhe pasuritë e mëdha ujore që ka Dibra të cilat kërkojnë një vlerësim e menaxhim më kompleks, ku përmenden, burimet sulfidrike të llixhave të Peshkopisë, mbi 40 burime ujore të freskëta në gjithë teritorrin e Dibrës, lumi Drini i Zi që e përshkon luginën e Dibrës nga Viçishti në jug deri në Draj Reç në veri dhe në të derdhen nga të dy anët e luginës zalle e përrej të fuqishëm, nga malet e Bulqizës, Balgjajt, Korabit e Lurës ka mbi 70 liqej të bukur malorë dhe të gjithë së bashku përbëjnë një pasuri ujore shumë të madhe të kësaj treve, që bashkë më mineralet, po të vihen si duhet në shërbim të ekonomisë së tregut do t’i shërbejnë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të Qarkut të Dibrës. 

Pasuritë turistike dhe gjeoturistike të Dibrës kanë vlera të pallogaritëshme për ekonominë e kësaj treve, ku përmenden: pejsazhet mahnitëse të gjipseve dhe anhidriteve, liqenet akullnajore të Selishtës (gjithsej 40), të Lurës (13), të Korabit (10), të Bulqizës (8), etj., Fusha e Panaireve, bjeshkët e Korabit, Lan Lurës, Muhurit e Selishtës, etj. 

Dibra është e pasur me monumente e gjeomonumente të natyrës. Ndër gjeomonumentet me vlera të jashtëzakonshme (regjionale ballkanike dhe europiane) përmend vendburimin e kromit Bulqizë, një VB unik për nga përmasat, rrudhosjet e trupave të mineralit të kromit, vendburimi kristalor i gjipsit të Radikës (Seleniti), masivi gjipsor i malit të Bardhë në Sllovë e Radomirë, formimet paleozoike me graptolite në zonën e Muhurit, Kanioni  i Setës, Monumente të tjera me rëndësi kombëtare si, ujrat termominerale të dy Dibrave, minralizimi i Squfurit Kërçisht, Rafshi i Korabit (1 500 – 1 600 m), Fusha e Panaireve (mbi 2 000 m), etj., Gjeoparqet e Lurës, Selishtës, etj. etj. të cilat kërkojnë një inventarizim e studim të mëtejshëm, sepse edhe zhvillimi i gjeoturizmit malor është një drejtim tjetër i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të rajonit të Dibrës. 

Në këto referate ngrihet edhe problemi i rezervave hidrike të pashfrytëzuara, në të gjitha degët e zalleve e përrejve të mëdhej malorë që derdhen në lumin Drini i Zi, rekomadohet kryerja e studimeve të mirëfillta shkencore, për të ruajtur dhe mjedisin, ngre problemin e ndërtimit të tre Hec-ve në luginën e Drinit të zi, duke debatuar me baza shkencore me gazetarin Ashiku, i cili me të drejtë është i shqetësuar për trojet që mund të përmbyten nga rezervuari i Hec-it të madh të Skavicës, apo variantit me tre Hec-e, por argumentave të tij u mungon mendimi tekniko-shkencor. Për këto shqetësohet me të drejtë autori i librit, ashtu siç shqetësohet kur për problemet e tërmeteve të fund vitit 2019, apo fenomene të tjera gjeologjike si rrëshqitjet, etj. pyeten e japin mendime nëpër media, diletantë e gazetarë të pa informuar dhe nuk pyeten gjeologët,  gjeofizikanët, apo personalitet shkencore të kësaj fushe, të cilët tek ne nuk mungojnë. 

Rajoni i Dibrës nga Qafa e Buallit deri në Kala të Dodës është pëllëmbë e histori. Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit do të bëhen të vizitueshme nga vendas e të huaj, Kalaja e Petralbës, Fusha e Vajkalit, Gurët e Skënderbeut, Valikardha, Peladhia, Vendbanimet e herëshme të Krajkës, Sofraçanit, Topojanit e Allabejgisë,  Gropat e Ukut, Gjurra e Mazhicës, Monumentet historike të Dibrës së Madhe (Xhamitë Inqari e Bajram Beg, Kishat Shën Mëria e Shën Jovan Preteça,  Manastiret Bigorski (Mbi-gurit) e Shën Gjergji fitimtari, Kështjella e Qyteti i Sfetigradit, Kalaja e Modriçit, etj.), Kalaja e Grazhdanit, Kastrioti, Kisha e Gjonit, Zabeli i Kukës, Kulla e Gjonit, Ogradja e Gjonit, Guri i luftës, Kulla e Gjonit, Ferra e Pashës, Beteja e Arrasit, Muzeu i Kastriotëve në Sinë, Hambarët e Skënderbeut, Ara e Trojës, Troja, Arat e Gjegjës, Kalaja e Skënderbeut mbi Kanionin e Setës, etj, etj. të cilat do të bëhen të vizitueshme dhe do të kenë një rëndësi shumë të madhe për njohjen e mëtejshme të historisë dhe zhvillimit të turizmit historik të këtij rajoni. 

Ai ka ndjekur me intteres të veçantë kalvarin e gjatë të studimit e ndërtimit të Rrugës së Arbërit, që në fillimet e saj, në përpjekjet e para të shoqatës “Nisma Dibrane” me ish kryetar Iljaz Kacën dhe aktivistët  Hysen Uka, Bujar Karoshi e shumë të tjerë, është aktivizuar në shoqatën LID në Tiranë duke marrë pjesë në aktivitetet e saj shkencore dhe ka ngritur e mbështetur problemet shqetësuese për të mos prishur standartet e ndërtimit të saj, duke shkruar vazhdimisht në gazetën Rruga e Arbërit, siç është artikulli “Rruga e Arbërit, Rruga e zhvillimit të Shqipërisë Lindore” botuar në maj 2007, që botohet i plotë në faqet e këtij libri, etj.

Autori i këtij libri që e ka lidhur jetën me gjeologjinë i dhimsen shkatërrimet e Institucioneve të Gjeologjisë. Ai thekson se: “Kombet krenohen me historinë e Institucioneve akademike, ndërsa Qeveria jonë, edhe për të vetmen godinë simbol, ku janë përgatitur mbi 4800 kuadro të shkencave të tokës, Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, nxjerr VKM për t’ia kaluar Gjykatës së Lartë”. Sulmi ndaj Institucioneve të Gjeologjisë e Minierave, që i kanë dhënë aq shumë kombit tonë, ka filluar që me fillimet e demokracisë, në fillim të viteve nëntëdhjetë kur  godinën e Institutit të Gjeologjisë dhe godinën e Alb krom-bakrit, dhe Institutit të Kimisë e gjysmën e godinës së N/Gjeofizike, ia kaluan KESH-it, duke mos pyetur për shkatërrimin e laboratorëve, bibliotekës, muzeut dhe ambienteve të tjera të Institutit të Gjeologjisë, Kimisë dhe Gjeofizikës, duke vazhduar më vonë me godinën e N/Gjeologji-Gjeodezi ku shkatërruan dhe laboratorin e gjeomekanikës së shkëmbinjve i paisur me makineritë e kohës, ku u vendos për disa kohë dhe Gjeoalba, për t’ia kaluar Sistemit të Shëndetësisë, apo deri veprimet e viteve të fundit kur Drejtorinë e Përgjithëshme të SHGJSH ku ishte dhe Fondi Qëndror i Gjeologjisë e degdisën në Repartet Ushtarake tek Rapi Tresh, për t’a kthyer në godinë të Prefektit të Qarkut të Tiranës, a thua se zyra e Prefektit kishte rëndësi më të madhe se SHGJSH apo FQGJ, etj.

Ai me të drejtë shqetësohet për degjenerimin e reformave, për shkrirjen e Instituteve Shkencore, për problemet që dalin para shkencave gjeologjike, për ndërtimin e rrugës Arras-Lurë si domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit dhe kërkimin e mineraleve, si dhe për rrugët e tjera lidhëse me Rrugën e Arbërit, për zhvillimin ekonomik, të turizmit malor e historik në rajonin e Dibrës, etj. për të cilat ka folur gjërë e gjatë në shtypin e shkruar dhe në faqet e këtij libri. 

Falë përgatitjes së tij dhe disa bashkëmoshatarëve nga ana letrare, që në shkollën 7 vjeçare, nga mësuesi i letërsisë, shkrimtari i shquar dibran Xhafer Martini, ai e mbyll librin “Shënime në Çadër” me 3 vjersha që ua kushton kolegëve të tij si: “Gjeologëve”, “Jua di hallet kolegëve të mij” dhe “Për shokun tim të fëminisë Ilir Lazim Spata”, boton disa perla nga libri i Ilir Spatës “Legjenda e një fisi” dhe vjershën që i ka kushtuar ai, shokut të fëmijërisë, Veselit, kujton dhe një herë besimtarët Daut Përzhilla (babai i ish K/kooperativës Shaban Përzhilla) e Maliq Ganiu (Lika), myfti Ahmet Çaushin, Hamdi Feratin, Bajram Litën, Xhafer Martinin, ku përmend librat e shumtë të tij me karakter studimor për kulturën popullore, si: “Kanuni i Dibrës”, “Perlat e Dibrës”, “Gjakmarrja”, “Dashuria me shikim të parë”, “Pajtimi në traditën popullore”, “Fjala priu”, “Tregime të rralla popullore”, “Ese filozofike me motive  popullore”, “Tregime mitologjike”, ‘Pedagogjikasit”, “Kur vdiste Kanuni”, duke përfunduar me kujtimet e mbresat për mikun e tij të paharruar Maliq Bitri.  

Mbështetur sa munda të përshkruaj shkurtimisht më sipër, libri “Shënime në Çadër” nuk ka vetëm vlera shkencore për gjeologjinë e gjeologët por, ai është shkruar edhe me një nivel të lartë artistik duke u bërë i lexueshëm edhe për të gjitha shtresat e tjera të interesuara, për t’u njohur me pasuritë e mëdha nëntokësore e mbitokësore, mineralet metalorë e jo metalorë, pasuritë e mëdha ujore, me bukuritë e mahnitëshme turistike e gjeoturistike dhe monumentet e shumta historike, që ka treva jonë e begatshme Dibra, vënja në lëvizje e të cilave do zhvillojë më tej ekonomikisht atë. 

Vitet bëjnë punën e tyre, prof. Vesel Hoxha ka dalë në pension, por edhe tani vazhdon të jetë energjik e plot pasion, siç e mbaj mend, para 46 vitesh kur filloi punën në Bulqizë, dhe me këtë rast i uroj jetë të gjatë e plot shëndet, për vazhdimin e punës së mëtejshme shkencore dhe në përfundimin e monografive: “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” e “Rreziku gjeologjik i Dibrës”, etj.,  me rëndësi të madhe,  jo vetëm për Dibrën, por edhe për Kombin.